OpEd

Në konsultim te Zoti

Tash i tërë Ballkani Perëndimor si Kosova... dhe ky nuk është pragu më i ulët

1.

Është një barsoletë e vjetër e liderëve të Ballkanit të viteve nëntëdhjetë. I pret në konsultime Zoti, e të rreshtuar një nga një kanë vetëm një pyetje: kur do të bëhen shtetet e tyre normale. Një nga një largohen nga konsultimi duke qarë, thellësisht të dëshpëruar nga përgjigjja. Në fund i vjen radha dr. Rugovës dhe pas konsultimit Zoti fillon të qajë. Dr. Rugova, i prekur nga kjo pamje, i thotë : “Durim burrë, se bohet mirë!”.

Më duket e afërt për rikujtim kjo barsoletë - e si çdo barsoletë me teprimet e veta - për ta vizatuar së paku një kroki të gjendjes së sotme. Në atë kroki pesë shtetet e Ballkanit Perëndimor ndihen të dëshpëruara me atë që ka njëzet vjet që u është premtuar në formulimin e “perspektivës evropiane” e që kurrsesi të formësohet si status anëtari apo diçka afër kësaj gjendjeje të prekshme. Shteti i gjashtë, Kosova, të cilit i mungon edhe njohja prej disa shteteve anëtare të BE-së, pra që as mund të kualifikohej për status formal, është në situatë t’i ngushëllojë të gjithë të tjerët me “ja, e shihni si është të jesh si unë”. Kjo është gjendje e thellë e optimizmit të një populli që është ballafaquar me llahtarin e dëbimit kolektiv e për të cilin vështirësitë e tjera në jetë janë shumëfish më të lehta.

2.

Ka shumë mënyra tjera të shikimit të politikës së BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor. Për shembull, se as BE-ja nuk është në gjendje të absorbojë shtete të reja, sepse ka ngërç në vendimmarrje edhe kështu si është. Apo se shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk janë të gatshme të jenë “evropianë shembullorë” si të 27 shtetet anëtare.

Por, ndoshta ky do të ishte momenti për të konstatuar se i tërë regjioni tash po bëhet Kosovë. I tërë regjioni është tash përplot shtete të kontestuara dhe çdo kontestim bllokon jo vetëm shtetin e kontestuar, por edhe atë që fare nuk ka lidhje me të. Pra, kur Maqedonia e Veriut vendoset e kontestuar në historinë e vet dhe identitetin e vet, të tjerëve mund t’u duket risi, por jo edhe Kosovës, e cila ka shumë dhjetëvjetësh që dëshiron ta shprehë veten si shtet dhe kjo i kontestohet edhe në fqinjësi e edhe gjetiu. Dhe, kur Shqipëria nuk mund të hapë negociatat për anëtarësim, sepse Bullgaria e pengon Maqedoninë e Veriut për ta bërë këtë, Kosova e kupton me më lehtësi se të tjerët. Përgjatë tërë viteve nëntëdhjetë i thuhej se duhej pritur fundin e luftës në Kroaci e Bosnjë-Hercegovinë, duhej pritur demokratizimin e Serbisë, duhej pritur zgjedhjet në Francë e Britani, Gjermani dhe dekolonizimi i Timorit lindor në mënyrë që çështja e Kosovës të ngrihej prej çështjes së shkeljeve të të drejtave të njeriut në çështje politike të vendosjes së fatit të një ish-autonomie përgjatë zhbërjes së dhunshme të ish-Jugosllavisë. Dhe kur i thuhet Bosnjë- Hercegovinës se duhet të bëhet shtet funksional para se të mendojë për BE, ndërkohë që e tërë vendimmarrja e stërkomplikuar në të u dizajnua dhe u mirëmbajt nga bashkësia ndërkombëtare, Kosova e ka thjesht të kuptojë, sepse çdo raund i negociatave, prej atyre të Gjenevës më 1992 deri te këto të Brukselit më 2022, është i dizajnuar që të kërkojë edhe ndonjë koncesion a kompromis që mund të bëjë Kosova, përmbi koncesioneve të ndërtuara më herët me bashkësinë ndërkombëtare e të quajtura përfundimtare.

3.

Nëse këtë gjendje - ku regjioni po bëhet si Kosova - dikush e quan hakmarrje të Kosovës, e ka gabim. Është barazim në fukarallëk opsionesh, e fukarallëku nuk është barazues i mirë. Në këtë fukarallëk opsionesh, idesh e iniciativash gjendja ka arritur tek të vërtetat e zhveshura, e ato janë lidhura me thjeshtësinë e konstatimit se kushdo që ka menduar se mund të ketë integrim të shpejtë në BE të ndonjë shteti të Ballkanit Perëndimor, përderisa ekzistojnë konflikte të papërfunduara si ai i Kosovës me Serbinë apo efektet postkonfliktuale të rregullimit në Bosnjë-Hercegovinë e ka pasur gabim. Në një moçal konfliktesh të papërfunduara pas një kohe të gjithë do të konsiderohen bretkosa. Dhe, e pranueshme a jo metafora, karshi BE-së, Ballkani Perëndimor është një moçal i cili ka perspektivë evropiane, tashmë si tërësi.

E, nëse dikush ka menduar se të barazuarit e të gjithëve me Kosovën është pika më e ulët në trajtim ka mundësi gjatë javës të dëgjojë për zgjerimin e kontekstit krahasues. Ballkani Perëndimor tash po hyn në një zonë ende të paeksploruar krahasimi, me Ukrainën e Moldavinë që do të marrin statusin e kandidatit. Disa prej shteteve të Ballkanit Perëndimor mund të ndihen të prekura - si është e mundur që Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova, për shembull, të mbeten prapa një Ukraine që është pushtuar në një pjesë nga Rusia? Por, atyre dhe të gjithë të tjerëve u jepet një shpjegim që edhe pse Ukraina e Moldavia bëhen shtete kandidate do t’u duhen dhjetëvjetësh (disa sish) për t’u bërë shtete anëtare. Kështu, mbase pa dashje, kufiri i poshtëm i barazimit bëhet Ukraina.

4.

Kur je në gropë gjëja më e mençme për të bërë është fillimisht të ndalësh gërmimin e mëtejmë. Dhe kjo mbase do të jetë këshilla më e mirë për BE-në dhe politikën e vet ndaj Ballkanit Perëndimor. Dhe, kur të ndalë gërmimin mund të fillojë nga një ndarje e thjeshtë konteksti. Jo, Ballkani Perëndimor nuk ka gjë me Ukrainën, dhe po, çdo gjë në Ballkanin Perëndimor është më lehtë e zgjidhshme sesa pushtimi rus i Ukrainës.