Pavarësisht kësaj, ai si prokuror i Prokurorisë Speciale ligjërisht i mban të gjitha të drejtat që në mënyrë të pavarur të veprojë dhe të reagojë aty ku sheh se ka dyshime se është kryer ndonjë vepër penale. Janë provat ato që duhet të dëshmojnë nëse ka ose nuk ka krim aty. Gjyqësia, edhe me Kushtetutë, është njëra nga shtyllat themeltare të shtetit, dhe si e tillë është e pavarur. Dhe deklaratat politike të stilit të deputetëve dhe të vetë Kurtit në seancë, janë presion i hapur publik ndaj punës së Prokurorisë
Pas 13 vjet premtimesh të turlillojshme në secilin çerek të vitit se mu ai do të ishte viti i liberalizimit të vizave, të martën e shkuar Parlamenti Evropian më në fund e miratoi vendimin, pa asnjë kundërshtim, që shtetasit e Kosovës që kanë vetëm pasaportën e Kosovës të mund të udhëtojnë në Zonën Schengen pa viza.
Nuk pati hapje shampanjash, as nuk pati deklarata që u bënë objekt talljeje me vite të tëra. Vendimi kaloi pa ndonjë reagim të madh, sikur të ekzistonte frika se ky është vetëm edhe një blof të cilin do ta gëlltisim sikur plot herë më parë.
Por ja që vendimi do të hyjë në fuqi më 1 janar 2024 dhe tash secili kosovar që ka para për të udhëtuar, do ta ketë mundësinë të dalë nga getoja ku ka qëndruar e mbyllur që nga vitet e ‘90-a, me të krisur luftërat në ish-Jugosllavi.
Siç ndodh rëndom në këto raste, nisi gara për t’i marrë a përvetësuar meritat. Fakt është se vendimi për liberalizimin u mor gjatë qeverisjes së dytë të Kurtit, porse gjithashtu është fakt se qeveritë e tjera e kanë përmbushur pjesën më të madhe të kushteve para se të vinte kjo ditë.
Por, ashtu siç kemi pasur shumë arsye ta akuzonim Evropën për diskriminim, për faktin se krejt rajonit dhe më gjerë tashmë u ishin liberalizuar vizat e neve jo, ashtu kemi pasur arsye t’i kritikojmë të gjithë udhëheqësit tanë, fillimisht për përdorimin e tij në fushata zgjedhore, e më pas për futjen e kushteve kot (siç ka qenë demarkacioni me Malin e Zi) në listën e atyre që duheshin përmbushur.
E një që mbeste me vite i parealizuar kishte të bënte me luftimin e krimit e korrupsionit si dhe me vendosjen e sundimit të ligjit në Kosovë.
* * *
Pra, meqë liberalizimi është miratuar, kjo do të thotë se luftimi i krimit dhe i korrupsionit në Kosovë qenka një fakt i mirëqenë. E nëse është kështu, pse e gjithë rrëmuja e krijuar pas arrestimit të kryeshefit të KEK-ut?
Për shkak se Kosova është shteti i kundërthënieve. Sepse vetëm në Kosovë bën vaki që debati për punën e një prokurori me emër të përveçëm, të bëhet objekt sulmi nga pushteti e mbrojtjeje nga opozita në Kuvend.
Faktet janë se të mërkurën, njësia për hetime e Policisë ka bastisur zyrën e kryeshefit në KEK si dhe dy banesa të tij në lokacione të ndryshme. Burimet e KOHËS bënë të ditur se ai kishte refuzuar ta hapte banesën e vet dhe se Policia kishte vendosur që ajo të thyhej për t’u kryer bastisja. Arsyetimi i tij kishte qenë se “është i sëmurë”, ndërkohë që Policia kishte vendosur t’ia sillte edhe ndihmën e shpejtë mjekësore.
E kishin marrë në pyetje, dhe në mes të intervistimit ishte ankuar sërish se nuk ndihej mirë. E kishin dërguar në Klinikën e Emergjencës, por ky kishte refuzuar të kontrollohej – sepse kishte pasur shumë tollovi dhe kishte kërkuar të dërgohej në një klinikë private. Kërkesa ishte refuzuar.
U dërgua në paraburgim, nën dyshimin se ka lidhur kontratë të dëmshme për “Riparim kapital emergjent të kaldasë, blloku A5”, me procedurë të negociuar, me vlerë rreth 3.5 milionë dhe duke i ndryshuar kushtet e kontratës. Gjithashtu, dyshohet për keqpërdorimin e detyrës zyrtare duke lidhur një kontratë me një zyre avokatie për konsulencë ligjore në kundërshtim me rekomandimin e KRRP-së.
Në këto rrethana e para që do të duhej të reagonte do të ishte ministrja e Ekonomisë, Rizvanolli. Pa paragjykuar asnjë gjë, do të duhej të dilte e të deklaronte se arrestimi i kryeshefit nuk do ta çrregullonte asnjë gjë në KEK, se rrymë do të ketë dhe se duhej pritur fjalën e gjyqësisë për këtë çështje. Ajo nuk u deklarua. As atë ditë, e as të nesërmen në Kuvend.
Fjalën e morën burrat.
I pari, deputeti Artan Abrashi, me një status në FB: “A po hakmerret ai që s’po arrin të bëhet kryeprokuror?”.
Vazhdoi Arbër Rexhaj: “Kush është ky Blerim Isufaj që nuk e duan për kryeprokuror asnjëri nga tre krerët shtetërorë e megjithatë, do që me çdo kusht e për çfarëdo çmimi të bëhet kryeprokuror?! Ai ka siklet të madh diku e mbështetje jo të vogël prej ndokujt”.
Teorinë e konspiracionit e përforcoi deputeti i tretë i VV-së, Halil Thaçi: “Është lajm i mirë kur dëgjova për arrestimin e Drejtorit të KEK-ut, pasi gjithmonë jam frikësuar se do të dëgjoj lajmin mbi atentatin ndaj tij, duke e ditur se sa banditëve ua ka ndalë zhvatjen e KEK-ut. Policia duhet të jetë e vëmendshme për sigurinë e tij, mbase atentati ndaj tij mund të ndodhë edhe aty në mbajtje”.
Kurse kapakun ia vuri Adnan Rrustemi, i cili konfirmoi se emërimi i këtij kryeshefi paskësh qenë ekskluzivisht partiak: “Asnjë aktakuzë e arrestim për një muaj me 16 barrikada në veri, asnjë aktakuzë për qindra dosje të dorëzuara, e të mos flasim që deri para dy vjetëve ishin aty ku janë si prokurorë për të mbrojtur korrupsionin përmes aktakuzave qëllimisht të dobëta, por ju hodh sipër kryeshefit të KEK-ut nga LVV!”
* * *
Pyetja hipotetike është: a do të reagonin njësoj këta deputetë, e më pas edhe kryeministri, po qe se prokurori i rastit do të ishte tjetër? A do të dilnin të thoshin se duhet pritur se çfarë ka për të thënë drejtësia për këtë rast, apo mbase do ta quanin atë prokuror a prokurore “dorë e zgjatur e Isufajt”?
Prokuroria ka për detyrë t’i ndjekë kriminelët. Në kohën e Lekë Lumezit, për shtatë vjet, ajo më së paku është marrë me këtë punë.
Ka një vit që Kryeprokuroria udhëhiqet nga një ushtrues detyre, për shkak se Osmani refuzon ta dekretojë Isufajn, me arsyetimin se duhen të shteren krejt procedurat. Se a do të duhej të zgjidhej ose jo kryeprokuror dikush i cili ka qenë pjesë e dështimit të epokës Lumezi është dilemë e cila në një shtet normal do të duhej ta kishte përgjigjen negative. Por jo pa e analizuar punën profesionale, faktike, të kandidatit.
Pavarësisht kësaj, ai si prokuror i Prokurorisë Speciale ligjërisht i mban të gjitha të drejtat që në mënyrë të pavarur të veprojë dhe të reagojë aty ku sheh se ka dyshime se është kryer ndonjë vepër penale. Janë provat ato që duhet të dëshmojnë nëse ka ose nuk ka krim aty. Gjyqësia, edhe me Kushtetutë, është njëra nga shtyllat themeltare të shtetit, dhe si e tillë është e pavarur. Dhe deklaratat politike të stilit të deputetëve dhe të vetë Kurtit në seancë, janë presion i hapur publik ndaj punës së prokurorisë.
* * *
Natyrisht se nuk dihen të gjitha detajet, porse nëse njëmend nuk ka bazë për dyshime, pse atëherë Nagip Krasniqi nuk e ka hapur derën e banesës dhe pse ka refuzuar të kontrollohej në Emergjencë?
Nëse është kështu siç e thotë zyrtarja e VV-së, Dejona Mihali, “Vjet në këtë kohë bënë shumë përpjekje. Shumë hetime, shumë vepra të vjetra të aksioneve tona politike, çdo deklaratë të vitit 2020 për ministrat e kthyen në hetim” – e megjithatë askush nuk u akuzua, pos Liburn Aliut (akuzë që u hodh poshtë) e as nuk u dënua, atëherë po del se ose prokuroria është joefikase ose njëmend nuk ka bazë për ndjekje të krimit e korrupsionit.
Në rastin e kësaj të fundit, kjo është punë që dëshmohet në procedurë, pa pasur nevojë për fushatë trysnie hala pa nisur mirë.
Të nesërmen pas arrestimit, në vend se t’ia linte rendin ministres të fliste për punën e energjisë dhe implikimeve që mund t’i ketë arrestimi i kryeshefit të KEK-ut, Kurti mori fjalën.
Dhe sërish, në vend se të kufizohej e të thoshte se procedura ka nisur, dhe duhet lënë organeve kompetente të drejtësisë të vendosin për çështjen, Kurti u mor me figurën e Blerim Isufajt, për të cilin tha: “Njihet si kryeprokuror që asnjë rast nuk e ka të fituar në gjykata dhe pikërisht ky prokuror do të bëhet kryeprokuror, përkundër vullnetit të presidentes, kryeministrit dhe kryeparlamentarit. Është siklet i madh për tre krerët e shtetit kur drejtësia lëngon pikërisht për shkak se kemi një prokurori që nganjëherë nuk do e nganjëherë nuk din, e shpesh të dyja... Nuk është e rastësishme që prokurorët vrasjen ta bëjnë vetëvrasje dhe vetëvrasjen ta bëjnë vrasje. Duan të bëhen kryeprokurorë, por nuk do të munden. Jo pse jam unë, jo pse jeni ju, po pse në këtë shtet ka popull”.
* * *
Premtimet për ndryshimin që e sollën në pushtet bien në ujë që në çastin kur lajmërohet një rast sikur ky i kryeshefit të KEK-ut ku reagimi i VV-së i ngjason një orkestre të koordinuar kamertale. Fajtor ose jo Krasniqi – këtë punë duhet ta përcaktojë drejtësia. As statuset në FB, e as fjalimet në Kuvend.
E sa i përket popullit të shtetit, veç duhet rikujtuar se po i njëjti popull ka qenë edhe në kohën kur Aleksandër Lumezi u zgjodh kryeprokuror i shtetit. Pra, askush nuk e pyeti popullin për këtë punë. Ashtu siç nuk do ta pyesë as tash. Emërimi do të jetë politik, në fund.
Mu ashtu siç nuk bëhet ndryshimi.