OpEd

Ndryshimi i madh: Inteligjenca artificiale

Diskursi publik për inteligjencën artificiale në Kosovë dhe Shqipëri vazhdon të mbetet sipërfaqësor deri në ditët e sotshme. Te dyja vendet vazhdojnë të ecin ngadalë në ndryshimin e strukturës sociale përballë një ndryshimi të përmasave të Goliatit, që ngjason me revolucionin industrial. Vetëm se kësaj radhe ky ndryshim po vjen nga Amerika dhe nga Kina e jo siç erdhi rreth vitit 1760 nga Anglia. 
Amerika dhe Kina ka kohë që e ka nisur luftën ekonomike për primatin në zhvillimin e inteligjencës artificiale, megjithëse dallimi në kontekstin e politikave publike në mbështetjen e këtij zhvillimi evidentohet. Derisa në Amerikë përdorimi i fondeve publike për kompanitë që synojnë avancimin e kësaj teknologjie nuk gjen përkrahje të madhe, kompanitë që merren me inteligjencën artificiale në Kinë, në anën tjetër, mbështetën direkt nga fondet publike. 

Kjo mbështetje u ka mundësuar shumë kompanive në Kinë të zhvillohen pothuajse njëjtë sikurse kompanitë rivale amerikane. Madje, vetëm kapitali financiar i një kompanie në industrinë e inteligjencës artificiale tejkalon shumë herë mundësitë ekonomike modeste të Kosovës dhe Shqipërisë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për kapitalin financiar të kompanive në Amerikë - që megjithëse kontributi i tyre në këtë fushë është më i hershëm krahasuar me Kinën, fillimi modest i personave të caktuar në hapësirat e Silicon Valley aktualisht dominon hapësirën në fushën e inteligjencës artificiale.

Siç qëndron situata aktualisht, Kosova dhe Shqipëria e kanë të pamundur t’i bashkëngjiten kësaj gare ekonomike edhe sikur të gjitha burimet njerëzore e financiare të orientohen në këtë drejtim. Mirëpo mund të vendosin se si do t’i përgjigjen këtij ndryshimi në ardhje. Modestia ekonomike si argument nuk do të shpëtojë asnjërën nga këto dy vende nga tërmeti i inteligjencës artificiale, me shkallë të lartë richteri. 

Në qoftë se orientimi ekonomik mbetët bashkëpunimi me Evropën dhe shtetet që kanë mundësitë të mbështetën në inteligjencën artificiale për rritje të produktivitetit dhe pasurive vendore atëherë përqafimi i kësaj teknologjie është imperativ për ekonomitë modeste. Në anën tjetër, ndryshimi që po vjen nuk do t’i kursejë industritë e shërbimeve që janë konsideruar armë e fortë për ekonomitë në fjalë, tash e shumë kohë.

Disa nga profesionet në fushën e financave, shëndetësisë, bujqësisë dhe komunikimit edhe nëse nuk do të zhduken plotësisht në vitet e ardhshme, do t’i zëvendësojnë një numër të madh të punëtorëve në funksione të automatizuara. Pra, në punët siç është mbështjellja e produkteve të caktuara, mbushja e makinave me benzinë dhe naftë (lexoꓽ shumë makineri do të punojnë me bateri), shërbimi i vozitjes të taksive, transporti i mallrave, mënyra e blerjes dhe ofrimi i shërbimeve nëpër lokale deri tek diagnostikimi dhe përmirësimi i problemeve shëndetësore. 

Sa për ta ilustruar aktualitetin, kompania “Tesla” veçse ka prodhuar makinën e vet që si rezultat i llogaritjeve të algoritmeve (lexo: të përfshira në sistemin e brendshëm që mëson nga vetja, inteligjencës artificiale) mund ta ndalë makinën të përfshihet në ndonjë aksident eventual. Ndërsa, në këtë kontekst, kompania “Neuralink” në ditët e sotshme, në fushën e shëndetësisë, mbahet përgjegjëse që një personi kuadriplegjik ia ka dhënë mundësinë të komunikojë me kompjuterin përmes implantimit të teknologjisë në trupin e vet. Dhe, së fundmi, një restorant i KFC në Kinë duke e përdorë aplikacionin e zhvilluar nga kompania e Jack Ma i ofron klientit opsionin të paguajë përmes paraqitjes së fytyrës në telefon që pastaj e merr shumën financiare nga llogaria e regjistruar në aplikacion. 

Me fjalë tjera, revolucioni i inteligjencës artificiale ka prekur shumë njerëz pavarësisht pozicionit gjeografik, nivelit të zhvillimit ekonomik apo profesionit. Përderisa ky ndryshim për shumë njerëz ngjall shpresë, ka edhe të tillë që me dyshim e shohin këtë revolucion në distancë. Mbase në mungesë të informacioneve të duhura edhe mund të jenë të saktë, por nëse këto ekonomi modeste dëshirojnë të bëhen pjesë e ekonomive të zhvilluara nuk kanë opsione të shumta, sepse tërmeti i inteligjencës artificiale nuk është edhe aq larg për ta përdorur një diskurs publik sipërfaqësor.