OpEd

Menaxhimi katastrofal

Paramendojeni situatën po qe se vetëm dhjetë shtete të Evropës që na kanë njohur po të na i kishin dhuruar, a shitur fundja, nga 50 mijë doza, do t'i kishim 500 mijë doza në dispozicion. Mbase, siç do të thoshte miku im Fehi, Qeveria është dashur ta angazhonte kryesindikalistin e SBASHK-ut, Rrahman Jashari, për këtë punë. Sagllam do të na i kishte siguruar deri tash

Dje u regjistrua numri më i madh i të infektuarve me COVID në 2021: 730 raste krahas 6 vdekjeve. Numri i përgjithshëm i të infektuarve mbërriti në 76.110, kurse i të vdekurve në 1.688 (96 në dy javët e fundit). Dhe për ironi, mu në ditën kur dolën këto shifra, i dëgjonim Avdullah Hotin dhe Armend Zemajn tek i thurnin lavde vetes duke thënë se Kosova kishte bërë menaxhim të shkëlqyer të pandemisë. Për më tepër, dëgjuam se Kosova nuk kishte nevojë për masa të reja, sepse "gjërat ishin të menaxhueshme dhe nën kontroll". Ani që 80 për qind e pacientëve në Klinikën Infektive janë me oksigjenoterapi.

Nga ky takim, dy qenë deklaratat për mbamendje:

“Jemi në muajt e fundit të përmbylljes së kësaj pandemie dhe të vazhdojmë me këtë ritëm. Në dy javët e fundit kemi pasur rritje të numrit të rasteve, por nuk është shumë e lartë kjo rritje, duhet të jemi të mobilizuar me Inspektoratin” - Avdullah Hoti.

Avdullah Hoti thuajse jeton në një planet tjetër, dhe thuajse nuk lexon asnjë gjë që e shkruajnë ekspertët ndërkombëtarë në lidhje me pandeminë. E ata thonë se edhe me vaksinimin e 70% të popullatës brenda periudhës gjashtëmujore, ne do të detyrohemi të jetojmë me virusin edhe kush e di për sa kohë. Se vaksinimi kundër COVID-it mund të shndërrohet në vaksinë të rregullt, sikurse ajo e gripit sezonal. Se mbase edhe për një vit do të duhej t'i përdornim maskat si parandalim i përhapjes së sëmundjes.

Pra, këtë e thonë ekspertët e shteteve që kanë nisur vaksinimin qysh nga fundi i vitit të shkuar dhe që janë duke bërë luftë me kompanitë prodhuese, që në fund do të bëhen shumë të pasura, për të siguruar doza të mjaftueshme që e gjithë popullata të vaksinohet, jo me një, por madje edhe me dy doza.

Eksperti ynë, Hoti, na tregon se jemi në muajt e fundit të përmbylljes, sepse vaksinat do të mbërrijnë. Ani pse vetë e ka pranuar se Qeveria e tij kurrë nuk lidhi marrëveshje për vaksina, dhe se përrallat për 500 mijë e më pas edhe 1 milion dozat kishin qenë rrena të kulluara. Që në fakt kishin qenë edhe vepra që do të mund të kualifikoheshin si penale, për shkak se me mosveprimin e kabinetit i kanë shkaktuar rrezik popullatës.

Njeriu duhet pasur lëkurën shumë të trashë që as të mos zverdhet e as skuqet kur jep deklarata të këtij lloji. Paramendoni kur thotë se nuk janë shumë 730 veta të pranuar zyrtarisht si raste të reja. Sa do të duhej të ishin për t'ia plotësuar kriterin e "shumit"?

* * *

Sikur të mos mjaftonte kjo, erdhi larja e duarve e ministrit të Shëndetësisë: “Derisa nuk jemi pjesë e OBSH-së e OKB-së, ne nuk jemi fajtorë që nuk arrin vaksina te ne” - Armend Zemaj.

Fajtorë jeni, edhe shumë bile. Prodhuesit e vaksinave nuk mërziten po qe se shtetet janë anëtare të OBSH-së dhe OKB-së nëse ato kanë para për të blerë vaksina. Për ta, shteti është klient - pati shkathtësi negociuese dhe pati para, bëhet edhe me vaksina. Kjo e para.

E dyta. Pse ka Kosova ambasada nëpër botë? Po këta përfaqësues diplomatikë a nuk e kontaktojnë bash askënd për ta kryer një punë që është jetike për shtetin të cilin e përfaqësojnë? Apo është se nuk kanë pasur instruksione nga MPJ-ja, e cila ka qenë e zënë me akomodimin e kushërinjve e militantëve dhe me vjedhjen e votave në zgjedhje.

E treta. Për çka kemi Qeveri? Do të isha e shokuar të kuptoja po qe se ky kryeministër nuk e ka kontaktuar asnjërin homolog të shteteve të mëdha për t'ia qarë hallin dhe për të kërkuar bile një kontingjent dozash si ndihmë. Nuk e di nëse i ka kontaktuar, pra nuk po e paragjykoj, porse është thjesht shumë logjike që edhe Evropa do të donte t'i shihte kosovarët tek vaksinohen, për shkak se pa të, ne do të vazhdojmë të jemi bartës të virusit.

Kjo qeveri është fajtore se nuk i ka siguruar vaksinat me kohë. Është fajtore për menaxhimin e keq që ia ka bërë pandemisë - sepse as nuk e ka parandaluar përhapjen e virusit e as nuk i ka shpëtuar bizneset kur nuk i ka shtrënguar masat.

Është fajtore për shkak se që kur e ka kuptuar se është qeveri jolegjitime, duket se ka vendosur që çështjen e vaksinave t'ia lërë atij tjetri që vjen në pushtet.

Paramendojeni situatën po qe se vetëm dhjetë shtete të Evropës që na kanë njohur të na i kishin dhuruar, a shitur fundja, nga 50 mijë doza, do t'i kishim 500 mijë doza në dispozicion. Mbase, siç do të thoshte miku im Fehi, Qeveria është dashur ta angazhonte kryesindikalistin e SBASHK-ut, Rrahman Jashari, për këtë punë. Sagllam do të na i kishte siguruar deri tash.

* * *

Ndërkohë telenovela e numërimit të votave mbaroi dje. Supremja i refuzoi krejt ankesat dhe i vërtetoi vendimet e PZAP-it me të cilat u anuluan rezultatet e jo pak vendvotimeve ku kishte pasur përpjekje për imponimin e kandidatëve minoritarë sipas qejfit të Lista Srpskas. E vërtetoi edhe vendimin me të cilin u rinumëruan votat e kandidatëve të AAK-së, dhe që për rezultat përfundimtar pati eliminimin e Meliza Haradinaj-Stubllës nga lista e deputetëve të zgjedhur.

Sot KQZ-ja do t'i certifikojë rezultatet dhe do të nisë procedura për konstituimin e Kuvendit. Janë 30 ditë që i parasheh Kushtetuta, dhe gjasat janë se do të pritet me çdo kusht që të përfundojë zgjedhja e kryetarit të ri dhe trupave drejtuese të LDK-së dhe që të sigurohet përkrahja për zgjedhjen e Osmanit kryetare të Kosovës, ashtu që të mos duhet të shkojmë sërish në zgjedhje. Sot do të marrim vesh përfundimisht edhe se kush sa deputetë do t'i ketë.

Tashmë sinjali nga amerikanët erdhi nëpërmjet Matthew Palmerit - i cili i porositi partitë politike që t'i zgjedhin institucionet sa më shpejt. Dhe sinqerisht, porosi si kjo nuk është dashur të vinte, për shkak se politikanët tanë e kanë më se të qartë se punët i kemi keq, dhe se zgjedhjet e reja vetëm sa do të na e zgjasin agoninë edhe më, dhe do të mbetemi pa vaksina edhe kush e di sa kohë.

Pra, për konstituimin e Kuvendit, zgjedhjen e kryetares së shtetit dhe zgjedhjen e Qeverisë nuk do të duhej të kalonin më shumë se dy-tri ditë të shumtën. Pra, pas konstituimit, e besoj se do të shkohet drejt zgjedhjes së kryetares para Qeverisë dhe për këtë, atë ditë do të mjaftonte prania e deputetëve të PDK-së që procedura të përfundonte në rundin e tretë. Do të ishte mirë që të gjitha partitë shqiptare të ishin prezentë në sallë atë ditë, madje edhe AAK-ja, për shkak se tashmë e dinë se Haradinaj nuk e ka as gjasën teorike për t'u zgjedhur kryetar shteti.

Pra, atyre iu mbetet në ndërgjegje sigurimi i kuorumit për zgjedhjen e një personi të ri në postin e kryetares së shtetit - pra përfaqësueses së një brezi të ri politikanësh që do ta marrin pushtetin në dorë, pas njëzet vjet fiaskosh politike të partive tradicionale dhe të luftës bashkë.

Përderisa nuk ka asnjë garanci për suksesin e këtij brezi të ri që do ta marrë pushtetin, megjithatë lajmi i mirë për Kosovën është se një diçka ka ndryshuar në skenën politike. Njerëzit që do të udhëheqin nuk janë ata që jemi mësuar t'i shohim qe 20 vjet me rotacion. Pra, përgjegjësi të madhe do të marrin mbi supe, dhe siç tashmë e shkrova në zgafellen e javës së shkuar, do të jenë nën llupën jo vetëm të gazetarëve, por edhe të krejt popullit.

Nesër, nga ana tjetër, do të mbahen zgjedhjet për kryetarin e LDK-së dhe për udhëheqjen e re. Katër janë kandidatët: një nga brezi i vjetër, dy nga brezi i ri, dhe një që nuk ka pasur ndonjë përgjegjësi të madhe partiake në të kaluarën, por i cili është përpjekur të sjellë një notë qetësie e pajtimi brenda.

LDK-ja e dhjetë vjetëve të fundit ka qenë ajo që u ka rezistuar ndryshimit dhe freskimit. U pati shndërruar në një odë burrash ku gratë kishin shumë pak zë e fuqi. Strukturën e kuadrove e mbajti të njëjtën dhe përqendroi pushtetin në grup të vogël njerëzish që kontrollonin edhe partinë, edhe komunat përkatëse që i udhëhiqnin. Ishin strukturë udhëheqëse pa asnjë parim. Gabimin më të madh e bënë me Vjosa Osmanin - herën e parë kur nuk e lejuan të kandidonte për kryetare; të dytën kur e shfrytëzuan popullaritetin e saj për zgjedhjet e 2019-s vetëm sa për formë dhe të tretën e përfundimtaren, kur e përjashtuan nga partia me emaila.

Çmimi për këto dhe ato të tjerat që nuk i numërova do ta paguajnë në këtë legjislaturë, me numrin e vogël deputetësh dhe me shumë pak fuqi për ndikim e ndryshime. Prandaj edhe zgjedhja e kryetarit të ri ka shumë domethënie, në veçanti nëse edhe këtu del fitues brezi i ri, në figurën e Lumir Abdixhikut. Sepse zgjedhja e tij do të mund të thoshte shkëputje nga sistemi i vjetër i funksionimit të partisë dhe reformimi përbrenda.

* * *

Shpresoj se politikanët e rinj kanë mësuar nga përvoja kryesisht e keqe politike që e ka pasur Kosova që nga çlirimi. E po shpresoj se këtë e kemi bërë edhe ne qytetarët, sepse për faj edhe tonin, jemi këtu ku jemi.

Prandaj, ka ardhur koha për ta kthyer faqen.

[email protected]