Kultura politike në Kroaci, fatkeqësisht, u është afruar nivelit të kafehaneve ballkanike. Këtë e treguan sidomos zgjedhjet e fundit parlamentare dhe gjithçka rreth tyre, përfshirë rolin tejet të çuditshëm të Gjykatës Kushtetuese dhe të presidentit
Për shumicën e kroatëve është me rëndësi që të tjerëve, e sidomos atyre që vijnë nga vendet që dikur kanë qenë pjesë e Jugosllavisë, në 10 sekondat e para të bisedës t’ua bëjnë të qartë se Kroacia nuk ka të bëjë asgjë me Ballkanin. Nga ky këndvështrim Ballkani është një ligë tjetër, më e ulët, për të mos thënë primitive, në krahasim, natyrisht, me Kroacinë e civilizuar. Fundja, vetë shkrimtari Mirosllav Kërlezha kishte thënë se “realiteti ynë austro-hungarez u rrokullis i dehur nën fronin e Karagjorgjeviqëve si një shishe e zbrazët birre në bërllok”. E kishte fjalën për bashkimin e Kroacisë me Serbinë (dhe Slloveninë) për të themeluar mbretërinë e përbashkët jugosllave.
Kush e dëgjon gjuhën e politikanëve aktualë kroatë mund të mendojë se ende ekziston realiteti i shishes së zbrazët të birrës, të cilën e kishte përmendur Kërlezha. Zgjedhjet e fundit parlamentare në Kroaci treguan sërish se kultura politike e këtij vendi i është afruar nivelit të kafehaneve ballkanike.
Nga mesi i marsit presidenti Zoran Millanoviq shpalli datën e zgjedhjeve parlamentare për 17 prill. Asnjëherë nuk kishte ndodhur që zgjedhjet të mbaheshin të mërkurën. Supozohet se qëllimi i mbajtjes së zgjedhjeve të mërkurën ishte kalkulimi se në një ditë pune nuk do të mund të vijnë për të votuar në Kroaci mijëra kroatë nga Bosnjë-Hercegovina. Shumica e tyre janë votues besnikë të HDZ-së, partisë konservatore, e cila në 33 vjetët e pavarësisë kroate, 26 vjet ka qenë në pushtet. Mund të merret me mend se çfarë akuza qarkullojnë kundër një partie që ka kontrolluar shtetin një çerekshekull.
Me shpalljen e zgjedhjeve Millanoviqi paralajmëroi se do të kandidonte për postin e kryeministrit në krye të listës opozitare të prirë nga socialdemokratët. Gjykata Kushtetuese reagoi menjëherë duke e paralajmëruar Millanoviqin se pa dhënë dorëheqje nga posti i presidentit, nuk mund të marrë pjesë në fushatën elektorale të një partie politike dhe madje të kandidojë për të. Millanoviq, një politikan impulsiv e popullist, i quajti anëtarët e Gjykatës Kushtetuese “prostituta”, “gangsterë”, “analfabetë” e kështu me radhë. Nga frika se Gjykata Kushtetuese mund të anulojë zgjedhjet, Millanoviq nuk kandidoi zyrtarisht, por jozyrtarisht ai ishte kandidati.
Zgjedhjet u mbajtën të mërkurën që shkoi, në ditën botërore të cirkut. Pas një fushate polarizuese, HDZ e kryeministrit Andrej Plenkoviq prapë doli partia e parë (ndonëse humbi disa mandate, prapë do të ketë 61 vende në Saborin kroat me 151 vende), ndërsa opozita rreth socialdemokratëve dhe e prirë faktikisht nga Millanoviqi ndonëse dyfishoi mandatet (në 42), prapë mbeti larg synimeve. Ky dështim ka të bëjë edhe me stilin politik të cilin e kultivon Zoran Millanoviqi. Afërsia e tij me autokratin hungarez Viktor Orban dhe me ultranacionalistin serb Millorad Dodik, kundërshtimi i ndihmave ushtarake perëndimore për Ukrainën, fjalori populist kundër “burokratëve të Brukseli”, deklaratat që mund të interpretohen si antiamerikane dhe filoruse, kanë bërë që Millanoviqi jo vetëm nga kritikët në Kroaci të quhet “Trumpi kroat”.
Për të qeverisur, konservatorëve të HDZ-së tani u duhet një partner pak më i madh. Si opsion përmendet “Domovinski pokret” (lëvizja atdhetare), një parti e ekstremit të djathtë, e cila nuk ngurron të përdorë parulla kundër pakicës serbe dhe të zhvillojë fushata kundër refugjatëve nga vendet aziatike apo afrikane. “Domovinski pokret” (DP) ka fituar 14 vende në parlament. Ka gjasa që HDZ dhe DP me ndihmën edhe të një deputeti nga pakicat të sigurojnë 76 nënshkrime në parlament dhe kësisoj të formojnë qeverinë. Por, ende nuk është asgjë definitive. Gati të gjitha partitë opozitare i bashkon urrejtja kundër HDZ-së për arsyet që u përmendën më lart. Në prag të zgjedhjeve HDZ u kujdes të prodhojë skandale të tjera: emëroi kryeprokuror një jurist që dyshohet për lidhje me krimin e organizuar dhe ashpërsoi një ligj me të cilin ngushtohet hapësira për gazetari të pavarur. HDZ ka arsye të frikësohet se një qeveri e krijuar nga shumica e partive opozitare (përkundër dallimeve të mëdha), mund të ketë pasoja për shumë politikanë të HDZ-së. Për të penguar një skenar të tillë, kësaj partie i doli në ndihmë Gjykata Kushtetuese, e cila pas zgjedhjeve njoftoi se Zoran Millanoviqi nuk ka të drejtë në asnjë variant të bëhet kryeministër, madje edhe nëse jep dorëheqje nga posti i presidentit. Nga juristë të njohur në Kroaci ky mendim i Gjykatës Kushtetuese konsiderohet si i padrejtë, absurd dhe i pabazuar. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kroacisë, Mirosllav Sheparoviq, ka qenë shef i Shërbimit Sekret në fund të viteve 1990, pra në fazën më jodemokratike të Kroacisë të drejtuar nga autokrati Franjo Tugjman. Sheparoviq akuzohet po ashtu për plagjiaturë.
Kroacia ka hyrë në NATO më 2009, në BE më 2013, pra para 11 vjetëve, nga viti i kaluar ky shtet është pjesë e eurozonës dhe Schengenit. Por qeverisja nuk është përmirësuar dukshëm. Që nga viti 2017 nga qeveria e kryeministrit Plenkoviq janë larguar mbi 30 ministra për shkak të skandaleve të ndryshme. Një ndër plagët më të mëdha të Kroacisë është largimi masiv i personave të kualifikuar nga vendi. Që nga viti 2013, Kroacinë e kanë braktisur gati gjysmë milioni banorë. Më 1991 Kroacia kishte gati 5 milionë banorë, tani ky numër ka rënë në 3,8 milionë. Në tregun e punës ndihet mungesë e madhe e punëtorëve. Pamja e qytetit të Zagrebit (dhe shumë qyteteve të tjera kroate) ka ndryshuar: kafenë e shërbejnë argatët nga Filipinet, në ndërtimtari punojnë muratorët nga Nepali, picat i sjellin me motoçikleta djemtë nga Filipinet. Për këtë vit pritet që Kroacia të lëshojë rreth 200 mijë leje të punës. Me problemin e largimit të qytetarëve do të ballafaqohet edhe qeveria e re - pa marrë parasysh kush e krijon atë. Një gjë është e sigurt: sharjet, polemikat dhe kërcënimet mes Zoran Millanoviqit dhe Andrej Plenkoviqit do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Ndonëse anëtare e BE-së, në Kroaci sa i përket politikës ende vlejnë “tabiatet” ballkanike.