OpEd

Nën llupë

Qeveria në ardhje do të duhej ta dinte se një numër i madh votash që ia dhanë mandatin ishin vota që i ndëshkuan ata që e sollën Kosovën në këtë derexhe. Dallimi midis Kosovës së 2021-s dhe asaj të të gjitha zgjedhjeve paraprake është ngopja e popullit me rrena dhe hajni, si dhe zbulimi i fjalës ndëshkim. Ndëshkim për dështim. Ndëshkim për dëshpërim

Që nga zgafellja e shkuar janë regjistruar 3557 raste të reja me COVID-19 dhe madje 42 vdekje. Pra, një javë e vetme, pasojë e drejtpërdrejtë e fushatës zgjedhore dhe papërgjegjësisë së politikanëve, në rend të parë, e më pas edhe të atyre që ngarendnin pas tyre nëpër salla e rrugë - thuajse po dëgjonin diçka që nuk e kishin dëgjuar më parë.

Aq më tragjike bëhet e gjithë kjo që po na ndodh kur marrim vesh, më në fund zyrtarisht, me një ese trefaqëshe nga Ministria e Shëndetësisë, se paralajmërimi se vaksinat janë të sigurta doli të jetë rrenë, mu aso çfarë edhe ka qenë Qeveria në ikje, dhe se nuk ka marrëveshje me asnjë prodhues vaksinash.

Do të mbetemi edhe për kush e di sa muaj, shteti i vetëm i Evropës që nuk e ka administruar asnjë vaksinë të vetme anti-COVID. Me rëndësi "zoti e ka bërë verë" dhe tash krejt rrugët dhe krejt kafet janë plot me njerëz që i mbajnë maskat, kryesisht në mjekër. Për shkak se "në Kosovë, s'ka virus".

Udhëheqja e papërgjegjshme e këtij shteti e bën edhe popullin e pandërgjegjshëm. Sepse sundimi dydekadash i mosndëshkimit dhe i mosndjekjes së kriminelëve, na ka sjellë në këtë derexhe: që më parë çohemi të protestojmë për vende deputetësh sesa për faktin se asnjë vaksinë e vetme anti-COVID nuk vjen në këtë shtet. E mandej të tjerët na kanë faj për fatin tonë, të cilin, megjithatë, e kemi qëndisur vetë.

Ndërkohë, në San Francisco edhe gorillave u administrohen vaksinat anti-COVID. Kaq. S'kam çka shtoj më tej.

* * *

Rezultatet zyrtare, ende të pacertifikuara dolën dhe e vërtetuan atë që e kuptuam që natën e zgjedhjeve: se VV-ja (në bashkëpunim me V. Osmanin) do të ishte fituesja absolute e tyre. Dhe se certifikimi i tyre do të vonohej, për shkak se tradita e vjedhjes së votave mes deputetësh të së njëjtës parti vazhdon. Dyqind e kusur ankesa në PZAP tash lidhen për votat e kandidatëve, e më pak për ato të partive. Kjo tregon se çfarë njerëzish, në fund, bëhen me poste deputetësh dhe vendosin për neve.

Përfundimisht, pa ndryshuar sistemi zgjedhor i këtij vendi, zor se do të mund të dalim nga ky qark, ku një popull me 1.8 milionë banorë, e me më pak se një milion votues aktivë, nuk është në gjendje t'i certifikojë votat pa kaluar së paku një muaj në çdo palë zgjedhje. Humbje e kotë e kohës, posaçërisht tash, në kohë pandemie, kur kjo qeveri në ikje e lë në lloç komplet sektorin privat me "rimëkëmbjen" e vet të lodhtë. Rimëkëmbje nuk mund të ketë kur punëtorët nuk mund të marrin rroga, e përderisa firmat nuk mund të paguajnë tatime.

Neveritëse kjo qasje e atyre që u shitën si ekspertë ekonomie. Edhe më neveritëse rrena për vaksinat dhe mungesa absolute e ndjesisë për vuajtjen e popullit për të cilin vendosin.

* * *

Kuvendi ka gjasa të themelohet shpejt.

E edhe Qeveria mund të votohet shpejt.

Për më tej, krejt varet tash nga disponimi i partive opozitare po qe se duan ta çojnë Kosovën në zgjedhje sërish, apo do ta sigurojnë kuorumin për zgjedhjen e Vjosa Osmanit kryetare të Kosovës.

Po qe se na çojnë në zgjedhje sërish, do të na bankrotojnë kolektivisht; do të pësojnë debakël edhe më të madh në zgjedhjet e radhës, dhe do të na i shpenzojnë edhe paratë e edhe nervat edhe me një proces numërimi votash e ankesash e parashtresash.

Porse nuk i dihet, mbase kësaj radhe do të ketë nevojë për një shtytje, ashtu që opozitarët ta dëshmojnë proamerikanizmin e tyre, e që ky kapitull i ri të nisë sa më shpejt.

Pra, për herë të dytë pas 2001-s Kosova do të ketë qeveri në të cilën nuk merr pjesë asnjëra nga partitë "e krahut të luftës". Episodi i parë zgjati 50 ditë, ky i dyti ka gjasa të mira ta përfundojë mandatin e plotë dhe të hyjë në histori edhe për këtë fakt.

E për histori i ka gjasat të hyjë edhe për shumë gjëra të tjera, po qe se fituesit e kanë seriozisht me premtimet e dhëna në dy palë zgjedhjet e fundit.

Dhe sinqerisht, për Kosovën, në esencë, nuk janë aq me rëndësi premtimet populiste për ndihma financiare për kategori të ndryshme të popullatës (që vlejnë nja 400 milionë ekstra në vit) sa është me rëndësi se si do t'ia bëjnë me luftimin e krimit dhe korrupsionit. Kjo në situatën kur secila pore e kësaj shoqërie, është, në njërën formë a tjetër, e spërkatur nga to.

Po qe se fituesit e zgjedhjeve e kanë përnjëmend se duan ta sjellin ndryshimin në këtë vend, atëherë do të duhej të nisnin nga vetja. E kjo do të nënkuptonte, ndër të tjera, sa vijon:

1. Një Qeveri me jo më shumë se 12 ministri, ku përfaqësimi i grave në të do të duhej të ishte 50%;

2. Asnjë zëvendësministër më shumë seç e përcakton ligji - në përgjithësi nga një, aty ku thuhet ndryshe, dy;

3. Asnjë këshilltar më shumë se 5, që do të paguheshin nga buxheti i Kosovës. Numri i këshilltarëve do të mund të rritej vetëm nëse gjenden fonde përkrahëse nga jashtë;

4. Sigurimi urgjent i vaksinave anti-COVID;

5. Kufizimi i udhëtimeve zyrtare në minimum - aq sa për të kryer punë dhe me sa më pak staf përcjellës. Rishikimi i tabelës së mëditjeve dhe përshtatja e tyre kontekstit. Fjala luks duhet harruar;

6. Zvogëlimi i parkut të veturave në të gjitha institucionet buxhetore. Caktimi i një minimumi të veturave për institucion, të nevojshme për të kryer punë, e jo për të kryer punë private e për t'u shëtitur;

7. Ndalimi i qarkullimit nëpër Kosovë me eskorta policore dhe krijimi i tollovisë në trafik pa fije nevoje;

8. Kufizimi i shpenzimeve telefonike;

9. Kufizimi i shpenzimeve të reprezentacionit. S'ka nevojë të merren sandviçë prej shtëpisë, por nuk ka nevojë as për vera 400-dollarëshe;

10. Zvogëlimi i stafit civil që e ngarkon buxhetin e Kosovës, për shkak se jo pak njerëz të punësuar në të nuk i kanë ato vende pune për meritë, por për hatër e intervenca;

11. Shkarkimi i bordeve politike dhe emërimi i bordeve të reja me njerëz profesionistë dhe apartiakë. Po qe se është nevoja, duhet ftuar njerëz profesionistë e vullnetmirë nga diaspora që të angazhohen në to;

12. Rishikimi i menjëhershëm i të gjitha lejeve mjedisore që janë dhënë për hidrocentrale, gurthyes e gjëra të tjera që vetëm sa e kanë degraduar ambientin;

13. Ftesë publike investitorëve të huaj për të ndërtuar impiante për përpunimin e materialit për riciklim dhe të ndërtimit të centraleve elektrike në bazë të djegies së mbeturinave që biodegradohen;

14. Reforma në arsim; shëndetësi, polici e gjyqësi. Pastrimi i institucioneve nga njerëzit që nuk e meritojnë t'i mbajnë ato poste dhe që janë të përfshirë në skema korruptive

15. ETJ...

* * *

Lista e sipërme do të mund të ishte shumë më e gjatë dhe ashtu do të jetë, ngase shumë e besoj se në 100-ditëshin e parë të kësaj qeverie do të nisin të zbulohen shumë gjëra që ne nuk i dimë, e që kanë funksionuar si sistem prej vitesh.

Dehja me fitoren duhet të mbarojë menjëherë dhe puna serioze për ta sjellë ndryshimin duhet të këtë nisur tashmë. Kosova është në gjendje jashtëzakonisht të keqe, për shkak të keqqeverisjes shumëvjeçare dhe të korrupsionit endemik.

Dhe nuk do të ketë arsyetime për dështime - është hera e parë që një subjekt politik ta ketë thuajse shumicën absolute. Pra, e merr përgjegjësinë e plotë dhe nuk mund të luajë më me kartën e mungesës së kuorumit që e pamundësonte kalimin e ligjeve dhe të vendimeve që do të duhej të na bënin jetën më të lehtë. Porse duhet ditur se kot kalohen ligje të mira, kur zbatimi i tyre ngec.

Kjo qeveri do të jetë nën llupën e mediumeve shumë më shumë se cilado qeveri tjetër deri tash.

Qeveria në ardhje do të duhej ta dinte se një numër i madh votash që ia dhanë mandatin, ishin vota që i ndëshkuan ata që e sollën Kosovën në këtë derexhe. Dallimi midis Kosovës së 2021-s dhe asaj të të gjitha zgjedhjeve paraprake është ngopja e popullit me rrena dhe hajni, si dhe zbulimi i fjalës "ndëshkim".

Ndëshkim për dështim.

Ndëshkim për dëshpërim.

[email protected]