OpEd

Marrëveshja, një titull që mbeti për film

Mësimi dhjetëvjeçar i mësuar në Bruksel :Kur nuk di për ku je nisur, të gjitha rrugët të çojnë në cak (Lewis Caroll)

1.

Kështu tingëllon përshkrimi promovues: “Mosmarrëveshja kufitare mes Kosovës dhe Serbisë është konflikti i fundit territorial në Evropë dhe duhet të zgjidhet. Kjo është sfida e kryenegociatorit Robert Cooper, dhe basti është i lartë”.

Reklama është e filmit dokumentar danez të vitit 2014, me titull “Marrëveshja” (The Agreement). Filmi duhet të përshkruajë dramën e negociatave të “konfliktit të fundit territorial në Evropë” dhe përbërësit ekzotik - një vend që ka shpallur pavarësinë e quhet Kosovë dhe një vend më i njohur që ia mohon pavarësinë i quajtur Serbi së bashku me ndërmjetësuesin diplomat-intelektual britanik me theks të anglishtes së lartë dhe çorape të kuqe e kravatë që duket nga bota e Disneylandit - duhet ta bëjnë këtë një triller.

Aq më shumë kur Marrëveshja (jo kjo e filmit por një pasuese) e nënshkruar në Bruksel del të jetë shkas që nënshkruesit (kryeministri i Kosovës, Thaçi, ai i Serbisë, Daçiq, dhe ndërmjetësja C. Ashton ), në po këtë vit, 2014, të nominohen për çmimin “Nobel” për paqe.

Tetë vjet pas shfaqjes së filmit, shefi i Politikës së Jashtme i BE-së, J. Borell, thotë se Kosova dhe Serbia kanë arritur në pikën më të tendosur të marrëdhënieve të tyre të ndërsjella në dhjetëvjetëshin e fundit.

Dhe, përderisa po i shkruaj këta rreshta, çështja për të cilën po diskutohet teknikisht është ajo që shqiptarët e Amerikës e quajnë “tiketa e trafikut”, pra dënimi mandator të cilin ia shqipton polici qytetarit.

Nëse zhvishet prej kontekstit të simbolikës identitare (politike, etj.) – dhe jam i vetëdijshëm se kjo nuk është e mundur, por po e bëj për hir të argumentit - në Bruksel sot BE-ja dhe Kosova e Serbia po diskutojnë se si policët të mos japin “tiketa të trafikut” së paku për nja dhjetë muaj.

2.

Dokumentaristja e “Marrëveshjes” nuk e ka vazhduar projektin e saj dhe të filmonte vazhdimet e “Marrëveshjes” dhe ndoshta nuk e ka bërë, sepse, siç do të duhej të tregonte titulli i filmit, “Marrëveshja” e arritur në mes të natës do të duhej ta kishte përfunduar “kontestin e fundit territorial të Evropës”. Po të kishte vazhduar dokumentaristja, do të filmonte “Marrëveshja 2: rrethrrotullimi i Mitrovicës”, ku kryeministrat e dy vendeve në mënyrë intensive negociojnë se me çfarë lastre duhet të mbulohet punishtja për rrethrrotullim, a duhet të jetë 60 apo 80 centimetra muri dekorativ, e detaje të tjera të rëndësisë së këtillë historike. Dhe, pas disa vazhdimeve do të arrinte te kjo e kësaj jave, për shembull “Marrëveshja 8: tiketat e trafikut”.

Po t’i kishte filmuar, do të tregonte mospërputhjen e madhe mes pritshmërive dhe strukturës së një procesi. Pritshmëritë qenë të atilla sa ndodhi edhe nominimi për çmimin “Nobel”, ndërsa struktura e procesit është e atillë që ka tashmë shtatë vjet që zëvendësohen një palë negociatorësh me të tjerët e bëhen ekspertë për çështjen e targave automobilistike.

3.

Ndërkohë, po të mos kishte dalë prej temës e prej ndërtesës së “Marrëveshjes”, dokumentaristja nuk do të mund të kishte kuptuar se është një botë krejt tjetër prej asaj kur filluan negociatat. Lufta në Siri, mes të tjerash, mbushi Evropën me një lumë refugjatësh duke shkaktuar ndryshime (demografike e ) politike në Evropë, duke forcuar skajshmëritë e tolerancës (në Gjermaninë zyrtare) dhe intolerancës (me ngritjen e së djathtës ekstreme dhe ksenofobisë, madje si ideologji zyrtare në disa shtete të Evropës Qendrore). Kriza ekonomike në Greqi (me kërcënim të jetë krizë e eurozonës) tregoi brishtësinë ekonomike të nivelit të tanishëm të integrimit evropian. Një eksperiment, me gjasë, në një laborator kinez, shkaktoi pandeminë e shekullit XXI, duke dëmtuar shëndetin global dhe duke ndërprerë zinxhirët furnizues të ekonomisë, një krizë e cila ende nuk është tejkaluar në ekonominë globale.

Dhe, jo, kineastja daneze nuk mund të thotë se kriza e fundit evropiane është ajo mes Kosovës e Serbisë. Ndërkohë që kalohej prej marrëveshjes historike për rrethrrotullimet tek të tjerat, Rusia pushtoi Ukrainën, duke shkaktuar krizën më të madhe politike e të sigurisë në Evropën e shekullit XXI dhe me potencial për ta rrezikuar paqen botërore.

Gjatë fundit të vitit 2022 politika e jashtme evropiane është duke u marrë njëkohësisht me tiketat e trafikut në pjesën veriore të Kosovës dhe me mbrojtjen e Evropës nga agresioni rus në Ukrainë.

4.

Kjo fjali - gjatë fundit të vitit 2022 politika e jashtme evropiane është duke u marrë njëkohësisht me tiketat e trafikut në pjesën veriore të Kosovës dhe me mbrojtjen e Evropës nga agresioni rus në Ukrainë - ka të ngërthyer brenda absurdin e konstatimit, por ndoshta mund t’i shërbejë gjendjes çfarë është për të vendosur një vijë ndarëse.

Gjykuar sipas deklarimeve të përsëritura të dy diplomatëve kyç të BE-së, J. Borell dhe M. Lajçak, është arritur momenti kthesë kur procesi negociator nuk mund të merret më me mikromenaxhim dhe menaxhim krizash që prodhohen nga një qasje e këtillë, por duhet kaluar tek çështjet thelbësore të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, duke integruar si çështje thelbësore të gjitha ato që mbajnë dy vendet në konflikt të papërfunduar.

Nëse ndodh ky ndryshim, mbase duhej ftuar dokumentaristen daneze. Ja një sugjerim për ta filluar filmin e ri që mbyll ciklin “Marrëveshja”, fjalët e shkrimtarit Lewis Caroll që përshkruajnë mirë këtë dhjetëvjetësh të kaluar: “Kur nuk di për ku je nisur, të gjitha rrugët të çojnë në cak”.