Dorën në zemër, Vuçiqi ia ka dalë të luajë me të gjithë dhe të ulet në disa karrige e të hajë me shumë lugë: as nuk largohet nga Rusia, as nuk i afrohet Evropës, por merr para nga e gjithë Evropa, e për inat të Evropës edhe nga Kina e nga shtetet arabe. Ndërkohë konsolidohet në pushtet duke vjedhur vota dhe e mban atë duke u lënë hapësirë manovrimi një grumbulli kriminelësh që i kryejnë punët e fëlliqura për të
Lajmi i javës, pa asnjë dyshim, qe vizita e ministrit të ri të Jashtëm të Britanisë së Madhe, ish-kryeministrit britanik, David Cameron.
Vizita ka vlerë edhe më të madhe për nga fakti se është vizita e tij e parë, në postin e ministrit të Jashtëm, më 2024. Pra, vitin pikërisht e nis me vizitën në Kosovë.
U prit nga kryetarja, kryeministri dhe ministrja e Jashtme dhe shkoi duke i lënë pas disa porosi të fuqishme:
“Jemi përkrahës të mëdhenj të pavarësisë, sovranitetit dhe të së drejtës së Kosovës për t’u njohur nga të tjerët si një vend i plotë, sovran dhe anëtar i familjes së kombeve. Jemi këtu për t'ju mbështetur, për t'ju promovuar, për t'ju ndihmuar në të gjitha mënyrat që mundemi... Jetojmë në një botë me pasiguri të madhe, paqëndrueshmëri të madhe, në një botë me konflikte të mëdha dhe është një kohë kur vendet si Britania duhet t'i mbështesin miqtë tanë, të punojnë ngushtë në aleancat tona të rëndësishme dhe të investojnë në zona që kanë qenë të paqëndrueshme, por që tani po tregojnë shenja të mëdha të stabilitetit dhe progresit. Dhe kjo është arsyeja pse ne jemi këtu dhe kjo është arsyeja pse ne duam të vazhdojmë të punojmë me ju”.
Dhe çfarë tjetër do të mund t’i thuhej z. Cameron, pos se edhe ne duam të vazhdojmë ta kemi përkrahjen e Britanisë dhe të punojmë me të. Britania ka qenë ndër dy shtetet kyç që na ka shpëtuar falë bombardimit të NATO-s; ndër të parat që na e ka njohur shtetësinë dhe ka hapur ambasadë këtu dhe britanikët ishin ndër të parët, nëse jo të parët, që reaguan ndaj sulmit terrorist në Banjskë, duke e bërë të qartë se nga duhej kthyer gishtin për ta gjetur fajtorin.
Reagimi i Daçiqit ndaj deklaratave të Cameronit tregon se çfarë rëndësie ka kjo vizitë për Kosovën. Është porosi shumë e qartë, e cila prej Prishtinës i dërgohet Beogradit: që ta kontrollojë impulsin e vet destruktiv që e karakterizon natyrën e politikëbërjes dhe vetë udhëheqësve politikë të Serbisë.
Fakti se pas të gjitha këtyre viteve, më në fund ka shenja protestash në Serbi që kërkojnë anulimin e zgjedhjeve, të cilat i cilësojnë si mashtrim elektoral, tregon se edhe në Serbi njerëzit kanë nisur të lodhen nga autoritarizmi patetik i Vuçiqit.
Dorën në zemër, Vuçiqi ia ka dalë të luajë me të gjithë dhe të ulet në disa karrige e të hajë me shumë lugë: as nuk largohet nga Rusia, as nuk i afrohet Evropës, por merr para nga e gjithë Evropa, e për inat të Evropës edhe nga Kina e nga shtetet arabe. Ndërkohë konsolidohet në pushtet duke vjedhur vota dhe e mban atë duke u lënë hapësirë manovrimi një grumbulli kriminelësh që i kryejnë punët e fëlliqura për të.
* * *
Dhe viktima e radhës së pushtetit të tij është kryetari i Partisë Republikane të Serbisë, një partie minore me pak përkrahës, por me një udhëheqës që është i pari politikan serb nga Serbia që ka ardhur për të vendosur lule mbi varret e Jasharëve dhe i pari i cili u kërkoi falje shqiptarëve për krimet që shteti serb kishte kryer në Kosovë, sidomos në luftën e fundit.
Sinqerisht, nuk e di po qe se veprimi i Nikolla Sandulloviqit ka qenë i sinqertë dhe i udhëhequr nga keqardhja dhe pendimi i njëmendtë. Biografia e tij është mjaft e mjegullt dhe e paqartë.
Për të thuhet se ka pasur lidhje me krimin nga koha e Millosheviqit, edhe pse emri nuk i ka dalë kurrë në aktakuzë, porse gjithashtu thuhet se ka qenë këshilltar për siguri i ish-kryeministrit serb, Zoran Gjingjiq, që vdiq si pasojë e një atentati të organizuar nga strukturat kriminale të përkrahura nga shteti.
Thuhet se është pronar i disa lokaleve të gastronomisë në Beograd, dhe se jeton në Senjak, në njërën nga zonat rezidenciale më të shtrenjta të kryeqytetit të Serbisë.
Sandulloviqi kishte qenë viktimë e një shpërthimi bombe të vendosur në veturë, nga e cila tentativë-vrasjeje mbijetoi i plagosur. Më pas thuhet se para dy vjetësh e kishin helmuar, dhe ky ia kishte dalë të mbijetonte sërish. Dhe, për ta përmbyllur, për të thuhet se ka qenë problematik gjatë pandemisë, për ç’gjë e kishin arrestuar, dhe se ishte deklaruar simpatizues i Donald Trumpit dhe i nxitjes që ky ua bëri përkrahësve të vet që ta okuponin Capitol Hillin me dhunë.
Me gjithë biografinë jo fort të lavdishme dhe për shumëçka të errët, ky njeri erdhi dhe vendosi lule në varret e Jasharëve. Dhe në një postim në platformën X kërkoi falje për krimet. Akt të cilin nuk e ka bërë asnjë politikan serb. Kurrë.
Sipas avokatit të tij, fotot dhe postimi i mjaftuan prokurorisë që të japë urdhër për bastisje. Policia speciale i shkoi në shtëpi, e bastisën dhe më pas e morën me vete në hapësirat e sigurimit shtetëror. Aty, thotë avokati, e kanë rrahur 15 policë specialë dhe rrahjen e kanë incizuar me telefon, ndërkohë që incizimin ia kanë përcjellë dikujt. Sipas avokatit, klienti i ka thënë se pas rrahjes brutale ishte alivanosur dhe se më pas ishte zgjuar në Akademinë Ushtarake Mjekësore (VMA) në Beograd, duke thënë se kishte mbetur i palëvizshëm.
Sandulloviqi u dërgua në mbajtje 48-orëshe dhe akuzohet për përhapjen e urrejtjes. Kompetente për ndjekjen e tij penale është prokuroria në Nish, “që është selia e prokurorisë së transferuar prej Kosovës në Serbi”.
Pra, ani që ky jeton në Beograd, ani që atje e kanë rrahur dhe arrestuar, “vepra e tij penale” është kryer në Kosovë, dhe “organet e drejtësisë së KiM-it” duhet ta procedojnë rastin. Pra edhe një në vargun e veprimeve të mohimit të realitetit, pra të Pavarësisë së Kosovës, me inskenimin e procedurave gjyqësore nga trupat “me qëndrim të përkohshëm në Nish”.
Dhe si koment i fundit ndaj kësaj ngjarjeje, rrahja e tij, për të cilën opinioni dhe mediumet në Serbi heshtin, kurse për të reagohet në Kosovë dhe në Britani, vetëm sa e tregon se Vuçiqi nuk zgjedh mjete për të ndalur çfarëdo veprimi që nuk është në linjën që e ka përcaktuar vetë, edhe kur bëhet fjalë për një parti me pak fuqi politike. Aq më parë, nuk ngurron (po qe se del të jetë e vërtetë se në mesin e atyre që e kanë rrahur Sandulloviqin është edhe Millan Radoiçiq, kryeorganizatori i aktit terrorist në Banjskë), t’i përdorë kriminelët që i mbron, për të qëruar hesape me këdo për llogari tijen.
Reagimi nga BE-ja mungoi... e me gjasë do të vazhdojë të mungojë. Se mos po hidhërohet Vuçiqi.
* * *
E të hidhëruar na u paraqiten serbët e veriut kur e kuptuan se pas 25 vjetësh duhet ta paguajnë rrymën të cilën e konsumojnë.
Lajmi dje qe që Qeveria kishte vendosur t’ua merrte paratë komunave të veriut për ta paguar një pjesë të borxhit ndaj KOSTT-it. Kështu, 11.8 milionë euro iu morën këtyre komunave dhe iu transferuan Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës. Por, megjithatë, mbetën edhe nja 18.9 milionë euro të pambuluara për të gjitha ato vite, ku rryma është konsumuar pa asnjë fije detyrimi për t’u larë nga konsumatorët, ndërkohë që në pjesën tjetër të shtetit furnizimi me rrymë ndërpritej edhe për 20 euro borxh.
KOSTT-i i kërkon Qeverisë që të gjejë zgjidhje për borxhin, dhe kjo e fundit mendon t’i qaset Fondit Zhvillimor të Mirëbesimit të komunave veriore, pra parave që janë mbledhur (e nuk e dimë se sa janë në pyetje, se Qeveria nuk tregon), nga të hyrat doganore në vendkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, që parashihen të përdoren për projekte në fushën e infrastrukturës, të shërbimeve sociale, ngritjen e kapaciteteve institucionale, kulturës, sportit dhe bujqësisë.
Një interpretim kreativ do të ishte se rryma është shërbim social dhe si i tillë do të mund të mbulohej nga kjo linjë, porse kjo definitivisht është në duart e BE-së, përfaqësuesi i së cilës e udhëheq fondin. Po qe se do të jepej pëlqimi, atëherë së paku e dimë se paratë e buxhetit nuk do të shkojnë sërish për t’ua paguar rrymën mohuesve të shtetit të Kosovës.
Ishte mjaft irrituese të dëgjoheshin kundërshtimet e serbëve të veriut – se ishin të varfër, se i kishin pensionet e vogla, se ishte e padrejtë që të detyroheshin të paguanin rrymë (e shërbime të tjera besa) – sidomos kur e dimë se me vite të tëra paguesit e rregullt ua kanë paguar rrymën, përfshirë edhe për mihjen e kriptovalutave.
* * *
Pa dyshim, nisje interesante e vitit.
Pos zgjedhjeve që duken të pashmangshme, a thua edhe çfarë tjetër po na pret përpara?