OpEd

Murit me kokë

Nuk e di se përse Rama refuzon ta kuptojë se Kosova është shtet edhe pa Hashim Thaçin, vëllain e tij, në pushtet. Pse refuzon të pranojë se si shtet që është, e ka të drejtën të vendosë për vete ashtu siç e vlerëson më së miri. Edhe atëherë kur duhet refuzuar idenë e çmendur të “Ballkanit të hapur”. Nuk e di se përse nuk e kupton se Kosova nuk është kryeministri i Kosovës, me të cilin ka probleme serioze personale, të cilat i shndërron në ndërshtetërore. Nëse mendon se duke ia kushtuar Kosovës 90 minuta kritika e qortime bën mirë, gabim e ka. Vetëm çon ujë në mullirin e Serbisë

Nëse për një kohë të shkurtër patëm vëmendjen ndërkombëtare për shkak të sulmit terrorist në Banjskë, Kosova doli nga skena e madhe politike në çastin kur ndodhi një sulm tjetër terrorist, i përmasave të mëdha në Izrael.

Grupi ekstremist Hamas sulmoi Izraelin me gjithë arsenalin që kishte grumbulluar, me gjasë me vite. Me raketa, me të shtëna, me marrje pengjesh e vrasje e ekzekutime, sulmi nisi ditën e pushimit të hebrenjve, të shtunën. Tashmë ka kaluar një javë dhe luftimet në Lindjen e Mesme kanë përshkallëzuar aq sa ka filluar të humbë evidenca e të vrarëve dhe shkatërrimeve në masë që po ndodhin kryesisht në Gazë. Dhe përderisa Izraeli, në këtë rast, kishte të drejtë të reagonte e ta luftonte Hamasin, kjo megjithatë nuk i arsyeton sulmet ndaj popullatës civile – asaj që përherë është viktima më e madhe e të gjitha luftërave.

Kërkesa për zhvendosjen e një milion banorëve prej veriut në jug të Gazës është përpjekje klasike e spastrimit etnik. Sepse nëse qëllimi është lufta kundër Hamasit, pjesëtarët e saj nuk do të ndahen nga popullata civile, që në këtë rast po u shërben si mburojë. Në fund do të okupohet edhe kjo trevë dhe hapësira e palestinezëve do të kufizohet edhe më shumë.

Se si do të përfundojë e gjithë kjo dhe sa do të zgjasë - nuk e besoj se e di kush. Por, përkeqësimi i situatës në Lindje të Mesme, krahas luftës në Ukrainë, plus interesat e fuqive të mëdha, e lënë Kosovën në skajin e skajeve të interesimit të bashkësisë ndërkombëtare për t’i gjetur zgjidhje.

Ajo që përfundimisht shkaktoi më së shumti përshtypje te rasti i Izraelit qe se menjëherë pas sulmit u shpall gjendja e gatishmërisë, pra gjendja e luftës, u kërkua formimi i një qeverie të unitetit kombëtar dhe të gjitha forcat politike u bënë bashkë me moton “Izraeli para së gjithash”.

Një diçka që nuk e bëmë ne.

* * *

Pas sulmit në Banjskë, të gjitha partitë politike shqiptare e dënuan aktin dhe e përkrahën aksionin e policisë speciale. Mirë deri në këtë pikë. Por, në çastin kur do të duhej të ishte i domosdoshëm bashkimi i forcave politike për veprim diplomatik kundër Serbisë nisën të shpërthenin, më shumë se kurrë, interesat e ngushta partiake duke u marrë me tema megjithatë periferike, sado që mund të jenë të rëndësishme, sikurse janë shtesat për policët.

Qe dy javë po bëhen gara në Kuvend se kush më shumë po i bojkoton punimet e këtij apo atij sesioni a komisioni. Është e tmerrshme që ende nuk jemi në gjendje të pajtohemi se marrëveshjet ndërkombëtare duhen votuar, për shkak se ato janë në interes të Kosovës. Ende nuk jemi në gjendje të shohim që Vjosa Osmani të mund t’i mbledhë të gjithë përfaqësuesit e partive politike kryesore në një takim të përbashkët e jo në takime të ndara, për t’u ulur e diskutuar se si duhet qasur tash e mbas çështjes së negociatave me Serbinë.

Ende, pas momentit të krijuar dy javë më parë, secili i bie sahanit të vet: dikush thotë “Zajednica” vdiq; dikush thotë se duhet hartuar statutin e asociacionit vetëm në bashkëpunim me amerikanët; dikush i mban ders bashkësisë ndërkombëtare dhe i tregon se si duhet vepruar; dikush kërkon zgjedhje; dikush kërkon që situata të mos ndryshojë fare...

* * *

E sikur të mos e kishim boll vetveten, barrën na e rëndon kryeministri fqinj, Edi Rama. Duke e marrë rolin e të gjithëdijshmit, e ka marrë edhe rolin e babait patriarkal që flet, qorton, kritikon, injoron e udhëzon – pa u pyetur fare nëse është në terezi dhe nëse veprimet dhe fjalët e tij mund të shkaktojnë pasoja negative për Kosovën.

Nuk e di se përse refuzon ta kuptojë se Kosova është shtet edhe pa Hashim Thaçin, vëllain e tij, në pushtet. Pse refuzon të pranojë se si shtet që është e ka të drejtën të vendosë për vete ashtu siç e vlerëson më së miri. Edhe atëherë kur duhet refuzuar idenë e çmendur të “Ballkanit të hapur”. Nuk e di se përse nuk e kupton se Kosova nuk është kryeministri i Kosovës, me të cilin ka probleme serioze personale të cilat i shndërron në ndërshtetërore. Nëse mendon se duke ia kushtuar Kosovës 90 minuta kritika e qortime bën mirë, gabim e ka. Vetëm çon ujë në mullirin e Serbisë.

E nëse me këso veprime mendon se është duke i bërë favor mikut, atëherë çfarë tjetër të thuhet se me kësi miku çfarë të duhet armiku.

Uroj që të hënën, kur të mbahet Samiti i Liderëve të Procesit të Berlinit në Tiranë, dikush të dalë e t’ia bëjë me dije se gjithë qasjen diplomatike karshi Kosovës e ka absolutisht jodiplomatike dhe shumë të dëmshme. Kosova ka nevojë për mbështetje nga të gjitha shtetet mike, e posaçërisht nga shteti me të cilin ndajmë gjuhën amtare. Pra, ndihmë e jo luftë sedrash e garë liderizmi e paternalizmi. Komplekset nuk bën t’i shfryjë te populli i Kosovës. Boll e kemi me shfryrjen e fashizmit të Vuçiqit qe sa dekada.

* * *

Tirada e Ramës vjen pak ditë pas deklaratës me përmbajtje skandaloze e Peter Stanos, i cili e arsyetonte mosveprimin e BE-së për t’ia hequr sanksionet ndaj Kosovës kështu: “Masat e prezantuara për Kosovën ishin reagim direkt ndaj eskalimit që pati apo mungesës së deeskalimit që kemi parë më herët, nuk po flas për 24 shtatorin, po flas për periudhën para kësaj. Shtetet anëtare ende nuk kanë parë hapa të mjaftueshëm nga Kosova për deeskalim kuptimplotë, për këtë arsye masat janë ende në fuqi. Sa i përket dialogut, nuk ka asnjë rrugë tjetër, pos kthimit në dialog. Rruga drejt BE-së për Kosovën e Serbinë shkon pashmangshëm nëpërmjet dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, s’ka rrugë tjetër”.

Pra, për Stanon dhe shefat e tij, 24 shtatori është episod që duhet kapërcyer, thuajse po shikon serial në Netflix – “nuk po më pëlqen titulli, nuk po e shikoj”. Kur e gjithë esenca e mostërheqjes së menjëhershme të forcave policore speciale nga veriu u dëshmua absolutist e drejtë dhe e qëlluar, duke e parandaluar një gjakderdhje masive një ditë të diel kur terroristët serbë u futën në Banjskë.

Sipas logjikës së Stanos dhe shefave të tij, ajo që po vazhdohet të kërkohet është që Kosova t’i tërheqë krejt trupat e Policisë Speciale nga veriu, ashtu që t’i jepet Serbisë shansi i dytë që ta okupojë veriun dhe dikur edhe ta shkëpusë nga Kosova.

Nëse ky është qëllimi, nuk po kuptohet ftesa për dialog. Dialog me kë? Me dikë që është dashur të dënohej menjëherë dhe pa asnjë minutë vonese për shkeljen e të gjitha marrëveshjeve, përderisa Kosova është dashur të lirohej nga shtrëngimi ekonomik, për shkak se ka të drejtë ta shtrijë sovranitetin dhe t’i ruajë territorin dhe kufijtë e vet.

Çfarë ftese për dialog është kjo kur sërish palët trajtohen në formë asimetrike - ku fajtori i përhershëm i tensionimeve dhe i problemeve ledhatohet e Kosova vazhdon të mbahet “nën masa”. Për ata që kanë kujtesë, Kosova tashmë e ka jetuar një fazë të gjatë të “masave të dhunshme”, e megjithatë ka mbijetuar.

Gjithë ky insistim për dialogun e ka dërrmuar shoqërinë kosovare ekonomikisht. Nuk mbaj mend që Kosova republikë të ketë pasur shkallë kaq të lartë të inflacionit dhe të zhvlerësimit të parasë në qarkullim. Nuk e di nëse ka pasur shkallë më të lartë kredimarrjeje te bankat komerciale, për shkak se të ardhurat personale jo vetëm që nuk mund të rriten, por e kanë humbur fuqinë e tyre blerëse, për pasojë i kanë futur njerëzit në obligime.

E kjo qeveri, përfundimisht, nuk e ka idenë se si ta nxjerrë Kosovën nga hendeku financiar në të cilin është futur. Vazhdoj ta përsëris, aq sa më edhe vetës i jam bërë bajat, se në Kosovë nuk ka qarkullim paraje. Nuk ka para, për pasojë ka shumë borxhe. Dhe do të ketë shumë falimentime, po qe se vazhdohet me këtë ritëm. Absolutisht asnjë gjë nuk arrihet me subvencione të vogla, të cilat në fund, vera e dëshmoi, shkojnë në Shqipëri. Apo edhe gjetiu. Vetëm në Kosovë nuk mbesin.

Vazhdojmë të jemi shtet që blerjen e banesave dhe shtëpive e numëron si investim të jashtëm. Por, tullat as nuk hahen e as nuk krijojnë vende pune. Ato shërbejnë për t’i ruajtur vendet e punës në sektorin e ndërtimtarisë që nuk do të kalojë shumë kohë, do të futet në flluskë. Dhe kështu do ta ndalojë edhe këtë “investim të jashtëm”.

* * *

Nuk po di se çfarë tjetër duhet të na ndodhë që ky vend të bëhet me politikanë të esëllt, që i kuptojnë edhe kontekstin e edhe problemet. Dhe që dinë të ofrojnë zgjidhje për to. Kaloi thuajse një çerekshekulli në mileniumin e ri dhe ne ende merremi me veten, me fqinjin jugor e me atë verior, me skamjen, me rrenën e me mungesën e perspektivës. Vazhdojmë t’i biem, kolektivisht, murit me kokë.

[email protected]