Ka pasur një arsye se përse Kosova është përkufizuar si shtet laik. Për shkak se në Kosovë, në rend të parë, jemi shqiptarë e më pas zgjedhim t’i përkasim ose jo ndonjë feje
Kushtetuta e Kosovës
Neni 8 [Shteti Laik]
Republika e Kosovës është shtet laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare.
Javën që e lamë pas e shënuam, se nuk e kremtuam, përvjetorin e hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Në këta 16 vjet të ekzistimit të saj, Kushtetuta u është nënshtruar plotësimeve dhe ndryshimeve pesë herë, por në asnjërën radhë nuk u nguc ky nen.
Ka pasur një arsye se përse Kosova është përkufizuar si shtet laik. Për shkak se në Kosovë, në rend të parë, jemi shqiptarë e më pas zgjedhim t’i përkasim ose jo ndonjë feje.
Por, që nga themelimi i institucioneve vetëqeverisëse në fillim e më pas edhe atyre të pavarura, të gjitha partitë politike, pa përjashtime, kanë gjetur mënyra për t’u lidhur e për t’iu vardisur segmenteve fetare, duke u dhënë përherë e më shumë hapësirë për përhapjen e dogmës në diskursin politik. Për më tepër, partitë politike me përvojë të gjatë parlamentare kanë futur në listat e tyre votuese njerëz që nuk kanë lidhje me ideologjinë e partisë, por që janë njerëz që mund të mbledhin vota për atë subjekt. E që më pas, duke qenë mandati i deputetit e jo i partisë, ta “shkelin disiplinën partiake” dhe të veprojnë si ua ka ënda, mundësisht “duke e mbrojtur moralin”.
Dhe përderisa absolutisht askush nuk e ka të drejtën t’ia mohojë askujt të drejtën të besojë në zot e ta konsiderojë veten fetar, gjithashtu askush nuk e ka të drejtën t’ia mohojë të drejtën kujtdo që të mos besojë në zot dhe, për më tepër, t’ia imponojë një besim të vetin. E kjo është pikërisht propaganda e cila zhvillohet në Kosovë prej kohësh - e tash me rrjetet sociale shpërndahet shumë lehtë. Mjafton të futesh në FB e të shohësh faqet dhe ndjekësit sidomos të hoxhallarëve e edhe të priftërinjve, dhe njëkohësisht ta shohësh edhe nivelin e shkrimit të komentuesve. Të krijohet përshtypja se më parë do të gjejnë kohë për ta dëgjuar ndonjë përfaqësues të klerit sesa të marrin e të lexojnë ndonjë libër.
* * *
Kosova nuk sillet si shtet laik.
Do të më mbetet në kujtim ndërprerja e një konference shtypi në kohë pandemie, që mbahej jashtë objektit, për shkak se hoxha këndonte ezanin. Në vend se ta ndërprisnin konferencën, është dashur ta inicionin ligjin për kontrollimin e zhurmës, ku do të duhej përfshirë ezan e kambanë. Kufizimi i decibelëve do të duhej të vlente pos për muzikën e kafeve, edhe për këto të dyja.
Tradicionale është bërë që të shtrohen iftare me para të taksapaguesve, pa shpjeguar se përse. Kur krerët e shtetit marrin pjesë në varrime, ngrenë duart dhe falen, ndërkohë që shumica e fjalimeve të kryetares Osmani përfundojnë me “Zoti e bekoftë Kosovën!” - një kopje e keqe e kryetarëve amerikanë, të cilën e ka nisur Rugova në kohën kur nuk ishim shtet.
E fundit në radhën e sjelljeve jolaike ishte ndërhyrja e drejtpërdrejtë e myftiut Tërnava në ditën e Bajramit të Madh, kur para besimtarëve tha se bërthamë e kombit është familja, që përbëhet nga burri dhe gruaja, ndërkohë që dy projektligjet që janë duke u shqyrtuar prej kohësh në Kuvend i ka quajtur kërcënim për zhdukjen e familjes.
“Kushdo prej nesh që përcjell diskutimet, por edhe debatet e shumta që po zhvillohen kohëve të fundit në vendin tonë, për aprovimin e disa ligjeve rreth familjes, sheh se këto përpjekje bien ndesh me identitetin, fenë dhe vlerat morale që i posedon shoqëria jonë. Përpjekjet në këtë drejtim janë për shkatërrimin e familjes, zhdukjen apo dobësimin e moralit të lartë që bart ky popull, ngase synohet një shoqëri që jeton pa ndjenja dhe lidhjes emocionale me familjen, të afërmit, traditën, zakonet dhe fisin”.
Nuk e kam fare të qartë çfarë ka të bëjë identiteti kombëtar me fenë dhe as nuk i kam të qarta se cilat janë saktësisht vlerat morale të kësaj shoqërie. Në mos kjo e fundit është që burrit i lejohet ta vrasë gruan për “ta ruajtur familjen”?
* * *
Dje në Ferizaj, në Qendrën për Punë Sociale, ndodhi vrasja e një gruaje 21-vjeçare. E vrau bashkëshorti apo ish-bashkëshorti i saj 36 vjeç. Çifti ka pasur fëmijë dhe, sipas raportit të Policisë, kishin pasur kontest rreth kujdestarisë së fëmijës. Mosha e fëmijës nuk u bë publike.
Burri që u arrestua në përpjekje për t’u arratisur figuron në evidencën e kryerësve të veprave penale. Është dërguar në mbajtje dhe tash të shohim sa kohë do të marrë që të gjykohet për vrasjen e ish-bashkëshortes dhe tentativë vrasjen e vëllait të saj të mitur. Të shohim në fund edhe cili do të jetë dënimi për të.
Pa e ditur asnjë detaj të vetëm për çiftin as për rastin, ajo që më shkon nëpër mendje është se përfundimi i këtillë i një bashkëshortësie që nuk funksionon për shumë arsye mund ta ketë bazën te sistemi i dobët arsimor i Kosovës.
Themeli i edukatës bazike është familja, pa asnjë dyshim, porse formësimi i mëtejmë i personalitetit të fëmijës zhvillohet në shkollë. Kur ke shkollë dhe arsimtarë të mirëfilltë dhe kur e ke një sistem arsimor që duhet të t’i hapë perspektivat për punësim dhe një jetë të pavarur, krejt këto ndikojnë që martesat e hershme, sidomos të vajzave, të mos ndodhin.
Në rastin e Kosovës reforma në arsim nuk ndodh ka mbi dy dekada. Tekstet shkollore janë të dobëta, madje disa syresh kanë përmbajtje diskriminuese dhe bullizuese. Mësimdhënësit, nga ana tjetër, refuzojnë të testohen, hyjnë në grevë sa herë duan dhe në disa raste që u bënë publike para tri javësh, për shkak se agjërojnë, i shkurtojnë orët e mësimit. E Ministria e Arsimit hesht.
Agjërimi është zgjedhje personale dhe si i tillë nuk do të duhej të ndikonte fare në ndryshimin e rutinës ditore shkollore apo profesionale. Dhe në një sistem arsimor laik nuk do të duhej lejuar ndërrimin e orareve për shkak të kësaj zgjedhjeje.
* * *
Pra, një burrë e vret gruan e vet dhe e mbyt familjen, të cilën me kaq fanatizëm e mbrojnë myftiu dhe ndjekësit e tij në Kuvendin e Kosovës. Nuk po e di nëse kjo është lidhja emocionale për të cilën flet myftiu: nëse nuk je me mua, nuk je as me veten, as me fëmijën, as me askënd.
Çfarë lidhje emocionale mund të ketë në një bashkëshortësi ku nuk ka respekt, ku ka dhunë dhe në fund ka vrasje? Shumë e vërtetë është se nuk përfundojnë të gjitha martesat në këtë formë, pra me vrasje. Por, gjithashtu shumë e vërtetë është se jo krejt mendojnë njësoj si myftiu, se familjen e bëjnë burri, gruaja dhe fëmijët. Ashtu siç është shumë e vërtetë se jo të gjithë shqiptarët janë myslimanë.
Pra, mes shqiptarësh ka fetarë e jofetarë; ka të kthyer nga Lindja dhe të tillë që shikojnë vetëm nga Perëndimi; ka heteroseksualë, biseksualë, homoseksualë; ka gra të pavarura edhe financiarisht që vendosin të lindin e të rrisin fëmijë vetë, edhe kur janë të pamartuara, për shkak se është e drejtë e tyre të vendosin për trupin dhe jetën e vet.
Të flasësh për vlera morale nëpër mexhlise ku mblidhen veç burra, me të drejtën që ia japin vetes për të vendosur për të gjithë, është shumë problematike. Për laikët është shumë vështirë e kuptueshme se si mund të predikojnë për moral, e sidomos për barazi, klerikët feja e të cilëve nuk lejon që gratë të falen bri burrave në të njëjtin tempull, apo që nuk lejojnë që gratë të bëhen udhëheqëse të klerit.
Ashtu siç kërkohet reforma e sistemit arsimor, reformës do të duhej t’i nënshtroheshin edhe bashkësitë fetare. Tashmë është evident ndikimi që bashkësitë fetare kanë në shoqërinë e Kosovës dhe natyrisht i pashmangshëm është edhe efekti që ka sistemi arsimor te brezat e rinj. Dhe krejt kjo, në kohën kur kjo shoqëri megjithatë synon të bëhet një shtet që sundohet nga Kushtetuta qytetare, pa atribute ideologjike a dogmatike.
E këtë Kushtetutë në rend të parë duhen ta respektojnë politikanët e Kosovës.
Mbase për çdo ditë do t’u duhej rikujtuar se neni 8 është aty për një arsye.