OpEd

Në kërkim të fundamentalizmit serb

Rrëfimi i sotëm në Serbi nuk është se a është Milosheviqi vrasës, por a besonte në serbizëm dhe a qe i dinjitetshëm kur iu dorëzua “të huajve”, “armiqve të serbizmit”

1.

Është një aktor që quhet Boris Isakoviq e që në një moment shndërrohet frikshëm në autenticitetin e Slobodan Milosheviqit. Dhe është një aktore e quajtur Milena Karanoviq (e njohur për një kohë të gjatë në ish-Jugosllavi) e që shndërrohet në afërsinë, po ashtu të frikshme të Mira Markoviqit, gruas së Slobodan Milosheviqit.

Që të dy luajnë në një serial pesë episodësh me titull “Familja”, që përshkruan 48 orët e fundit të Milosheviqit para se t’u dorëzohej autoriteteve gjyqësore të Serbisë, gjegjësisht Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet e ish-Jugosllavisë në Hagë.

I shikova gjatë javës së kaluar dhe ishin një ringjallje bukur autentike e një kohe. Gjithandej ish-Jugosllavisë mund t’i kenë shikuar me qindra mija njerëz të tjerë, ithtarë të Milosheviqit, kundërshtarë të tij dhe më së shumti – viktima të tij. Që të gjithëve iu servua një rrëfim në televizionin publik të Serbisë në një datë të caktuar, 20 vjet pas dorëzimit të Milosheviqit Hagës. Theksi i këtij rrëfimi qe mbi tri koncepte kyç: akti i dorëzimit të një lideri kombëtar, koha prej njëzet vjetësh të distancës historike, dhe dorëzimi një instance të huaj (Hagës).

2.

Në Serbi, dhe jo vetëm në të, po ndodh një fenomen që ka dy dimensione.

I pari është narracioni historik. Pra, autorët e serialit po e japin një rrëfim të tyre historik, njëzet vjet më pas, të një ngjarjeje që ata mendojnë se rrëfen më shumë se çdo gjë tjetër për gjendjen e shoqërisë-aktin e fundit, të dorëzimit të njeriut që u priu luftërave të Serbisë e serbëve në ish-Jugosllavi. Me këtë përshkruajnë jo vetëm liderin, gruan e tij, opozitën që e arreston, por edhe tërë një shoqëri që prej luftërave të përgjakshme në emër të serbizmit përnjëherë, brenda 48 orëve të dorëzimit të Milosheviqit, duhet të shndërrohet në një shoqëri që kurrë nuk i ka dashur luftërat, Milosheviqin e kështu me radhë - pra një shoqëri që gjithnjë ishte demokratike e perëndimore.

Ky dimension ka hasur në një problem evident. Seriali ka ndodhur njëzet vjetësh pas ngjarjesh dhe ende ka shumë njerëz të gjallë që janë dëshmitarë e që e hedhin poshtë këtë narracion historik e që mund të japin versione nga më të ndryshmet. Vuk Drashkoviq, ish-lider i opozitës në kohën e Milosheviqit, nxori një analogji të thjeshtë: “Familja” është e ngjashme me rrëfimin për 48 orët e fundit të Hitlerit, vetëm se në të nuk flitet për krimet e Milosheviqit prej vrasjes së kundërshtarëve të vet politikë deri te vrasja masive e civilëve shqiptarë.

Milosheviqi që del në serial, një njeri i vendosur në besimet e veta duke kundërshtuar tërë botën përballë një opozite që sapo e ka marrë pushtetin dhe nuk tregon seriozitet në udhëheqjen e shtetit, mund të jetë një rrëfim historik i këtij seriali, por ka një listë të gjerë njerëzish që do ta kundërshtojnë, çdo njëri me argumentin e rrëfimit të vet.

3.

Dimensioni i dytë është gjithnjë më larg historisë e gjithnjë më afër Serbisë, asaj të djeshme dhe asaj të sotme. Është një dimension tashmë i sprovuar, ai religjioz. Njëzet vjet më pas, narracioni i cili po zhvillohet në Serbi nuk është më a përputhet ky apo ai akt i serialit me të vërtetën historike, por a reflekton në mënyrë autentike “shpirtin” e Milosheviqit, apo të asaj kohe.

Kjo nuk është ndonjë risi. Në historinë e religjioneve, e në veçanti të krishterimit, momenti kthesë i religjionit është kur nuk mbështetet më në autenticitetin historik, por fillon me interpretimin e vet, besimtar. Bibla dhe Kurani, pra, janë rrëfime që fillojnë me histori, Jezu Krishti e Muhamedi, por nuk konsiderojnë se duhet të jenë rrëfime të librave të historisë. Shkrimtarët e librave të shenjtë nuk e konsideruan veten si evidencues ngjarjesh historike, por interpretues të mrekullive të cilave u besojnë.

Kështu mbërrijmë tek ungjijtë e Biblës, të cilët varësisht a mbajnë nënshkrimin e Mateut, Lukës, Gjonit a Markut, kanë rrëfim që dallohet historikisht në fakte lidhur me jetën e veprën e personit historik Jezuit të Nazaretit, por që të gjithë përbashkohen në interpretimin se ky është pjesë e treshes, së bashku me të Atin dhe Shpirtin e Shenjtë.

Apo, siç thotë Reza Aslan, njëri prej njohësve eminentë të religjioneve : kur u shkrua Bibla nuk ishte intenca që ajo të jetë e “vërtetë”, por që ajo të reflektojë se çfarë “tregojnë këto rrëfime për natyrën e asaj e çfarë ishte Jezui”.

Në Serbi, rrëfimi për Milosheviqin po kalon me shpejtësi marramendëse prej dimensionit historik në atë religjioz. Pra, nuk është tashmë me shumë rëndësi se si ky njeri nxiti nacionalizmin serb, rrahu dhe vrau opozitarët serbë, shkatërroi me luftë ish- Jugosllavinë - qe përgjegjës për luftërat në Slloveni, Kroaci, BH dhe Kosovë së bashku me qindra mijëra qytetarë të vrarë, të plagosur e të dëbuar nga to, por është me rëndësi a besoi se kjo është gjëja më e mirë për popullin serb dhe i ndenji besnik këtij besimi.

Rrëfimi i sotëm në Serbi nuk është se a është Milosheviqi vrasës, por a besonte në serbizëm dhe a qe i dinjitetshëm kur iu dorëzua “të huajve”, “armiqve të serbizmit”.

Rrjedhimisht, a qe Milosheviqi një apostull i serbizmit.

4.

Serbia, në analogjinë religjioze, është para një faze të re të çrregullimit kolektiv të rrëfimit për veten.

Me konfliktet e papërfunduara në BH dhe në Kosovë dhe me rrëfimin e Milosheviqit si një apostull të serbizmit të cilin e zuri një kohë e keqe, sfida e ardhshme religjioze në Serbi është fundamentalizmi.

Në shekullin XIX, në mesin e protestantëve u lind një lëvizje që thoshte se Bibla është e pagabueshme (ani pse Mateu, Gjoni, Luka e Marku nuk pajtohen mes vete në faktet historike) dhe kërkonte që besimtarët t’iu ktheheshin “fundamenteve” të Biblës. Kështu u lind në kulturën tonë perëndimore fundamentalizmi.

Këtë fat mund ta ndjekë Serbia. Njëzet vjet pas dorëzimit të Milosheviqit, pa një analizë kritike të rolit të tij prej gjakpirësi (në përshkrimin më të butë) , Serbia mund të kalojë lehtësisht që në religjionin e ri të serbizmit të përcaktojë se çfarëdo që të ketë ndodhur, fundamentalisht, e tëra është bërë për të mbrojtur kauzën kombëtare serbe.

Dhe se, fundamentalisht, do vazhduar kështu edhe më tutje.