Dhe përderisa e gjithë vëmendja do të jetë e kthyer nga ajo që pritet të sillet nga pesë emisarët, në Kuvendin e Kosovës vazhdojmë me lojën e inateve për të njëjtën temë: pushteti nuk e përkrah rezolutën e opozitës që do ta obligonte qeverinë që t’ua përmirësojë kushtet policëve të Kosovës, ndërkohë që opozita vazhdon të mos i votojë marrëveshjet ndërkombëtare, për të cilat duhen dy të tretat e votave në Kuvend. Deputetëve taksimetri nuk u ndalet. Kjo është me rëndësi. E pse gjërat në Kosovë ngecin, ajo tashmë është shndërruar në gjendje normale
Sot në Prishtinë do të vijnë pesë emisarë diplomatikë perëndimorë, me gjasë me një pako të re, apo mbase ndonjë ide të përpunuar që do ta mundësonte vazhdimin e dialogut dhe mbase kthimin në jetë të planit franko-gjerman.
Do të kujtojmë se planin e lartpërmendur ia dolën ta bëjnë përshesh Borrelli dhe Lajçaku, duke e reduktuar atë në një dokument të pazbatueshëm, për shkak se njëra palë që nga fillimi u deklarua se as nuk e pranon, e as nuk e zbaton e aq më pak e nënshkruan.
Zbatimi i idesë së zgjidhjes sipas shembullit të të dy Gjermanive dështoi që në Ohër dhe për më tepër, i dha njëfarë përparësie Serbisë. Aq sa Kosova, për shkak të shtrirjes së sovranitetit të vet, u ndëshkua si jobashkëpunuese.
Dhe trysnia ndaj Kosovës shkoi duke u shtuar deri në çastin kur Serbia i bëri vetes një autogol të madh me sulmin terrorist në Banjskë. Në asnjë çast deri tash nuk dëgjuam decidivisht cilindo zyrtar serb të ketë thënë se Serbia nuk kishte gisht në këtë sulm. Po edhe ta kishin thënë, së paku ne nuk do t’u besonim, për shkak se ata përherë gënjejnë. Përherë.
* * *
Por Evropa, nëpërmjet Këshillit të Evropës dhe Parlamentit Evropian, në dy raste doli për të thënë se e dënonte sulmin terrorist në Banjskë. Parlamenti, i cili thuajse përherë është shumë më i qartë dhe i artikuluar sesa Këshilli i Komisionit Evropian, doli me një tekst fantastik të një rezolute që u nis dhe u hartua nga ish-ministri i Jashtëm kroat, Tonino Picula. Përmbledhur kjo është pak a shumë përmbajtja e saj:
U dënua në mënyrën më të fuqishme të mundshme sulmi qyqar terrorist ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga ana e paramilitarëve mirë të organizuar serbë në Banjskë
Iu bë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të veprojnë në uljen e tensioneve, të përmbahen nga retorika apo veprimet që mund të rrisin tensionet dhe të veprojnë në zbardhjen e të gjitha fakteve lidhur me sulmin në Banjskë.
Iu bë ftesë BE-së që t’i mbështesë hetimet nga ana e autoriteteve të Kosovës, përfshirë edhe me mbështetjen e EULEX-it, duke nënvizuar rëndësinë që kryesit e këtyre sulmeve të mbahen përgjegjës dhe të përballen me drejtësinë pa vonesa.
Serbisë iu kërkua të sjellë para drejtësisë personat përgjegjës që ndodhen në Serbi, në përputhje me ligjin, përfshirë edhe ekstradimin në Kosovë.
PE i bëri ftesë Komisionit Evropian dhe Këshillit që të ndërmarrin masa ndaj Qeverisë së Serbisë nëse hetimet dëshmojnë për lidhje të drejtpërdrejtë të shtetit të Serbisë me sulmin në Banjskë, ose nëse autoritetet e Serbisë nuk do të tregojnë vullnet për bashkëpunim të plotë në procesin e hetimeve.
U ftua Këshilli që të miratojë masa të shënjestruara, por që nuk kufizohen vetëm në ngrirjen e pasurisë dhe ndalimin e udhëtimeve për akterët destabilizues në veri të Kosovës dhe liderët e rrjeteve kryesore të krimit të organizuar. Në këtë kontekst, është ftuar Këshilli që të ndjekë shembullin e Shteteve të Bashkuara për vendosjen e masave të shënjestruara kundër Milan Radoiçiqit.
Dënoi edhe rritjen e pranisë së ushtrisë serbe në afërsi të kufirit të Kosovës dhe kërkoi nga Serbia që të përmbahet nga mbështetja e çfarëdo grupi terrorist në veri të Kosovës në të ardhmen.
Iu bë ftesë autoriteteve të Serbisë dhe mediave që të përmbahen nga gjuha e urrejtjes ndaj Kosovës dhe nga përhapja e gënjeshtrave për ‘spastrimin etnik’ apo ‘pogromin’ në Kosovë, për çka nuk ka dëshmi.
U bë ftesë për një rol më proaktiv të BE-së në dialogun për normalizimin e raporteve, në mënyrë që Kosova dhe Serbia të zbatojnë të gjitha pikat e Marrëveshjes drejt normalizimit të arritur më herët gjatë vitit.
U shpreh keqardhja për rinisjen e fushatës nga Serbia për tërheqjen e njohjeve të Kosovës dhe pengesave për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Kosovës iu kërkua që të themelojë dialog me serbët në Kosovë dhe të organizojë sa më shpejt zgjedhjet e reja lokale në veri.
U kërkua largimi i masave ndëshkuese që BE-ja i vendosi ndaj Kosovës për shkak të tensioneve në veri.
U tha se marrëveshja për liberalizimin e vizave për Kosovën nuk është dhe nuk duhet të lidhet me dialogun dhe duhet të hyjë në fuqi jo më larg se 1 janari i vitit 2024.
Eurodeputetët dënuan përpjekjet e Rusisë për ndikim në rajonin e Ballkanit Perëndimor, veçmas në raportet mes Kosovës dhe Serbisë.
U kërkua që të hetohet roli i mundshëm i Rusisë në ngjarjet në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.
* * *
Dhe përderisa e gjithë vëmendja do të jetë e kthyer nga ajo që pritet të sillet nga pesë emisarët, në Kuvendin e Kosovës vazhdojmë me lojën e inateve për të njëjtën temë: pushteti nuk e përkrah rezolutën e opozitës që do ta obligonte qeverinë që t’ua përmirësojë kushtet policëve të Kosovës, ndërkohë që opozita vazhdon të mos i votojë marrëveshjet ndërkombëtare, për të cilat duhen dy të tretat e votave në Kuvend.
Deputetëve taksimetri nuk u ndalet. Kjo është me rëndësi. E pse gjërat në Kosovë ngecin, ajo tashmë është shndërruar në gjendje normale.
Gjendje normale në tre vjetët e fundit është edhe se një pjesë e madhe institucioneve tona funksionon me ushtrues detyre. E njëri nga ta është edhe kryeprokurori i shtetit. Ka 18 muaj që këtë post e mban Besim Kelmendi, për shkak se pas zgjedhjes së Blerim Isufajt kryeprokuror, Vjosa Osmani, në cilësinë e kryetares së shtetit, refuzoi ta dekretonte.
Përderisa argumenti që e dha në fillim qe se priste që të shtereshin krejt vendimet gjyqësore në të gjitha shkallët, kur kjo ndodhi, doli për të thënë se nuk e dekretonte Isufajn për shkak se ishin evidentuar dhjetë shkelje në procedurën e përzgjedhjes dhe se asnjëra gjykatë nuk i kishte trajtuar ankesat në aspektin përmbajtjesor.
Në konferencë për shtyp i përmendi katër arsye se përse Isufaj nuk mund të dekretohej: E para, shmangia nga zbatimi i kritereve ligjore për zgjedhjen e kryeprokurorit të shtetit, e dyta, mohimi i mundësisë për mjet ankimor efektiv brenda KPK-së për kandidatët e pakënaqur përmes refuzimit arbitrar për raportet e komisionit për rishqyrtim të kundërshtimeve, e treta, shkelja në procedura të vlerësimit të reputacionit profesional të kandidatëve, e katërta, shkelja në procedura të vlerësimit të integritetit të kandidatëve.
Gjatë konferencës e tha edhe një gjë tjetër: se gjatë gjithë kësaj kohe ishte kërcënuar nga persona që mbajnë poste të larta në sistemin prokurorial. Dhe shtoi: “Nuk mund t’i deponoj kërcënimet te personat që më kanë kërcënuar”.
Dhe bëri gabim.
Se nëse vërtet e kanë kërcënuar, kryetarja Osmani është dashur të ngrinte kallëzim penal. Po të mos kishte pasur asnjë reagim, atëherë është dashur t’i bënte publike kërcënimet. E fundit, nuk është dashur fare ta përmendte në publik këtë punë. Pos nëse me këtë ka dashur ta arsyetojë eskortën e saj policore pa të cilën nuk qarkullon kund.
Fakti se komplet procedura për zgjedhjen e Isufajt ka qenë e përshpejtuar në përpjekje për ta kapur trenin e fundit me ligjin e vjetër. Ky veprim u kritikua nga njohësit e fushës. Tash procesi u kthye në pikën zero, pos nëse dikush vlerëson se Osmani e shkeli Kushtetutën me këtë veprim. Por porosia që erdhi nga Ambasada amerikane është se kryeprokurori i shtetit duhet të zgjidhet për merita profesionale. Porosi mjaft e qartë, marrë parasysh sidomos kryeprokurorin paraprak dhe punën e tij të shkëlqyer për të mos u marrë me krimin.
* * *
Të shohim se çka na sjell pesëshja. Uroj ta kenë lexuar me shumë vëmendje rezolutën e PE-së.
Ndërkohë, ne të shohim edhe sa durim do të kemi për inate dhe humbje energjie për kot.