Shumë herë po duhet përsëritur se as BE-ja e as SHBA-ja për fat të keq, nuk po duan të pranojnë se burimi kryesor i krizës në Ballkanin Perëndimor është Serbia. Nuk kalon ditë në të cilën nuk do ta dëshmojë këtë, me një veprim apo me një deklaratë. Tolerimi i shpërfilljes që Serbia ia bën çfarëdo përpjekjeje të normalizimit dhe të paqes është i dëmshëm sa nuk mund të shpjegohet me fjalë dhe ka gjasa të kthehet bumerang
Kishte gati dhjetë muaj që nuk ishte mbajtur ndonjë takim i përbashkët mes Kurtit dhe Vuçiqit. Borrelli, në fund të mandatit, i ftoi sërish në takim – dhe pyetja ishte, pse?
Një përgjigje do të mund të ishte se Borrelli donte të përshëndetej nga palët që njëherë i bëri bashkë me shumë seriozitet, e që madje i bëri të pajtoheshin me një marrëveshje të re të Brukselit, të cilën më pas vetë e prishi duke e lejuar Serbinë që me shkrim t’i paraqiste rezervimet ndaj marrëveshjes, ndërkohë që nuk ndalej së përsërituri se marrëveshja ekziston dhe se palët duhet ta zbatojnë.
Palët kanë mundur të mos shkonin në Bruksel fare – sepse e dyshoj shumë se si Kurti ashtu edhe Vuçiqi do ta kenë pasur ndërmend të takoheshin. Fundja, takimi i sërishëm me Borrellin nuk do të kishte pasur ndonjë epilog. Madje është pikëpyetje po qe se do të ketë edhe vazhdim të dialogut, gjë që do të varet nga personi i ri që do ta marrë postin e “ministrit të Jashtëm evropian”.
Sido që të jetë, Kurti u takua me Borrellin, por refuzoi të takohej me Vuçiqin, ngase paraprakisht kërkoi të plotësoheshin tri kushte: që palët të nënshkruanin Marrëveshjen bazë të Brukselit nga viti i shkuar; që Serbia ta tërhiqte letrën që ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, e kishte nisur duke treguar se Serbia nuk do të zbatonte pjesën më të madhe të asaj marrëveshjeje dhe, kushti i tretë, që Serbia ta dorëzonte Millan Radoiçiqin, pasi kishte pranuar të ishte organizatori i sulmit terrorist në Banjskë.
* * *
Natyrisht se Serbia nuk do të pranonte ta bënte asnjërën, për pasojë as nuk mund të kishte takim ndërmjet Kurtit e Vuçiqit. Dhe takime nuk do të ketë deri në emërimin e Komisionit të ri Evropian, e besa takimet mund të zgjaten edhe më shumë, sepse nga vjeshta Kosova hyn në fushatë shumë të parakohshme parazgjedhore. Kryetarja Osmani e ka obligim kushtetues që t’i shpallë zgjedhjet gjashtë muaj para se të bëhen katër vjet nga zgjedhjet e shkuara, pra në gusht.
E mbase nuk do të ishte keq të shkohej në zgjedhje më të hershme, duke e pasur parasysh kaosin që mbretëron në Kuvendin e Kosovës dhe paaftësinë e këtij trupi që të mblidhet e të mbajë seanca normale ku do të votoheshin ligjet, sado që këto ligje thuajse me automatizëm mbarojnë në Gjykatën Kushtetuese.
Mbajtja e mbledhjeve në sallë alternative, për shkak se në sallën plenare po instalohen pajisjet e votimit në mes të sesionit pranveror (thuajse nuk ka mundur të pritej gushti kur badihavxhinjtë e Kuvendit pushojnë zyrtarisht), si dhe mungesa kronike e kuorumit për t’i vazhduar punimet në seanca të rregullta është një tallje masive me popullin.
Votuesit ua kanë dhënë votën për t’i përfaqësuar dhe për ta nxjerrë më të mirën për popullin. Por edhe në këtë legjislaturë, si në krejt të tjerat, kajmaku i të gjithave u shkon deputetëve, përfundimisht sojit më të privilegjuar mes kosovarësh.
Mungesa e kuorumit të enjten, bëri që tri projektligje, shumë të kritikuara dhe të vlerësuara negativisht në trajtën e tyre përgatitore nga zyra e BE-së (për Komisionin e Pavarur të Mediave; për zyrtarët publikë dhe për Këshillin Prokurorial të Kosovës) të mos votoheshin. Por pushteti vlerëson se ato nuk duhet tërhequr prapa në komisione për rishqyrtim, prandaj do t’i mbajë në rend të ditës të seancave të radhës.
Nuk e kam dyshimin më të vogël se po qe se këto ligje votohen, do të përfundojnë në Kushtetuese.
E Kushtetuesja kurrë nuk ka qenë më e zënë sesa me këtë legjislacion. Tri ditë më herët e anuloi plotësisht ligjin për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë kurse e la në fuqi atë për Pagën minimale, kurse para dy ditësh i shpalli kundërkushtetuese shtatë nene të Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës, ndërkohë që e la në fuqi Ligjin për Investime të Qëndrueshme.
Kurti reagoi, sërish, kundër Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se ajo kishte zgjedhur ta vononte ndjekjen e krimit dhe duke treguar se pesë nga nëntë gjykatësit kishin votuar për anulimin, e katër kundër. Është shumë me rëndësi të lexohen mendimet veçuese të këtyre gjykatësve – do të duhej të hidhnin dritë në një votim tejet të ngushtë dhe të çuditshëm.
Por, megjithatë, nuk është punë e qeverisë të bëjë luftë me Gjykatën Kushtetuese. Të kujtojmë se gjykatësit i emëron kryetari/kryetarja e shtetit me propozimin e Kuvendit të Kosovës. Problemi burimin e ka në Kuvend dhe te partitë politike që nuk mbështeten në meritokraci por në preferenca politike.
Sipas Kurtit, këto ligje e kanë kaluar filtrin e Komisionit të Venecias, ndërkohë opozita e thotë të kundërtën. Cilado të jetë e vërteta, një gjë po shihet qartë: kjo qeveri nuk ia doli ta përmbushte premtimin që do ta luftonte krimin dhe do ta reformonte gjyqësinë, meqë nuk ia doli ta rrumbullakonte madje as kornizën ligjore për to. Dhe ajo që gjithashtu po shihet qartë është edhe se gjendja në gjyqësi nuk ka ndryshuar pozitivisht. Sipas një hulumtimi të KDI-së, 57% e qytetarëve mendojnë se situata në gjyqësi nuk ka ndryshuar, ndërkohë që 18% thonë se madje është përkeqësuar. E për gjendjen në gjyqësi, nuk mund të fajësohet ekskluzivisht kjo Qeveri, ngase secila përpjekje për reformimin e gjyqësisë has në pengesa të cilat kryesisht i vendosin njerëzit e punësuar në këtë shtyllë të pushtetit, si dhe partitë politike që i kanë vendosur aty.
* * *
Zgafella e kësaj jave nisi me raportet me Serbinë dhe përfundon me të.
Përpjekja e 11-të për ta mbajtur festivalin “Mirëdita, dobar dan”, kësaj radhe në Beograd, dështoi.
“Serbia e ekstremistëve dhe e huliganëve – në protestat e të cilëve thirrjet për vrasjen e shqiptarëve janë krejt të zakonshme – tok me zyrtarë të shtetit, e ka ndaluar festivalin “Mirëdita, dobar dan!”. E ka bërë këtë me urdhër shtetëror. Funksionarë të lartë, disa javë më parë u kishin prirë thirrjeve për anulimin e kësaj ngjarjeje, kanë nxitur popullin të dalë në protesta e të enjten e kanë konkretizuar anulimin ashtu siç kishin paralajmëruar.
Mbi 100 pjesëtarë të turlifarë organizatash ekstremiste serbe janë bërë bashkë duke rrethuar vendin ku pritej të bëhej hapja, kanë dhënë “shfaqjen” e tyre për “Kosovën zemër të Serbisë”, kanë pirë e festuar edhe me “trubaçë” dhe nuk janë larguar as pasi zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Brendshme dha urdhrin për ndalimin e “Mirëdita...”. Kanë protestuar deri të enjten vonë, nuk janë larguar “pa u bindur mirë” se festivali “Šiptar” nuk do të mbahet. Për organizatorët “Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë u rreshtua me huliganët”.
Kjo qe pjesë e raportit shkruar nga Shabani, i cili u gjend në autobusin që nja 20 kilometra para hyrjes në Beograd nuk u lejua të hynte dhe u kthye prapa. Është hera e parë që festivali anulohet “për shkaqe sigurie”. Shkaqe puro politike dhe shoviniste, ndaj të cilave u dëgjua një reagim nga zyra e BE-së në Beograd, që shprehu zhgënjimin pse një festival që mbahet nga 2014-a dhe financohet nga BE-ja, nuk mbahet. Por asgjë përtej kësaj. As edhe një reagim as ndaj deklaratës së kryeministrit serb, Vuçeviq, i cili haptazi thotë se nuk e di se përse duhet të organizohet një festival i këtillë dhe se përgjigjja më e mirë ndaj organizatorëve është shpërfillja.
* * *
Shumë herë po duhet përsëritur se as BE-ja e as SHBA-ja për fat të keq, nuk po duan të pranojnë se burimi kryesor i krizës në Ballkanin Perëndimor është Serbia.
Nuk kalon ditë në të cilën nuk do ta dëshmojë këtë, me një veprim apo me një deklaratë. Tolerimi i shpërfilljes që Serbia ia bën çfarëdo përpjekjeje të normalizimit dhe të paqes është i dëmshëm sa nuk mund të shpjegohet me fjalë dhe ka gjasa të kthehet bumerang.