Ruajtja e natyrës në Raportin e Progresit vlerësohet “pa progres”. Dhe me këtë pajtohet secili qytetar që e sheh degradimin galopant të natyrës: prerjet dhe djegiet e pyjeve, gurëthyesit në çdo cep, ndotjen enorme, gërryerjen e shtratit të lumenjve, vrasjen e shtazëve të rrezikuara, mbledhjen e pakontrolluar të bimëve mjekësore etj. Ndërtimet e pakontrolluara në zonat e mbrojtura e parqe kombëtare vazhdojnë me ritme alarmante
Raporti i Progresit është një dokument vjetor, i cili e mat përparimin e vendeve kandidate drejt anëtarësimit, më konkretisht plotësimit të Acquis Communitaire. Edhe pse përgatitet e publikohet nga Komisioni Evropian, raporti furnizohet me të dhëna nga agjencitë qeveritare, institucionet e qeverisjes qendrore dhe lokale, shoqëria civile dhe partnerët ndërkombëtarë për mbi 30 kapitujt mbi procesin e integrimit dhe plotësimit të standardeve evropiane. Raporti i sivjetmë fushën e mjedisit dhe ndryshimeve klimatike e vlerëson si “progres i kufizuar-limited progress”. Përndryshe, i njëjti vlerësim e përcjell sektorin e mjedisit dhe ndryshimeve klimatike prej Raportit të Progresit 2019, kur herën e fundit është shënuar progres i vogël (some progress).
Legjislacioni horizontal mbetet horizontalisht para degradimit mjedisor
Me përparim të kufizuar është vlerësuar legjislacioni horizontal, dispozitat e të cilit i rregullojnë procedurat e lejedhënieve dhe të drejtat mjedisore të qytetarëve. Dhënia e lejeve mjedisore ende mbetet një hallkë e çuditshme, e cila në vend se ta mbrojë mjedisin dhe ta parandalojë degradimin, po e bën të kundërtën. Mjedisi i Kosovës në shumicën e rasteve është shkatërruar me “lejet mjedisore”. Pezullimi i lejeve mjedisore për projektin e shumëkritikuar të Cimentores në Klinë konfirmoi dy gjëra: së pari se si lëshohen pëlqimet mjedisore, dhe së dyti se pjesëmarrja e publikut në vendimmarrje për problemet mjedisore, në fakt është një formalitet sa për një “tick the box”. Ky rast tregoi se përfshirja e publikut në vendimmarrje, edhe pse e garantuar me Kushtetutë dhe me të gjitha ligjet e mjedisit vuan nga mungesa e transparencës deri te tendencat korruptive. Qytetarët e Klinës shënuan edhe një storie suksesi në historinë e aktivizmit qytetar. Ata treguan se kur shkelen të drejtat kushtetuese, reagimi qytetar serioz e me kauzë të qartë, si dhe të bazuar në informacion dhe shkencë, mund të zhbëjë vendime qeveritare që mund të duken të pakthyeshme. Ky rast, pas atij të “vilave të Badovcit” të anuluar më herët, duhet të jenë mësim për të gjithë aktorët mjedisorë. Shkarkimet dhe ndërrimet e komisioneve profesionale të Ministrisë së Mjedisit që lëshojnë leje mjedisore, nuk mund ta rikuperojnë dëmin e bërë nga efektet e dëmshme në mjedis. Rasti me lejedhëniet në skandalin e Brezovicës e tregon pikërisht këtë.
Të diplomuar plot, e staf nuk ka
Raporti, por jo vetëm ky i fundit, kërkon shtimin e kapaciteteve njerëzore për ndryshimet klimatike. Se sa seriozisht është marrë ky rekomandim permanent i raporteve, tregon fakti që barra e sfidës më të madhe për njerëzimin sot, në Kosovë bie te një (1) zyrtar i vetëm. Ndryshimet klimatike luftohen e përballohen me legjislacion, i cili ende nuk është miratuar tërësisht dhe me politika konkrete ekonomike, si p.sh., taksa e karbonit. Dhjetëra strategji e plane veprimi për mjedisin nuk zbatohen në terren, për shkak të mungesës kronike të buxhetit, si dhe mbështetjes komplet në komunitetin e donatorëve për financimin e tyre. Është imediate ngritja e kapaciteteve të autoriteteve mjedisore në nivel qendror dhe lokal, të zbatohen reforma strukturale, dhe më kryesorja, të forcohet bashkëpunimi ndërinstitucional. Edhe pse Ligji për inspektoratin mjedisor ka vite që është miratuar, kapacitetet njerëzore të Inspektoratit mbesin shumë të kufizuara. Në fakt, këto kapacitete jo që janë të kufizuara, por duken pothuajse inekzistente, pasi gjendja në terren është sikur të mos kishte inspektorë mjedisorë, as në nivelin qendror, e as në atë lokal. Madje as mediat nuk kanë raportuar për ndonjë aksion të inspektoratit mjedisor, pavarësisht degradimeve me pasoja shpesh të pakthyeshme në zonat e mbrojtura natyrore dhe mjedisin në përgjithësi. Edhe pas dy dekadash thirrjesh dhe insistimi të komunitetit ambientalist kosovar, assesi të bëhet një hap konkret për themelimin e Ekofondit. U themeluan lloj-lloj fondesh qeveritare viteve të fundit, por jo edhe një instrument ekonomik ku do të mblidheshin mjetet financiare për t`i mbështetur investimet në mjedis. Taksa ekologjike që japim për çdo veturë të regjistruar, të destinuar për dëmin e mjedisit nga transporti, “avullohen” në buxhetin e përgjithshëm.
Natyra në shënjestër të abuzimit
Ruajtja e natyrës nga Raporti vlerësohet “pa progres”. Dhe me këtë pajtohet secili qytetar që e sheh degradimin galopant të natyrës: prerjet dhe djegiet e pyjeve, gurëthyesit në çdo cep, ndotjen enorme, gërryerjen e shtratit të lumenjve, vrasjen e shtazëve të rrezikuara, mbledhjen e pakontrolluar të bimëve mjekësore etj. Ndërtimet e pakontrolluara në zonat e mbrojtura e parqe kombëtare vazhdojnë me ritme alarmante. Nuk po i quaj “ndërtime pa leje”, sepse rasti “Brezovica” dëshmoi se në Kosovë ekziston edhe kategoria e “lejeve” të kundërligjshme. Kjo ndodh kur leja mjedisore është dhënë nga institucionet, por në kundërshtim me secilin ligj, si dhe duke i shkelur planet hapësinore e menaxhuese të parkut kombëtar. Lejet e tilla zonën më rekreative të parkut kombëtar “Sharri” e kanë kthyer në një “xhungël” neveritëse urbane. Nuk është aspak më e mirë gjendja as në parkun kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, ku plani hapësinor u vonua për një dekadë, që të kryhen ndërtimet pa leje në çdo cep. Në të dy parqet kombëtare, me apo pa leje, janë duke u shkelur dy qëllimet kryesore të shpalljes nën mbrojtje ligjore: ruajtja e ekosistemeve dhe rekreacioni.
Ajri dhe uji jocilësor
Cilësia e ajrit mbetet e pandryshuar nga ajo e viteve të fundit. Monitorimi i parametrave ndotës nga AMMK-ja, i realizuar me teknologji nga donacionet e qeverisë japoneze, amerikane e gjermane, si dhe raportimi nëpër web-faqe dhe ekranet e shesheve të Prishtinës me ato ikonat simpatike, nuk e kanë përmirësuar cilësinë e ajrit. Nuk ka zhvillime për kontrollin e cilësisë së derivateve, nuk ka filtra shtesë në tymtarët e KEK-ut, gjelbërimi është minimal nëpër zonat e dendura urbane, vazhdon shitja e qymyrit për ngrohje. “Vrasësi i heshtur” po ka pasojë në shëndetin publik. Sipas Raportit të fundit për cilësinë e ajrit në Evropë, ndotjes së ajrit i atribuohen rreth 4,000 vdekje të parakohshme nga rreth gjysmë milioni në total në Evropë. Ujërat e Kosovës vazhdojnë të ballafaqohen me probleme si në sasi ashtu edhe në cilësi. Këto probleme nuk po i zgjidhin as strategjitë ujore, e as planet e panumërta menaxhuese ujore. Kur jemi te sasia, një vend që gjendet në hartën e shteteve me stres të moderuar ujor (mungesë e ujit në muajt e verës) si Kosova, ballafaqohet me vërshime tashmë edhe vdekjeprurëse përveç dëmeve ekonomike të përvitshme. Vërshimet që ndodhën në Pejë, që fatkeqësisht morën jetën e një nëne me fëmijën e saj, treguan sa fragjile është infrastruktura jonë për t`i përballuar edhe reshjet pak më sporadike. Mungesa e trajtimit të ujërave të zeza bën që si ujërat sipërfaqësore ashtu edhe ato nëntokësore të Kosovës të jenë atakuara nga kontaminimi permanent fizik, kimik dhe biologjik. Këtij kontaminimi i shtohet edhe shkarkimi i ujërave industriale të patrajtuara nga ato pak industri ekzistuese. Hapat në investimet për impiantet e ujërave të zeza japin shpresë për përmirësim, por pas disa vitesh.
Problemi i mbeturinave dhe një qese plastike
I vetmi sektor me një progres të vogël është vlerësuar menaxhimi i mbeturinave që mbështetet në eliminimin e numrit të vendgrumbullimeve ilegale të mbeturinave dhe në miratimin e ligjit të ri të mbeturinave që konsiderohet në pajtim me Direktivën Kornizë të Mbeturinave të BE-së. Ky raport nuk e ka përfshirë edhe vendimin për qeset e plastikës që u bënë me pagesë, e për të cilin vendim po bëhet aq shumë marketing qeveritar, sa ta merr mendja se i zgjidhi të gjitha problemet e mjedisit. Edhe pse hap pozitiv, e i mirëpritur nga vetë qytetarët, qeset janë vetëm njëra nga rrjedhat e mbeturinave plastike, e që ndotin mjedisin tonë në afat të gjatë pas një shërbimi afatshkurtër. Nëse i krahasojmë qeset me produktet e tjera plastike që përdorim në jetën e përditshme si: shishet, gotat, paketimet etj., atëherë shihet se sa i ekzagjeruar madje edhe qesharak duket i gjithë ky pompozitet. Nga aspekti social, ky vendim krijon një “ngurrim” të qytetarëve për t`i blerë qeset plastike njëpërdorimshe, por prapë nuk i ndalon plotësisht ato. Në aspektin ekonomik dhe social të zhvillimit të qëndrueshëm, ky vendim barrën financiare të qeses e transferon nga prodhuesi (marketi) te konsumatori. Në fakt, qeset e plastikës asnjëherë nuk kanë qenë pa pagesë, por deri tani ato i ka paguar prodhuesi (marketi). Prej tani marketit-prodhuesit qeset ia paguan konsumatori. Shtrohet pyetja: çka paguan prodhuesi-biznesi në këtë rast si ndotësi i madh? Pse edhe pas dy ligjeve të ndryshuara të mbeturinave dhe një plotësim-ndryshimi, përmendet, por nuk adresohet askund parimi i përgjegjësisë së prodhuesit për asnjë produkt që kthehet në mbeturinë? Vendimi për qeset plastike njëpërdorimshe zbaton parimin “ndotësi paguan”. Por në këtë rast po e bën ndotës vetëm konsumatorin e jo edhe prodhuesin-biznesin, i cili përfiton financiarisht pa paguar asgjë për ndotjen. Të paktën do të ishte një kontribut direkt në mbrojtjen e mjedisit që këto 5 centë, si edhe 10 eurot nga veturat të derdheshin në Ekofond.
(Autori është ligjërues i Edukimit mjedisor dhe zhvillimit të qëndrueshëm në Universitetin e Prishtinës)