Për të botuar një libër duhet numri identifikues ndërkombëtar ISBN. Biblioteka Kombëtare dhe Universitare në Sarajevë është e bllokuar nga rrëmuja burokratike e Bosnjë-Hercegovinës, andaj autorët nuk mund t’i publikojnë librat e tyre. Një episod i ri nga absurdistani ballkanik
Jasmin Agiqi, i lindur në vitin 1982 në Zenicë të Bosnjë-Hercegovinës, shkruan prozë, eseistikë, si dhe kritikë letrare dhe filmike. Ai jeton në Sarajevë, ku punon si gazetar. Agiqit i janë dashur gati dy vjet që të përfundojë romanin “Roli i Josip Brozit në jetën e gjyshit Sulejman”. Libri i ka 180 faqe, është duke u përgatitur për botim nga shtëpia Buybook, por nuk dihet kur do të dalë në treg, sepse nuk ka numër të ISBN. Ky është një numër identifikues ndërkombëtar me të cilin është i pajisur çdo libër.
Jasmin Agiqi i ishte gëzuar botimit të librit, fundja cili autor nuk gëzohet kur e sheh të botuar veprën e tij. Kishte përgatitur edhe promovimin. Gëzimi i tij u prish kur mësoi se në Federatën Boshnjako-Kroate nuk mund të botohen libra për shkak të bllokimit të punës së Bibliotekës Kombëtare të Bosnjë-Hercegovinës. Fajet i ka - edhe kësaj radhe - politika. Statusi i Bibliotekës mbetet i pazgjidhur, financimi po ashtu, ndërsa grindja mes politikanëve boshnjakë, serbë e kroatë vazhdon. Në këto rrethana është ndërprerë edhe dhënia e numrave standardë ndërkombëtarë, pa të cilët librat dhe revistat nuk mund të botohen. “Jam i zemëruar dhe i lënduar”, i tha Jasmin Agiqi Radios Evropa e Lirë (RFE).
Drejtori i Bibliotekës ka dhënë dorëheqje, punëtorët kanë protestuar disa herë, në muajin gusht ata njoftuan se nuk do të ofrojnë asnjë shërbim për shkak se nuk i kanë marrë rrogat 5 muaj me radhë. “A u pëlqen të lexoni? A e dini se në Federatën e Bosnjë-Hercegovinës aktualisht nuk është e mundur të botosh një libër?”, shkroi portali klix.ba së fundi.
Kur nuk merren vesh politikanët lokalë, sidomos ata që kundërshtojnë çdo atribut të shtetësisë së Bosnjës, sytë drejtohen nga bashkësia ndërkombëtare. Në fund të nëntorit ndërhyri përfaqësuesi i lartë i Bashkësisë Ndërkombëtare në Sarajevë, gjermani Christian Schmidt. Në një fjalë të mbajtur para Bibliotekës dhe në prani të punëtorëve të këtij institucioni, ai njoftoi se po sjell një urdhër për të zhbllokuar punën e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare, si dhe të institucioneve të tjera të rëndësishme për kulturën. Schmidt shtoi se Biblioteka ashtu si dhe institucionet e tjera kontribuon në pajtim dhe mirëkuptim të ndërsjellë, pasi pasqyron rrëfimet e të gjithë popujve të saj. Schmidt numëroi shtatë institucione me rëndësi për kulturën e Bosnjë-Hercegovinës. Ato, sipas tij, janë: Kinoteka, Muzeu Kombëtar, Muzeu Historik, Muzeu i Letërsisë dhe Artit Teatral, Biblioteka për të Verbrit dhe Personat me Shikim të Dëmtuar, Galeria e Artit dhe Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Bosnjë-Hercegovinës. Kjo Bibliotekë ka një rëndësi të madhe për jetën kulturore të Bosnjës, ajo është vatër e dijes për studentë e hulumtues. Përtej kësaj, Biblioteka ka një rëndësi edhe për shkak të historisë së saj.
Skica e parë e godinës u përgatit nga arkitekti çek Karel Parik më 1891, atëbotë si seli e bashkisë. Parik është autor edhe i ndërtesës së Teatrit Nacional të Bosnjës, Muzeut, Sinagogës së Ashkenazëve dhe Shkollës së Sheriatit. Ky mjeshtër i ndërtimit konsiderohet autor i Sarajevës evropiane. Pasi planet e Parikut për selinë e bashkisë u hodhën poshtë, punën e vazhdoi arkitekti austriak Alexander Wittek. Më 28 qershor 1914, ndërtesën impozante e vizitoi Franz Ferdinandi, trashëgimtari i fronit austrohungarez. Pak pas vizitës ai u vra nga anarkistët serbë. Ky atentat shërbeu si shkas për shpërthimin e Luftës së Parë Botërore.
Pasi partizanët morën pushtetin në Jugosllavi më 1945, ndërtesa e famshme u shndërrua në Bibliotekë Kombëtare dhe Universitare. Me fillimin e rrethimit të Sarajevës ky objekt u vu në shënjestër të nacionalistëve serbë. Pas goditjeve të pandërprera me granata, Bibliotekën e përfshinë flakët dhe thuhet se me atë rast u dogjën më shumë se dy milionë libra. Kjo ishte një goditje e rëndë kundër identitetit nacional, shpirtëror dhe kulturor të Bosnjë-Hercegovinës.
Gjatë rrethimit të Sarajevës, violonçelisti Vedran Smajloviqi luajti në rrënojat e Bibliotekës së Sarajevës. Fotografitë nga këto performansa të Smajloviqit hyjnë në mesin e pamjeve më ikonike të Sarajevës që vuante nga lufta. Ato janë një akuzë kundër barbarisë.
Pas luftës, në vitin 1996, filloi rinovimi i Bibliotekës Kombëtare, një punë që zgjati gati dy dekada dhe u krye me ndihmën e ekspertëve ndërkombëtarë dhe me shumë para nga Bashkimi Evropian. Ndërkohë Bibliotekës prapë i është kthyer qetësia e padurueshme për shkak të konflikteve lidhur me rolin e saj. Nacionalistët nga entiteti serb nuk kanë asnjë interes ta shohin këtë Bibliotekë si institucion nacional. Atë që nuk kanë arritur ta bënin vrasësit e Sarajevës, tani përpiqet ta bëjë lideri nacionalist i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik.