OpEd

Nga Ohri në Strasburg

Ndodh shpesh që shtetet të pranojnë marrëveshje që nuk kanë ndërmend t’i zbatojnë ose do të duan t’i zbatojnë në masë të kufizuar dhe në formën që iu vjen për mbarë. I tillë është pozicioni i Serbisë në raport me Marrëveshjen Bazë dhe Aneksin e Ohrit. Ajo e ka pranuar marrëveshjen, por në fazat e “pas marrëveshjes” ka ndërmarrë veprime që e vejnë në pikëpyetje zbatimin e saj.

Me pompozitet dhe pritshmëri të mëdha ishte afishuar Marrëveshja Bazë dhe Aneksi i Ohrit i 18  marsit 2023 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se kjo nismë franko-gjermane mbështetej në modelin e Traktatit bazë gjermano-gjerman të vitit 1972. Edhe pse një marrëveshje e tillë ishte propozuar për herë të parë në vitin 2007 nga ambasadori gjerman Wolfgang Ischinger, në kohën që ai drejtonte treshen ndërkombëtare (BE, SHBA dhe Rusia) në dialogun shtesë 120-ditorë për gjetjen e një kompromisi të ri pas refuzimit serb dhe rus të propozimit të Ahtisaarit, rishfaqja e këtij shembulli gjermano-gjerman pesëmbëdhjetë vjet pas pavarësisë ishte një befasi, në radhë të parë, pasi një propozim i tillë dukej se kalonte caqet e Rezolutë së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së (A/RES/64/298) e datës 9 shtator 2010, sipas së cilës “dialogu do të ishte promovimi i bashkëpunimit, arritja e përparimit në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe përmirësimi i jetës së njerëzve”.

Ky propozim evropian vinte dymbëdhjetë vjet pas fillimit të dialogut të Brukselit dhe për dallim nga premtimet e mëparshme të vetë ndërmjetësve të BE-së, kjo nismë nuk ishte finale dhe as që lë të kuptohet se procesi i dialogut është afër përmbylljes së tij. Është realitet se sa më shumë që ka zgjatur dialogu, aq më shumë e ka humbur përqendrimin në thelb dhe në qëllim. Ndërmjetësit evropianë, pasi hoqën dorë nga marrëveshja gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e obligueshme, në Bruksel e dërguan edhe vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për dinarin serb, të cilin 25 vjet më parë e kishte suspenduar shefi i UNMIK-ut, Bernard Kouchner. Reagimi ndërkombëtar ishte i ngjashëm si ndaj vendimit të presidentit Thaçi për mos futjen e trenit serb në Kosovë, si dhe ndaj vendimit të kryeministrit Haradinaj për aplikimin e taksës ndëshkuese për hyrjen e produkteve serbe në Kosovë.

Është e vërtetë që qytetarët e Kosovës janë kritikë ndaj të gjitha qeverive për lëvizjet e pakta në veri të Kosovës dhe ndoshta kjo është arsyeja përse lëvizjet e Kurtit, edhe pse të pakoordinuara me partnerët ndërkombëtarë, janë mirëpritur nga popullata. Kjo përkrahje popullore për hapat e qeverisë në veri të vendit duhet kuptuar edhe një lloj revolte ndaj bashkësisë së organizuar ndërkombëtare, e cila përkundër pranisë civile dhe ushtarake (NATO) që nga përfundimi i luftës në qershor 1999 nuk ndërmori një veprim serioz për ta shtrirë autoritetin e Kosovës në veri. Faktikisht, prej nga paslufta ekziston një teori komplotiste se faktori ndërkombëtar, si dhe aktorë të caktuar lokalë, po komplotonin një “rregullim” të kufijve, që nënkuptonte shkëputjen e veriut nga Kosova. Kjo frikë e kosovarëve nuk është e pabazuar, pasi, sikundër ka pohuar edhe vetë z. Martti Ahtisaaari, një nga arsyet përse Milosheviqi e pranoi planin e paqes në qershor të vitit 1999, ishte për shkak të planit rus, për ndarjen e mundshme të veriut të Kosovës përmes krijimit të sektorit të veçantë ushtarak rus, që do të nënkuptonte vendosjen e plotë të kontrollit rus dhe serb në kësaj pjese të Kosovës.

Në pamundësi për ta zhbërë pavarësinë e Kosovës, elita politike serbe edhe sot nuk ka hequr dorë nga ndryshimi i kufijve dhe, sikundër dihet, promotor i kësaj ideje është Aleksandër Vuçiq, i cili është edhe mbështetës i drejtpërdrejtë i platformës “bota serbe”, e cila bazohet në konceptin rus të “ruski mir”. Ky koncept në formën e vet ideologjike përdoret për të legjitimuar ndikimin serb në hapësirën post-jugosllave, mundësisht duke zgjeruar ndikimin e Beogradit edhe në Shqipëri. Pavarësisht se në konceptin e “botës serbe“ propagandohet se do të realizohet përmes fuqisë së butë, ku Kisha Ortodokse serbe do të shërbente si instrumenti kryesor për realizimin e kësaj ideje jashtë territorit të Serbisë, në fakt ky koncept nuk mund të realizohet pa dhunë, ose duke pritur një kontekst të favorshëm gjeopolitik. Nëse serbëve në vendet fqinje u kërkohet të jenë qytetarë të padëgjuar dhe jolojalë në shtetin ku jetojnë dhe vajtohet pozita e tyre e “vështirë“, ky skenar të kujton sjelljen e Beogradit përgjatë viteve të ‘80-ta dhe fillimviteve të ‘90-ta, kur përdorte strategjinë e komunikimit të drejtpërdrejtë të Beogradit me serbët e Kosovës, e cila nënkuptonte padëgjueshmërinë e tyre vetëm ndaj Qeverisë së Kosovës, si dhe, sipas frymës së Memorandumit të Akademisë serbe, viktimizimi i pozitës së serbëve, si një strategji për të justifikuar më pas agresionin ndaj viktimës.

Dhe, pikërisht një skenar të tillë e ka përdorur Beogradi viteve të fundit, madje dhe me një intensitet të shtuar edhe pas (mos) pranimit të Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të Ohrit. Po ashtu, është fakt se në Ohër nuk kishte entuziazëm nga asnjëra palë, por edhe Kosova dhe Serbia e pranuan këtë marrëveshje vetëm për të mos marrë përgjegjësinë se nuk duan dialog dhe marrëveshje. Dështimi për këtë u takon edhe ndërmjetësuesve të BE-së, të cilët duke dashur ta shpëtonin fytyrën e Serbisë e pranuan refuzimin e saj për mosnënshkrimin formal të Marrëveshjes(!). Si gjithmonë kreative, BE-ja pretendoi se marrëveshja është pranuar nga palët dhe se ajo bëhet obliguese edhe pa nënshkrimin e saj nga palët, vetëm në momentin e publikimit zyrtar nga BE-ja.

Në realitet, Serbia bëri atë që kishte bërë në Konferencën e Rambouilletit dhe në bisedimet e Vjenës për çështjen e statusit (2006-2007), e refuzoi çfarëdolloj marrëveshje me Kosovën, vetëm se e ndryshoi strategjinë e komunikimit, verbalisht i tha PO marrëveshjes, formalisht e refuzoi atë. Në fakt, kjo “PO“ verbale u bë vetëm sa për të legjitimuar kërkesën e saj për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe të Kosovës, si dhe në funksion të strategjisë së ruajtjes së përkohshmërisë sa më gjatë që të jetë e mundshme.

Në anën tjetër, edhe Kurti, duke qenë nën trysninë e fuqishme ndërkombëtare dhe mediave në vend, e dinte se refuzimi, qoftë edhe verbal i marrëveshjes, do ta shndërronte atë në “kokë turku” për dështimin e Ohrit.

Sikur të mos mjaftonte kjo, si dhe duke shfrytëzuar mungesën e përqendrimit të Bashkësisë Ndërkombëtare në çështjen e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, (për shkak të agresionit rus ndaj Ukrainës), lidershipi serb, me në krye me Vuçiqin, filloi ta de-konstruktonte deri në përbuzje Marrëveshjen Bazë dhe Aneksin e Ohrit. Ngaqë nuk kishte marrëveshje mes palëve ishte lehtësisht e dukshme, pos që nuk kishte firmosje formale nga përfaqësuesit e dy shteteve dhe ndërmjetësit e BE-së, prandaj mungonte fotoja nga konferenca e përbashkët, ku palët edhe verbalisht do t’i shpjegonin publikut vlerën e arritjes së kësaj marrëveshjeje dhe njëkohësisht do të jepnin zotimet për procesin e zbatimit të Marrëveshjes. Prandaj edhe një vit më pas nuk ekziston etapa “pas marrëveshjes”.
Kontestimi serb i Marrëveshjes së Ohrit. 

Që nga java e parë pas (mos) arritjes së Marrëveshjes së Ohrit, raportet mes Kosovës dhe Serbisë kanë shënuar një kthesë të re përkeqësimi më të madh sesa në periudhën para se të niste dialogu në pranverë të vitit 2011. Ky zhvillim u mundësua nga mungesa e koherencës së BE-së në çështjen e dialogut, ndoshta edhe nga përqendrimi i vëmendjes ndërkombëtare në luftën e Ukrainës dhe tash edhe në krizën në Gazë.

Për të qenë i saktë, që nga formimi i shtetit serb me ndihmën e Rusisë, kjo sjellje ka qenë tipike në politikën e jashtme të Serbisë, duke shfrytëzuar situatat gjeopolitike, përkatësisht rivalitetin Rusi-Perëndim, dhe më pas ndërtimi i narracionit mitik për gjoja luftërat e mëdha të popullit serb. Beogradi, duke dashur ta fusë Kosovën në kurth, mbase edhe të nxisë veprime të pamatura të qeverisë kosovare, menjëherë pas Ohrit rinisi përpjekjet për ta destabilizuar Veriun me veprime të bandave të armatosura, të cilat paraqesin kërcënim edhe për popullatën lokale serbe në këtë rajon. Në këtë skenar hynte edhe ideja e përçmimit dhe e përbuzjes së asaj që ishte arritur në Ohër.

Ndërmarrja e parë kundër Ohrit, ose thënë më saktë, përbuzja e parë e Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të Ohrit nga ana e Vuçiqit nisi që në momentin kur u bë publike se kjo marrëveshje ishte pranuar. Ai, në stilin e tij të njohur teatral, pa asnjë hezitim, krejt hapur e përçmoi botërisht marrëveshjen, duke thënë se ai nuk nënshkroi marrëveshje, pasi, siç thoshte ai me sarkazëm, “kishte dhimbje të krahut”. Për të mos qenë i mëshirshëm me ndërmjetësit evropianët, nëse jo në sinkroni me ta, sapo u kthye në Beograd e përsëriti këtë refren, duke shtuar se kjo “dhimbje e krahut” do të vazhdonte për gjatë gjithë mandatit të tij. Fundja, ky zhvillim ishte i pritshëm, pasi ishin pikërisht ndërmjetësuesit e BE-së, siç thotë Marc Weller, i pranishëm në Ohër, ata që “papritur e prishën këtë marrëveshje në çastin kur Kosova ishte e gatshme ta pranonte”.

Për këtë arsye dështoi edhe ajo që afishohej me të madhe “njohja de fakto”, e cila në kuadër të “paketimit diplomatik” përdoret më shumë si levë për ta mbajtur gjallë dialogun e paafatizuar. Që nuk kemi njohje de fakto, për këtë flet shumë qartë sjellja agresive e Serbisë ndaj përpjekjeve të Kosovës për anëtarësim në KiE. Ndërkohë që procesi po ecën drejt përmbylljes, Qeveria e Serbisë ka formuar ekipin që do të punojë për ta parandaluar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Detyra e këtij ekipi është ndërmarrja e aktiviteteve dhe hartimi i planit për pengimin e pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Derisa BE-ja dhe ndërmjetësuesit e saj në dialog heshtin, ose bëjnë sikur nuk shohin ose se nuk kuptojnë, Serbia vazhdon lobimin kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, ndonëse një gjë e tillë është në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit dhe të Ohrit.

Bojkotimi i zgjedhjeve lokale

Agresioni i radhës ishte bojkotimi prej serbëve i zgjedhjeve lokale në katër komunat veriore, me siguri me kërkesën e sponzorizuesve të tyre në Beograd. Pra, vetëm pas Marrëveshjes së Ohrit, Vuçiqi ia doli të pengonte zhvillimin normal të zgjedhjeve në katër komunat me shumicë serbe, edhe se ai paraprakisht u kishte dhënë premtimin ndërkombëtarëve dhe ndërmjetësve evropianë se nuk do të bënte pengesa në këtë drejtim. Por, kësaj radhe ndërkombëtarët nuk u stepën, insistuan që zgjedhjet të mbaheshin dhe si rezultat doli që votuesit e pakët, kryesisht shqiptarë dhe boshnjakë, ndoshta edhe ndonjë serb, u zgjodhën katër kryetarë shqiptarë. Ky zhvillim i papritur shkaktoi panik në Beograd se nga ky moment mund të humbiste kontrolli i bandave dhe strukturave paramilitare serbe. Siç pritej, “ndodhi populli” dhe në përpjekje për të shmangur një tensionim në veri të dëshiruar nga Serbia dhe Rusia, ndërkombëtarët, në rend të parë, amerikanët kërkuan që kryetarët e porsazgjedhur të mos shkonin në zyrat e tyre të komunës në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Zubin-Potok dhe në Leposaviq. Po ashtu, në përpjekje për ta larguar Serbinë nga Moska dhe për ta afruar me kampin perëndimor, presioni i BE-së dhe SHBA-së po binte mbi Qeverinë e Kosovës, e cila me qëndrimet e saj dukej se po ndërmerrte veprime që e dëmtonin procesin e dialogut. Për ta bërë situatën edhe më dramatike, Serbia dislokoi trupat e saj ushtarak përgjatë kufirit me Kosovën.

Të paktën për shqiptarët e Kosovës ishte e qartë se Serbia dëshironte të prodhonte ndonjë ngjarje të rëndë me serbët lokalë, me qëllim që të krijohej alibia për ndërhyrje ushtarake në veri, me qëllim të “mbrojtjes së serbëve” nga “spastrimi etnik ndaj serbëve”. Nuk është e rastit kur Vuçiqi deklaroi publikisht se NATO-ja dhe OKB-ja kishin katërmbëdhjetë ditë për të çarmatosur forcat policore të Kosovës dhe për të mbrojtur serbët e Kosovës nga “progromet dhe spastrimi etnik” i vazhdueshëm i shqiptarëve. Përndryshe, paralajmëronte ai “dikush tjetër” do të duhej ta bënte këtë, edhe pse ky diskurs është një lloj testi për të parë sesi do të reagojë NATO-ja ndaj një tendence të tillë.

Paralajmërimet se Serbia mund të ketë nevojë të dërgojë trupa në Kosovë për të mbrojtur serbët nuk janë të reja. Vetëm pak javë pasi autoritetet e Kosovës e ndalën hyrjen në Kosovë të trenit serb me mbishkrimin “Kosova është Serbi”, Vuçiqi doli me deklaratën kërcënuese se nëse serbët sulmohen në Kosovë, Serbia do t’i mbrojë ata. Deklarata e tilla ka për qëllim që të normalizojë idenë se Serbia mund të ndërhyjë ushtarakisht në Kosovë. Kjo sjellje është një lloj presioni mbi ndërmjetësit evropianë që presionin e tyre ta drejtojnë mbi Qeverinë e Kosovës, në mënyrë që ajo të mos kundërshtojë çfarëdo koncesioni të ardhshëm, të cilin do të mund ta kërkonte Serbia përmes gojës së ndërmjetësuesve evropianë. Kështu të paktën ka funksionuar logjika e kompromiseve që nga dhjetori i vitit 2008, kur për herë të parë nisën koncesionet me 6 pikat e famshme të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon, të cilat thuhet se ishin hartuar nga autoritetet serbe në Beograd. Por, mos tërheqja e kryetarëve shqiptarë nga zyrat e komunave dhe arrestimi i disa pjesëtarëve të bandave serbe, të cilat kishin lënduar më shumë se 100 pjesëtarë të KFOR-it dhe kishin sulmuar në vazhdimësi gazetarët e mediumeve shqiptare, e ballafaqoi Qeverinë e Kosovës me kritika të ashpëria nga ana e BE-së dhe SHBA-së. Krahas kufizimeve të bashkëpunimit ndërmjet NATO-s dhe Kosovës, BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës dhe në vend u krijua përshtypja se Qeveria Kurti po dëmtonte marrëdhëniet e saj me partnerët më të afërt të vendit. Ndërsa, reagimi i Perëndimit ndaj operimit të strukturave paralele serbe edhe 24 vjet pas përfundimit të luftës ishte gati mirëkuptues. Por, rreziku i eskalimit të situatës në veri bëri që NATO-ja të rriste praninë e saj në veri, në kohën kur Perëndimi ishte përqendruar te lufta në Ukrainë.

Kidnapimi i policëve në stilin serb

I habitshëm ishte qëndrimi i NATO-s dhe BE-së edhe ndaj kidnapimit të tre policëve kosovarë në veri të vendit, që përbën njëkohësisht ndërmarrjen e tretë agresive ndaj Kosovës, në qershor të vitit 2023, kur NATO-ja dhe BE-ja refuzuan ta dënonin Serbinë për këtë agresion brenda territorit të Kosovës.

Edhe pse autoritetet e Kosovës zyrtarisht deklaruan se policët ishin arrestuar thellë brenda territorit të Kosovës, ndërsa, autoritetet e Beogradit mbronin qëndrimin se policët kosovarë kanë qenë thellë në territorin e tyre, forca paqeruajtëse e NATO-s në Kosovë KFOR u mjaftuan me deklarimin “ se nuk është e qartë se ku kanë qenë tre policët e Kosovës në kohën e arrestimit të tyre nga forcat serbe”. Deklarata e KFOR-it më shumë i ngjante lutjeve papnore kur theksonte se "KFOR-i i mirëpret të gjitha përpjekjet e komunitetit diplomatik për zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe mbështet dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit".

Për këtë sjellje të paprecedent në Evropë, kur një shtet në stilin e organizatave terroriste të kidnapojë policët e një shteti tjetër, bashkësia ndërkombëtare sot e kësaj dite nuk e ka qortuar Vuçiqin, i cili konsiderohej se qëndronte prapa këtij aksioni. Të paktën presidenti serb me të tilla kidnapime ka një përvojë nga koha kur ishte në qeverinë e Milosheviqit, pak ditë pasi aleanca veri-atlantike kishte filluar fushatën e bombardimit ndaj caqeve të ish-Jugosllavisë, njësitë speciale të forcave serbe kishin kaluar kufirin dhe në territorin e Maqedonisë kishin kidnapuar tre ushtarë amerikanë, të cilët ishin liruar vetëm pas ndërmjetësimit.

Edhe kësaj radhe, konsiderohet se punën për lirimin e policëve të Kosovës e kishte bërë ShBA-ja. Ndërsa, Vuçiqi, në vend të qortimit apo ndëshkimit, mori lavde dhe merita për vendimin e gjykatës serbe për lirimin e tre policëve të Kosovës, duke krijuar përshtypje sikur ai kishte ndërmjetësuar për lirimin e tyre nga ndonjë organizatë terroriste. Tanimë askush nuk po fliste për fazat e zbatimit të Marrëveshjes Bazë dhe të Aneksit të Ohrit, Serbia, duke shfrytëzuar qëndrimin e butë të Perëndimit ndaj Qeverisë së Serbisë dhe shumë kritikë ndaj Kosovës, si dhe duke ndjekur strategjinë e viktimizimit të serbëve lokalë, i rriti edhe më shumë ambiciet e saj për ta goditur Kosovën.

Veprimet e armatosura të Serbisë në Banjskë

Në këtë rrethanë ndodhi veprimi i katërt i armatosur i Serbisë ndaj Kosovës më 24 shtator 2023, i cili po të mos ishte zbuluar atë natë, është e paimagjinueshme si do të dukej më pas situata në veri të vendit. KFOR-i, i cili është përgjegjës për sigurinë në vend dhe sidomos në veri, përkundër arsenalit dhe teknologjisë së avancuar luftarake nuk kishte arritur të parandalonte një infiltrim të madh të grupeve paramilitare serbe, armëve, autoblindave dhe materialeve të tjetra luftarake në fshatin Banjskë, në veriun e Kosovës. Në këtë sulm, prapa të cilit qëndronte njeriu kryesor i Listës Serbe, Milan Radojciq, po ashtu një njeri i rrethit të ngushtë të Vuçiqit, mbeti i vrarë rreshteri i policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, dhe për rrjedhojë edhe disa terroristë serbë, të cilët ishin fshehur në manastirin ortodoks serb. Skenari ishte menduar mirë, konfrontimi të zhvendosej brenda manastirit të Banjskës dhe kështu të dërgohej në botë imazhi se policia e Kosovës kishte sulmuar pelegrinët serbë dhe në këtë mënyrë të krijohej preteksti për ndërhyrjen e “palës tjetër” për të “shpëtuar popullin serb”. 

Sasia e madhe e armatimit modern që u zbuluar në vendin e ngjarjes, bënin të qartë se Serbia po përgatiste një sulm i përmasave më të mëdha. Ashtu si Federata Ruse që sulmoi Ukrainën me pretekstin se kishte nisur një fushatë gjenocidi kundër popullatës etnike ruse në Donbas, edhe Serbia po provonte të krijonte një situatë të ngjashme për të intervenuar në veri, ndoshta edhe në pjesën e Anamoravës. Kjo ngjarje konfirmoi paralajmërimet e deputetes britanike Alicia Kearns se “kishat serbe po armatosen”. Vetëm pak javë para ngjarjes në Banjskë, Kearns kishte alarmuar se Serbia po kontrabandon armë në Kosovës përmes autoambulancave dhe ato po deponohen në kishat ortodokse. Kjo ngjarje natyrisht e konfirmoi edhe narrativen e Kosovës se Serbia po përgatiste një sulm të armatosur ndaj Kosovës me qëllim të krijimit të fakteve në terren përmes aneksimit ushtarak, siç bënë rusët në Krime.

Edhe pse bashkësia ndërkombëtare nuk e ke ndëshkoi asnjëherë Serbinë për këtë agresion ushtarak në Bansjkë, të cilin Vuçiqi e mbrojti me pasion dhe në shenjë nderimi shpalli tri ditë zie në shtetin serb, ndërsa BE-ja vazhdon të presë hetimet, kjo ngjarje u bë pikë kthese për qëndrimin e Perëndimit karshi Serbisë. Për një kohë u duk se ajo që ndodhi në Banjskë e tronditur autoritetin e Vuçiqit në Perëndim, sepse me këtë veprim ai e vuri veten në pikëpyetje si faktor stabiliteti. Së fundi, ishte presidenti francez Emmanuel Macron, i cili duke folur për nevojën e përmbushjes së Marrëveshjes së Ohrit, edhe një herë theksoi se “është e rëndësishme që të gjithë pjesëmarrësit në sulmin në Banjskë të dalin para drejtësisë”. Pavarësisht kësaj deklarate, Brukseli nuk ka bërë asnjë hap për ndëshkimin e Serbisë, pasi ajo ka shkelur në formën më brutale neni 3 të Marrëveshjes, e cila thotë qartë: “Në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, palët do të zgjidhin çdo mosmarrëveshje ndërmjet tyre ekskluzivisht me mjete paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës”. Sidoqoftë, Kosova nuk nxori asnjë përfitim, përkundrazi masat ndëshkuese të BE-së mbetën edhe më tej në fuqi.

Duhet pranuar se nga kjo situatë e pakëndshme Serbia doli me një strategji të menduar mirë. Ajo përdori vendimin e BQK-së për ndalimin e dinarit për transaksione financiare, duke alarmuar rrejshëm për krizë humanitare. Qeveria e Kosovës edhe pse kishte të drejtë, ajo e humbi betejën mediale dhe diplomatike. Në vend se të bënte një zgjidhje të shpejtë dhe kreative në Prishtinë, ajo lejoi që dinari të bëhej çështje e Procesit të Brukselit. Kjo gjë u theksua edhe nga aleatët kryesorë të Kosovës gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit. Megjithëse aleatët nuk e kontestuan legjitimitetin e vendimit të BQK-së, pala kosovare u kritikua për një vendim të tillë në kontekstin e situatës tashmë të tensionuar në veri. Kosova nuk mori përkrahjen e nevojshme nga aleatët e saj, pasi veprimi i saj dukej i nxituar në kohën kur fokusi i NATO-s dhe aleatëve perëndimorë ishte i orientuar në çështjen e luftës së Ukrainës dhe në Gaza. Në një masë të ndjeshme për këtë ndikoi në njërën anë propaganda e fuqishme viktimizuese e Serbisë dhe në anën tjetër, zhurma e panevojshme triumfaliste e disa zyrtarëve qeveritarë, që e bëri edhe më të vështirë “paketimin”  e këtij vendimi të BQK-së.

Agresioni diplomatik

Veprimi i përçmimit të pestë të Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të Ohrit nga ana e Beogradit ishte vazhdimi i fushatës dhe agresionit diplomatik të kontestimit e të drejtës për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës. Vendimi i qeverisë serbe për të formuar grup punues për të lobuar kundër anëtarësimit të Kosovës në KiE, me çka cenoi rëndë pikën 4 të marrëveshjes, e cila parasheh qartë se “Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”.

Për më tepër, Aleksandar Vuçiqi raportohet të ketë dërguar një letër në adresë të të gjithë liderëve evropianë, përfshirë presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz në lidhje me anëtarësimin e mundshëm të Kosovës në KiE. Ai me krenari ka thënë se “në ato letra kam kërkuar që të rishqyrtojnë vendimin e Asamblesë Parlamentare të KiE-së, pasi nuk ka shtet ligjor dhe se Asociacioni nuk është formuar edhe pas 11 vjetësh”.

Nëse kjo fushatë e Serbisë e prodhon skenarin e UNESCO-s, për çka një pjesë të fajit e ka edhe klasa politike kosovare për shkak të përçarjeve dhe agjendave partiake, atëherë lirisht mund të thuhet se Marrëveshja Bazë dhe Aneksi i Ohrit do t’i takojnë historisë. Të paktën, Kosova nuk mund të sillet sikur nuk ka ndodhur asgjë, në këtë pikë duhet të ndërtohet një pozicion i përbashkët shtetëror i gjithë spektrit politik në vend. Ashtu si për liberalizimin e vizave, Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për anëtarësim në KiE. Për të ecur tutje në rrugën drejt anëtarësimit Kurti, Osmani e Konjufca i kanë dërguar edhe një letër raportueses Bakoyannisse do t’i zbatojnë të gjitha nenet e Marrëveshjes së Brukselit e Ohrit ku përfshihet edhe Asociacioni. Çështja e anëtarësimit të Kosovës në KiE është diskutuar në një takim mes QUINT-it dhe tre krerëve të institucioneve të shtetit (Osmani, Kurti, Konjufca) ditë më parë. Edhe pse s’ka pasur ndonjë njoftim publik, pritjet janë që Qeveria ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese draftstatutin e Asociacionit të propozuar nga Bashkimi Evropian.

Krahas kësaj, Serbia, pavarësisht se ndërmjetësit thanë se me këtë marrëveshje ajo de facto e ka njohur Kosovën, edhe pas Ohrit vazhdon kontestimin e shtetësisë së Kosovës në çdo skaj të botës, me çka ajo dëshmon se punon kundër frymës së dialogut trembëdhjetëvjeçar të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Kjo klimë dhe gjuha armiqësore e Serbisë kundrejt Kosovës jo vetëm se minon çdo hap të mundshëm drejt normalizimit, por ka për qëllim normalizimin e idesë brenda dhe jashtë Serbisë se “përkohshmëria” në Kosovë, kur të krijohen rrethanat e favorshme gjeopolitike, mund të zëvendësohet me një invazion ushtarak në veri të Kosovës sipas modelit të Azerbajxhanit, që riktheu me forcë rajonin e Nagorni Karabahut, i cili që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik kishte qenë nën kontrollin e Azerbajxhanit.

Kontestimi i marrëveshjes

Ndërmarrja më e fundit, e pesta me radhë, kundër Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të Ohrit ndodhi në dhjetor të vitit 2023, kur kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, dërgoi letër në BE-së, ku Serbia ishte shprehur se nuk do të njihte disa pjesë të marrëveshjes, pasi kishte “rezerva sa i përket Marrëveshjes me Kosovën”.  Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, ka paraqitur rezervë edhe në deklaratën e Bashkimit Evropian “në mbrojtje të interesave të Serbisë”, sipas së cilës, “vijat e kuqe janë të qarta – mosnjohja dhe mospranimi i Kosovës anëtare e Kombeve të Bashkuara, si dhe anëtare e sistemit të organizatave dhe agjencive të OKB-së”. Me këtë pozicionim, Serbia pretendon edhe më tej se “Kosova mbetet pjesë integrale e Serbisë”. Në këtë mënyrë, kjo letër fundos pretendimet e mbështetësve se Marrëveshja Bazë dhe Aneksi i Ohrit paraqesin një referencë të fuqishme për njohjen de facto të Kosovës dhe hapjen e një shtegu për njohjen edhe de jure të shtetit të Kosovës.

Letra e kryeministres serbe më duket se është pjesë e setit të Traktit Bazë gjermano-gjerman, të cilit i parapriu Traktati i Moskës ndërmjet RFGJ-së dhe Bashkimit Sovjetik, sipas së cilës, edhe pse Boni njohu kufijtë e pasluftës, dëshironte ta ruante mundësinë e ribashkimit. Zgjidhja më në fund erdhi përmes të ashtuquajturës letër mbi unitetin gjerman, të cilën kancelari gjerman Willy Brandt ia dorëzoi qeverisë sovjetike në Kremlin në ditën e nënshkrimit të Traktatit të Moskës, më 12 gusht 1970. Me këtë letër ruhej e drejta dhe qëllimi politik i RFGJ-së për të punuar për vendosjen e lirë të popullit gjerman dhe realizimin e idesë së bashkimit të dy Gjermanive në mënyrë paqësore. Shikuar nga ky këndvështrim, mendoj se letra e Bërnaqit është bërë në pajtueshmëri me ndërmjetësit evropianë dhe është pjesë e strategjisë për “ruajtjen e fytyrës” së palës serbe, pse jo edhe të forcimit të pikëpamjes se Serbia ruan të drejtën e saj për ta kundërshtuar shtetësinë e Kosovës dhe për ta mbajtur gjallë idenë e “çlirimit” të Kosovës të “okupuar” në qershor të vitit 1999. Se kjo letër është në pajtueshmëri me qëndrimin e ndërmjetësve evropianë, e dëshmon reagimi i butë dhe i dyzuar dhe jokonsistent i Brukselit.

Për më tepër, kjo sjellje e Beogradit tregon qartë intencën permanente të politikës serbe për të penguar integrimin e Kosovës në sistemin ndërkombëtar, pasi ajo nuk ka çfarë të humbë, ngaqë ajo realisht nuk është e interesuar për anëtarësim as në BE dhe as në NATO. Qëndrimi i Serbisë në dy karrige konsiderohet më i leverdishëm, të paktën për aq kohë sa edhe vetë BE-ja nuk ndryshon pozicionin e trajtimit të Kosovës në mënyrë neutrale. Nëse perifrazojmë nobelistin Eli Wiesel, nganjëherë “neutraliteti është marrëzi”, aq më tepër nëse ky neutralitet prodhon kriza dhe probleme në Ballkan.

Përfundim

Normalizimi i këtij diskursi tregon qartë se Beogradi nuk është i interesuar për kurrfarë marrëveshje me Kosovën dhe as për normalizim të raporteve fqinjësore. Prandaj, Procesi i Berlinit po përdoret vetëm për të fituar kohë dhe të penguar procesin e njohjeve dhe integrimin e Kosovës në sistemin ndërkombëtar. Në këtë kuptim, çfarëdo koncesionesh që do t’i bëhen Serbisë, si formimi i Gjykatës Speciale dhe tani formimi i Asociacionit, ajo nuk do të bëjë ndonjë lëvizje pozitive që çon drejt njohjes së shtetësisë së Kosovës. 

Përkundrazi, të gjitha këto favore ajo do t’i përdorë për ta minuar nga jashtë dhe nga brenda (edhe përmes Asociacionit) konsolidimin e identitetit shtetëror të Kosovës. Prandaj, nëse bashkësia ndërkombëtare e bëri gabimin në qershor 1999 që nuk ia “rrëmbeu” plotësisht Kosovën Milosheviqit, duke e njohur pavarësinë, atëherë ajo nuk duhet ta përsëritë gabimin dhe të krijojë iluzionin se normalizimi i raporteve fqinjësore Kosovë-Serbi arrihet përmes formatit të dialogut aktual të Brukselit. I pëlqeu dikujt apo jo, duhet pranuar, thënë qartë, se ashtu si çelësi i zgjidhjes së çështjes gjermane që gjendej në Moskë, ashtu rasti i normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi qëndron në Bruksel, përkatësisht në Uashington. 

Në vend se të miklohet Beogradi, BE-ja duhet ta bëjë të qartë se vetëm njohja nga pesë vendet e saj anëtare dhe hapja e njëmendtë e perspektivës për anëtarësimin e Kosovës në BE dhe NATO, së bashku me rritjen e kapaciteteve të sigurisë e bëjnë të parëndësishme peshën e refuzimit të Beogradit kundrejt Kosovës. 

Dhe më pas frika e margjinalizimit të saj rajonal do të bëhet përcaktuese për ndryshimin pozitiv të pozicionit serb ndaj Kosovës. Se ky format i dialogut nuk ka perspektivë, tregon fakti se edhe njëmbëdhjetë vjet pas fillimit të bisedimeve të Brukselit, marrëdhëniet Kosovë-Serbi jo vetëm që nuk kanë shënuar progres, por ato ndodhen në nivelin më të ulët sesa që ishin në periudhën para fillimit të dialogut.