OpEd

Momenti Çaushesku i Lukashenkos?

Sa më të zëshme të jenë thirrjet e Lukashenkos për ndihmë, aq më të zëshme bëhen qeshjet e presidentit rus, Vladimir Putin. Hë për hë, Putini po dërgon trollë, e jo tanke në Bjellorusi. Brenda vetëm 24 orëve, Lukashenko është transformuar nga të qenit një diktator i dëshpëruar në njëfarë mbreti Lir, patetik e vajtues, që shqetësohet për shëndetin e tij

Minsk, 20 gusht – Në njëfarë pike, të gjithë diktatorët nisin t’u besojnë gënjeshtrave të tyre. Presidenti bjellorus, Aleksandar Lukashenko, është rast i tillë: ai tani po sillet sikurse përnjëmend e fitoi 80 përqindëshin e votave në zgjedhjet që vetë siguroi që të manipuloheshin.

Kur protestat paqësore mbërthyen qytetet dhe qytezat bjelloruse, Lukashenko më 17 gusht i vizitoi Fabrikën e Traktorëve (MZKT) dhe Fabrikën e Automobilave (MAZ) në Minsk. Secila prej tyre luan rol qenësor jo vetëm për ekonominë e vendit, por edhe për identitetin e tij kombëtar, dhe që të dyja kanë shërbyer prej kohësh si një gurthemel i pushtetit të Lukashenkos.

Çdokush që e ka parë ndonjëherë kompleksin e banesave të punëtorëve në Rrugën Socialiste në Minsk do ta kuptojë avantazhin që ata kanë. Për “një njeri të thjeshtë”, siç e kishte zakon të thoshte disidenti i ndjerë polak, Jacek Kuron, këto banesa janë padyshim mbi mesataren.

Megjithëkëtë, kur Lukashenko doli para këtyre punëtorëve gjatë kësaj jave, ai nuk i dëgjoi ata të thoshin “Do të të ndihmojmë”, por “Ukhodi!” – “Ik!” apo “Shporru!”. (Thumbime edhe më të mprehta, si “Vrite veten”, u dëgjuan gjithashtu). Ky episod tërheq paralele të prekshme historike, që do të duhej ta shqetësonin Lukashenkon.

Kur diktatori rumun, Nikolai Çaushesku, foli para një turme masive protestuesish në dhjetorin e 1989-s, edhe ai ishte ndërprerë dhe përçmuar. Nga pushteti u rrëzua shumë pak kohë pas kësaj.

Përçmimet e adresuara ndaj Lukshenkos pikërisht nga këta punëtorë mund ta rrezikojnë fatalisht strategjinë e tij të mbrojtjes, e cila është që të krijohet përshtypja se vetëm ai mund ta vërë situatën nën kontroll. Mesazhi që është përpjekur ta përçonte është: “Unë jam garantuesi i stabilitetit. Nuk i keni jetët edhe aq keq. Mos e rrezikoni këtë”.

Kjo strategji shpjegon pse Lukashenko e ndërmori së fundi demonstrimin e arrestimit të mercenarëve rusë para kamerave televizive. Kjo është arsyeja përse ai është munduar t’i largojë sfiduesen e tij elektorale dhe ekipin e saj, duke i cilësuar si “tri vajza që nuk marrin erë nga politika”. Dhe kjo është arsyeja pse u është përgjigjur me forcë protestave, menjëherë pas zgjedhjeve.

Por shoqëria bjelloruse nuk iu dorëzua frikës. Përkundrazi, bjellorusët nga të gjitha sferat e jetës kanë zgjeruar zinxhirin e solidaritetit. Teksa punëtorët iu bashkuan grave të veshura në të bardha dhe me lule në duar, mjekëve dhe artistëve, Lukashenko është zënë krejtësisht i papërgatitur. Në një ogur po kaq të zi për të ardhmen e tij politike, punëtorët e televizionit shtetëror u janë bashkuar protestave masive, ndërsa shumë oficerë policie kanë hequr uniformat e tyre, me ç’rast një lejtënantkolonel ka shpalosur planet e regjimit për qetësimin e protestave.

Pritja e ftohtë e Lukashenkos në MZKT dhe MAZ lënë të kuptohet se kubat në rënie të dominosë tani kanë mbërritur deri te baza e tij e shtresës punëtore. Tubimet potemkiniane që ai i organizoi për ta demonstruar mbështetjen e tij janë mbytur prej protestave shumë më të mëdha opozitare. Me qindra e mijëra protestues, të cilët i vërshuan rrugët e qyteteve bjelloruse, faktikisht e kanë dëbuar Lukashenkon prej rajoneve më të populluara të vendit.

Dhe tani, edhe më shumë pjesë të kryeqytetit po rebelohen, duke e zëvendësuar flamurin mezi të modifikuar sovjetik të Lukashenkos me atë bardh, kuq e bardh të favorizuar nga opozita. Ky i fundit tani valon edhe në Kështjellën ikonike Nesvizh.

Gabimet e shumta të Lukashenkos sugjerojnë se ai nuk është duke i dëgjuar këshilltarët e tij, shumica e të cilëve tanimë mbase kanë nisur të kenë frikë për vetë sigurinë e tyre. Mund të jemi duke iu afruar momentit, kur ata të nisin edhe ta braktisin, duke iu bashkuar opozitës apo duke ikur nga vendi përpara se të bëhet shumë vonë.

Mënyra më e shpejtë për ta rrëzuar një diktaturë, që të thyhen hallkat e besnikërisë midis diktatorit dhe vetë aparatit të tij të sigurisë. Ndasitë përbrenda elitës pushtetare janë një parakusht i domosdoshëm për ndryshim, dhe është e mundur që turpërimi publik i Lukashenkos para punëtorëve të fabrikës të ketë nisur t’i kushtojë tanimë atij me kredibilitetin mes mbrojtësve të regjimit.

Për më tepër, përpos ngritjes në grevë, punëtorët tanimë po u bashkohen protestave kundër autoriteteve, gjë kjo që është po ashtu e domosdoshme për ta prishur magjinë e kontrollit të regjimit. Mjekët kanë marshuar përpara Ministrisë së Shëndetësisë për të shprehur pakënaqësi. Punëtorët kanë dalë para selisë së përgjithshme të televizionit shtetëror, në ish-selinë e KGB-së, dhe madje para dy burgjeve më famëkëqija të vendit, Valadarka dhe Okrestina, ku po mbahen të mbyllur të burgosurit politikë dhe protestuesit e arrestuar.

Këto zhvillime janë jetike, për shkak se nënkuptojnë se Lukashenko nuk mund thjesht të barrikadohet dhe të presë që gjërat të fashiten.

Presioni mbi regjimin është tani konstant dhe i gjithëpranishëm, dhe autoritetet kanë filluar të panikojnë. Kur “Zviazda”, e përditshmja më e vjetër e Bjellorusisë, njoftoi ngritjen në protestë kundër censurës, ministri i Informimit behu në zyrat e saj në përpjekje për t’i qetësuar gazetarët. Nëpër mediat e tjera, njerëz të Lukashenkos kanë nisur kërkimin për gazetarët e nënshtrueshëm, në mënyrë që t’i zëvendësonin ata që ishin ngritur në grevë, duke u ofruar paga shumëfish më të mëdha sesa mesatarja kombëtare. Por veprimet e tilla vetëm sa e shpërfaqin gjendjen e dëshpëruar të Qeverisë.

Është me rëndësi të ceket se kryengritja bjelloruse po ndodh pa e pasur ndonjë lider të qartë. Po, ka aktivistë influencues dhe aty është edhe kandidatja presidenciale e opozitës, Svetlana Tikhanovskaya; është edhe blogu NEXTA, me seli në Varshavë dhe që ka trimëruar protestat; dhe është po ashtu edhe liderja e opozitës, Maria Kolesnikova, e cila tani po fshihet në një lokacion të panjohur në Minsk. Por grevat dhe protestat e punëtorëve të fabrikave, mjekëve, grave në të bardha dhe të tjerëve janë të gjitha iniciativa krejtësisht spontane, dhe janë këto demonstrime të natyrshme të pakënaqësisë që e kanë rrezikuar plotësisht autoritetin e regjimit.

Në këtë pikë, Lukashenko nuk di kënd ta arrestojë. Punëtorët në grevë e kanë ekspozuar paaftësinë e tij. Lëvizja protestuese e grave ka treguar se forcat policore ishin kryesisht të pafuqishme. E gjithë diktatura është shndërruar në një trup të ligshtë, pa kokë.

Në aspektin e relacioneve ndërkombëtare, një zhvillim madhor këtë javë ishte vendimi i Parlamentit lituan për të mos e pranuar Lukashenkon si president legjitim të Bjellorusisë. Nga ana e saj, Rusia nuk ka qenë e etur për të intervenuar. Transformimet e mëhershme demokratike në Armeni, Moldavi dhe Gjeorgji tanimë kanë treguar se Rusia mund t’u ofrojë siguri post-diktaturave me tendenca favorizuese përbrenda sferës së saj të ndikimit, pa ndonjë kosto. Vazhdimi i pushtetit të Lukashenkos, megjithatë, vetëm sa do të garantonte edhe më shumë telashe për Kremlinin.

Sa më të zëshme të jenë thirrjet e Lukashenkos për ndihmë, aq më të zëshme bëhen qeshjet e presidentit rus, Vladimir Putin. Hë për hë, Putini po dërgon trollë, e jo tanke, në Bjellorusi. Brenda vetëm 24 orëve, Lukashenko është transformuar nga të qenit një diktator i dëshpëruar në njëfarë mbreti Lir, patetik e vajtues, që shqetësohet për shëndetin e tij.

(Sławomir Sierakowski, themelues i lëvizjes “Krytyka Polityczna”, është drejtor i Institutit për Studime të Avancuara në Varshavë dhe anëtar i lartë i Këshillit gjerman për Marrëdhënie me Jashtë. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë ndërkombëtare “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)