OpEd

Mirë i kemi mendtë...

Publikimi i raportit të NATO-s do të duhej të na i hapte sytë, sepse askush nuk na ka bërë aq shumë dëm, askush nuk e ka shkatërruar natyrën më shumë sesa ne vetë. Hiq dëmet e shkaktuara gjatë luftës, më shumë të përqendruara në shtëpi, objekte bujqësore dhe tek-tuk ndonjë mal a fushë, gjendjen që e kemi sot, e kemi krijuar vetë në 25 vjetët e fundit

“Kush nuk është përzhitur sot, do të përzhitet nesër. Mos t’i mbetet merak”.

Kjo duket të jetë motoja e kësaj vere – pa asnjë dyshim më e nxehta që kam përjetuar qëkur di për veten. Verat në të kaluarën kanë ditur të jenë të nxehta, por jo në këtë masë. Për javën tjetër po parashihet që temperaturat të shkojnë mbi 41 gradë të Celsiusit – shumë për një Prishtinë pa hije dhe e mbushur me beton e me asfalt. Qytet pa lumë, pa liqen, me bërllok, me trafik të pakontrolluar dhe pa rend.

Fajet i kemi vetë, për shkak se me votat tona i kemi sjellë në pushtet njerëzit që e kanë shkatërruar qytetin, duke lejuar ndërtime të pafund, duke e mbushur atë me kulla të larta betoni që kanë uzurpuar edhe hapësirat publike, ndërkohë që nuk është paraparë mbjellja e asnjë druri të vetëm.

Për më tepër, pishat e vjetra mbi 50 vjet janë prerë para disa ditësh në Taukbahçe, për ta hapur edhe një rrugë, edhe një asfalt, edhe një ndotje me gaz e me zhurmë, veç për shkak se “banorët e kanë kërkuar, dhe ky ka qenë premtim zgjedhor”. Ta merr mendja krejt premtimet zgjedhore u përmbushën, që premtimi më i madh kishte mbetur te hapja e kësaj rruge.

Mirë i kemi mendtë ku po jetojmë.

* * *

Dhe derisa ka ditë që ankohemi nga të nxehtët dhe ankohemi se na vijnë faturat e rritura të rrymës (për ata që nuk e ndalin klimën në ambientet ku punojnë apo jetojnë), edhe dikush tjetër merret me ngrohjen globale dhe me efektin që kjo ka në Kosovë. E ky dikush tjetër është NATO – që nëpërmjet një raporti të nënshkruar nga sekretari i saj i përgjithshëm për operacionet e aleancës në zonat që rrezikohen nga ndryshimet klimatike, e thotë këtë për Kosovën: “Krimi mjedisor, si për shembull, prerjet e paligjshme të drunjve dhe hedhja e mbeturinave, janë sfida serioze për ekosistemin dhe mjedisin. Këto aktivitete, jo vetëm që i degradojnë burimet natyrore dhe ekosistemet, por edhe i përkeqësojnë ndikimet e ndryshimeve klimatike, duke i rritur nivelet e ndotjes dhe reduktimin e aftësisë së pyjeve për të vepruar si absorbues karboni. KFOR-i ka qenë i përfshirë në monitorimin e krimeve mjedisore, duke e vlerësuar edhe sigurinë e rreth 12 zonave, ku ruhen materialet toksike dhe radioaktive – shumë prej të cilave janë të pamjaftueshme për ruajtje të sigurt. KFOR-i dhe FSK-ja bëjnë vlerësime mujore të këtyre objekteve për të ndihmuar që të mos ekspozohen rreziqe shtesë për mjedisin”.

Raporti më tej thotë se krahas përmbytjeve, edhe nxehtësia ekstreme e grimcat në atmosferë konsiderohen sfidë për misionet dhe asetet e NATO-s. Për pasojë, nuk përjashtohet ndërprerja potenciale e operacioneve të NATO-s në Kosovë, për shkak të rritjes së numrit të vdekjeve, si pasojë e nxehtësisë dhe ajrit të ndotur.

Publikimi i këtij raporti do të duhej të na i hapte sytë, sepse askush nuk na ka bërë aq shumë dëm, askush nuk e ka shkatërruar natyrën më shumë sesa ne vetë. Hiq dëmet e shkaktuara gjatë luftës, më shumë të përqendruara në shtëpi, objekte bujqësore dhe tek-tuk ndonjë mal a fushë, gjendjen që e kemi sot, e kemi krijuar vetë në 25 vjetët e fundit.

Krim i organizuar ka qenë prerja e pishave në Dukagjin dhe eksporti i tyre serbes, pa asnjë ndalesë tutje madje deri në Itali. Krim institucional ka qenë mosndalimi, por përkundrazi lejimi i eksploatimit të çfarëdo kodre kudo që gjendej një, për nxjerrje zhavorri e guri për ndërtim rrugësh. Për shembull le të merret rruga para se të arrihet në grykën e Carralevës – është një tmerr i papërshkrueshëm. Krim edhe më i madh institucional qe lejimi i ndërtimit të hidrocentraleve në një shtet që nuk ka resurse ujore. 

Por, më duket se absolutisht krimi më i madhi është ai që ka të bëjë me menaxhimin e mbeturinave. E patëm shansin e artë që pas lufte të mësonim ta ndanim bërllokun; që një pjesë ta riciklonim, me ndërtimin e impianteve për riprodhimin e aluminit dhe të plastikës apo të qelqit. Ende e kemi shansin e artë që gjithë këtë bërllok që e prodhojmë ta përdorim për prodhimin e rrymës elektrike – siç bëjnë në një shtet që ne e përmendim me përqeshje për ta ngritur veten: Banglladesh.

Shteti i parë që e kishte zbatuar këtë ide në praktikë kishte qenë Britania, madje më 1874. Incineratorët – pra djegësit, do të shërbenin për zbërthimin e mbeturinave në energji, duke e reduktuar sasinë e tyre fizike për 95%. Në Evropë, numri i këtyre incineratorëve nuk është më aq i kërkuar për shkak se këto shtete i riciklojnë madje 70% të mbeturinave. 

E ne?

Ne krijojmë deponi të reja ngado që mundemi. Sa me bërllok “klasik”, sa me materiale ndërtimore, për shkak se nuk duam të paguajmë për depozitimin e tyre të ligjshëm. Prishtina, pos që “është” qyteti i përjetimeve, është kryeqyteti i bërllokut. Zor se mund të mohohet se sa neveritëse është të kalohet pranë kontejnerëve të bërllokut, me gjithë atë pisllëk që i rrethon, me gjithë ato gjëra që hidhen, e nuk e kanë vendin te këta kontejnerë. 

Nga ana tjetër, kemi një ministri të Mjedisit që njëkohësisht është edhe e Infrastrukturës. Në tre vjetët e fundit ka arritur të hapë “fronte” ndërtimi në disa akse rrugore, e që asnjërën të mos e përfundojë. Veç ia ka dalë ta mbushë rrethinën skaj rrugëve që po ndërtohen me pluhur, aq sa edhe ta kishin krejt ujin e Batllavës në dispozicion nuk mund ta ulin në tokë. Por, më e rëndësishmja për mjedisin dhe infrastrukturën e Kosovës është që të mos merremi me asnjërën, por me ndonjë politikë sipërore që ne ende nuk e kuptojmë.  

Po, po... mirë i kemi mendtë.

* * *

Rezultatet preliminare të regjistrimit dolën dje, dhe na treguan se popullsia në Kosovë është tkurrur dhe është plakur. Dolëm të jemi diku rreth 1.6 milionë banorë rezidentë, pa serbët që e bojkotuan regjistrimin, dhe kushedi sa të tjerë që nuk u regjistruan fare.

Sinqerisht, në epokën e teknologjisë së avancuar, ku supozohet se ekziston regjistri civil i konsoliduar, numri i banorëve do të duhej të ishte shumë i qartë dhe i matshëm në çdo çast nga MPB-ja që e menaxhon atë. Është e vërtetë që ky regjistër e ka evidencën edhe të banorëve jorezidentë, pra mbase diçka duhet ndryshuar në këtë sistem qendror që shënimet të jenë më të qarta dhe më të qasshme në çdo çast.

Por, regjistrimi i popullsisë na nxori edhe një shënim që mbase regjistri civil nuk mund ta nxjerrë për shkak të mungesës së përditësimit të shënimeve kadastrale, e ky qe numri i objekteve banesore në Kosovë: 560 mijë banesa dhe 353 mijë ekonomi familjare, që në të kaluarën përktheheshin në shtëpi me objekte përcjellëse. Nëse ende qëndron shifra e moçme se Kosova ka 700 mijë banorë jorezidentë, atëherë del se çdo i katërti banor në Kosovë ka banesë e çdo i shtati është pjesë e një ekonomie familjare.

Çështja e këtyre banesave dhe e zvogëlimit të banorëve tregon për një trend të çuditshëm që ka nevojë për një analizë më të thuktë. Nëse niveli i varfërisë në Kosovë është diku rreth 25% (varfëria ekstreme është diku te 5%), objektivisht është e pamundur që të besohet se kjo pjesë e popullatës ka mundësi për ta blerë e mbajtur një banesë. Që do të thotë se shumë banesa mund të jenë pronë e një personi, e që fizikisht nuk mund të jetojë në dy a tri vende njëkohësisht. E nuk ka kujt t’ia lëshojë as me qira.

Ky regjistrim e vërteton se Kosova ka shumë objekte banesore të zbrazura, e që nuk banohen as nga diaspora. Pra pyetja shtrohet se pse vazhdojnë të ndërtohen banesat, kur mundësia për të gjetur blerës kufizohet dita më ditë. Dhe kur e dëgjoj frazën: “Kërkesa për banesa është e madhe”, e kam shumë të zorshme ta besoj se kjo është e vërtetë.

Ndërtimi i ndërtesave banesore pas luftës kishte dalë plotësisht nga kontrolli dhe ka qenë trend që ka vijuar një çerek shekulli. Gjasat janë se tashmë e kemi mbërritur pikën e asaj që të huajt e quajnë “the bubble” (flluska) – që do të shpërthejë ngase më nuk do të ketë treg për to.

* * *

Prej të gjitha gjërave që ndodhën javën e shkuar, do të mbetem me prognozën time të gabuar për finalistët e kampionatit (ia qëllova Spanjës, por jo edhe Zvicrës) si dhe me raportin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s.

Futbolli vjen e shkon, por ajo që shkruhet në këtë raport do të duhej të merrej shumë seriozisht. Për ta arritur një nivel vetëdijesimi për rëndësinë që ka ruajtja e mjedisit dhe kontrolli i ndryshimeve klimatike, neve do të na nevojitej një revolucion. Siç e shkrova javën e shkuar, çelësi i shumë ndryshimeve nis në arsim – që po del të jetë kyç për pjesën më të madhe të gjërave në vend. Por, çelësi shtesë është vizioni dhe vendosmëria për t’iu rrekur disiplinës, ruajtjes së mjedisit dhe mbrojtjes të së drejtës për ta jetuar një jetë të dinjitetshme.

E për këtë, nuk mjaftojnë as premtimet zgjedhore e as përrallat për avancimin e shoqërisë, të cilën e shohin vetëm ata që flasin për të.

[email protected]