OpEd

Mbi shtetin e së drejtës

Të ndërtosh “shtet të së drejtës” do të thotë që së pari të respektosh ligjet. Këto ligje së pari duhet të respektohen nga institucionet e shtetit dhe pastaj nga qytetarët e atij shteti, pastaj të kesh institucione funksionale dhe demokratike, të kesh barazi të të gjithë qytetarëve para ligjit, të mos kesh diskriminim, të kesh depolitizim të shërbimeve publike, të kesh gjyqësi të pavarur etj. Krejt këto parashihen në Kushtetutën që është në fuqi. Atëherë, çka mungon? Mungon edukimi formal dhe ai familjar. Ndërsa shteti duhet të krijojë mekanizma për të jetësuar dhe praktikuar këtë edukim

Juristi Hans Kelsen shtetin e së drejtës e ka ripërkufizuar në fillim të shekullit XX si një “shtet në të cilin normat juridike janë të hierarkizuara në mënyrë që fuqia e tij të jetë e kufizuar”. Kërkesa për shtet të së drejtës duhet të jetë e kujdesshme, sidomos në rrethanat kosovare. Para se ta kufizojmë shtetin me norma juridike, duhet pyetur a e kuptojmë saktë shtetin?

“Ndërtimi i një shteti të së drejtës është produkt i angazhimit qytetar. Ai nuk përfaqëson vetëm një kontribut të institucioneve shtetërore, por edhe një kontribut të të gjithë aktorëve në vend, duke përfshirë individët, shoqërinë civile, profesionistët e deri tek universitetet e Akademia e Shkencave”.

Së pari duhet të qartësohet për opinionin e gjerë se shteti i së drejtës është karakteristika kryesore e regjimit demokratik. Në rrethanat e shoqërisë kosovare, kur ende jemi në formësimin e ndërtimit të institucioneve shtetërore dhe në hapat e parë të krijimit të kulturës institucionale dhe kushtetuese, duhet pasur kujdes se sa e forcojmë “shtetin e së drejtës” si karakteristikë të regjimit demokratik. E ritheksoj se, duhet pasur kujdes se, sa forcohet “shteti i së drejtës”, për arsye se, “shteti i së drejtës” mund të forcohet dhe të kërkohet të forcohet maksimalisht, por nëse nuk kemi avancim të vetëdijes shoqërore, atëherë “shteti i së drejtës” vepron i pakufizuar. Pra, paralelisht, ose së paku të kemi rritje të vetëdijes shoqërore, pastaj të kemi kërkesën për shtet të së drejtës. Argument: jemi dëshmitar të përshkallëzimit të protestave (edhe të protestave improvizuese), ndërsa kur po vepron policia, ne po ankohemi, sepse nuk e kemi kuptuar saktë se çka është “shteti i së drejtës”. Ne jemi dakorduar të kemi policinë e fortë, por nuk kemi kërkuar të kemi vetëdije shoqërore të ngritur (edukim formal dhe edukim familjar).

Sipas logjikës ballkanase të kuptimit të demokracisë, “shteti i së drejtës” kuptohet si utopi, ku synohet idealja. Kjo buron nga kërkesa e popullit – shoqërisë, sepse institucionet shtetërore i sheh si pushtet, i cili kuptim ka konotacion negativ, dhe bëhet mbi bazën e paragjykimeve, ndërsa do të duhej kuptuar si karakteristikë ku shprehet vullneti qytetar, i cili mbrohet nga institucionet shtetërore. Në këtë aspekt, duke e ndërlidhur edhe me kulturën institucionale dhe kushtetuese, por dhe ngritjen e vetëdijes shoqërore për shtetformim, del se baza është te edukimi. Përveç edukimit në shkollë (formal), është shumë i rëndësishëm edhe edukimi familjar. Pse e theksoj edukimin familjar? Shumë e thjeshtë, shumica nga ne pjesëtarët e shoqërisë jemi dëshmitarë të shumë bisedave, për këto arsye, si: “a ishit në protestë sot?”, “po valla, ama, e dim që nuk ka sen prej saj”. Ky që ishte në protestë për “shtet të së drejtës”, e pyet tjetrin: “a e ki dikon që e njeh shoferin e kryetarit se, ajo reja e dytë (gruaja e djalit të dytë) e ka nesër intervistën për mësuese?”. Ai tjetri: “a mos e din dikon që ka lidhje në fakultet se, tash djali e kalon testin e maturës dhe gjithqysh duhet mu regjistru dikund?”. Ky tjetri: “më kanë thirrë nesër në komunë, s’e di hiç qysh me ja ba”, ky që e dëgjon: “a po a?, ka n’sa ki me shku?”. Hajt se në atë kohë dal andej dhe ju shkoj atyne lart se m’i kanë do borxhe?”.

Pra, këto janë diskutimet tona, të shoqërisë sonë që dalin nga celula e saj, familja. Ne, secili çdo ditë i dëgjojmë. Madje nga gjeneratat më të vjetra e kemi edhe një porosi interesante, ku theksohet se, “ata që rrinë në hyqmet janë njëjtë si ai tregimi se, kush rrinë nën dardha hanë dardha”. Porosia tjetër nga familja është: “biro shikoi punët tua, mos u merr me punë të hyqmetit/shtetit”.

Po aq i rëndësishëm është edhe edukimi juridik (ligjor) dhe politik. Kushtetuta është një akt sa politik, aq edhe juridik, që pashmangshmërisht reflekton jetën ekonomiko – socio-politike në vend. Sa është punuar në këtë aspekt? Fare pak. Madje, më 9 prill të secilit vit është ditë pushimi, pikërisht sepse është Dita e Kushtetutës. Atë ditë ne e shfrytëzojmë si ditë për të lidhur fundjavën dhe për të ikur pak kilometra nga ky vend – shtet. Madje, ka edhe shumë që fare s’e dinë se pse është ditë pushimi? Ndërsa shumë gëzohen duke thënë: “Ishalla i bjen e shtune ose e diele dhe pushojmë të hënën”.

Kur e themi se Kushtetuta pashmangshmërisht reflekton jetën ekonomiko – socio – politike në vend, atëherë duhet bërë pyetjen se Kushtetuta aktuale në fuqi a i ka këto refleksione? Përgjigjja parimore është jo, sepse Kushtetuta e Kosovës ka vendosur disa standarde që shoqëria kosovare duhet t’i arrijë, pra kjo Kushtetutë përveç formalizimit institucional shtetëror që i ka bërë shoqërisë kosovare, tani e ka fazën më të rëndësishme, atë të transformimit, nga një shoqëri konservative – patriarkale në një shoqëri të hapur dhe liberale (lexo Kushtetutën e Republikës së Kosovës, 2008, nenin 7 dhe 24). Ky proces nuk është i lehtë. Kjo nuk bëhet për dhjetë vjet. Kjo kërkon shumë më shumë kohë. Të kemi parasysh, Shqipërisë deri tani i janë dashur 28 vjet, me gjasë do t'i duhen edhe disa vite të tjera.

Celula kryesore e organizmit politik të shoqërisë janë partitë politike, edhe të organizmit të shoqërisë kosovare janë po ashtu partitë politike, ku ato kanë edhe një specifikë, sepse shumica e tyre janë më të vjetra se shteti, pra, mund të thotë dikush se ato janë vetë shteti. Mënyra se si po e bëjnë organizmin e jetës politike këto parti politike a është e dëshirueshme? Gjuha politike që përdorin a është e dëshirueshme? Profilizimi i tyre politik a është i saktë? Vështirë të kemi përgjigje të sakta për këto pyetje.

Kosova si ish-element konstituiv i Federatës jugosllave ka një histori konstitucionale dhe institucionale. Me shpërbërjen e kësaj federate, Kosova në mënyrë kundërkushtetuese dhe në kundërshtim me rregullat e demokracisë dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare është okupuar nga Serbia. Edhe atëherë ka pasur elemente karakteristike të ”shtetit të së drejtës – ligjor”. Së paku ne që merremi me studime të kësaj fushe pajtohemi. Madje ka pasur elemente shumë të forta të ”shtetit të së drejtës – ligjor”, por vetëdija shoqërore nuk ishte në nivelin e duhur. Por kjo përvojë dhe histori institucionale dhe kushtetuese e Kosovës është me shumë e shumë të panjohura. Duhet patjetër që herdo kur t’i sqarojmë dhe njohim këto të panjohura.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, më 10 qershor 1999, Këshilli i Sigurimit i OKB-ës miratoi Rezolutën 1244/99, me të cilën Kosova vendoset nën administrimin ndërkombëtar dhe fillon procesin e lirisë dhe organizmit shoqëror me standarde të tjera, nga çfarë ishte e mësuar. A kemi mësuar mjaftueshëm nga periudha e administrimit ndërkombëtar, 12 qershor 1999 – 17 shkurt 2008? Vështirë të kemi përgjigje të saktë. Një, çka na ka mbetur në kujtesë nga intelektualët dhe bartësit e Institucioneve të Përkohshme të Vetëqeverisjes nga kjo periudhë është: ”ata (UNMIK-u) kishin pasë mendu që na jemi Afrikë, nuk dimi kurgja...”. Ama, ne nuk iu kemi tregu saktë atyre se ne shkollë kemi vetëm prej 1970-s. Po në atë kohë, fundi i viteve ’60, në shumicën e familjeve të shoqërisë sonë ka filluar procesi i ndërtimit të kushteve të banimit, ku si pasojë ka pasur ndarjen nga kafshët shtëpiake, ku me kafshët nuk kanë bashkëjetuar më në bashkësinë familjare patriarkale.

Pas vënies së Kosovës nën administrimin ndërkombëtar, në Kosovë ishte instaluar një formë eksperimentale e qeverisjes, apo formë sui–generis e qeverisjes, ku fillojnë të funksionojnë dy lloje të institucioneve; institucionet vendore të përkohshme dhe institucionet ndërkombëtare, që në periudha të ndryshme gradualisht kanë bërë bartjen e kompetencave te institucionet vendore. Kjo konsiston në atë se në këtë periudhë ka qenë shumë vështirë që institucionet e Kosovës të përballeshin me sfidat e ndërtimit të shtetit të së drejtës dhe e njëjta gjë prapë po e përcjell dhe do ta përcjellë Kosovën edhe tash pas shpalljes së Pavarësisë.

Kosova është duke u qeverisur, ashtu siç na pëlqen neve ta themi “sipas sistemit parlamentar të qeverisjes” (demokracia përfaqësuese). Ku, saktësisht dhe praktikisht nuk del se është ashtu, madje as nuk thuhet në Kushtetutë (lexo Kushtetutën e Republikës së Kosovës, 2008, neni 4). Por edhe te sistemi i qeverisjes jemi specifik, ku nga tri sistemet e njohura: parlamentar, gjysmëpresidencial dhe presidencial, nga tri sistemet kemi elemente nga pak dhe e kemi këtë sistem që e kemi, i cili në praktikë është krejt tjetër nga ai që është i shkruar në Kushtetutë. Edhe ky është pra atribut i shtetit të së drejtës. Argument për këtë është, sa herë që vjen koha e formimit të institucioneve pas rezultatit të zgjedhjeve, ku shumë ka rëndësi individi nga partia politike se kush po shkon në postin e caktuar shtetëror, se a është funksional ai individ. Si rrjedhojë e kësaj del se shumë ka rëndësi se kush e ushtron funksionin, p.sh., e të qenit president, kryeministër, kryetar i Kuvendit, deputet, ministër, kryetar komune etj., dhe në atë mënyrë praktikisht përcaktohet sistemi i qeverisjes.

Sikurse të gjitha shtetet e tjera demokratike që janë të ndërtuara sipas parimit të “shtetit të së drejtës”, edhe Republika e Kosovës duhet të ndjekë këtë rrugë, ku tashmë e dimë se është edhe si kusht kryesor për integrim në institucionet me karakter ndërkombëtar, sidomos në BE. Por natyrisht me komponentin shtesë, atë të ngritjes së vetëdijes shoqërore, ku përfshin kulturën institucionale dhe atë kushtetuese.

Të ndërtosh “shtet të së drejtës” do të thotë që së pari të respektosh ligjet. Këto ligje së pari duhet të respektohen nga institucionet e shtetit dhe pastaj nga qytetarët e atij shteti, pastaj të kesh institucione funksionale dhe demokratike, të kesh barazi të të gjithë qytetarëve para ligjit, të mos kesh diskriminim, të kesh depolitizim të shërbimeve publike, të kesh gjyqësi të pavarur etj. Krejt këto parashihen në Kushtetutën që është në fuqi. Atëherë, çka mungon? Mungon edukimi formal dhe ai familjar. Ndërsa shteti duhet të krijojë mekanizma për të jetësuar dhe praktikuar këtë edukim.

Kosova është duke u përballur me shumë sfida si, p.sh. kalimi me sukses nëpër fazën e transicionit, nxjerrjen e legjislacionit të ri, plotësimin e standardeve të përcaktuara nga bashkësia ndërkombëtare, konkretisht BE-ja etj., por detyrë kryesore e institucioneve të Kosovës, në veçanti e Qeverisë, duhet të jetë hartimi i “planeve strategjike” për ndërtimin e “shtetit të së drejtës”. Duke pasur parasysh se “e drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit”, në Kosovë ndërtimi i shtetit të së drejtës në këtë drejtim është paksa i vështirë, sepse ”e drejta në Kosovë” në bazë të së cilës duhet të ndërtohet edhe shteti i së drejtës është diskutim se a është duke shkuar në kahun e duhur.

Prandaj ta kuptojmë saktë shtetin e së drejtës, të jemi të vetëdijshëm kur paraqesim kërkesën të kemi shtet të së drejtës, të dëshmojmë se jemi afër elementeve të shtetit të së drejtës në procese të rëndësishme shoqërore dhe shtetërore, siç është rasti p.sh. statusi i veteranit të luftës çlirimtare; i punëtorit të arsimit në kohë okupimi (1990 – 99), e shumë procese të tjera që paraqesin praktikisht dukjen e shtetit të së drejtës.

Të mos eksperimentojmë dhe krijojmë iluzione se ne me demokraci kuptojmë “diçka që është shumë mirë”. Demokracia është regjim politik që ka rregulla – norma juridike, që vlejnë për qytetarët dhe shtetin dhe kufizimin e tyre, ku në jetën praktike i realizon dhe i zbaton “shteti i së drejtës”, ndërsa duhet t’i pranojë shoqëria me vetëdije të ngritur që ka edukim formal dhe familjar.

(Autori është doktor i shkencave juridike nga fusha e së drejtës kushtetuese dhe administrative. Është mësimdhënës në Fakultetin Juridik të universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”)