OpEd

Mutacioni

Shumë shanse të mira i kemi humbur si shoqëri për të avancuar dhe kemi miratuar në heshtje degradimin e secilës pore të kësaj shoqërie. Aq, sa në shumë sektorë vetëm një fshirje (delete) dhe kthim në zero (reset) do të mund të na mundësonte të dilnim nga humnera në të cilën jemi fundosur

Lajmi më i keq i javës qe vërtetimi që erdhi nga një laborator gjerman, se tre nga të infektuarit me COVID e kishin në organizëm virusin britanik që ka pësuar mutacion. Ky shpërndahet shumë më shpejt, pra edhe ka gjasa të infektojë shumë më shumë njerëz në kohë më të shkurtër.

Dy janë lajmet e tjera që e përcjellin këtë të parin: një, që ne nuk kemi kapacitete për ta zbuluar këtë virus me mutacion (për të cilin nuk është shumë e qartë po qe se mund të trajtohet si ai i pari "origjinal" kinez), dhe dy, se kjo po na ndodh në kohën e parafushatës masive në të cilën janë përfshirë të gjitha partitë politike, me dhe pa obligime të tjera shtetërore.

Për më keq, këtë janë duke e bërë, duke i shkelur krejt rregullat anti-Covid, në salla të stërmbushura me njerëz, nëpër oda ku kërcasin alltitë dhe nëpër sallone dasmash ku askujt nuk ia vret veshin fakti se askush nuk bart maskë.

Lirimi i masave nga Qeveria, posa u kuptua për zgjedhjet e reja, ishte shërbimi më i keq që ka mundur t'ia bënte Kosovës. Autolëvdatat për menaxhimin më të mirë të pandemisë, kur numri i të infektuarve për çdo ditë nuk bie nga 300-shi, përderisa vdekjet zyrtare nga Covidi vazhdojnë të evidentohen me dhjetëra, dhe kur as nuk e kemi idenë minimale se kur do të arrijnë vaksinat dhe cilat, bën të pyetemi për të njëmiliontën herë: kush na ka nëmur kështu?

* * *

Pra virusi që po na ndjek thuajse qe një vit ka pësuar mutacion, ashtu siç e ka pësuar edhe Kushtetuta e Kosovës me rishkrimet e këqija që ia ka bërë Kushtetuesja tekstit bazë të miratuar më 2008. Për më pak se 13 vjet, Kushtetuta na është interpretuar në format më të çuditshme të mundshme sa herë është dashur të akomodohej një kërkesë politike e Hashim Thaçit.

Më 2014-n ndodhi mutacioni i parë që na tregoi se te ne nuk bën të zgjidhen qeveritë ashtu siç zgjidhen në shtetet e tjera normale. Na tregoi se vetëm partia e Hashim Thaçit mund të na e jepte mandatarin për Qeveri, sa herë që ky kishte nevojë për ta shtyrë para.

Më 2020 dhe në mes të pandemisë pasoi mutacioni i radhës, sepse tash nuk bënte që mandatari të rridhte nga e njëjta parti, e as t'i lihej përgjigjja në heshtje, që normalisht do të duhej të çonte në zgjedhje të reja. U kumtua se bën edhe ndryshe, dhe Hoti erdhi në pushtet.

Po ja që me 2020-n ndodhi një gafë juridike, dhe dikush kishte harruar të tregonte se një deputet kishte pasur aktgjykim të formës së prerë kur e kishte votuar Hotin kryeministër dhe u desh të merreshin masa. Dhe ndodhi mutacioni i tretë: u tha se kushdo që kishte dënim të plotfuqishëm në tre vjetët e shkuar nuk mund të kandidonte as për deputet e as për ndonjë post që zgjidhet nga Kuvendi. U harrua të përmendej vetëm edhe një detaj i vogël: të shtohej që verifikimi për dënimet e këtilla duhej bërë në regjistrin e dënimeve. Aty nuk do të figuronin dënimet që nuk shkaktojnë efekte juridike.

* * *

VV-ja prej fillimit e jepte interpretimin e vet, sipas të cilit Kurti, Haxhiu dhe Aliu nuk prekeshin me këtë vendim dhe se nuk kishte nevojë që të zëvendësoheshin në listat zgjedhore. Kështu vepruan pas vendimit të KQZ-së. Shkuan në PZAP, që nuk i certifikoi, por edhe ua mohoi mundësinë për t'u zëvendësuar. Supremja e vërtetoi vendimin e dy të parave pjesërisht, por jo pa e përmendur diku rrugës absurditetin e një vendimi të Kushtetueses.

Ka shumë zëra që thonë se vendimi i Kushtetueses ka qenë i qëllimshëm dhe se për synim ka pasur eliminimin e Kurtit nga gara për deputet, e besa edhe për kryeministër, por jo më gjatë se deri në shtator të sivjetmë. Duke parë se çfarë vendimesh ka marrë kjo Gjykatë, mbase edhe do të isha e prirë të besoja se një aktgjykim i tillë ka qenë i qëllimshëm, dhe kjo më tepër me idenë e shkaktimit edhe të një krize politike, që do të çonte në zgjedhje të reja, sesa me faktin se do t'ia shtynin Kurtit emërimin për disa muaj.

Ankesa eventuale që do ta parashtrojë Kurti para Kushtetueses nuk e besoj se do të ndërrojë shumë gjëra, pos eventualisht t'ia shkurtojë kohën e pritjes për emërim në krye të Qeverisë. Sepse, sipas disponimit të opinionit disa herë të shprehur nëpërmjet sondazheve edhe jokredibile madje, del se partia fituese e këtyre zgjedhjeve do të jetë Vetëvendosja së bashku me listën e Osmanit.

Shumë problematike do të ishte po qe se Supremja do t'ia miratonte ankesën e ky do të garonte, që më pas të ballafaqohej me ankesën që do ta parashtronte ndonjëra nga partitë humbëse në Kushtetuese. Gjasat janë që do të ndodhte mutacioni i katërt i Kushtetueses, ndonjë vendim edhe më përçudnues, që do t'ia zgjaste jetën Qeverisë Hoti edhe minimum dy a tre muaj të tjerë, deri në zgjedhjet e reja.

Edhe ashtu po mbajmë zgjedhje, të cilat kemi mundur t'i mbanim në qershor, kur ka pasur shumë më pak raste me Covid dhe kur situata ekonomike nuk ka qenë kaq katastrofale sa është tash. Paratë që do të shpenzohen për fushatën kanë mundur të shërbenin për blerjen e pajisjeve laboratorike, për identifikimin e viruseve që pësojnë mutacione. Por jo, mutacion po pësojmë vetë ne - nga njerëz me pak mend, jemi shndërruar në makina votuese me sfungjer në vend të trurit - sepse çfarë nuk është në gjendje të absorbojë ai.

* * *

Fushata zyrtarisht do të nisë të mërkurën e ardhshme - dhe dyshoj shumë se dikush do të dalë të na shpjegojë se çfarë parasheh programi i tyre qeverisës. Gjërat që jemi duke i dëgjuar këto ditë nëpër konferenca shtypi e nga deklaratat e ndryshme po tregojnë se partitë tona politike nuk kanë avancuar shumë në këta 20 vjet - mbase edhe ato kanë pësuar mutacione.

Për shembull, Hoti doli para disa ditësh për të na thënë se qeverisja e tij i kishte hequr krimin dhe korrupsionin nga diskursi i përditshëm. Mbase qeveria e tij e ka hequr nga përdorimi gjuhësor në komunikim, porse raporti i fundit i perceptimit të korrupsionit i Transparency International tregon se Kosova ka ende rënie në ranglistë dhe vazhdon të jetë njëri nga shtetet më të korruptuara në botë, se jo në Evropë.

Pas disa ditësh doli përfaqësuesi i AAK-së për të na treguar se Kosova së shpejti do të bëhet me vaksina, sepse Ramush Haradinaj do të zgjidhet kryetar i shtetit, dhe me "njoftësitë" që i ka ai me politikanët e huaj, do t'i sigurojë vaksinat sa çel e mëshel sytë.

PDK-ja tashmë ka premtuar se do ta rrisë pagën minimale, kurse prej Vetëvendosjes krejt çfarë kemi dëgjuar deri tash është se Albin Kurti do të zgjidhet kryeministër. I lënë totalisht në harresë, lajmërohet Fatmir Limaj i hidhëruar, i cili për slogan fushate e zgjedh "me çlirimtarët". Shumë "origjinale" për dikë që ka qenë pjesë aktive dhe shumëvjeçare e zaptimit të gjithçkaje në Kosovën e pasluftës. Mbase edhe për shkak se është i vetëdijshëm se kësaj radhe vështirë se e kalon pragun - sepse nuk do t'i ketë të tjerët, si herën e kaluar, kur me zor ia kaluan pragun. Për ta krijuar më pas qeverinë e dytë në qershor.

* * *

Edhe Kosova e 20-vjetëve të pasluftës ka pësuar mutacion. Nënkuptohet, jo për të mirë.

Shumë shanse të mira i kemi humbur si shoqëri për të avancuar dhe kemi miratuar në heshtje degradimin e secilës pore të kësaj shoqërie. Aq, sa në shumë sektorë vetëm një fshirje (delete) dhe kthim në zero (reset) do të mund të na mundësonte të dilnim nga humnera në të cilën jemi fundosur.

Me vite jemi lavdëruar se kemi popullsi të re, plot elan e plot kapacitet për të prosperuar. Të vetmit që kanë prosperuar, për fat të keq, janë ata që janë larguar prej këtu. Këtu kemi mbetur me qindra e mijëra dembelë, parazitë, që ëndrrën e vetme e kanë të bëhen analistë e prej aty deputetë, të dërrmuarish e të vjedhurish, sepse siç do ta shpjegonte miku im Agron D., ne jemi Kosova ku 18% e popullsisë jeton në varfëri, e së cilës popullsi do t'i mjaftonin 236.5 milionë euro në vit për të dalë nga varfëria, porse ku 490 milionë euro shpenzohen për skemat sociale, ku shumica e parave shkon tek ata që nuk janë të varfër.

Nuk jemi të varfër, jemi të vjedhur.

Kemi pësuar mutacion.

[email protected]