OpEd

Në raundin e tetë çdo gjë mori fund

30 tetor 1974: nata kur Muhamed Aliu u bë i pavdekshëm. Një ese i vogël mbi meçin më të madh të boksit në historinë e botës - zhvilluar para 50 viteve në një vend afrikan, i cili ndërkohë e ka ndërruar emrin.

1.

Më 30 tetor 1974 gazeta “Rilindja” njoftonte se me ftesë të Mbretëreshës së Danimarkës, Margaretës së Dytë, për vizitë në këtë shtet nordik shkoi kryetari i Jugosllavisë, Josip Broz Tito. Në 20-vjetorin e revolucionit algjerian, popujt nga Sllovenia deri në Maqedoni, përfshirë edhe Kosovën, i përfaqësonte Fadil Hoxha. Nga Tirana merrej vesh se mandatar për krijimin e qeverisë ishte caktuar Mehmet Shehu, ndërsa kryetar i Kuvendit Popullor të Shqipërisë sërish ishte zgjedhur Haxhi Lleshi.

Por atë ditë, më 30 tetor 1974, pakkujt në Ballkan (dhe në planet) mund t’i kenë interesuar lajmet nga sektori i politikës. Në Kosovë jo çdokush kishte aparat televiziv. Bujq, arsimtarë, punëtorë fabrikash, profesorë universitarë, arsimtarë, milicë, gazetarë, poetë, kamerierë e qofteshitës bëheshin gati që në orën 03:00 të natës të gjendeshin syhapur para televizorit për të parë meçin e shekullit, duelin e gjigantëve, ngjarjen e madhe globale: në ring përballë njëri-tjetrit do të gjendeshin Muhamed Aliu dhe kampioni i boksit George Foremani. Një miliard njerëz dhe dy miliardë sy shikonin dy sportistë me dorëza të posaçme lëkure. Dje u mbushën 50 vjet nga kjo ngjarje, e cila konsiderohet nga ndër më të mëdhatë sportive të historisë. Meçi u zhvillua në Kinshasa të Zairit (sot Republika Demokratike e Kongos). Në Gjermani shikuesit nuk i besonin alarmit të orës mekanike, andaj i telefonuan shërbimit për zgjim nga gjumi të Postës Gjermane. Askush nuk dëshironte të humbte këtë çast, këtë meç. Ky ishte syfyri i besimtarëve të sportit. 

2.

Gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ) me rastin e këtij përvjetori e ka pyetur një shkencëtar kompetent. Didier Gondola, shkruan FAZ, u lind në vitin 1966 në Kinshasa. Ai ligjëron historinë afrikane në Universitetin Johns Hopkins në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Si shkencëtar, ai përqendrohet në kulturën popullore dhe paraqitjen e maskulinitetit në Afrikën Qendrore. Gondola ishte 8-vjeçar kur u zhvillua meçi. Ai thotë për FAZ: “E mbaj mend shumë mirë. Ne banonim në një lagje të quajtur Limété, shumë afër stadiumit ku po zhvillohej meçi. Babai ynë ishte i rreptë dhe zakonisht na çonte të flinim herët, por kësaj radhe na lejoi të qëndronim zgjuar deri në orën 4 të mëngjesit për të parë meçin. Megjithëse stadiumi ishte në anën tjetër të lumit, ne mund të dëgjonim spektatorët. Të gjithë donin të merrnin pjesë në këtë moment. Ishte ‘meçi i shekullit’, dhe papritmas vendi ynë u bë qendra e vëmendjes botërore. ‘Rumble in the Jungle’, siç e quante Muhamed Aliu meçin, nuk linte përshtypjen e prapambetjes racore. Përkundrazi. Ai simbolizonte zemrën e Afrikës, e cila mirëpriste botën”.

3.

Ky meç është përshkruar shumë herë nga shumë gazetarë. Atëherë, më 30 tetor 1974. Dhe në vitet e dekadat në vijim. Sepse është ngjarje globale. Kanë shkruar për boksin James Baldwin, Gay Talese, Joyce Carol Oates. Por deri më sot askush nuk ka arritur ta përshkruajë ballafaqimin mes Muhamed Aliut dhe George Foremanit më mirë, më saktë, më bukur, më brutalisht se shkrimtari, gazetari dhe regjisori amerikan Norman Mailer. Në librin e tij “The Fight” ai arriti të depërtojë thellë në shpirtrat e boksierëve dhe ta avancojë këtë sport në spektakël artistik. Leximi i këtij libri edhe sot është një përjetim i jashtëzakonshëm letrar. Dy persona me ngjyrë (atëherë quheshin “zezakë”) boksonin kundër njëri-tjetrit. 

“‘Rumble in the Jungle’, kjo ndeshje ishte biznes, propagandë, histori sportive, shfaqje televizive, por gjithashtu ishte: psikologji, alegori. Ashtu siç Aliu nuk ishte vetëm figurë reklamash, sportist, entertejner, reper, poet. Goditjet e Aliut qëllonin mbi trupa, ndërsa fjalët e tij depërtonin nën lëkurë”, ka shkruar para 10-vitesh, në 40-vjetorin e ndeshjes, gazeta tjetër e madhe gjermane “Süddeutsche Zeitung”.

4.

Meçi mund të shikohet edhe sot - në Youtube. Para se të hynte në ring dhe sidomos pasi hyri në ring Muhamed Aliu ishte më shumë se sportist.

Më 28 prill 1967 ai kishte refuzuar thirrjen për të shërbyer në ushtrinë amerikane me fjalinë legjendare: “Nuk shkoj në Vietnam”. Më parë ai kishte ndërruar emrin: nga Cassius Clay në Muhamed Ali. Krishterimit ia kishte kthyer shpinën dhe ishte konvertuar në mysliman. Por fanatik fetar nuk u bë kurrë. Atij i interesonte liria dhe e drejta për vetëvendosje e njerëzve me ngjyrë, të cilët shtypeshin brutalisht, trajtoheshin si skllevër.

Muhamed Aliu thoshte: “Na sollën këtu 400 vjet më parë për të punuar. Pse të mos largohemi dhe të krijojmë kombin tonë, dhe të mos kërkojmë punë si lypsarë?” Në Kinshasa, Aliu ishte tashmë ikonë e “kontinentit të zi”, idhull i lëvizjes për të drejta civile në SHBA. “Një vështrim depërtues, i rëndë si morti, ngufatës si porta e varrit tënd që mbyllet ngadalë”, shkruan Norman Mailer. Ky ishte Muhamed Aliu. Në ditën kur refuzoi të shkojë në luftë, atij ia hoqën licencën dhe titullin e kampionit botëror. Ky ndëshkim i rëndë për pak i shkatërroi jo vetëm karrierën, por edhe ekzistencën. Me protestën e tij kundër luftës Aliu u bë zëri i shumë njerëzve me ngjyrë. Sipas gazetës britanike “The Guardian”, 41 për qind e rekrutëve në luftën e Vietnamit midis tetorit 1966 dhe qershorit 1969 ishin njerëz me ngjyrë, megjithëse afro-amerikanët përbënin vetëm 11 për qind të popullsisë së përgjithshme të SHBA-së. Më 1973, një vit para se Aliu të zhvillonte meçin e jetës së tij, njerëz vizionarë në qeverinë amerikanë e kuptuan se lufta në Vietnam nuk kishte më kuptim.

Superfuqia u tërhoq.

5.

Edhe një skenë para fillimit të meçit në Kinshasa. Aliu mbyll sytë, lutet.

Foreman bëhet sikur nuk i kushton fare vëmendje, ia kthen shpinën ose më saktë fundshpinën. Si të interpretohet ky gjest i Foremanit? “Për ty i kam të gatshme vetëm pordhët e mia”, shkruan Norman Mailer. Ky mund të jetë vëzhgim i saktë. Foreman ishte shtatë vjet më i ri se Aliu dhe shtatë herë më i fuqishëm; ai kishte fituar të gjitha 40 meçet para këtij në Kinshasa. Fundi? Fundi erdhi kështu: në raundin e tetë Aliu, pasi e ka lënë Foremanin të boksojë kryesisht me ajrin, pasi e ka mashtruar, pasi është tallur me të, pasi e ka goditur papritmas, merr hov me grushtin e djathtë dhe me krejt fuqinë e godet në mjekër kundërshtarin e tij.

Foreman, i lodhur, i tërbuar, i dërrmuar - bie. Asgjë s’mund ta kthejë më atë në ring. “Duart e Foremanit fluturojnë anash si të parashutistit që e  shtynë veten nga avioni”, shkruan Norman Mailer. Foreman bie. Aliu shikon. Bota triumfon.