Është për keqardhje që e kemi shkatërruar sistemin arsimor me lloj-lloj eksperimentesh dhe me punësime e avancime me të njohshëm e me plagjiatura. Për shkak se jo vetëm që kemi prodhuar kuantitet të papërdorshëm, por edhe u kemi dhënë instruksione praktike nxënësve dhe studentëve: se për të arritur çfarëdo në këtë Kosovë, duhet të vjedhësh e të mashtrosh
Më pyetën të shtunën e shkuar, po qe se vizat do të liberalizoheshin javën që e lamë pas. Si “eksperte e çështjes”, u përgjigja se kemi pritur gjithë këto vite dhe nëse na bie të presim ende, nuk do të ishte gjë e re, e as që do të na dhembte më shumë se deri tash.
Kisha pasur të drejtë, për shkak se Samiti i BE-së që u mbajt të enjten solli fjalë miradije për Kosovën (çuditërisht nuk u dëgjua e famshmja “Kosova duhet t’i kryejë detyrat e veta”), që në fakt ishin kamuflazh diplomatik për vendimin që e kishin marrë dhe që duhej bërë publik: që t’u njihej statusi i shtetit kandidat për anëtarësim në BE Ukrainës dhe Moldavisë.
Natyrisht se ky i fundit është vendim politik dhe shigjetat i drejton nga Rusia – duke iu afruar kufijve edhe më shumë, me qëllimin e eliminimit të varësisë që kanë nga gazi e nafta ruse. Porse, megjithatë, pas shumë e shumë vjetësh, vazhdon të lërë shije të hidhur: nëse arsye se përse Kosovës nuk i liberalizoheshin vizat ishin krimi e korrupsioni, atëherë vetë anëtarësimi i Bullgarisë e Rumanisë në të kaluarën, si dhe Ukrainës e Moldavisë tash e rrëzon këtë teori në ujë.
Krimi e korrupsioni kishin lulëzuar në shtetet e ish-bllokut sovjetik menjëherë pas rrënimit të komunizmit në to. Mjafton të lexohet libri i shkëlqyer i Misha Glennyt, “McMafia”, dhe të gjitha do të ishin të qarta. Pra, krimi e korrupsioni dalin të mos kenë qenë arsyet e vërteta. E nëse jo, atëherë pse nuk na tregohet ajo?
Ka shumë njerëz që argumentojnë se arsyeja se përse nuk na lejohet liberalizimi i vizave është se jemi shtet me shumicë myslimane. Unë nuk besoj në këtë teori, sepse po të ishte ashtu, as Shqipërisë nuk do t’i liberalizoheshin vizat e as nuk do t’i jepej statusi i shtetit kandidat. Nga ana tjetër, Evropa është “stërmbushur” me myslimanë të ardhur nga të gjitha pjesët e botës që kishin qenë të pushtuara nga perandoritë e dikurshme evropiane. Pra, arsyeja do të jetë tjetërkund, porse nuk kam mend boll për të ditur se cila është.
* * *
Se gjërat te ne shkojnë me të vjetrën e dëshmuan sërish testet e arritshmërisë dhe të maturës. Me vjedhje industriale, shumëkush që ka treguar rezultat të dobët gjatë gjithë viteve të shkollimit, përnjëherë merr shumë pikë dhe i siguron vetes përparësi për t’u regjistruar qoftë në shkollë të mesme, qoftë në fakultet.
Për që jemi në gjendje ta shikojmë filmin e njëjtë, për çdo vit, qe mbi një dekadë e gjysmë, e të mos ndërmarrim asnjë send për ta ndryshuar situatën nuk ma kishte marrë mendja kurrë. Me vetëdije e shkatërrojmë bërthamën e arsimit dhe bazën potenciale të zhvillimit të shoqërisë duke vazhduar me prodhimin e pandërprerë të analfabetëve klasikë e funksionalë.
Mbase më së miri do të ishte që këto dy provime të hiqeshin fare – ashtu siç kishte qenë para pesëdhjetë vjetësh a sa. Mbase nuk kemi qenë nxënësit më brilantë që ka prodhuar Kosova, porse gjithsesi kemi dalë shumë më të përgatitur se këta brezat tash, për shkak se për të mësuar ne kemi përdorur libra e enciklopedi, e jo wikipedian.
Nuk e besoj se dikush ka bërë ndonjë hulumtim për atë se sa lexohet në Kosovë e as për atë se çka është mësuar prej ndonjë libri, që do t’ua shmangte vëmendjen të rinjve nga “TikToku” apo edhe “Instagrami” me fytyra vajzash të reja mbushura plot silikon.
Po të mbështeteshim në shitjet e realizuara gjatë Panairit të Librit që u mbyll para dy javësh, do të mund të konstatohej se në Kosovë lexohet fare pak. Dhe nëse kësaj ia shtojmë edhe faktin se jo vetëm shkollarët, por edhe të rinjtë e diplomuar në këta 20 vjetët e fundit kanë vështirësi të theksuara për ta shkruar shqipen bile me gabime minimale, më duket se i thashë të gjitha.
Është për keqardhje që e kemi shkatërruar sistemin arsimor me lloj-lloj eksperimentesh dhe me punësime e avancime me të njohshëm e me plagjiatura. Për shkak se jo vetëm që kemi prodhuar kuantitet të papërdorshëm, por edhe u kemi dhënë instruksione praktike nxënësve dhe studentëve: se për të arritur çfarëdo në këtë Kosovë, duhet të vjedhësh e të mashtrosh.
Ka tashmë 15 muaj që kjo Qeveri është në pushtet, porse ende nuk kemi dëgjuar se bile është folur për reformën e arsimit, e edhe nëse është folur, nuk po dihet çka saktësisht po planifikohet të bëhet. Ajo që po shihet është se vit pas viti po na bie numri i nxënësve, për pasojë kushtet për ata që e vijojnë mësimin do të duhej të përmirësoheshin, ngase shpenzimet do të orientoheshin nga ngritja e cilësisë.
Ajo që dihet është se kemi arsimtarë më shumë seç nevojiten në disa vende, mu për shkak të shifrës së fëmijëve, dhe e kemi një Sindikatë që e di se në mesin e vet ka mësimdhënës që nuk do të kualifikoheshin për të dhënë mësim e që refuzon që krejt ata t’i nënshtrohen një testimi. E ky testim është i domosdoshëm, dhe jo vetëm në arsimin fillor e të mesëm. Është vetting, i cili do të duhej të zbatohej edhe në arsim, sepse përndryshe ose do të vendnumërojmë, ose do të fundosemi edhe më.
* * *
E re është se Kuvendi i Kosovës më në fund ia doli ta kalonte, në lexim të dytë, Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Sipas informatave që janë bërë publike, ky ligj është pjesë e reformave që do të ndërmerren në drejtësi dhe parasheh ndryshim përbërjeje në këtë trup kushtetues. Pra, nëse mbështetemi në atë që e thonë ekspertët juridikë, ky ligj është lajm i mirë.
Ajo që nuk është e re, është rezistenca për çfarëdo ndryshimi të situatës aktuale. Dhe bash hiç i befasishëm nuk qe reagimi i KPK-së aktuale, që me një komunikatë thotë se nuk do ta zbatojë ligjin. Pra, njerëzit që duhet ta zbatojnë ligjin vendosin të kërcënojnë me shmangie detyrimi kushtetues, për shkak se janë direkt të prekur nga miratimi i këtij akti juridik. Pra, për ta është shumë më me rëndësi statusi i tyre personal, sesa interesi i përgjithshëm. Fare në fund, argumentimi se me këtë ligj KPK-ja bëhet lehtësisht i ndikuar nga politika (nuk e di nëse qëndron, ngase nuk e kam lexuar ligjin), porse e di se shumica e atyre të ulur aty janë rezultat i ndikimit të politikës deri më tani.
* * *
Zgafellja e kësaj jave nuk do të mund të përfundonte pa u përmendur edhe miratimi i Udhërrëfimit për zbatimin e Marrëveshjes së Energjisë.
Do të kujtojmë se Marrëveshja e energjisë është nënshkruar më 2013-n, kurse “Konkluzionet për zbatimin e Marrëveshjes për Energjinë” janë nënshkruar më 25 gusht 2015.
Marrëveshjet që i ka nënshkruar Mustafa më 2015 nuk kanë qenë marrëveshje të veçanta, por derivat i marrëveshjes “historike” të 2013-s nënshkruar nga Thaçi, e që është ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës me dy të tretat e votave të deputetëve.
Pra, marrëveshja e keqe e 2013-s mbetet në fuqi, për shkak se e ka marrë mbështetjen e Kuvendit dhe quhet marrëveshje ndërkombëtare.
Ajo marrëveshje e keqe parasheh krijimin e operatorit të shpërndarjes atje e kjo tashmë dihet dhe quhet “Elektrosever”, që është degë e Elektro-Ekonomisë së Serbisë (EPS). Kështu, distribucioni i lihet në dorë një kompanie serbe në veri, përderisa kompania turke e mban këtë kontroll në gjithë Kosovën pa katër komunat e veriut. Pra, në vend se t’i mbajmë këto asete për vete, ne ua japim të huajve. Me duart tona.
Por, mbase lajmi më i mirë është se serbët më në fund do ta paguajnë rrymën pas 23 vjetësh dhe se neve do të na hiqet barra e mbulimit të shpenzimeve të tyre. Mbetet çështja: si t’ia bëjmë që të na kthehen paratë që na janë marrë, pa na pyetur, për t’ua paguar rrymën atyre?
Çështja tjetër që mbetet për t’u parë është po qe se KOSTT-i do ta marrë nën kontroll nënstacionin e Vallaçit dhe kështu ta marrë të gjithë transmisionin nën kontroll (falë gjermanëve) përfshirë edhe kontrollin dispeçerik te Ujmani – vend strategjik, përherë i synuar nga Serbia.
Ditët në vijim do të na tregojnë se çfarë do të ndodhë, porse i gjithë ky proces marrëveshjesh, që nisi më 2013-n, kur sovraniteti ynë u bë objekt negociatash me Serbinë, falë injorancës së Thaçit, na ka dërrmuar krejtësisht. E, edhe më shumë po na dërrmon mjegulla në të cilën po zhvillohen këto bisedime tash.
Edhe këtu, me të vjetrën.