OpEd

Ndoshta është mirë që BE-ja të mos e ketë dialogun Kosovë-Serbi si prioritet më

Nëse krahasojmë ambiciet që para pesë vjetësh i kishte shprehur përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell, për dialogun Kosovë Serbi, duke e cilësuar si ndër prioritetet kryesore, me rezultatet e arritura, ka dështuar. Ndoshta është mirë që pasardhësja e tij Kaja Kallas të mos e përmendë fare dhe të mos e ketë prioritet. Ndoshta shkon me moton “under promise-overdeliver”! (premtime të pakta e rezultate më të mëdha). Borrelli dhe Lajçaku mund ta kenë pasur prioritet dialogun, por ata thjesht dështuan. Konstatimi bëhet krahasuar me pritjet e tyre e jo në baza subjektive. Ky dështim mund ta ketë dekurajuar edhe Kaja Kallas, e cila nuk do të dijë se si të vazhdojë tash e tutje

Me apo pa të drejtë, opinioni në rajon dhe shumë njohës të politikës së BE-së në Ballkanin Perëndimor janë befasuar, madje edhe janë shqetësuar, me faktin se në seancën dëgjimore në Parlamentin Evropian, kandidatja për Përfaqësuese të Lartë të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë, Kaja Kallas, gjatë më shumë se tri orësh debati nuk përmendi Ballkanin Perëndimor si prioritet, e madje as dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, për të cilin pikërisht ajo në emër të BE-së do të jetë përgjegjëse si lehtësuese. Vetëm në pyetjen e fundit krejt në fund të seancës ajo përmendi dialogun, edhe pse pyetja ishte për Bosnjë-Hercegovinën. Ajo vetëm tha se dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës do të jetë një prej binarëve në të cilin do të punohet në rajon dhe se paraardhësit e saj “kanë investuar shumë kohë për stabilitet në rajon”.

Kjo mungesë e fokusit në rajon, jo vetëm nga ajo, por edhe nga deputetët të cilët nuk bënë pyetje, dëshmon dy gjëra. E para është se sa kanë ndryshuar gjërat në BE dhe jashtë saj, saqë interesi për Ballkan të bie në nivel shumë të ulët. Dhe fakti i dytë është se thjesht më as në BE nuk dinë as çfarë të thonë e as çfarë të bëjnë me dialogun. Sepse edhe në BE mund të jenë të frustruar me dështimet e tyre si lehtësues në dialog, por edhe të ngopur me sjelljen e palëve të cilat herë duan e herë nuk duan të takohen, herë duan e herë nuk duan të nënshkruajnë, herë duan e herë nuk duan të implementojnë.

Krejt ndryshe ishte dukur para pese vitesh kur deputetët e Parlamentit Evropian e kishin marrë në pyetje kandidatin e atëhershëm për shef të politikës së përbashkët të jashtme të BE-së Josep Borrell. Pyetje rreth dialogut ishin ndër pyetjet më të shpeshta. Deputetët nuk kishin nguruar që t’i bëjnë edhe pyetje personale rreth qëndrimeve të tij kundër pavarësisë së Kosovës që kishte pasur sa ishte ministër i jashtëm i Spanjës. Ai, me përvojën që kishte, me shkathtësi i bindi deputetët se do të angazhohet që BE “të flasë me një zë”, edhe pse ishte ndër fajtorët se pse në rastin e Kosovës BE nuk fliste me një zë, dhe nuk flet as sot pas pesë vitesh sa është në krye të Shërbimit diplomatik të BE-së. Ai dhe i dërguari i posaçëm, Miroslav Lajçak, po ashtu bashkëmendimtar i Borrellit sa i përket refuzimit të pavarësisë së Kosovës, siguruan që njohja e ndërsjellë të mos jetë pjesë e dialogut gjatë pesë vitesh sa ata e kishin dialogun në dorë. Por së paku Borrell e kishte prioritet të lartë dialogun. 

Borrelli kur ishte pyetur për Kosovën edhe Ballkanin, pati thënë se ky rajon do të jetë prioritet në punën e tij. Kishte thënë se arritja e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë do të jetë prioritet në punën e tij në mandatin e ardhshëm pesëvjeçar dhe kishte paralajmëruar se Prishtina do të jetë destinacioni i tij i parë të cilin do ta vizitojë kur ta nisë mandatin. Kallas tha se do ta vizitojë rajonin “në pjesën e  parë të mandatit të saj”, por kjo mund t’i bjerë deri në verën e vitit 2027, kur nis pjesa e dytë e mandatit të saj!

Josep Borrell ishte shprehur se, sipas tij, “dialogu ka zgjatur tepër gjatë” dhe se pret nga palët që në dialog të shfaqin më shumë përkushtim.

Borrell ishte pyetur në mënyrë direkte se sa i besueshëm do të jetë roli i tij në dialog pasi vjen nga shteti i cili nuk e ka njohur Kosovën. Në këtë pyetje ishte përgjigjur, duke thënë se njohja e një shteti është kompetencë e shteteve anëtare dhe në këtë drejtim Spanja nuk është problem. Por pati thënë se Kosova “përderisa të mos njihet nga Rusia dhe Kina, nuk mund të jetë shtet”. Kishte premtuar se pa marrë parasysh këtë, do të angazhohet në rajon, sepse “ka dallim mes njohjes dhe angazhimit të përbashkët”.    

“Jam i bindur se nëse nuk do të jemi në gjendje të veprojmë së bashku, BE-ja do të bëhet irelevante”, pati thënë Borrell. Ai pati thënë se “nëse nuk jemi në gjendje të zgjidhim problemet në shtëpinë tonë nuk mund të jemi aktorë globalë” duke menduar angazhimin në Ballkanin Perëndimor.

Ja çka mund të konstatojmë pesë vjet më vonë. Fjalisë së Borrellit nga viti 2019 se “dialogu ka zgjatur tepër gjatë” i janë shtuar edhe 5 vjet! Fjalia e tij se BE do të bëhet “irrelevante” nëse nuk i zgjidh problemet në shtëpinë e vet, u dëshmua të jetë e saktë. Sot BE-ja është vërtetë irrelevante në pjesë të shumta të botës e, siç duket, po bëhet edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Këtë herë nuk po merrem me Miroslav Lajçakun dhe pritjet e tij që “brenda disa muajsh e jo vitesh do të arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse”, por vetëm me Borrellin dhe pasardhësen e tij potenciale. E ajo pastaj duhet të vendosë nëse ia vlen, edhe nga aspekti i shpenzimeve të mëdha financiare, por edhe nga efikasiteti, të ketë fare pasardhës të Lajçakut.

Nëse krahasojmë ambiciet që para pesë vjetësh i kishte shprehur përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell për dialogun Kosovë-Serbi, duke e cilësuar si ndër prioritetet kryesore, me rezultatet e arritura, atëherë ka dështuar. Ndoshta është mirë që pasardhësja e tij Kaja Kallas të mos e përmendë fare dhe të mos e ketë prioritet. Ndoshta shkon me moton “under promise-overdeliver”! (premtime të pakta e rezultate më të mëdha). Borrell dhe Lajçak mund ta kenë pasur prioritet dialogun, por ata thjesht dështuan. Konstatimi bëhet krahasuar me pritjet e tyre e jo në baza subjektive. Ky dështim mund ta ketë dekurajuar edhe Kaja Kallas e cila nuk do të dijë se si të vazhdojë tash e tutje.

Do të ishte mirë sikur rajoni i Ballkanit Perëndimor, sidomos raportet mes Kosovës dhe Serbisë, të mos jenë fare në rend dite të BE-së, por që kjo të ishte rezultat i situatës stabile, i paqes dhe stabilitetit, raporteve të mira fqinjësore dhe avancimit drejt BE-së. Pra që të mos ketë nevojë të jetë temë në BE. Sepse nuk është mirë të jesh temë. Por për fat të keq nuk është ashtu. Rajoni, siç shprehet tash e disa vjet NATO-ja, është “stabil, por fragjil” dhe potenciali për tensione është gjithmonë prezent. Edhe pse nuk mund të bëjë shumë në pjesë të tjera, sikur të jetë më e vendosur dhe më e bashkuar, në rajonin e Ballkanit Perëndimor, BE-ja do të mund të mbetej faktor relevant. Por siç na mëson e kaluara, roli i përfaqësuesit të Lartë nuk është edhe vendimtar, pasi varet nga konsensusi i vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Me apo pa prioritet, Kallas do të duhet të merret me dialogun, e çfarë do të bëjë me të nuk dihet. Ndoshta do të na befasojë dhe për dallim nga paraardhësit e saj, të ketë rezultate më të dukshme. Së paku nuk do të mund t’i thuhet se ka krijuar pritje të cilat nuk janë realizuar.