OpEd

Mes përzhitjes dhe flladitjes

Sikur të mos na mjaftonte krejt nëpër çka po detyrohemi të kalojmë, na mbyti edhe moti tropikal. E në Prishtinë na mbyti edhe zhurma e padurueshme dhe Rregullorja e pazbatueshme e kontrollit të ndotjes akustike. Njëherë pata shkruar se jemi popull me probleme shumë serioze të dëgjimit. Tash, pas kësaj jave mes përzhitjes dhe flladitjes, na shtohet edhe një problem: ai të kuptuarit se nga jemi nisur dhe ku do të mbërrijmë

Java e shkuar ishte përgjigjja ndaj pyetjes retorike që kisha shtruar një javë më parë: po qe se kishte në botë vend më të komplikuar për të jetuar se Kosova. Nuk e besoj se ka. Dhe nuk e besoj se vetëm brenda një jave mund të ndodhin aq shumë gjëra, saqë na e komplikojnë edhe më.

Kronologjia javore nis me një deklaratë që na la gojëhapur, dhe jo për të mirë, e ministres së Jashtme dhe përfundoi me arrestimin e kryeshefit të Ibër-Lepencit.

E megjithatë, para se të nis me numërimin e ngjarjeve që shënuan javën, megjithatë do ta dalloja një lajm që erdhi nga Koreja e Jugut: Kori “Siparantum”, nën udhëheqjen e një njeriu shumë të talentuar dhe të vyeshëm, Memli Kelmendi, i fitoi dy medalje të arta në garën botërore të koreve, ku morën pjesë madje 380 ansamble korale prej 80 shteteve të botës. Dy medalje që për fat të keq nuk ishin ato që na kthyen në ballinat e mediumeve botërore. Ngjarja që e mbërriti botën qe tjetër. Por për atë më vonë.

Tigri prej letre

Donika Gërvalla, e cila gjatë mandatit të saj si ministre e Jashtme nuk dëshmoi të kishte as aftësi organizative e as ndonjë aktivitet të dukshëm diplomatik, pos shumë kikseve që i dilnin shumë shpesh në postimet e saj në Twitter, mbajti fjalim në Forumin e Dubrovnikut, dhe e quajti BE-në Tigër prej Letre nga aspekti i sigurisë, të cilën ia ofrojnë SHBA-ja dhe NATO-ja. Ekspertët e sigurisë mbase edhe do të mund t’i jepnin të drejtë ndonjë eksperti që ta thoshte këtë, por jo edhe Gërvallës, që e paraqet një shtet të vogël me më pak se 1.8 milionë banorë, që nuk i di madje as ku i ka kufijtë.

NATO-n megjithatë, e bëjnë pjesa më e madhe e shteteve anëtare të BE-së, trupat e të cilave ende i kemi në Kosovë. Të çohet e të flasë për një çështje që, e besoj, megjithatë nuk i takon dikasterit të saj, duket krejtësisht jashtë kontekstit dhe vendit. Por Gërvalla insiston se ka pasur të drejtë kur e kishte thënë atë që e kishte thënë, duke mos ua vënë veshin kritikave të shumta që rrodhën pas Dubrovnikut.

Për mua, pa dyshim, ky ka qenë momenti më i mirë që Gërvalla të dorëhiqej.

Kusari-Lila

Dolën incizimet e një bisede mes shefes së GP të VV-së në Kuvend me shefin e GP të Lista Srpskas, Slavko Simiq, ku u përfshi, nëpërmjet “speakerphoneit”, edhe krimineli Millan Radojiçiq.

Kusari-Lila doli për të thënë se kjo bisedë ishte zhvilluar para shumë muajsh, në përpjekje për sigurimin e votave për t’i kaluar ligjet ku kërkohet shumica e dyfishtë e kualifikuar, pra aty ku ligjet nuk mund të kalojnë pa shumicën e votave të minoriteteve.

Biseda nuk është për lëvdatë dhe u shndërrua në penallti për opozitën. Opozita doli dhe e quajti “Afera Zdravo”, duke e përkthyer aferën e vetë “Pronto” në gjuhën serbe, dhe pjesën më të madhe të kritikës e përqendroi te gjuha serbe e folur nga Kusari-Lila dhe te komunikimi me Radojiçiqin, me ndërmjetësimin e Simiqit.

Mimoza Kusari Lila ka bërë gabim që nuk e ka ndërprerë bisedën menjëherë. Ka bërë gabim që ka rënë në grackën e Simiqit, e gjasat janë që të ketë rënë edhe në gracka të tjera të ngjashme me edhe ndonjë grup tjetër parlamentar. Nuk do të jetë fare çudi që edhe ndonjë incizim i këtij lloji të qarkullojë së shpejti. Është evidente që incizimi nuk është bërë rastësisht dhe edhe më evidente se nuk është shpërndarë rastësisht mu tani.

E për opozitën që përpiqet të ironizojë me fjalën “zdravo”, vetëm duhet kujtuar se serbishten krahas shqipes e kanë shpallur gjuhë zyrtare partitë e tyre më 2006, gjë të cilën e kanë vërtetuar me 2008-n. Në këtë formë vetëm ia dalin të dëshmojnë përçmimin ndaj atyre që sllavishten e kanë gjuhë amtare dhe i kanë kolegë në parlament. Për lidhjet e partive të tashme opozitare me Radojiçiqat dhe të ngjashmit në dekadën e fundit, mund të shkruhet një roman.

Më i fortë se ligji

Mëngjesi i së enjtes nisi me lajmin se ishte arrestuar avokati Besnik Berisha, që pos ushtrimit të zejes së avokatisë, një kohë të gjatë ka ushtruar edhe punën e pronarit dhe drejtorit të firmave të turli lloji, e që me Ligjin për avokatinë nuk lejohet.

Ndër shumë firmat që kryesisht figurojnë pasive në ARBK, Berisha kishte qenë, apo është pronar apo bashkëpronar dhe/apo drejtues i një kompanie të sigurimit fizik, i një spitali të zemrës dhe një portali me burime shumë të afërta brenda policisë, prej nga vijnë një pjesë e madhe e lajmeve të kronikës së zezë.

Para disa muajsh, u arrestuan 15 persona për fajde, e që lidheshin me rastin e Brezovicës. Avokati kishte marrë në mbrojtje një apo dy nga të arrestuarit. Njëri përfundoi në paraburgim, e tjetri në kardiologji, prej nga një a dy ditë më vonë do të dilte për të marrë pjesë në hapjen e Prishtina Mall.

Prej dje, avokati është shtrirë në kardiologji, dhe nuk mori pjesë në seancën dëgjimore për caktimin e paraburgimit. Nuk është larg mendsh të besohet se ndonjëri nga kardiologët të ketë punuar në spitalin e tij dikur – që në procedurë do të duhej të paraqiste konflikt interesi.

Është i dyshuar për tri vepra penale: ushtrimi i ndikimit, duke u marrë para klientëve për t’i liruar nga paraburgimi; dyshohet se ka ndihmuar në shmangien e zbulimit dhe arrestimit të një të akuzuari dhe fare në fund, dyshohet se ka krijuar pengesa për dëshmim, duke i parandaluar njerëzit e caktuar që të japin informata tek autoritetet.

Se si do të zhvillohet tutje procedura nuk dihet, porse Berisha do të mbahet mend deri tash si këshilltari milioner i Isa Mustafës, në kohën kur ky ka qenë kryeministër dhe si njeriu i cili e pengoi zhvillimin e procesit gjyqësor ndaj Shaban Gogjat që vrau punëtorin e tij Agonis Tetaj, për më shumë se një vit.

Dajaku

Para sa vjetësh ia kisha vënë epitetin “Qirkuz” Kuvendit të Kosovës. Prejse është themeluar, ky Kuvend më shumë ka bërë telashe sesa që ka zgjidhur probleme. Prej themelimit ka shërbyer për sigurimin e rrogave të majme për shumë sish që nuk e çelin gojën kurrë dhe shpesh nuk funksionojnë as si makina votimi.

Pardje Qirkuzi u paraqit në imazhin e vet më të shëmtuar: kishim parë gjithçka në kuvend, por rrahje fizike, masive, jo. Dhe ajo që e pamë ditën e enjte qe sa e papritur, aq edhe e pabesueshme dhe e neveritshme.

Sado që Eliza Hoxha, përpiqej të tregonte se si PDK-ja me mjete “demokratike performative” kishte treguar një qëndrim të një grupi opozitar, megjithatë, nuk e përmendi në asnjë çast të vetëm sulmin aspak të butë që Mërgim Lushtaku ia bëri ministres, Albulena Haxhiu, e cila doli për ta ndalur mësymjen e tij ndaj Besnik Bislimit.

Ky i fundit, pasi “u flladit”, siç thotë Hoxha, nga Lushtaku, ia hodhi këtij një shishe plastike. Dhe kjo qe shenja që menjëherë të çoheshin, ndër të tjerë, Hajdar Beqaj dhe Bekim Haxhiu - Kamishi, të cilët nisën të sillnin sa që mundnin nga mundnin.

Ai që i hëngri krejt shuplakat e boksat qe ministri i Financave, Hekuran Murati, që mbeti edhe pa syza, të cilat “çuditërisht” u gjetën në duart e Beqajt. Përderisa Blerta Deliu Kodra përpiqej ta ndalte Beqajn, duke e tërhequr nga setra, njëri deputet i VV-së e shtyu. Disi më në fund u ndanë e shpërndanë dhe pas shumë pauzave dhe bllokimit të foltores për disa orë, më në fund, deputetët e PDK-së u dorëzuan. Duke i lënë shumicës parlamentare hapësirë të mjaftueshme për të kaluar një varg ligjesh, meqë kishin edhe kuorumin dhe shumicën e nevojshme për t’i kaluar.

Kështu kaloi edhe ai i pagës minimale që kësaj radhe nuk e ndërlidh pensionin e veteranëve për rrogën minimale, e cila pati krijuar shumë probleme që në çastin kur ishte kaluar si “zgjidhje”. Problemi më i madh ndodhi kur u ngrit aktakuza për veteranët e rrejshëm nga “Hajni i pulav’” dhe kur dolën në shesh diskutimet brenda komisionit që kishte pranuar statusin edhe fëmijëve edhe njerëzve që “duheshin hyrë në listë” për shkak se i takonin një treve të caktuar gjeografike.

Verifikimi i tyre, që është i domosdoshëm për arsye të drejtësisë dhe të mirënjohjes, sado minimale, për ata që njëmend kanë luftuar dhe njëmend kanë qenë veteranë, nuk ka ndodhur ende. Dhe ajo që është më e pabesueshme në këtë rast është mosveprimi i OVL-së së UÇK-së dhe i veteranëve të njëmendtë, që do të duhej ta dinin se kush është e kush nuk është veteran. E njëri nga ta do të duhej të ishte edhe Rrustem Mustafa – Remi, i cili dje, kur u mor në pyetje në Hagë nga avokati mbrojtës i Thaçit, u përgjigj si vijon:

Avokati Misetiq: A pajtoheni me mua që lufta e UÇK-së ishte më shumë propagandistike sesa operative?

Mustafa: Pajtoj.

Pra, nëse lufta paska qenë më shumë propagandistike sesa operative, si bëhet që 40 mijë e kusur njerëz të marrin statusin e veteranit? E që në fakt ky numër është më i madh, por është zvogëluar për shkak se ligji nuk lejon pensionin për atë që arrin të punësohet.

OVL mund të protestojë dhe ka të drejtë të kërkojë pension të dinjitetshëm për veteranët e vërtetë, por punën kryesore e ka që t’i pastrojë listat nga ata që mashtrojnë e rrejnë. Listat e rreme nuk u bëjnë nder atyre që njëmend kanë luftuar.

* * *

Sikur të mos na mjaftonte krejt nëpër çka po detyrohemi të kalojmë, na mbyti edhe moti tropikal. E në Prishtinë na mbyti edhe zhurma e padurueshme dhe Rregullorja e pazbatueshme për kontrollin e ndotjes akustike. Njëherë pata shkruar se jemi popull me probleme shumë serioze të dëgjimit. Tash, pas kësaj jave mes përzhitjes dhe flladitjes, na shtohet edhe një problem: ai të kuptuarit se nga jemi nisur dhe ku do të mbërrijmë.

[email protected]