OpEd

Neglizhencë apo fshehje? Realiteti i vlerësimeve të ndikimit mjedisor në Kosovë

Qëllimi i vlerësimeve të ndikimit në mjedis nuk është thjesht të plotësojë një kërkesë formale, por të sigurojë që projektet e mëdha investive të mos kenë ndikim të dëmshëm në mjedisin tonë. Kjo është e rëndësishme jo vetëm për ruajtjen e mjedisit, por edhe për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme për brezat e ardhshëm. Është koha e fundit që institucionet të mbahen përgjegjëse për papërgjegjshmërinë e tyre. Që më në fund, në vend se për informata jetike për interesin publik të mos na thonë “nuk keni për t’i parë kurrë”, por “nuk do t’i fshehim më kurrë“. Kurrë më!

Në fillim të këtij viti, një nga zyrtarët publikë i kishte thënë një koleges sonë: “Nuk janë publike dhe nuk keni për t’i parë kurrë“, kur ishte pyetur pse nuk janë rreth gjashtëdhjetë emra të të licencuarve për hartim të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM) publik. Në webfaqen e Ministrisë janë të publikuar rreth njëzet e dy emra dhe të papublikuar rreth gjashtëdhjetë të tjerë.

Çka fshihet pas kësaj skeme të fshehjes? Përse është jotransparente, përveçse e dyshimtë gjithë kjo katrahurë rreth VNM-ve?

Vlerësimi i ndikimit në mjedis është procesi që përcakton nëse një projekt ka ndikim në mjedis dhe me çfarë kostoje mjedisore do të realizohet potencialisht ai investim. Është gjithashtu procesi i vetëm i cili ka kosto financiare për investitorin me rastin e pajisjes me licencë apo leje. Jo të gjithë mund të bëjnë VNM dhe jo të gjithëve do të duhej që VNM-ja t’ua japë dritën e gjelbër për investime. Por realiteti është se në shumicën dërrmuese të projekteve investive, VNM-të nuk parashihnin asnjë kosto mjedisore që do të vinte në pikëpyetje investimin. Në fakt, në shumicën absolute të rasteve VNM-ja ishte vetëm formalitet pa ndikim në dizajnin e investimit apo pajisjen me leje.

Në një situatë të tillë, kur ka një proces që ka kosto, dhe nga formaliteti i të cilit nuk mund të largohesh, se kush i bënë VNM-të ka shumë rëndësi. Me mbi 300 licenca që jepen në vit vetëm nga Komisioni i pavarur për Miniera dhe Minerale, vlera që shpenzohet për VNM është mbi 10 milionë në vit? Në fillim të këtij viti konsorciumi i organizatave të shoqërisë civile GAP, GLPS dhe INDEP që po zbatojnë projektin “CORRWATCH – Mbikëqyrje e institucioneve qendrore” i kërkuan Ministrisë së Mjedisit publikimin e listës së plotë të të licencuarve.

Mungesa e transparencës në procesin e licencimit për hartuesit e Vlerësimeve të Ndikimit në Mjedis (VNM) në Kosovë është shqetësuese dhe fillon nga mosrespektimi i rregullave të përcaktuara nga ligji. Sipas Ligjit Nr.08 / L-181 për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis, konkursi për licencimin e hartuesve të raporteve të VNM duhet të hapet një herë në vit. Megjithatë, Ministria e Mjedisit nuk ka hapur këtë konkurs për tre vjet me radhë, duke shkelur kështu këtë dispozitë ligjore. Për më tepër, edhe pse rreth 80 persona në Kosovë janë të licencuar për të hartuar VNM, në listën e publikuar nga Ministria figurojnë vetëm 22 emra. Kjo listë, e cila nuk është përditësuar që nga publikimi i saj, përmban edhe emra të hartuesve, të cilëve u është pezulluar licenca ose që kanë dosje të hapura në gjykatë. Kjo situatë hedh hije dyshimi mbi besueshmërinë e informatave që ofron Ministria dhe i dëmton rëndë integritetin dhe efektivitetin e sistemit të Vlerësimeve të Ndikimit në Mjedis në vend.

Një analizë e 62 raporteve të publikuara të Vlerësimeve të Ndikimit në Mjedis (VNM) në Kosovë zbulon një panoramë të frikshme që lidhet me ligjshmërinë dhe autoritetin e hartuesve të këtyre raporteve. Nga këto raporte, vetëm 34 prej tyre janë hartuar nga persona që aktualisht figurojnë në listën publike të personave të licencuar, ndërsa dy raporte janë hartuar nga një person me licencë të revokuar. Më tej, 14 nga këto raporte VNM nuk janë të lidhura me asnjë emër në listën e publikuar të personave të licencuar, duke ngritur pyetje mbi legjitimitetin e tyre. Gjashtë raporte janë hartuar nga individë që ndodhen nën hetime, dhe po aq raporte janë të lidhura me një individ të licencuar si kompani, ndërsa dy personat e tjerë të përfshirë nuk janë në listën e personave të licencuar. Kjo situatë tregon për një mungesë të qartë të llogaridhënies dhe seriozitetit në procesin e hartimit dhe miratimit të VNM-ve, duke lënduar integritetin e sistemit të vlerësimit mjedisor në Kosovë.

Ky kontrast i madh midis numrit të personave të licencuar dhe atyre të publikuar në listën zyrtare të Ministrisë së Mjedisit tregon për një mungesë të qartë të transparencës. Është e domosdoshme që publiku të jetë në dijeni të plotë të këtyre proceseve, veçanërisht në një vend si Kosova, ku ndikimi mjedisor i projekteve të ndryshme përcillet vazhdimisht me shqetësim. Pa një listë të plotë dhe të përditësuar të hartuesve të licencuar të VNM-ve, qytetarët dhe organizatat e shoqërisë civile mbeten në errësirë mbi atë se kush e ka autoritetin dhe përgjegjësinë të vlerësojë ndikimin mjedisor të projekteve të mëdha. Për më tepër, fshehja e këtyre listave është mesazh i tmerrshëm për investitorët dhe ndërmarrësit potencialë.

Sikur këto të mos mjaftonin, çështja e personave me licenca të pezulluara ose ata që janë nën hetime e që ende janë të listuar si të licencuar i vë përtokë besueshmërinë dhe kredibilitetin e procesit. Nëse personat që hartojnë këto raporte nuk janë të besueshëm, si mund të jemi të sigurt për cilësinë e vlerësimeve që ata prodhojnë?

Duke marrë parasysh këto është urgjente që Ministria të ndërmarrë hapa konkretë për të përmirësuar transparencën dhe llogaridhënien në procesin e VNM-ve. Jo vetëm përmes publikimit të listës së plotë të personave të licencuar, por edhe duke u siguruar që të gjithë ata që janë pjesë e procesit janë të besueshëm dhe nuk janë të përfshirë në asnjë problem ligjor që mund të komprometojë integritetin e tyre profesional.

Në fund të ditës, qëllimi i Vlerësimeve të Ndikimit në Mjedis nuk është thjesht të plotësojë një kërkesë formale, por të sigurojë që projektet e mëdha investive të mos kenë ndikim të dëmshëm në mjedisin tonë. Kjo është e rëndësishme jo vetëm për ruajtjen e mjedisit, por edhe për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme për brezat e ardhshëm. Është koha e fundit që institucionet të mbahen përgjegjëse për papërgjegjshmërinë e tyre. Që më në fund, në vend se për informata jetike për interesin publik të mos na thonë “nuk keni për t’i parë kurrë”, por “nuk do t’i fshehim më kurrë“. Kurrë më!

(Autori është hulumtues në Institutin INDEP. Ky aktivitet i paraprin implementimit të projektit CorrWatch: "Mbështetje për Shoqërinë Civile për të Rritur Mbikëqyrjen Publike dhe Llogaridhënien e Institucioneve Publike të Kosovës", mbështetur nga Ambasada Britanike në Prishtinë. Përmbajtja e këtij punimi është përgjegjësi e vetme e organizatave zbatuese dhe nuk i reflekton qëndrimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar. Mendimet e shprehura janë të autorit dhe jo domosdo përfaqësojnë qëndrimet e donatorit dhe organizatave zbatuese).