OpEd

Neutraliteti në kohë krize

Neutraliteti ndërkombëtar që na shfaqet tani lidhur me rastin në Banjskë, i cili jo vetëm se nuk duhet parë si i izoluar, por paraqet një agresion ndaj gjithë procesit negociues të filluar në vitin 2011 dhe është një provë testuese për të testuar seriozitetin e reagimit ndërkombëtar, është i dëmshëm jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin, si dhe zbeh kredibilitetin e BE-së në skenën ndërkombëtare. Tingëllon brutale, por është aktuale thënia e të mbijetuarit të Holokaustrit, shkrimtarit hebraik-amerikan Eli Wiesel: “Në kohë krizash neutraliteti është marrëzi”

Pavarësisht agresionit të Beograd me njësitet paraushtarake kundër Kosovës, ka munguar mbështetja e qartë dhe konkrete për vendin dhe qeverinë: vizitat e zyrtarëve të lartë evropianë dhe amerikanë, përderisa në konfliktin Izrael dhe Hamas (pa dashur t’i krahasojmë në përmasa) ka një qëndrim dhe gjuhë më të qartë, si dhe vizita të niveleve më të larta evropiane dhe amerikane. Kjo strategji, sidomos e evropianëve, ka synuar të ruajë ekuilibrat mes Kosovës dhe autoriteteve të Beogradit, duke mos dashur që Serbia dhe Vuçiqi të vendosen në defansivë. Nuk dëshirohet për momentin as të tektë takime mes palëve në Bruksel pasi pala serbe është e lënduar dhe e cenuar në pozicion.

Në vend të vizitave përkrahëse për Kosovën, çdo gjë është reduktuar në thirrjet me një gjuhë neutrale: “Palët të tregohen të përmbajtura dhe t’i rikthehen dialogut”. Por BE-ja nuk e thotë asnjëherë se Beogradi me aktin e Banjskës, por jo vetëm me të, shkeli në formën më brutale pikën 2 të Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (62/298), të 9 shtatorit 2010, në bazë të së cilës BE-ja kishte marrë përsipër për të lehtësuar “një proces dialogu midis palëve”. Sipas kësaj rezolute, dialogu Kosovë-Serbi (BE si gjithmonë kreative shpiku formulimin dialogu Prishtinë-Beograd, për t’i ikur emërtimit Kosovë!) në vetvete do të ishte një faktor për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon dhe se dialogu do të ishte promovim i bashkëpunimit, arritje e përparimit në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe përmirësimit të jetës së njerëzve.

Një qëndrim i flashkët, as mish as peshk, u shpërfaq edhe dje në Tiranë në Samitin e Procesit të Berlinit, ku liderët e BE-së dhe të vendeve evropiane evituan një adresim të qartë përmes një dokumenti zyrtar (deklaratë të përbashkët) përmes së cilës do të dënohej pa ekuivokë agresioni i grupeve terroriste dhe paraushtarake serbe, të cilat të papenguara futën nga Serbia në Kosovë armatime më moderne me qëllim agresioni në veri të Kosovës. Përjashto disa fjalë sa për ta bërë zakonin të kancelarit gjerman Scholz, ngjarja madje u eklipsua nga teatralizmi tradicional serb, shmangia e një fotografie të përbashkët nga kryeministrja serbe. Thënë më së lehti, kjo ishte një shuplakë, si për nikoqirin, kryeministrin Rama, po aq, bile edhe më shumë për BE-në dhe Gjermaninë. Kjo sjellje e lazdruar e Serbisë është e motivuar nga vetë sjellja asimetrike e BE-së, e cila në çdo situatë me Serbinë ose hesht ose zgjedh ndonjë formulim burokratik. E kujtojmë fare mirë kur pikërisht BE-ja kritikonte zëshëm Kosovën për vendimin e hapjes së Ambasadës në Jerusalem, e që më shumë dukej një nervozë për njohjen e Kosovës nga Izraeli, ndërkaq hesht në çdo rast kur ndonjë vend i saj anëtar rreshtohet përkrah Rusisë dhe Iranit apo Venezuelës (siç ishte rasti i GJND-së) dhe minon vetë suksesin evropian në Kosovë.

Edhe pse ka kaluar pothuajse një muaj prej kur ka ndodhur sulmi në Banjskë, BE-ja dëshiron të gjejë mënyra për të mos e ndëshkuar Serbinë, e cila ka bërë të qartë se në rast presioni ajo mund të hidhet në krahët e vëllazërisë ruse dhe kineze. Do të dëshiroja të mos ishte kjo një lloj paragjykimi kulturor dhe fetar e aq më pak ajo që thoshte shkrimtari Ismail Kadare kur në vitin 2011 do të deklaronte se “ka kohë që racizmi antishqiptar ka zënë vend në Evropë, jo veç në lajme çoroditëse, por në libra, filma e në rrëfenja urbane të pafundme. Sigurisht që një pjesë e fajit bie mbi vetë shqiptarët. E keqja jonë është shpërfillja jonë ndaj akuzave krejtësisht të padrejta, por tepër dëmtuese”.

Kështu në vend të adresimit të qartë të përgjegjësisë, liderët evropianë vazhdojnë të bëjë thirrje për hetime të thellësishme që të zbardhet çfarë ka ndodhur në Banjskë. Kjo qasje, thënë më së buti, është përpjekje për ta fshehur përgjegjësinë me nëntekstin e bërjes së Serbinë konstruktive. Në heshtje ka një lloj mirëkuptimi për këtë sjellje të Serbisë, e cila e luan rolin e saj të viktimës edhe atëherë kur ndjek agjendën e saj ekspansioniste. Si mund të lexohet ndryshe ky pozicion i evropianëve përderisa Beogradi dhe Vuçiqi krejt hapur dhe në mënyrë transparente kanë arsyetuar agresionin shtetëror në Banjskë të Kosovës, madje pos kualifikimit se terroristët na qenkan “luftëtarë të lirisë”, për të vdekurit Beogradi bëri nderime shtetërore dhe shpalli tri ditë zie, ani pse Vuçiq në ndërkohë provoi të hidhte përgjegjësinë mbi supet e serbëve lokalë. Fakt tjetër është se Vuçiq krejt hapur e ka bërë të qartë se nuk do të bashkëpunojë as me Kosovën dhe as me ndërkombëtarët për lehtësimin e hetimeve apo për dorëzimin e pjesëmarrësve të këtij sulmi kundër Kosovës. Për më tepër, Vuçiq, ndryshe nga Kisha Ortodokse Serbe (SPC), nuk u distancua asnjëherë nga veprimi i një grupi të armatosur serbësh në Banjskë më 24 shtator. Atëherë, nuk di nëse e ka dikush idenë për çfarë hetimesh po flasin evropianët?

Kjo çaje e BE-së të kujton sjelljen e evropianëve në fillim të viteve ‘90, kur Brukseli nuk “kuptonte” se kush ishin përgjegjësit e luftërave (“civile”) në Kroaci dhe Bosnjë dhe si duhej zgjidhur problemi. Fryma aktuale e ballkanizimit të BE-së ka filluar të marrë përmasa shqetësuese. Dhe kjo qasje, e cila gradualisht zuri vend që nga momenti i rënies së Milosheviqit nga pushteti, ka bërë që sot të kemi në pushtet të gjithë protagonistët e politikës serbe të cilët ishin në pushtet gjatë periudhës së spastrimit etnik dhe vrasjeve masive në Kosovë 1998-1999. Ndërkohë, në emër të drejtësisë ndërkombëtare e gjithë klasa kosovare e luftës është ballafaquar dhe vazhdon të ballafaqohet me drejtësinë ndërkombëtare. Një i huaj që nuk e njeh mirë kontekstin e luftërave në ish-Jugosllavi do të krijonte bindjen se jo Serbia, por Kosova paska qenë agresori dhe shkaktari i katër luftërave dhe krimeve më të papara që nga përfundimi i Luftës ës Dytë Botërore.

Në momentin aktual, e pakta që do të duhej të bëhej, është të rivendosej zona 5-kilometërshe tokësore e sigurisë me Serbinë si masë e domosdoshme sigurie dhe preventivë për operimet ilegale ushtarake dhe paraushtarake serbe në afërsi të kufirit dhe çfarëdo përpjekjeje për operim brenda Kosovës. Dorën në zemër, për hyrjen e gjithë atij armatimi modern serb në territorin e Kosovës dikush duhet të mbajë përgjegjësi. Indikacione ka pasur si nga pala kosovare ashtu edhe nga ekspertë të huaj!

Realisht pas aktit të agresionit më 24 shtator, Qeveria e Kosovës, përtej deklaratave mediale, duhet para normalizimit të raporteve me fqinjin verior prioritet ta vendosë çështjen e anëtarësimet të Kosovës në NATO, madje edhe para anëtarësimit në BE. Si hap fillestar do të duhej kërkesa për përfshirjen e Kosovë në programin e Partneritet për Paqe. Në këtë linjë, pa eufori dhe pa pompozitet, Kosova duhet të rikalibrojë politikën e saj të sigurisë, që do të duhej të shoqërohej edhe me ngritjen e gjithë infrastrukturës vetëmbrojtëse të Kosovës, në kohën kur opsioni i invazionit ushtarak serb kundër Kosovës mbetet rrezik permanent. Në këtë drejtim, vendin e veprimeve teatrale ndërmjet dy kryeministrave të Kosovës dhe Shqipërisë, të gjitha energjitë politiko-diplomatike duhet të kanalizohen për paraqitjen e provave dhe fakteve në forumet dhe organizatat ndërkombëtare dhe futjen e rastit të Banjskës si pjesë e të gjitha raporteve periodike-ndërkombëtare.

Shqipëria, e cila është anëtare e shumë organizatave rajonale dhe ndërkombëtare, siç e tha edhe ish-ministri shqiptar Ditmri Bushati, do të duhej të angazhohej për miratimin e një rezolute në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe për emërimin e një raportuesi të pavarur lidhur me agresionin e fundit shtetëror serb kundër Kosovës. Në funksion të normalizimit dhe stabilitetit rajonal, Shqipëria do të duhej të adresonte kërkesën dhe vullnetin e Kosovës për anëtarësim në NATO, pasi ky hap do të evitonte çdo skenar serbo-rus për destabilizimin e Ballkanit.

Ngjashëm si Izraeli që përballet me kërcënimin permanent terrorist nga Hamasi dhe thirrja për zhdukje nga faqja e dheut nga Irani, ashtu edhe shteti i Kosovës përballet me kërcënimin permanent të Serbisë dhe mohim të pranisë së shqiptarëve në Kosovë (parulla “Kosova është Serbi”, nënkupton një Kosovë të serbizuar dhe pa shqiptarë). Në të dyja rastet kemi të bëjmë me një gjuhë agresive, raciste dhe luftarake, e cila minon paraprakisht çdo mundësi për pajtim apo ballafaqim kritik me të kaluarën kriminale.

Për më tepër, në 24 vjetët e fundit, pavarësisht kush ka qenë në pushtet në Serbi, kultura e krimit ka mbetur e padënuar dhe në të njëjtën kohë ka pasur një tendencë, fillimisht për krijimin e një lloj simetrie artificiale, sipas së cilës të gjithë jemi agresorë dhe fajtorë, dhe së fundi edhe luajtja e rolit të viktimës, gjë e cila u fuqizua pas operacionalizimit të punës së Gjykatës së Specializuar në Hagë, e cila si asnjë gjykatë në botë drejtësinë e saj ta bëjë vetëm ndaj përfaqësuesve të një etnie! Për më tepër, kulti i viktimës është bërë pjesë e pandashme e mentalitetit serb dhe ka zënë vend kyç në psikikën kombëtare serbe, prandaj sipas kësaj mendësie, thotë historiania serbe Latinka Peroviq, “nuk pranohen krimet serbe në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Kosovë, pra krimet mbi boshnjakët dhe shqiptarët” gjatë luftës së fundit në vitet nëntëdhjetë. Kjo qasje dhe ky diskurs politik e lë të lirë regjimin pasardhës (Vuçiqit) që të ndjekë objektivat gjeopolitike serbe të papërfunduara, që pararendësit e tij nuk arritën t’i realizonin, me gjithë kryerjen e krimeve çnjerëzore në masë. Kjo është arsyeja përse shteti agresor dhe përgjegjës për krimet e luftës i reziston ballafaqimit me të kaluarën dhe përpiqet që të kaluarën kriminale ta fusë nën tepih. Ky diskurs u mundësua edhe për faktin se bashkësia ndërkombëtare u mjaftua me ndëshkimin ushtarak të Serbisë e Milosheviqit në vitin 1999, por më pas ajo mbylli sytë ose u tregua indiferente ndaj doktrinës serbomadhe, e cila tani ka marrë forma të reja (“bota serbe”) herë-herë në rënie, herë-herë në ngritje, që provon të realizohet në forma dhe mjete të tjera, në varësi të rrethanave politike të brendshme dhe të jashtme.

Prandaj, neutraliteti ndërkombëtar që na shfaqet tani lidhur me rastin në Banjskë, i cili jo vetëm se nuk duhet parë si i izoluar, por paraqet një agresion ndaj gjithë procesit negociues të filluar në vitin 2011 dhe është një provë testuese për të testuar seriozitetin e reagimit ndërkombëtar, është i dëmshëm jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin, si dhe zbeh kredibilitetin e BE-së në skenën ndërkombëtare. Tingëllon brutale, por është aktuale thënia e të mbijetuarit të Holokaustrit, shkrimtarit hebraik-amerikan Eli Wiesel: “Në kohë krizash neutraliteti është marrëzi”.

Dhe krejt në fund, nëse një nga objektivat e Procesit të Berlinit është pajtimi i popujve të rajonit dhe ballafaqimi kritik me të kaluarën, atëherë pashmangshëm lind pyetja, çfarë ka qenë rezultati i kësaj nisme në këtë pikë? Nëse Banjska kalohet me kaq lehtësi, dhe nëse Bërnabiq merr guximin sa të tallet keq me evropianët, duke bojkotuar një fotografi të përbashkët shkaku i flamurit të Kosovës, atëherë shkëlqimi i Samitit të Tiranës do të shkrihet si vesa e mëngjesit.