Problemi i pushtetit është grupi i vet parlamentar. Aty ku nuk ka disiplinë pune; aty ku ka shëtitje mes seancash; ku ka pushime vjetore edhe jashtë pushimit të rregullt në gusht – aty nuk ka seriozitet pune. Aty nuk ka përgjegjësi. Aty ka zbulim se krijimi i listave zgjedhore duke u mbështetur mbi kalkulime për të tërhequr këtë apo atë grup votuesish në fund kthehet bumerang. Edhe për shkak të dispozitës kushtetuese se mandati i takon deputetit e jo partisë
Të shtunën e shkuar kisha përshtypjen se do të më ndalej zemra. Bënte vapë e madhe dhe, edhe pse temperatura ishte rreth 32ºC, telefoni më tregonte se ndjesia e nxehtësisë ishte 37ºC. Mezi ngihesha frymë dhe disi si zvarrë kreva pazarin dhe u nisa për në shtëpi.
Mendova me vete, jemi rrugës për t’u shndërruar në vend me klimë tropikale, pasi që vetëm dy ditë më parë Prishtina e përjetoi një rrebesh breshri që nuk u ndal thuajse një orë, përderisa nuk u deshën më shumë se nja 15-20 minuta që i gjithë uji të avullohej nga nxehtësia që kishte akumuluar toka.
Para se të nisja ta shkruaja këtë kolumne, u detyrova të shkoja në shtëpi dhe t’i ndërroja rrobat e verës me ato të vjeshtës, për shkak se temperatura ka rënë në 18ºC, teksa telefoni i mençur më tregon se ndjesia e temperaturës është 13ºC.
Nuk ka ditë që nuk më kujtohet fëmijëria dhe moti i asaj kohe, të cilin e ka përcjellë njëfarë rregulli i pashkruar. Mbaj mend se asnjë dimër nuk e kalonim bile pa një gjysmë metri bore – ashtu siç i kishte hije dimrit dhe për qejfin më të madh të fëmijëve, që kohën e lirë e kalonin duke u lëshuar me saja nga rrugët që nuk kishin vetura. Atëbotë, kur ndonjë dimër bëhej tepër i ftohtë dhe sillte borë me fërfëllizë, bora dinte të grumbullohej edhe më shumë – e atëherë ajo na shërbente për t’i ndërtuar dordolecët dhe për të bërë luftë me topa bore.
E rregulli i pashkruar tregonte se dimrat e gjysmë metri bore do të sillnin verë me temperatura deri në 30ºC, që ishin të mëdha për Prishtinën kryesisht të freskët dhe e cila gjatë ditës dinte t’i ndërronte katër stinë. Në shaka, jo rrallë thoshim se emri i qytetit kishte rrjedhë nga kombinimi i dy fjalëve “prish” e “stinë”, pra PrishStinë, e që kinse më vonë, për “shmek”, ia kishin hequr shkronjën “s”.
Shakanë anash, na dilte i vërtetë parashikimi që pas një dimri tepër të ftohtë do ta kishim një verë tepër të ngrohtë, që dinte t’i tejkalonte edhe ato 30ºC magjike. Nuk ndodhte shpesh, porse ishte interesante se si teoria dëshmohej e vërtetë në praktikë.
* * *
Nga fillimi i të ’90-ave, të huajt nisën të vinin në Kosovë për të punuar. Natyrisht se kishin kërshëri për të ditur se çfarë moti bënte në Prishtinë, aty ku do të stacionoheshin për disa vjet. Qeshnin me mua kur ua tregoja teorinë e fëmijërisë sime. Nja dy vjet më doli plotësisht e saktë. E pastaj më ra në ujë tërësisht.
Ndodhi që mu në vitet e ’90-a nisi të flitej me më shumë zell për një gjë që u quajt “ngrohja globale”, ani që ky term për herë të parë ishte përmendur më 1975 nga shkencëtari amerikan Wallace Broecker.
Sikurse që kishte bërë e gjithë bota për 15 vjet, edhe ne, pas suprimimit të autonomisë, nuk tregonim të ishim fort të brengosur për atë punë. Sepse edhe ashtu ishim açik krejt dynjasë, në hall tonin për ta mbijetuar represionin me sa më pak dhimbje e humbje, e s’kishim fort kohë as të mendojmë po qe se vërtet po ndodhnin ndryshimet klimatike.
Në ato kohë nuk e kishim idenë se çfarë dëmi po i bënim vetes, ne qytetarët e botës. Për të kuptuar bile një fije, do ta shikonim tek-tuk ndonjë dokumentar të BBC-së, e mandej kur krisi lufta nuk kishim më as kohë, as vullnet për të shikuar çfarëdo, pos Kasandrës dhe Esmeraldës. Vetëm me përhapjen e shpejtë të internetit, me qasjen në pamje satelitore dhe marrjen e shumë informatave, do të kuptonim se jemi nisur një rruge që nuk e dimë nga do të na shpjerë, po qe se nuk ndërmerren masat e domosdoshme mbrojtëse.
* * *
Ajo që është e qartë është se Kosova nuk do ta zgjidhë çështjen e ndikimit të ngrohjes globale, as në nivelin mikro, ngase ka telashe me vetveten.
Tash me shpërthimin e luftës në Ukrainë nuk e ka as hesapin më të vogël që të blejë rrymë nga tregjet ndërkombëtare e ta paguajë nga 400 euro megavat orën. Mund ta prodhojë vetë, me kapacitetet që i ka, e besa edhe me shtimin e kapaciteteve të tjera, siç është dielli. Sepse nëse do të mund të thuhej se disi ia paskemi parë hairin ngrohjes globale, atëherë do të thoshim se kemi më shumë ditë me diell seç kemi pasur në të kaluarën. Dhe se kur bie shi, kemi më shumë erëra të forta seç i kemi pasur në të shkuarën.
Meqë amerikanët tash na i dhuruan 200 e kusur milionë dollarë, mbase do të duhej investuar në këto kapacitete tash verës, ashtu që dimrit të mos vijmë te pika e restrikcioneve dhe e blerjes së rrymës së shtrenjtë nga jashtë.
E kur jemi te dimri, nga raporti i Auditores së Përgjithshme kuptuam se për herë të parë pas shumë vjetësh Termokosi ka dalë në fitim. Mirë do të ishte që atë fitim tash ta kthejë në ndërtimin e gypsjellësve të rinj për t’i ofruar ngrohje një numri më të madh qytetarësh me avullin e ardhur nga termocentralet.
Dhe jo, Kosova nuk do ta zgjidhë problemin e ndikimit të ngrohjes globale, për shkak se i ka problemet e veta shumë të mëdha, që veç sa mund të shkojnë e të komplikohen.
* * *
Kemi besuar se me shumicën, sado të hollë, parlamentare, pushteti do të ishte në gjendje ta kalonte agjendën legjislative pa shumë telashe. Nëse asgjë tjetër, do të ishte në gjendje ta siguronte kuorumin e nevojshëm për t’i mbajtur seancat. Dhe çka ndodh? Ndodh që për 15 muaj deputetët kanë shënuar madje 700 mungesa dhe megjithatë janë paguar edhe për punën që nuk e kanë kryer. Ndodhi që të enjten e shkuar të dështonin së paku katër ligje për shkak se nuk ka pasur kuorum.
E për mungesë kuorumi nuk ka faj opozita. Ajo nuk do të duhej të çante kokën po qe se kalon ose jo ndonjë ligj, sepse fundja një mori ligjesh do t’i kundërshtojë për shkak se nuk i shkojnë për shtati. Faji pse Kuvendi nuk mban seanca është për shkak se kuorumin nuk e siguron partia e cila e ka shumicën në Kuvend dhe e cila i ka siguruar votat e minoriteteve duke u ofruar poste të larta qeveritare.
Pushteti mund ta kritikojë maksimalisht opozitën për mosbashkëpunim, porse me këtë rast do të ndiejë në lëkurë të veten se si është kur nuk përfillesh si pushtet. Se si është kur i kundërshton të gjitha nismat, qoftë për çështje parimesh, qoftë për interes apo edhe për pikë të inatit.
Problemi i pushtetit është grupi i vet parlamentar. Aty ku nuk ka disiplinë pune; aty ku ka shëtitje mes seancash; ku ka pushime vjetore edhe jashtë pushimit të rregullt në gusht – aty nuk ka seriozitet pune. Aty nuk ka përgjegjësi. Aty ka zbulim se krijimi i listave zgjedhore duke u mbështetur mbi kalkulime për të tërhequr këtë apo atë grup votuesish në fund kthehet bumerang. Edhe për shkak të dispozitës kushtetuese se mandati i takon deputetit e jo partisë.
Dhe nëse pushteti nuk është në gjendje ta disiplinojë një grup parlamentar për t’i shtyrë punët para, pas gjithë atyre premtimeve, cila është perspektiva që na e ofron? Pazare për të kaluar ligje apo edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare që do ta na sjellin një mishmash edhe më të madh partish me poste deputetësh? Ngase e dyshoj shumë se 50 e kusur përqindëshi mund të përsëritet. Për shkak se tash nuk mund të thirren më në të bëmat dhe dështimet e të tjerëve, si alibi për dështimet e veta.
* * *
Gjatë javës u raportua për disa veprime nepotike: për punësimin e të bijës së zëvendëskryeministres në transmetuesin publik, për punësimin e të bijës së kryetarit të Komunës së Podujevës në AKP-në që supozohej se duhej të shuhej dhe për kryerjen e praktikës së vajzës së mitur të ministres së Jashtme në MPJD. Nepotizmi i gjithëpërhapur ka qenë një prej atyre gjërave që ky pushtet kishte premtuar se do ta luftonte. E lufta me punësime bijash nuk bëhet. Kështu, në këtë formë, ky pushtet nuk dallon fare nga të tjerët.
Pushtet i nderuar: sa merreni me punësimin dhe rehatimin e të afërmve, më mirë merruni me pandeminë, e cila është kthyer krejt vrull, përderisa po mjaftoheni me “ju sugjerojmë t’i mbani maskat” dhe “zbatojini masat e prillit”, që tybe nëse e di kush se çfarë paraqesin.
Merruni me ekonominë, harrojini skemat sociale se na bëtë popull parazitësh; rregullojeni gjyqësinë dhe nisjani të na sillni investitorë të huaj; rregullojeni arsimin dhe krijojeni bursa shtetërore për kuadro deficitare. Do të më thoni kemi nevojë për kohë, por unë do të them se neve koha po na mbaron.
Ashtu siç po u mbaron pacientëve të Onkologjisë që nuk kanë se ku marrin trajtim, sepse ndërtesa u është vërshuar ditën kur ngrohja globale na tregoi se di edhe të të mërdhijë me breshër në pikë të verës.