Për 23 vjet rresht u ofruan modele të ndryshme, pos ajo e të qenit evropian
1.
Është banore e Mitrovicës së Veriut, është e nacionalitetit serb, ka lexuar dhe dëgjuar informata nga burimet e ndryshme gjatë tërë javës së kaluar dhe ditën e diele, e ka kaluar me sirena, që lajmërojnë sulmet ajrore.
Këto, pra sirenat kundërajrore, janë dëgjuar në viset e ish-Jugosllavisë, nëse nuk e kam gabim, çdo të mërkurë të parë të muajit, në një orë të caktuar, sa për ta treguar gatishmërinë e Mbrojtjes së përgjithshme popullore dhe vetëmbrojtjes shoqërore (MPP dhe VMSH) kundër armikut. Filluam t’i dëgjojmë me të shpeshtë në mars të vitit 1999, kur NATO i filloi bombardimet e ish-RFJ-së. Pastaj, sirenat u ndalën gjithandej, pos në pjesën veriore të Kosovës. Tash, qytetarët e Mitrovicës së Veriut (Zveçanit e pjesëve të tjera veriore) alarmohen herë pas here me sirenat e vetëmbrojtjes socialiste jugosllave për 23 vjet rresht.
Për banorin e Mitrovicës së Veriut sirenat e ditës së dielë, ditës së fundit të korrikut të vitit 2022, janë shenjë imediate për rrezikun, që i kanoset apo supozohet se i kanoset; ky rrezik nuk ka të marrë fund prej kohës së socializmit. Sirenat janë, mbi të gjithash, simbol i theksuar zanor i një lufte të papërfunduar.
2.
Për banorin e Mitrovicës së Veriut, sirena e dëgjuar në mars të vitit 1999, e që nuk dëgjohet më në jug të lumit Ibër, është shenjë e vazhdimësisë së luftës.
Nuk është me rëndësi se cila është arsyeja. Sirenat filluan të dëgjohen në lidhje me Marrëveshjen e Rambouillet-së (të panënshkruar nga Milosheviqi) e sot dëgjohen sepse nuk është arritur një marrëveshje për targat a një tjetër për letërnjoftimet. Arsyeja themelore për inicimin e sirenave është se nuk ekziston një marrëveshje, pra ekziston një gjendje e mosmarrëveshjes.
Në shumë vende të tjera, mosmarrëveshja është ftesë, që të punohet për marrëveshje. Për qytetarin serb të Mitrovicës së Veriut mosmarrëveshja apo mungesa e marrëveshjes është sinjal për sirenë kundërajrore, shenjë e besimit se të gjitha mosmarrëveshjet ndëshkohen nga qielli.
3.
Sikur banorja e Mitrovicës së Veriut të jetë e lindur më 1999, ajo do ta ketë kaluar një jetë të tërë të sajuar nga sirenat kundërajrore.
Çdo herë do të ketë dalë dikush, ta shpjegojë se përse rrezikohen ajo dhe kombi i të cilit i përkasin. Kësaj here, shpjegimi ka të bëjë me një marrëveshje të arritur më 2011, mes Kosovës dhe Serbisë, për qarkullim të lirë. Me të, rregullohet qarkullimi me letërnjoftime dhe targa të veturave. Ka 11 vjet që kjo marrëveshje nuk është marrëveshje. Duke mos qenë marrëveshje, është mosmarrëveshje. Dhe çdo mosmarrëveshje aktivizon sirenat kundërajrore.
Në momentin kur aktivizohen sirenat kundërajrore vihet në rrezik shëndeti i saj mendor. Për 23 vjet rresht, aktivizimi i sirenave të rrezikut ajror i ka aktivizuar shqisat e saj për t’u mbrojtur nga lufta. Ata që janë pjesë e mosmarrëveshjes, pala tjetër, shqiptarët, janë pala, e cila identifikohet me rrezikun ndaj saj.
Ajo mund të mos e dijë, por në momentin kur aktivizohen sirenat e rrezikut në një pjesë të territorit të Kosovës, janë aktivizuar në tërë territorin e Kosovës. Në momentin kur këto sirena i lajmërojnë banores së Mitrovicës së Veriut se lufta nuk ka përfunduar, lufta nuk do të ketë përfunduar për këdo në Kosovë. Luftërat përfundojnë me marrëveshje, jo me mosmarrëveshje.
Kur ajo banore e Mitrovicës së Veriut jeton me sirena rreziku kundërajror, të gjithë ne, qytetarët e tjerë të Kosovës, bëhemi banorë të Mitrovicës së Veriut.
4.
Banores së Mitrovicës së Veriut iu janë ofruar zgjidhje të ndërlikuara, në procese negociatore, që janë zhvilluar në Bruksel. Është investuar thellë në terminologji diplomatike, që do t’i krijonte shumë identitete të saj. Do të ishte mitrovicase, kosovare, serbe, pjesëtare apo jo e ndonjë autonomie të ardhshme, mbajtëse e kësaj apo asaj pasaporte, me veturë që do të kishin këtë apo atë identitet shtetëror. Do të shpiken forma të ndryshme për të mos e thënë saktësisht se çka është ajo; po të thuhej çka saktësisht ishte ajo do të thotë se është arritur marrëveshja. E, ne të gjithë e dimë se nuk është arritur marrëveshja, se jetojmë në mosmarrëveshje.
Kur edhe kjo nuk do të mjaftonte, do të angazhoheshin diplomatë e mendimtarë për të shpikur kompromise që duhej ta ndërtonin mbi kompromiset e ndërtuara deri atëherë. Nëse për 23 vjet nuk është gjetur zgjidhja, nuk do të ishin gjë 23 vite të ardhshme eksplorimi për formula të reja, që do ta përshkruanin banoren fatkeqe të Mitrovicës së Veriut, bashkëjetuese e sirenave të rrezikut kundërajror.
Në asnjë moment nuk i ofrohej të ishte qytetare evropiane. E atillë, që duke qenë qytetare e Mitrovicës së Veriut dhe si shtetase e Kosovës, një ditë jo të largët të mund të kandidohet për Këshillin Komunal të Pontevedras në Spanjë, të Villachut në Austri apo të Koshices në Çeki. Apo të mos lëvizë fare nga Mitrovica e Veriut dhe ta kalojë çdo ditë të ardhshme të jetës së saj, duke mos e dëgjuar as edhe një herë të vetme sirenën e rrezikut kundërajror. Dhe si e tillë, të qeshë me nonsensin e kësaj dite, që ende merret me targa automobilistike dhe të drejtën a jo të kalimit të kufijve me letërnjoftim.