Këtë duhet ta kuptojnë ata që mendojnë se mund të sillen si dikur, duke detyruar miqtë tanë ndërkombëtarë ta thonë frazën magjike “Mos e dh... punën!”. Ajo kohë ka kaluar. Më mirë se ta presin këtë frazë magjike që kurrë më nuk do të vijë, gjykuar sipas asaj që thonë amerikanët dhe diplomatët e tjerë të vendeve mike, liderët tanë dhe forcat e tyre politike më mirë e kanë të ndjekin rrugën e qartë kushtetuese dhe ligjore për formimin e ekzekutivit, përkatësisht për eliminimin e vetvetes përmes mocionit të votëbesimit, nëse shihet se presidenti po vazhdon pafund me talljen e tij të zakonshme me Kushtetutën dhe ligjin, njëjtë siç po e bën ish-kryeministri Haradinaj duke dërguar në Gjykatën Kushtetuese pyetje retorike, përgjigja e të cilave dihet
Tiparet e këtij ngërçi politik
Tipari themelor i ngërçit aktual politik është se ky përbën një ngërç ekzistencial, ku humbja e njërës palë përbën fitore për palën tjetër, sipas stilit “fituesi i merr të gjitha”. Cilësia e dytë e ngërçit aktual është se në të njëjtën kohë, përveç si më sipër, humbja e njërës prej palëve paraqet humbje të krejt partive politike që cilësohen si “krahu i luftës”. Kjo është kështu për faktin se çdo shkuarje në opozitë e “krahut të luftës”, domosdo që lë prapa zbrazëtirë për spektrin tjetër politik që nuk identifikohet me luftën. Kjo cilësi bën që, në instancë të fundit, frika e këtij krahu nga largimi përgjithmonë prej skenës politike të shërbejë si faktor koheziv i të gjithëve për të ngelur në pushtet me çdo kusht. Një faktor tjetër shtesë në rritjen e kësaj frike është edhe puna e Gjykatës Speciale, e cila luftës së shumëfishtë ekzistenciale i jep një dimension të ngurtë, të pakalueshëm dhe të pandryshueshëm nga faktorët vendorë.
Këto dy tipare janë ndërtuar në mënyrë graduale në një kontekst të brendshëm dhe ndërkombëtar shumë specifik karshi Kosovës.
Konteksti i brendshëm i ngërçit aktual
Në historinë kushtetuese të popujve të botës, që ne synojmë t’i ndjekim, demokracia kushtetuese është zhvilluar në kuadër të tri formave themelore. Forma e parë ka qenë ajo që Kushtetutën, e kuptuar jo vetëm si një tekst i shkruar, por mbi të gjitha si një tërësi rregullash lidhur me origjinën dhe mënyrën e ushtrimit të pushtetit politik, përfshirë rolin dhe pozitën e individit në shoqëri, e ka përjetuar si një mjet (instrument) të fuqishëm për formësimin e identitetit nacional. I tillë ka qenë dhe ngelet rasti amerikan. Kombi amerikan u krijua si rezultat i një lufte të gjatë dhe i përpjekjeve kolosale të shoqërisë amerikane për të kontrolluar dhe balancuar pushtetin, duke ia lënë individit një hapësirë të madhe veprimi. Forma e dytë ka qenë ajo që Kushtetutën në kuptimin e mësipërm e ka parë si një mjet (instrument) që shërben për të përligjësuar një identitet ekzistues nacional, do të thotë si diçka që vetëm ka sanksionuar një identitet ekzistues nacional, ku identiteti nacional dhe kushtetues shkrihen në një. Në këtë kategori hyn Franca. Në formën e fundit, i ashtuquajturi komb kulturor, Kushtetuta shihet si një mjet (instrument) që reflekton kodin kulturor dhe shpirtin nacional shekullor të një shoqërie. I tillë është rasti gjerman, para Kushtetutës së Vajmarit. Në fakt, dështimi i kësaj kushtetute ka ndodhur pikërisht si pasojë e mospërputhjes së dispozitave të saj me kodin kulturor gjerman, manifestimi ekstrem i të cilit, me rrënjë nibelunge mesjetare, çoi në lindjen dhe arsyetimin e nazizmit dhe politikave të Hitlerit dhe juristit të tij Carl Schmit.
Kosova, ku ngel në këtë mes? Çfarë lidhje kanë këto forma me vendin tonë dhe ngërçet e tij politike?
Arsyeja kryesore e ngërçeve politike që kanë lindur dhe lindin në Kosovë, si ky që ka nisur, gjendet në dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në sistemin e saj zgjedhor dhe në llojin e demokracisë kushtetuese që promovon ajo. Të dy këto aspekte të Kushtetutës promovojnë një sistem vlerash dhe parimesh kushtetuese që janë thellësisht civilizuese dhe perëndimore e liberale, në ndërkohë që kultura kushtetuese dhe politike kosovare në thelb është feudale, në aspektin social dhe të përfaqësimit politik.
Sistemi zgjedhor kosovar, i tipit proporcional që synon ruajtjen dhe kultivimin e diversitetit etnik, kulturor, fetar, gjuhësor dhe tjetër, ka lindur në përpjekjet e ish-presidentit Marti Ahtisaari për të akomoduar interesat e serbëve lokalë në mënyrë që zëri i tyre të mos asfiksohet nga ajo që dijetari francez, J. J. Rousseau, e ka cilësuar si “tirania e vullnetit të shumicës”. Ky sistem, duke pasur për bazë këtë synim, nga pala tjetër, shqiptarët si shumicë, është parë si mekanizëm që ka ngushtuar hapësirën e tyre politike, duke mos pasur asnjë konsideratë dhe ndjesi për kulturën politike feudale dhe shtresëzimin social dhe regjional në Kosovë, kulturë tërësisht e papërshtatshme për këtë sistem zgjedhor.
Ky sistem zgjedhor, megjithatë, nuk mund të shikohet i izoluar nga lloji i demokracisë kushtetuese kosovare. Në fakt, sistemi zgjedhor kosovar nuk është veçse një mjet i demokracisë kushtetuese konsociacionale kosovare, ku ndarjet (çarjet) shoqërore (etnike, fetare, gjuhësore dhe të tjera) janë shndërruar në çarje edhe më të thella dhe më të mëdha se që janë përmes ndërtimit të institucioneve qendrore dhe lokale të pushtetit që reflektojnë këto çarje. Si të tilla, çarjet asnjëherë nuk reflektojnë fuqinë reale në terren të dallimeve etnike, fetare, gjuhësore, kulturore dhe të tjera. Edhe ky segment fare nuk përputhet me kulturën politike kosovare, që bazohet në një shtresëzim feudal dhe regjional, jo vetëm sa i përket popullsisë shumicë, por edhe të vetë trupës politike të serbëve lokalë dhe të popujve të tjerë që jetojnë në Kosovë, nisur nga fakti se asnjëherë më parë në Kosovë nuk ka ekzistuar një demokraci kushtetuese liberale.
Në pamundësinë për të kuptuar dhe menaxhuar krizat që vazhdimisht prodhohen nga ky sistem kushtetues dhe politik, aktorët vendorë kanë prodhuar ngërçet politike të deridjeshme dhe këtë të sotmin: në vend se të luftojnë për rritjen e hapësirës politike për akomodim të diversitetit etnik, gjuhësor, fetar dhe tjetër në Kosovë, liderët kanë kërkuar copëtimin e Kosovës dhe zgjidhje territoriale që nuk bazohen në liritë dhe të drejtat njerëzore, dhe vlerat e parimet e tjera që sanksionon Kushtetuta e Kosovës. Krejt kjo përpjekje për ndarje, e bërë me shpresë që do të hiqet nga rendi i ditës simboli i demokracisë konsociacionale, vetoja e minoriteteve, ka shterur energjitë e aktorëve politikë që përfaqësojnë popullin shumicë, duke ngushtuar në të njëjtën kohë hapësirën e tyre të veprimit. Kjo teknikë politike, e ndjekur nga lidershipi politik në Kosovë, ka çuar dhe çon në ngërçe të vazhdueshme politike. Kjo është kështu, sepse lloji i demokracisë dhe sistemi zgjedhor kosovar janë tërësisht të huaj për kulturën kushtetuese dhe politike vendore: duhet shumë kohë për të fjetur në gjirin e qytetarit të zakonshëm germa dhe fryma e Kushtetutës së Kosovës. Kjo, megjithatë, nuk është e pamundur, por thjesht kërkon kohë, një periudhë ku të kalitet një gjeneratë tjetër politikanësh kosovarë.
Konteksti ndërkombëtar që prodhoi këtë ngërç
Për ata që iu kujtohet, ambasadorja e SHBA-së, Ann Tracy Jacobson, në një paraqitje historike për formimin e institucioneve qendrore pas ngërçit të prodhuar pas zgjedhjeve të qershorit të vitit 2014, nga po këta aktorë politikë, kishte shtjelluar gjerësisht fizionominë e politikës së re amerikane ndaj Kosovës dhe të lidershipit të saj. Ajo kishte theksuar se Kosova nuk është koloni dhe nuk duhet trajtuar si e tillë. Si një vend i pavarur, pati thënë ajo, Kosova duhej të merrte fatin e vet në duar dhe të kryente detyrat e një shteti sovran dhe të pavarur.
Kjo qasje amerikane shënonte pikën kthesë në politikën amerikane ndaj Kosovës, që vinte si pasojë e angazhimeve të tjera më madhore të këtij vendi mik: në rend të parë, në Lindjen e Mesme (menaxhimi i Iranit përmes bashkëpunimit me Rusinë) dhe përtej në Lindjen e largët (menaxhimi i lundrimit të lirë në Detin e Kinës Jugore dhe, për pasojë, në menaxhimin e vetë Kinës dhe satelitit të saj, Koresë së Veriut). Kjo politikë në thelb nuk ka ndryshuar as nga pasardhësi i ambasadores Ann Tacey Jacobson, ani se në një moment, kur disa vetë deshën ta prishnin Gjykatën Speciale, reagimi i tij u duk si paternalist. I tillë, në thelb, nuk ishte. Ai reagim i ambasadorit amerikan, Greg Delawie, reflektonte politikën e përbashkët perëndimore karshi krimit të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit dhe të drejtës ndërkombëtare humanitare.
Ngjashëm diçka vërtetoi edhe paraqitja e fundit e ambasadorit aktual të SHBA-së, Philip Cosnett, që potencoi se për amerikanët nuk çon fort peshë profili psikologjik i njerëzve, por Kosova dhe fati i saj, i vendit në të cilin amerikanët kanë investuar më shumë se ndokund tjetër në botë, nëse merret parasysh vëllimi fizik i territorit, numri i popullsisë dhe koha në të cilën u bënë ato investime. Ambasadori me këtë deshi të tregonte se kishin ndryshuar rrethanat ndërkombëtare, në veçanti elementi i fundit, koha. Ka kaluar koha kur Kosova ka përbërë një pikë neuralgjike që ka përçuar mesazhe të caktuara pozitive për botën islamike përtej Bosforit. Kosova, thënë me fjalë të tjera, gjykuar sipas asaj që më vonë e tha ambasadori Philip Cosnett në kontekstin e ngërçit aktual, duhet të mbahet fort pas Kushtetutës dhe ligjeve të saj gjatë menaxhimit dhe zgjidhjes së situatës aktuale. Kjo deklaratë ishte në vijim të përpjekjeve të fundit intensive në dy anët e Atlantikut për forcimin e sundimit të ligjit, ku lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar përbën fjalinë kyç. Kjo nënkupton, në të njëjtën kohë, se formimi i ekzekutivit, pas dorëheqjes së ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, përbën një test të pjekurisë dhe vitalitetit të institucioneve të Kosovës, me një mesazh të qartë se, nëse dështon ky formim, atëherë Kosovën e presin ditë të këqija, në veçanti sa i përket pozitës sonë në dialogun me Serbinë dhe fatit të territorit tonë në veri. Nuk mund të kalojë pa pasoja avashllëku dhe papërgjegjësia në ushtrimin e detyrave kushtetuese të organeve të Kosovës, siç ka ndodhur në të kaluarën.
Kjo është kështu për shkak se Kosova sot nuk përbën veçse një “zorrë qorre” në skenën politike regjionale dhe globale. Kjo domethënë se Kosova, njëjtë si “zorra qorre”, nuk kryen asnjë funksion në politikën regjionale dhe globale, si dikur që ka qenë rasti, por që nëse shpërthen, mund të bëjë probleme. Si e tillë që është, si një “zorrë qorre”, Kosova kërkon përkujdesje, por të një natyre krejt tjetër prej asaj që mendojnë liderët e saj dhe disa nga qytetarët: krejt kujdesi aktual ndaj Kosovës është që ajo të mos shpërthejë, jo për shkak të ambientit regjional dhe global, por për shkak të vetë saj si pacient, të cilën mund ta dëmtojë rëndë, asnjëherë ata që menaxhojnë mosshpërthimin e saj. Kjo është Kosova sot. Këtë duhet ta kuptojnë ata që mendojnë se mund të sillen si dikur, duke detyruar miqtë tanë ndërkombëtarë për të thënë frazën magjike “Mos e dh... punën”!. Ajo kohë ka kaluar. Më mirë se të presin këtë frazë magjike që kurrë më nuk do të vijë, gjykuar sipas asaj që thonë amerikanët dhe diplomatët e tjerë të vendeve mike, liderët tanë dhe forcat e tyre politike më mirë e kanë të ndjekin rrugën e qartë kushtetuese dhe ligjore për formimin e ekzekutivit, përkatësisht për eliminimin e vetvetes përmes mocionit të votëbesimit, nëse shihet se presidenti po vazhdon pafund me talljen e tij të zakonshme me Kushtetutën dhe ligjin, njëjtë siç po e bën ish-kryeministri Haradinaj duke dërguar në Gjykatën Kushtetuese pyetje retorike, përgjigja e të cilave dihet.
(Autori është ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese dhe profesor i të drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës. Shkrimi është shkruar ekskluzivisht për “Koha Ditore”).