OpEd

“Mbrojtja e përhershme”

Kjo çfarë i ka ndodhur ministrit Çeku me këtë vendim e rast, do të duhej të tërhiqte dorëheqjen e tij të menjëhershme. Fakti se dikush, me kaq lehtësi, kaq hapur mund ta shkatërrojë një aset nën mbrojtjen e përhershme të shtetit, është sinjal absolutisht i keq për trashëgiminë kulturore në përgjithësi. Sidomos për shkak të faktit se Kodi Penal e parasheh këtë si vepër penale (neni 336), por që parasheh që kryesi të dënohet ose me gjobë ose me tre vjet burgim maksimum

Rruga që shpinte në majë të kodrës ishte relativisht e ngushtë dhe e shtruar me kalldrëm. Dimrit ishte paksa sfiduese të ngjiteshe, pjerrtësia, grumbullimi i borës dhe akulli ishin të vështira të kaloheshin, në veçanti nëse vetura më e madhe në dispozicion ishte një Fiat 750 (apo “fiqë” siç njihej). 

Para se t’i afroheshe kompleksit, nga e majta qëndronte një objekt që tamam dukej si kazermë, e që prej vitesh kishte shërbyer si internat, kurse nga e djathta, një ndërtesë më e vogël, sikur të rrinte pezull mbi ajër, me një grumbull kabllosh të lidhura në ballore, që ende njihej si “Posta e vjetër”, ani që kishte vite që qe shndërruar në objekt banimi.

Kompleksi e kishte një portë të madhe metalike që shpinte drejt shtegut të pjerrtë, që më pas ndahej në dy shtigje më të gjata: njëra që çonte nga një ndërtesë moderne e kohës, e shëmtuar sa s’dihet, dhe tjetra që shpinte nga një ndërtesë tjetër, të vjetër, me dritare harkore, me fasadë të zhveshur dhe me lagështinë që e kishte kapluar nga të gjitha anët.

Si fëmijë, kisha kureshtjen për të parë se për çfarë shërben një sipërfaqe kaq e madhe me gjelbërim e drunj të vjetër. E të hyje në atë sipërfaqe nuk mundje: që nga koha kur ishte ndërtuar fabrika e vetme e barnave që kishte pasur Kosova e socializmit – ajo hapësirë ishte e rezervuar vetëm për të punësuarit dhe funksionarët politikë që vinin në vizita.

* * *

Farmakosi u themelua më 1963 si fabrikë e përpunimit të bimëve mjekuese, kurse pesë vjet më vonë do të avancohej në prodhues të barnave. Tamam në kohën kur tashmë kisha kujtesë e kureshtje. Dhe atëherë nuk e kuptoja se çfarë kërkonte ajo ndërtesë aty mes shtëpish qindravjeçare, që pos përdheses kishin vetëm edhe një kat dhe që të gjitha kishin çatitë mbuluar me qeramidhe të kuqe. 
Në pranverë e gjithë ajo pjesë gjelbërohej dhe ngado që silleshe do ta ndije aromën e luleve të stinës. Gjithkund pos te Farmakosi.

Me rrënimin e çarshisë së vjetër në Prishtinë do ta kuptoja se shkatërrimi i së vjetrës kishte qenë trend i udhëheqjes politike të kohës – të cilën vetë do ta pranonin se kishte qenë gabim. Përderisa e gjithë bota bën luftë për t’i gjetur nën tokë gjurmët e civilizimeve të mëhershme, te ne mbi tokë, shkatërrohej një trashëgimi, e imponuar pa dyshim, e cila megjithatë paraqiste historinë e qytezave dhe qyteteve të Kosovës.

Me suprimimin e autonomisë, “Farmakosi” e përjetoi fatin e të gjitha ndërmarrjeve të Kosovës: u fut në masa të dhunshme. Punëtorët u pushuan nga puna, dhe firma u fut nën ombrellën e ndonjërës fabrikë të barnave në Serbi. Natyrisht, edhe mbishkrimi iu vendos në cirilikë.

Pas luftës, më 2003, “Farmakosi” u shit në dy “lote” – fabrika dhe një hektar tokë si aset më vete, për 2.3 milionë euro, dhe, nga ana tjetër, “shtëpia austriake”, përkatësisht “saraji i pashës”, përkatësisht monumenti kulturor-historik, si dhe një hektar tokë, për 310 mijë euro, dy firmave të ndryshme. 
Pronësia këtu u kontestua me vite, dhe një vendim i Odës së Veçantë së Gjykatës Supreme, i rivendosi në shitje dhjetë vjet më vonë, gjatë së cilës dekadë u miratua edhe ligji për mbrojtjen e zonës historike të Prizrenit. E sipas këtij ligji, sipas organizatës “Ec më Ndryshe”, Saraji/Farmakosi/Shtëpia austriake gjenden në Zonën e Dytë të Mbrojtjes, sipas Planit të përgjithshëm të Prizrenit, ku lartësia e lejuar për këtë zonë është P+2. Pra, përdhesja dhe dy kate – mundësisht të mos prishet peizazhi i shtëpive tashmë ekzistuese aty.

* * *

Më 2019, shtatë vjet pas miratimit të ligjit për mbrojtjen e zonës historike, investitori kishte kërkuar leje ndërtimi për objekt shumëkatësh në atë kodër. Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren e kishte refuzuar kërkesën për ndërtimin e këtij objekti, sepse parcelat ishin në zonën e dytë të mbrojtjes; për shkak se shtëpitë në atë zonë janë tradicionale me etazhitet të ulët dhe për shkak se ndërtimi i një objekti kolektiv me etazhitet katër a pesëkatësh “do të ndikonte negativisht në strukturën urbane të lagjes dhe do të degradonte vlerat ambientale të kësaj zone”. Drejtoria e Kadastrës në Prizren vendosi sipas vendimit të QRTK-së dhe nuk e lëshoi lejen e ndërtimit. 

POOOR....

Por u gjet dikush në MMPHI, në kohën kur ministër kishte qenë Fatmir Matoshi (atëherë i AKR-së, tash i NISMËS) që e prishi vendimin dhe e detyroi Drejtorinë e Kadastrës dhe Urbanizmit në Prizren që ta lëshojë lejen e ndërtimit. Leja u lëshua. 

Dhe? 

Dhe ndërtesën e vjetër e kaploi zjarri më 2020. Përfundimisht as e para as e fundit ndërtesë e vjetër që digjet. Nuk dihet nëse hetimet kanë konstatuar shkaktarin e zjarrit dhe të shkatërrimit të objektit të vjetër.

Në fillim të këtij viti, kompleksi i Sarajit (pra përfshirë edhe Farmakosin edhe gërmadhat e shtëpisë austriake) mori statusin e monumentit në mbrojtje të përhershme të shtetit. Kjo do të thotë se shteti merr gjithë përgjegjësinë për ruajtjen e objekteve, eventualisht edhe të rikonstruktimit të tyre, pavarësisht pronësisë.

* * *

Më 27 maj, Prizreni agoi me zhurmë ekskavatorësh. Po rrënoheshin muret e objektit të shëmtuar të ndërtuar para më shumë se gjashtëdhjetë vjetësh, për shkak se investitori kishte marrë lejen nga Drejtoria e Kadastrës dhe Urbanizmit në Prizren që të ndërtonte shumëkatëshen e synuar.

Në dokumentacionin që kishte parashtruar, investitori kishte cekur se parcelat e tij ishin jashtë zonës historike. Komuna i është drejtuar QKRT-së, kurse kjo ia kishte nisur lëndën Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve. Sipas Komunës, IKMM-ja nuk ka kthyer asnjë përgjigje dhe pasi është konsumuar afati ligjor administrativ, komuna ka vazhduar tutje me lëshimin e lejes ndërtimore. Ani që objekti tashmë ishte shpallur nën mbrojtjen e përhershme të shtetit dhe që ndërhyrja në të paraqet vepër penale.
Pra, sipas këtij përshkrimi del se Instituti nuk është marrë fare me këtë punë. Dhe nëse kjo është kështu, dikush duhet dhënë përgjegjësi.

Nga ana tjetër, Komuna e Prizrenit ka lëshuar leje ndërtimi një muaj pasi që objekti është vendosur nën mbrojtjen e përhershme të shtetit. Dikush duhet dhënë përgjegjësi këtu.

QKRT-ja kishte alarmuar Inspektoratin për Trashëgimi Kulturore për rrënimin që po ndodhte. Inspektorati kishte urdhëruar ndalimin e rrënimit. Ndërtesa u rrënua thuajse e tëra më 31 maj 2024. Dikush duhet dhënë përgjegjësi këtu.

Kompleksi i Sarajit gjendet thuajse në qendër të qytetit dhe është e pamundur të mos shihet se çfarë ndodh andej, sidomos kur ngrihet pluhuri masiv nga rrënimi. 

Është e pamundur që askush të mos e ketë parë se çfarë po ndodhte aty. 

Është thuajse e pamundur që askush të mos e ketë informuar ministrin, i cili vetë e kishte shpallur këtë objekt nën mbrojtje të përhershme dhe që rastis të jetë vetë nga Prizreni, për këtë që po ndodhte. 

Është e pabesueshme që ministrit iu deshën pesë ditë të deklarohej për objektin e rrënuar. Është e pabesueshme që dikush bile të mos e ketë thirrur policinë për t’i ndërprerë punimet të cilat i kanë parametrat e një vepre penale.

Kjo çfarë i ka ndodhur ministrit Çeku me këtë vendim e rast, do të duhej të tërhiqte dorëheqjen e tij të menjëhershme. Fakti se dikush, me kaq lehtësi, kaq hapur mund ta shkatërrojë një aset nën mbrojtjen e përhershme të shtetit, është sinjal absolutisht i keq për trashëgiminë kulturore në përgjithësi. Sidomos për shkak të faktit se Kodi Penal e parasheh këtë si vepër penale (neni 336), por që parasheh që kryesi të dënohet ose me gjobë ose me tri vjet burgim maksimum. 

Ka shumëçka të turbullt në gjithë këtë rrëfimin e Sarajit. Dhe është pikëlluese të shihet se si do të vazhdojë të degradojë pjesa më e bukur e Prizrenit që dikur kishte pasur vreshta e bahçe të bukura.
Tash mund ta ketë një shumëkatëshe, një përbindësh në maje të kodrës.

* * *

E rrënojmë të vjetrën, e ndërtojmë të renë. 

Vetë e shlyejmë historinë, për ta shkruar një tjetër, mundësisht të zbukuruar.

[email protected]