OpEd

Ndërtimi i aleancës euro-japoneze të shpresës

Kam argumentuar prej kohësh se Japonia është një partner vendimtar në luftën globale për liri dhe demokraci. Si sekretar i përgjithshëm i NATO-s, isha krenar që po e nënshkruaja marrëveshjen e partneritetit me Aben. Për mua, kjo ishte diçka më shumë sesa thjesht një marrëveshje: ishte një tregues se demokracitë duhet të bashkohen në luftën kundër autokracisë. Sot BE-ja dhe Japonia duhet të sigurojnë që kjo gjë të qëndrojë. Thellimi i miqësisë sonë të dyanshme përbën shansin më të mirë për botën demokratike.

Lënë anash gjeografinë, Japonia dhe Bashkimi Evropian kurrë nuk kanë qenë më afër. Teksa lidhjet e kahershme transatlantike të Evropës janë në tensionim, ndërsa Kina përbën sa sfidë po aq edhe një mundësi, BE-ja ka kërkuar aleatë të të njëjtit mendim në Paqësor. Dhe nuk e ka asnjë më të përshtatshëm se Japoninë.

Lidhja BE-Japoni tejkalon interesat e thjeshta: është një marrëdhënie e bazuar në vlerat e përbashkëta për liri, demokraci dhe treg të hapur. Sot këto krejt këto vlera janë duke u kërcënuar.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur që të bashkëveprojnë me botën në vend se ta prijnë atë, derisa Kina po e sfidon demokracinë në fqinjësi të saj dhe po i rishkruan rregullat ndërkombëtare që synojnë ruajtjen e paqes dhe stabilitetit global.

E ballafaquar me revizionizmin kinez dhe sprapsjen globale të SHBA-së, Evropës i mungojnë fuqia gjeopolitike dhe uniteti për ta marrë mantelin e Amerikës në rolin e mbrojtëses së rendit multilateral, të bazuar në rregulla.

Evropës kësisoj i duhen miq si Japonia dhe tani, për më tepër, ka ardhur koha që t’i marrë në duart e saja marrëdhëniet bilaterale.

Fatmirësisht, BE-ja dhe Japonia tanimë i kanë shtruar themelet e rëndësishme. Ujdia e tyre e paradokohshme për tregti të lirë, bashkë me partneritetin strategjik në thellim, u dërgon sinjal të qartë izolacionistëve kudo në botë.

Rreth 74 mijë kompani të BE-së – 78 për qind e të cilave firma më të vogla – aktualisht eksportojnë në Japoni, ndërsa 550 mijë persona nga vendet e bllokut bashkëpunojnë me firmat japoneze. Marrëveshja tregtare midis dy prej katër tregjeve më të mëdha të botës kështu do ta fuqizojnë relacionin e përfitimeve reciproke.

Evropa dhe Japonia tani duhet ta fuqizojnë gjithë këtë përmes iniciativave të përbashkëta në rrafshet e interesave të dyanshme. Në këtë mes veçohen sidomos katër sfera: tregtia globale, normat digjitale dhe të të dhënave, investimet në Afrikë dhe lidhja në Azi.

E para prej këtyre shqetësimeve është Organizata Botërore e Tregtisë, e cila ka nevojë serioze për reforma. Ç’është e vërteta, parimet bazike të OBT-së mbesin të shëndosha, përkundër asaj çfarë thonë disa liderë botërorë. Ama makineria e organizatës ka nevojë për rifreskim kundruall përpjekjeve të Kinës për t’i rishkruar rregullat globale në mënyrë që monolitët e saj të mbështetur prej shtetit të mund t’i dominojnë sektorët industrialë përgjatë Azisë, Afrikës dhe Evropës. Amerika, në anën tjetër, është kundërpërgjigjur duke nxitur luftëra tregtare që vetëm sa prodhojnë humbës ekonomikë. Marrëveshja tregtare BE-Japoni, nga ana tjetër, demonstron se ekziston një mënyrë më pozitive, më e dobishme për rritjen e ecjes përpara.

Në fakt, reciprocitetit duhet t’i fuqizojë të gjitha relacionet tregtare dhe investimet e Evropës. Ne duam të bëjmë tregti me Kinën, ama nën kushte fer dhe të barabarta, dhe pa u treguar naivë karshi mënyrës se si Kina i blen asetet strategjike dhe pajisjet teknologjike për të ndërtuar ndikim në disa vende anëtare të BE-së. Në Evropë, ne vetëm sapo kemi nisur që të zgjohemi karshi këtij rreziku.

Për sa u përket rregullave digjitale, BE-ja dhe Japonia kanë dyzuar standardet për rrjedhjen e të dhënave. Kjo gjë ka rezultuar me një “vendim të përshtatshmërisë” që e lejon rrjedhjen e lirë të të dhënave, teksa qytetarëve ua jep të drejtën e kontrollit mbi të dhënat e tyre personale.

Gjatë disa dekadave të ardhshme, përhapja e mëtutjeshme e inteligjencës artificiale, teknologjisë së identifikimit facial dhe rrjeteve mobile G5 do t’i bëjë këto sfida ekzistenciale.

Gjatë shekullit nëntëmbëdhjetë, kushdo që i kontrollonte detet e kontrollonte botën. Në shekullin aktual bota do të sundohet prej kujtdo që vendos norma globale digjitale – dhe duhet të jenë demokracitë ato që do ta bëjnë këtë. Edhe në këtë aspekt BE-ja dhe Japonia janë sërish mu aty ku duhet të jenë: në ballë të vendosjes së standardeve të dobishme globale.

BE-ja andaj duhet ta përqafojë propozimin e kryeministrit japonez, Shinzo Abe, për ta shfrytëzuar marrëveshjen BE-Japoni për rrjedhjen e të dhënave si standard të artë, mbi të cilin mund të ndërtohet një marrëveshje globale. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar është duke punuar po ashtu drejt një opsioni të këtillë për ujditë e saja të pas Brexitit, duke e ofruar një masë kritike me të cilën do ta përfshinte SHBA-në në bord. Ky “grupim digjital demokratik” në ngritje duhet të punojë për ta parandaluar Kinën që ta rikodojë internetin për ta përshtatur me mënyrat e saja autoritare.

Në Afrikë, Kina sjell kontrolle teksa Evropa sjell rregullime. Ndërsa BE-ja dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar zbatojnë kushte strikte për investimet e tyre, kërkesat e Kinës janë larg më pak transparente. Si rezultat, Kina është kthyer në huadhënësin e opsionit të parë në shumë vende të Afrikës, duke krijuar në gjithë këtë proces shtete klientë.

Shumë vende anëtare të BE-së kanë lidhje historike dhe obligime ndaj Afrikës, por është edhe në interesin e Japonisë që të investojë në zhvillimin e kontinentit. Dëshirë e përbashkët e BE-së dhe Japonisë është që Afrika të zhvillohet në ekonomi të hapura të qeverisura nga sundimi i ligjit.

Duhet të gjejmë mënyra të reja për të bashkëpunuar në këtë fushë.

Njashtu, Evropa duhet t’i mbështesë përpjekjet për përmirësimin e lidhjeve midis aleatëve demokratikë në rajonin Indo-Paqësor. Në veçanti, në këtë mes është projekti i rëndësishëm i Korridorit Ekonomik Indo-Paqësor që synon mbështetjen e demokracive të mëdha të Azisë me anë të fuqizimit të infrastrukturës tregtare dhe këmbimeve. Ky, për më tepër, është në shpërputhje të plotë me iniciativën e Kinës “Rrip dhe rrugë”, e cila nxitet ekskluzivisht prej interesave vetjake. Mu ashtu siç investimi në Afrikë është në interesin e Japonisë, edhe investimi në lidhjen Indo-Paqësore është në interesin evropian.

BE-ja po mundohet të bëhet më sovrane në një botë ku ndihet e ndrydhur midis dy fuqive të mëdha me modele konkurruese. Duke i pasur parasysh erërat e forta gjeopolitike që aktualisht po fryjnë, po bëhen përherë më të zëshme thirrjet për një “Kala evropiane” bazuar në proteksionizëm dhe prapambetje strategjike. Por e kundërta duhet të ndodhë: Evropa nuk mund të jetë sovrane pa i prirë bashkimit të aleancave të njëmendësisë për t’i mbrojtur interesat tona të përbashkëta.

Kam argumentuar prej kohësh se Japonia është një partner vendimtar në luftën globale për liri dhe demokraci.

Si sekretar i përgjithshëm i NATO-s, isha krenar që po e nënshkruaja marrëveshjen e partneritetit me Aben. Për mua, kjo ishte diçka më shumë sesa thjesht një marrëveshje: ishte një tregues se demokracitë duhet të bashkohen në luftën kundër autokracisë.

Sot, BE-ja dhe Japonia duhet të sigurojnë që kjo gjë të qëndrojë. Thellimi i miqësisë sonë të dyanshme përbën shansin më të mirë për botën demokratike.

(Anders Fogh Rasmussen, ish-sekretar i përgjithshëm i NATO-s dhe dikur kryeministër i Danimarkës, është kryesues i firmës së konsulencës politike “Rasmussen Global”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë ndërkombëtare “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)