Dërgata e kryeministrit të Kosovës që në ditën e parë të negociatave ka hyrë në një sistem negociator që mund të konsiderohet se është në kundërshtim me interesat e vendit
4.
Negociatorët e pakicës shqiptare nga Kosova nuk janë të vetëdijshëm se kanë hyrë në një proces të cilin nuk mund ta kontrollojnë. Me formulime të përgjithshme dhe sipërfaqësore të mandatit të tyre negociator (nuk ka bisedime për statusin, nuk ka bisedime për rregullimin e brendshëm, nuk ka bisedime që nënkuptojnë ndryshimet e ligjeve të Kosovës), dërgata e kryeministrit të Kosovës që në ditën e parë të negociatave ka hyrë në një sistem negociator që mund të konsidero- het se është në kundërshtim me interesat e vendit. Ndonëse, duhet thënë sinqerisht, kanë hyrë në një sistem me të cilin kryeministri i tyre është pajtuar që para se të formohej kjo qeveri. Ende pa hyrë në zgjedhje të parakohshme, dhe pa konsultime me të gjera politike, kryeministri i Qeverisë së atëhershme të Kosovës, ishte pajtuar me formatin e bisedimeve të pastrukturuara, që fillon me “tema të lehta” dhe ka miratuar listën e atyre temave “të lehta”. Këto premtime të bëra në kabinetin e baroneshës Ashton, të bëra ende në të gjallë të koalicionit me LDK-në, po i mban në koalicionin e ri.
Në fakt, kryeministri më shumë se temat, me ose pa vetëdije, ka miratuar sistemin me të cilin ndërmjetësi vë në tryezë të bisedimeve temat e veçanta, përpiqet të arrijë kompromis për të, dhe në saje të kompromisit, pastaj, kodifikon precedentët e zgjidhjeve. Ose, thjeshtësuar, katër-pesë “tema të lehta” të zgjidhura vendosin një parim, atë se Kosova dhe Serbia mund të pajtohen mes vete brenda realiteteve të tanishme, d.m.th. të sistemeve të tyre juridike dhe të pranisë ilegale të Serbisë në Kosovë.
Negociatorët mund të kthehen në vendet e veta e të thonë se po e respektojnë Kushtetutën, Brukseli mund të thotë se është duke e kryer punën e vet, duke arritur “zgjidhje për probleme praktike”, por pa u hetuar do të vendoset një listë “zgjidhjesh praktike” që nënkuptojnë një sistem të veçantë. Sistemi mund të ndërtohet me hiç më shumë se me temat e paralajmëruara që në raundin e parë. T’i shtojmë hapësirës ajrore, për shembull, çështjen e eksportit për në Serbi. Problemi, sipas Serbisë, ka lindur kur Kosova ka vendosur vulën e Republikës së Kosovës në vend të asaj të UNMIK-ut në dokumentet eksportuese të mallrave. Në kontaktet që kanë bërë ndërmjetësit në Kosovë e Serbi, ende pa filluar zyrtarisht negociatat, është ravijëzuar një zgjidhje kompromisi: Kosova do të mund të eksportonte në Serbi me vulat Kosovo (ose Kosova/Kosovo) dhe një gjë e tillë do të pranohej, thuhet, nga të dyja palët. Teknikisht, një zgjidhje e këtillë nuk do ishte në kundërshtim me Kushtetutën të asnjërit prej vendeve, do të ishte vetëm një zgjidhje e veçantë.
Fjala kyç, zgjidhja e veçantë, do të përsëritet edhe në temën tjetër: CEFTA. Kosova ka hyrë në këtë Marrëveshje tregtie të lirë pa negociuar fare kushtet ekonomike: atëherë kur u shfaq mundësia e anëtarësimit, u fut brenda, qoftë edhe me siglën e UNMIK-ut si pjesë e politikës së fitimit të legjitimitetit ndërkombëtar. Duke lënë anash interesat ekonomike, të cilat janë, në këtë fazë të zhvillimit të vendit, tërësisht në kundërshtim me anëtarësimin në CEFTA, vendi zgjodhi benefitet e mundshme politike, por në momentin kur u anëtarësua, përralla e tregut të hapur regjional të CEFTA-s u zhbë, ngaqë që në fillim Serbia e Bosnja e Hercegovina ndaluan mallrat kosovare dhe bllokuan pjesëmarrjen politike me emrin kushtetues, Republika e Kosovës. Si produkt i negociatave të 8 marsit, u gjet një zgjidhje e veçantë, e ashtuquajtura “formula Gymnich”, me të cilën pjesëmarrësit identifikohen me emrat e mbiemrat e tyre , jo edhe me shtetet që përfaqësojnë e me flamujt e tyre respektivë. Kjo zgjidhje e veçantë, nuk do mend, u gjet në momentin kur kryesimin e CEFTA-s do ta bënte Kosova, e cila jo vetëm që u dëmtua ekonomikisht nga kjo marrëveshje (hapi tregun e vet për vendet që nuk e hapën tregun e tyre për produktet kosovare), por nuk përfitoi as politikisht. Në vend të “legjitimimit ndërkombëtar”, CEFTA i ofroi “zgjidhje të veçantë” për problemet që i ka me Serbinë.
5.
Përgjatë procesit negociator të filluar në Bruksel, që në raundet e para, do të ravijëzohet se “zgjidhjet e veçanta” për problemet e veçanta (prej hapësirës ajrore deri te doganat) kanë emërtues të përbashkët. Emërtuesi i përbashkët për negociatorët kosovarë është se mund të ndërtojnë një listë zgjidhjesh praktike në marrëdhëniet me Serbinë me pëlqimin e inkurajimin e ndërmjetësit. Këto zgjidhje praktike nuk janë fillimisht jashtë sistemit kushtetues të Kosovës, por nga ana tjetër, janë të një natyre të veçantë.
Ilustrimi më i mirë janë vulat doganore. Mallrat që shkojnë në Serbi do të kërkojnë vulë që nuk e kërkojnë mallrat që shkojnë në vendet tjera. Kjo do të thotë se Kosova do të ketë dy regjime doganore: një për krejt botën dhe tjetri për Serbinë.
Rrjedhimisht, e në bazë të precedencës, kalimi kufitar për në Serbi (apo së paku në Portat 1 dhe 31, me fjalor të KFOR-it) do të kërkojë “zgjidhje të veçantë”. Këto kalime kufitare do të kenë “regjim të veçantë” prej atij të kalimeve të tjera kufitare, d.m.th se Kosova do të ketë dy sisteme kalimesh kufitare. Dhe, kështu me radhë: çdo problem i hapur me Serbinë mund të zgjidhet përkohësisht me “zgjidhje të veçanta”.
Kështu në Kosovë mund të ndërtohen dy sisteme juridike, një kushtetues të Republikës së Kosovës dhe tjetri një kodifikim “zgjidhjesh të veçanta”. Këtë ndër- tim të dy sistemeve në formë të ditur apo paditur do ta përkrahin përfaqësuesit e Qeverisë pakicë. Për më tepër, në një formë paradoksale, mund të përkrahet edhe nga Kuvendi i Kosovës, përfshirë edhe opozitën. Shpresa e pjesëtarëve të ndërgjegjshëm të pushtetit e të opozitës se ky proces negociator në fund do të kthe- het në Kuvendin e Kosovës, për ratifikim nga dy të tretat e deputetëve mund të jetë krejtësisht e kotë. Rezultatet e këtij procesi negociator nuk kanë pse kthehen në Kuvendin e Kosovës: për disa vite me radhë mund të mos ketë kurrfarë Traktati mes Kosovës dhe Serbisë, e vetëm ky do t’i nënshtrohej ratifikimit eventual parlamentar. “Zgjidhjet e veçanta” për problemet e veçanta nuk do t’i nënshtrohen kontrollit parlamentar. Shembull janë hapësira ajrore, vulat apo CEFTA-a, zgjidhja për këtë të fundit ka filluar të aplikohet pa kurrfarë konsultimi parlamentar (as nevoje për të). Një listë e “zgjidhjeve të veçanta” , që në fund do të përbëjnë “kodin” e nënkuptueshëm të veçantë të marrëdhënieve Kosovë-Serbi nuk do t’i prezantohet Kuvendit për ratifikim, as që ekziston obligimi i këtillë. Kuvendi i Kosovës, duke pranuar hyrjen në një kësi procesi negociator, dhe duke toleruar që ai të zhvillohet më tutje në këtë formë , do të jetë bashkëpërgjegjës për rezultatin final, kodifikimin e dy sistemeve juridike brenda territorit të Kosovës. Dhe me këtë, do të jetë përgjegjës për shkeljen e funksionalitetit të vendit dhe Kushtetutës së saj.
* Tekst i botuar në KOHA Ditore më 15 mars 2011
