OpEd

Mos jua bëni këtë nder Edi Ramës dhe Hashim Thaçit!

Çështja e marrëveshjes Kosovë- Serbi është kthyer në “sport kombëtar patriotësh”, të cilët në përpjekje për të denigruar aktorët e kësaj historie janë duke i lartësuar ata. Është fjala pikërisht për mënyrën se si e shikojnë “shqiptarët patriotë” opozitarë skenarin e marrëveshjes Serbi- Kosovë, bazuar tek shkëmbimi i territoreve dhe si e shikojnë Gjermania dhe Franca, të cilat po lavdërohen se po e shpëtojnë Kosovën.

Personalisht jam ndër të parët gazetarë që e kam kundërshtuar idenë e shkëmbimit të territoreve, qysh në frazat e para të lëshuara nga presidenti Hashim Thaçi.

Kam bindjen time për këto qëndrime, që kanë arsye të ndryshme nga këto të ”patriotëve” opozitarë të orëve të fundit në Shqipëri.

Për aq sa e njoh dhe e ndjek Kosovën prej gati 30 vjetësh si gazetar, e di se është e rrezikshme të rivizatohen kufijtë mbi baza etnike, pasi ky ka qenë shkaku i luftërave të përgjakshme të viteve ’90.

Po ashtu, është e rrezikshme të besosh se liderët e shteteve etnikisht të pastra do të sjellin më shumë begati dhe paqe në këtë rajon, ndërkohë që e kundërta ka dhjetëra herë më shumë shanse.

Por mbi të gjitha është e rrezikshme të krijojmë një precedent të ndryshimit të kufijve për orekse etnike, pasi do të fusim Ballkanin në një spirale destabilizimi që nuk dihet ku përfundon.

Ata që i sulmojnë Edi Ramën, Hashim Thaçin dhe sidomos ata që nuk e di përse e lavdërojnë Hardinajn në këtë histori, në fakt nuk flasin për rrezikim të vlerave perëndimore nga ky proces, por për humbje ose mbrojtje territoresh. Është qesharake deri në bezdi të dëgjosh njerëz që betohen për tokë, në këtë rast për Veriun e Kosovës, si për “Tokën e Shenjtë” dhe flasin me të njëjtën gjuhë dhe patetizëm që fliste Milosheviqi, kur thoshte në vitin 1987 se “Kosova është djepi i Serbisë” dhe ai s’do ta lëshonte kurrë.

Qasja e tyre ndaj marrëveshjes Serbi- Kosovë është antiperëndimore dhe bazohet tek koncepti i territorit që duhet mbrojtur dhe jo tek vlerat dhe parimet që nuk duhen prekur në Ballkan. Dhe në këtë pikë ata kanë një keqkuptim të madh me Merkelin, Macronin dhe me gjithë establishmentin evropian që nuk është dakord që marrëveshja Serbi-Kosovë të arrihet mbi bazë shkëmbimesh territori, siç është dakord presidenti Trump në Uashington dhe Mogherini në Bruksel.

Arsyeja pse Evropa e kundërshton ndryshimin e kufijve, është se, siç e thonë dhe vetë ata, fuqizohet faktori shqiptar, rritet fryma nacionaliste e shqiptarëve dhe krijohet një Shqipëri e bashkuar me Kosovën.

Pra, ata perëndimorë që po na e shpëtojnë “Veriun e Kosovës” në fakt nuk i kanë parasysh Edi Ramën dhe Hashim Thaçin si tradhtarë, por si nacionalistë që duan një Shqipëri të Madhe, ndryshe nga “patriotët” shqiptarë që e konsiderojnë këtë si tradhti. Janë krejt të keqkuptuar me engjëjt tanë mbrojtës në Evropë.

Pra, ajo pjesë e Perëndimit që është kundër shkëmbimit të territoreve, është në fakt e frustruar nga ideja që shqiptarët mund të bashkohen pas kësaj, dhe jo nga ideja se shqiptarëve po u shkëputen disa fshatra serbe në Veri të Kosovës dhe po u jepen disa fshatra shqiptarë në Jug të Luginës.

Ndaj kur të duartrokisni për qëndrimin e Evropës, tentoni të jeni evropianë dhe jo “patriotë me bateri” të karikuara nga Berisha.

Nëse ka një hije të errët në skanerin që bën Evropa mbi Edi Ramën e Hashim Thaçin në këtë histori, është pikërisht dyshimi që ndërsa e shfrytëzojnë mbështetjen e presidentit Trump dhe të Mogherinit për një marrëveshje me Serbinë, planifikojnë një bashkim ndërshqiptar.

Në fakt, sensi i shkëmbimit të territorit në këtë proces duhet kundërshtuar, jo për Veriun e Kosovës, apo fshatrat e Luginës që na premtojnë. Mund të më thoni çfarë të doni, por nuk kam ndonjë ndjeshmëri për territorin e quajtur Veriu i Kosovës, as për katër katundet e Luginës.

Marrëveshja e shkëmbimit të territoreve nuk duhet kundërshtuar për territoret, por për problemet që sjell koncepti i shtetit etnik, efekti zinxhir rajonal, dhe prodhimi i liderëve nacionalistë që në Ballkan rriten dhe duke ujitur lulet.

Pra, marrëveshjen me bazë shkëmbimin e territorit duhet ta kundërshtojmë, se mund të jemi më të pasigurt nga liderë nacionalistë që do na qeverisin, sesa nga liderë të kushtëzuar të bëjnë marrëveshje dhe paqe mes popujve.

Prandaj kur shani Edi Ramën, por dhe Hashim Thaçin se po duan të korrigjojnë kufirin, si tradhtarë, kini parasysh se Merkeli po i frenon si nacionalistë. Evropa shikon tek kjo histori një Shqipëri të Bashkuar dhe një valë nacionalizimi shqiptar në rritje, ndaj po e frenon. Ndaj mos jua bëni këtë nder Edi Ramës apo Hashim Thaçit duke i sulmuar për tradhtarë, për të njëjtën çështje që disa liderë perëndimorë i sulmojnë si njerëz që po bashkojnë trojet. Përpiquni të jeni kritikë me ta, si liderë të këqij, nëse na qeverisin si “Baballarë të Kombit”. Sidomos kur të na sundojnë në emër të kombit. (Gazeta Tema)