Çështja e targave është një nga ato pikat e rralla ku Kosova mund të lëshojë pe, por që do t’ia mundësonte të kërkonte lëshim pe në një pikë tjetër, siç është anëtarësimi në organizata ndërkombëtare. Kështu, Kosova do të mund ta shndërronte një “humbje” në një fitore. Për më tepër, Kosova ka komoditet të pranojë që ta fusë çështjen e targave në negociata, në këmbim të kërkesave të saj për çështje të tjera, siç mund të jenë çështje që kanë të bëjnë me Asociacionin apo me afatizimin e dialogut
Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë ngritur përsëri, përderisa të dyja tentojnë të dëshmojnë se kanë kontroll mbi veriun e Kosovës. Serbia e bën këtë përmes presionit mbi qytetarët që të dalin nga institucionet e Kosovës. Kurse sjellja e Kosovës me vendimet për targat, në anën tjetër, është përpjekje për të dëshmuar se Kosova e ka nën kontroll territorin në veri. Por a është e mundur që të kalohet nga çështja e targave drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse?
“Krimeja e butë”
Dorëheqjet e zyrtarëve të komunitetit serb nga institucionet e Kosovës në veri janë pjesë e një përpjekjeje nga Beogradi për ta imponuar formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Sipas pozicionit të tyre publik, Serbia i ka kryer obligimet e Marrëveshjes së Brukselit me integrimin e qytetarëve serbë në veri, kurse Kosova nuk i ka kryer obligimet e saj për formimin e Asociacionit. Natyrisht, këto dorëheqje imponohet njëkohësisht për të dëshmuar se Serbia e kontrollon veriun. Pra, me këtë forcohet kërkesa për status të veçantë të veriut. Sa i përket gjendjes në terren, veprimet e Serbisë mund të konsiderohen si një “Krime e butë” ku Serbia synon ta kontrollojë veriun përmes strukturave paralele, për të krijuar një ndarje të brendshme; pra ngjashëm me zaptimin e Krimesë nga Rusia përmes ushtarëve të paidentifikuar.
Fatkeqësisht, BE-ja si ndërmjetësuese si duket e ka pranuar të mirëqenë qëndrimin e Serbisë dhe ka filluar të kërkojë nga Kosova që ta formojë Asociacionin. Serbia, pra, e ka refuzuar planin franko-gjerman (që u vërtetua edhe me deklaratën e ministrit të Jashtëm, Daçiq). Reagimet nga BE-ja lënë të kuptohet se Serbia e ka refuzuar planin me kërkesën që të formohet Asociacioni para se të vazhdojnë diskutimet për këtë plan. Pra, kemi një situatë kur një parakusht i njërës palë u pranua, pa pasoja për refuzimin e planit franko-gjerman.
Dalja nga barrikadimi
Kosova ka mundësi, në fakt, të lëshojë pe për targat, por duke marrë koncesione nga pala tjetër. Në këmbim për pezullimin e vendimit për targat, mund të kërkohet ndalimi i lëshimit të targave nga institucionet paralele, dorëzimi i të dhënave nga Serbia te institucionet e Kosovës, dhe mosmbajtja e targave paralele nga qytetarët. Gjithashtu mund të kërkohet qëndrimi i qartë për planin franko-gjerman dhe pasojat e refuzimit të tij. Kurse nga ndërmjetësuesit duhet të kërkojë që ta vënë fokusin te shuarja e institucioneve paralele të Serbisë, e jo vetëm te Asociacioni, për ta evituar njëanshmërinë.
Pra, bëhet fjalë për pezullim të përkohshëm e jo shtyrje. Dhe, për të pasur uniformitet në gjithë territorin, do të mund të pezullohej lëshimi i targave të reja për tërë vendin jo vetëm për veriun, deri në ridizajnim të formatit të ri (edhe ashtu formati aktual i targave me ndarje rajonale duhet të ndërrohet). Meqenëse zakonisht kodi shtetëror me dy shkronja përdoret për targa, arsyetimi për këtë pezullim duhet të jetë kërkesa për marrjen e kodit shtetëror ISO 3166 nga Organizata Ndërkombëtare për Standardizim (ISO). Pra, bëhet fjalën për kodin me dy shkronja (ISO 3166-1 alpha-2), ku njëkohësisht Kosova do ta definonte edhe kodin me tri shkronja, si dhe kodin numerik, e bashkë me këto edhe domenin e nivelit të lartë të internetit. Kosova në fakt ka pasur të drejtë të aplikojë për këto kode qysh nga anëtarësimi në FMN dhe BB. Sidoqoftë, përmes kësaj Kosova do ta kërkonte anëtarësimin në ISO dhe do ta forconte identitetin shtetëror.
Nga “humbja” në fitore
Pra, çështja e targave është një nga ato pikat e rralla ku Kosova mund të lëshojë pe, por që do t’ia mundësonte të kërkonte lëshim pe në një pikë tjetër, siç është anëtarësimi në organizata ndërkombëtare. Kështu, Kosova do të mund ta shndërronte një “humbje” në një fitore. Për më tepër Kosova ka komoditet të pranojë që ta fusë çështjen e targave në negociata, në këmbim të kërkesave të saj për çështje të tjera siç mund të jenë çështje që kanë të bëjnë me Asociacionin apo afatizimin e dialogut.
Vetë dialogu ka ngecur në këtë periudhë përderisa ndërmjetësuesit nuk e kanë të qartë si të veprojnë me refuzimin e Serbisë, dhe tash për tash kritikën e kanë të fokusuar te Kosova. Arsye tjetër për pezullimin e vendimit për targa mund të jetë fokusimi i diskursit ndërkombëtar te refuzimi i planit franko-gjerman nga Serbia dhe pasojat e këtij refuzimi. Gjithashtu, Kosova ka interes ta parandalojë një situatë ku për shembull policët që kanë zhveshur uniformat e Policisë së Kosovës të veshin ndonjë lloj uniforme të institucioneve paralele të Serbisë apo ndonjë organizate paramilitare si “Mbrojtja civile”.
Kosova ka mundësi që nga çështja e targave të kalojë te çështja e marrëveshjes së përgjithshme duke e ridefinuar debatin, dhe pa pësuar humbje, duke e lënë në dorë pjesërisht formatin e targave të reja tek organizata ISO. Kjo do ta vendoste Kosovën në një dritë më të mirë edhe sa i përket dialogut në përgjithësi. Në të njëjtën kohë Kosova mund ta tregojë konstruktivitetin e saj duke propozuar versionin e saj të Asociacionit. Ky pra do të duhej të ishte multietnik, pa kompetenca ekzekutive, dhe Kosova mund të kërkojë që të jetë pjesë e një euroregjioni të komunave kufitare që ia mundëson edhe Luginës së Preshevës të përfitojë nga marrëveshja. Kurse, nëse BE-ja insiston në implementimin e Marrëveshjes së Brukselit, Kosova mund të kërkojë që së pari Serbia duhet ta ratifikojë atë para se të bëjë kërkesa ndaj Kosovës.
Shteti dhe integrimi
Problemi i targave ndërlidhet me çështjen e integrimit të serbëve në shoqërinë kosovare. Pra jo vetëm të integrimit në institucione shtetërore. Ky integrim social duhet të jetë organik dhe nuk mund të ndodhë pa pjesëmarrje të vetë qytetarëve. Për të ndodhur kjo duhet të bëhen disa gjëra. Së pari duhet të garantohet siguria e qytetarëve, për shembull duke përndjekur personat që i djegin veturat dhe krimin e organizuar në veri. Dhe së dyti, duhet të ketë një fushatë sharmi për veriun. Duhet të shpallet dialogu i brendshëm me qytetarët. Gjithashtu, duhet të shpallet një program zhvillimor për investime në projekte multietnike. Investime të tilla ndikojnë në zhvillim, mirëqenie dhe në përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike, siç dëshmon evidenca nga shtetet e tjera si India (shih Varshney). Përmes këtyre veprimeve Kosova e dëshmon se ka vullnet dhe kapacitet që të kujdeset për qytetarët e saj në veri.
(Autori është bashkëpunëtor vizitor në Qendrën për Paqe dhe Pajtim në Universitetin e Winçesterit, Angli. Pikëpamjet e shprehura janë vetëm personale)