Brenda një jave po ravijëzohen dy lëvizje kombëtare, dy nacionalizma. Njëri serb, tjetri serbian
1.
Është fundi i librit të nobelistit Ivo Andriq (po i lëmë anash tash identitetet e tij plurale prej kroati, serbi, jugosllavi e boshnjaku e hercegovasi) “Ura mbi Drinë” (shqipëruar në Drin, besoj gabimisht). Në formë rituale fundi i librit ka shërbyer si metaforë për të treguar një interpretim historik: herë për fillimshekullin XX dhe luftërat që pasuan, herë për zhbërjen e Jugosllavisë dhe luftërat që pasuan, herë për ndikimet e të gjitha këtyre në lëvizjen kombëtare serbe.
"Dhe pastaj ura për një çast u lëkund nga themelet, por këtë herë jo nga ndonjë goditje e jashtme, por sikur vetë ajo u drodh dhe u përkul. Sikur u hodh lart nga uji dhe menjëherë ra sërish poshtë. Me atë goditje, në mes të saj, mbi ujë, shpërtheu një re e bardhë e pluhurit dhe tymit, dhe përmes saj fluturuan copëza dhe thërrmija guri. Kur tymi u shpërnda, ata që ishin mbledhur panë se pjesa qendrore e urës ishte zhdukur. Mbetën të ngritura nga të dyja anët dy pjesë të pabarabarta dhe të cunguara, ndërsa mes tyre një boshllëk i zbrazët, i mbushur me tym, përmes së cilit Drina dukej nga larg."
"Të çarat në shtyllat dhe portën e urës do t'i mbushë myshku dhe bari që era dhe shpendët do ta sjellin nga larg. Lumi do të grumbullojë baltë dhe degë dhe do të fryjë rërë të imët në të çarat, dhe ura, edhe pse e plagosur dhe e sakatuar, do të mbetet ende për një kohë të gjatë mbi ujë, ashtu si njerëzit e plagosur dhe të gjymtuar jetojnë ende gjatë pas plagëve dhe humbjeve."
"Por ajo që do të ndodhë nën të nuk do të jetë më kurrë siç ka qenë dikur."
2.
Në interpretimin e lirshëm të nacionalistëve serbë në Bosnjë-Hercegovinë që nga zhbërja e Jugosllavisë, metafora e urës ka shërbyer si paralajmërim se pjesët e kombit serb, të cilët jetuan në një shtet po ndahen.
Në interpretimin e lirshëm të tridhjetë vjetëve të kaluar metafora e përshkruar me “...dhe ura, edhe pse e plagosur dhe e sakatuar, do të mbetet ende për një kohë të gjatë mbi ujë, ashtu si njerëzit e plagosur dhe të gjymtuar jetojnë ende gjatë pas plagëve dhe humbjeve” do të ishte përshkrimi i gjendjes së shekullit XXI në të cilin BeH jeton si një arnim i një shteti të dërrmuar prej luftës.
Dhe “ajo që do të ndodhë nën të nuk do të jetë më kurrë siç ka qenë dikur” me të cilin përfundon libri është metaforë e realizmit politik; pra nuk ka ndonjë kthim në gjendje të mëparshme, as në Bosnjë-Hercegovinë e as në lëvizjen kombëtare serbe të shekullit XX.
3.
Më duket se kjo metaforë e fundit po testohet në lëvizjen kombëtare serbe gjatë kësaj jave. Përderisa po shkruaj këtë tekst, udhëheqja serbe në Bosnjë-Hercegovinë ka përgatitur Kushtetutën e Re të Republikës Serbe, një dokument i formuluar me seriozitet e me mjeshtri, duke e zhvlerësuar deri në formalitet Bosnjë-Hercegovinën si shtet. Në të njëjtën kohë, me qindra e mijëra studentë dhe përkrahës të tyre janë nisur drejt Beogradit, për tubimin e paralajmëruar të 15 marsit, në të cilin do të protestojnë kundër këtij modeli të tanishëm të pushtetit dhe ndryshim demokratik të tij.
Që të dyja janë lëvizje me legjitimitet të vetin, që të dyja prekin thellë identitetin e serbëve në Ballkanin Perëndimor, por për herë të parë që të dyja paralajmërojnë një risi te lëvizja kombëtare serbe, pluralizmin. Tashmë flasim për lëvizjet, në shumës, pra forma të ndryshme, lëvizje të ndryshme brenda tërësisë së kombit.
M.Dodik dhe draftkushtetuta e tij e Republikës serbe është modeli i shekullit XX të lëvizjes nacionaliste serbe. Ideja prijëse është sovraniteti i serbëve që formëson RS dhe pozitën e saj në BeH duke e zhveshur BeH prej kompetencave shtetërore deri në mosfunksionalitet të plotë; një lloj vdekjeje graduale si ajo e urës së plagosur të Andriqit, në mënyrë që rrjedha e historisë pastaj të çojë te bashkimi i RS me Serbinë.
Lëvizja e studentëve është e modelit të shekullit XXI. Studentët kërkojnë rregullimin e gjendjes në shtetin e vet - në të cilin jetojnë edhe qytetarë të tjerë pos serbëve - e jo të gjendjes në kombin e vet. Për herë të parë ata dalin si një lëvizje kombëtare (ndoshta edhe nacionaliste, këtë nuk do përjashtuar) por tashmë serbiane. Në rrugët e Serbisë, drejt Beogradit - për herë të parë që nga vitet ‘80 të shekullit të kaluar – nuk janë nisur qytetarët për të protestuar kundër popujve të tjerë e të drejtës së tyre për të qenë të lirë, por janë nisur për të kërkuar të drejtat e liritë e veta. Përjashtim, natyrisht, ishte 5 tetori i vitit 2000, në protestat që rrëzuan Milosheviqin, por atëbotë motivi mobilizues ishte vjedhja zgjedhore. Këso here rinia, bujqit, mësuesit e taksistët nuk po mobilizohen me një fitil të shkurtër e të menjëhershëm çfarë është hajnia zgjedhore, as me thirrjen e sirenave të luftërave kundër popujve të tjerë, por me hidhërim të shtresuar vit pas viti të jetës së padinjitetshme nën mungesë demokracie.
4.
Rrjedha e mëtejme e ngjarjeve historike me këto dy lëvizje është e paparagjykueshme si është edhe e paparashikueshme. Lëvizja e Dodikut mund të ketë pasoja të mëdha, fitoi apo dështoi, dhe e njëjta gjë është edhe me studentët. Këtu fare nuk po merrem me pasojat gjeopolitike, pra me faktin se veprimet e Dodikut janë pjesë e drejtpërdrejtë e përcaktimit të presidentit Putin të BeH si zonë të veten të interesit në ndarjen e tanishme dhe të ardhshme eventuale gjeopolitike në bisedimet me presidentin Trump. Apo me faktin se presidenti Vuçiq kërkon ndihmë nga Rusia për të identifikuar lëvizjen e studentëve si pjesë të “revolucioneve të ngjyrosura” që u zhvilluan në shtetet orbitale të Rusisë. Edhe pa këto pasoja gjeopolitike, suksesi apo jo i Dodikut e i lëvizjes së studentëve kanë pasoja të drejtpërdrejta në formësimin e mëtejmë të identitetit të ecejakesh historike të serbëve.
Dhe, siç shkroi Andriqi, rrjedha historike dramatike nën urën e historisë së deritanishme serbe mbase “ nuk do të jetë më kurrë siç ka qenë dikur”.
Serbët në shekullin XXI janë në fillet e të zbuluarit të asaj që shqiptarët bënë në fund të shekullit XX, policentrizmin, faktin se nuk ekziston një qendër që përcakton se çka është interesi kombëtar. Dhe, ky mund të jetë një hap i natyrshëm drejt demokracisë.