Shkrimi i parë me telefon
1.
Po e shkruaj këtë kolumnë të rregullt për herë të parë me telefon.
Rrugës për në Meksikë, përderisa përgatisja gjërat për fluturim, kompjuteri im mbeti në New York. Qe një aksident i cili më shtyt kah zbulimi i të shkruarit në një mjet që nuk mendoja se do të mund të ishte i përdorshëm për shkrim.
Në fillimet e mia të gazetarisë, para dyzet vjetësh, duhej të vendosja mendimet në një varg të qartë, në këtë varg t'i rreshtoja fjalët e pastaj t’i fusja në makinën e shkrimit UNIS (Sarajevo), ngjyrë të portokalltë, dy letra të bardha me atë të karbonit në mes, dhe të kisha parasysh që çdo gabim në të shkruar, mekanik apo përmbajtjesor do të kërkonte ndoshta edhe rishkrimin. Në ato vitet e para të gazetarisë, ekzistonte edhe diktimi i shkrimit daktilografit në redaksi dhe jo rrallë jam habitur kur kam parë se si njëri prej ish-disidentëve kroatë, Ivan Zvonimir Çiçak, shkruante kolumnën e tij në revistën “Danas” vetëm duke diktuar, pa asnjë shënim të shkruar pranë. Në fakt, do të zbuloja, ai as që dinte të shkruante ndryshe.
2.
Kështu, me këtë hyrje zhbëra një mendim që kisha në momentin kur kuptova se nuk kisha mënyrë tjetër të të shkruarit të kësaj kolumne pos me telefon të mençur. Mendimi ishte se forma do ta diktonte përmbajtjen, pra fakti se jam i detyruar të shkruaj me telefon të mençur, do ta shtynte mënyrën e shkrimit kah fjalitë e shkurtra, të cilat do ta ftonin njëra-tjetrën drejt lirisë poetike.
E vërteta është se po ndodh ndryshe, dhe në këtë rrëfim hyri nga asgjëja I.Z. Çiçak. Ai diktonte, sepse siç më tregonte një mik i tij i ngushtë, truri i tij prodhonte më shumë fjalë se ç'kishin mundësi gishtërinjtë e tij të paedukuar në daktilografi t’i vinin në letër.
Në fakt, kjo është e vërtetë për të gjithë ne. Që të gjithë ne prodhojmë më shumë fjalë në kokë se ç'kemi mundësi të vëmë në letër. Problemi nuk është te gishtërinjtë, problemi është te fjalët, cilësia e tyre, koherenca, vlera absorbuese e tyre. Mendova për këtë përderisa dëgjoja guidën që na shëtiti nëpër qendër të qytetit. Në tri orë e gjysmë ecje nëpër pikat kryesore të qendrës historike të Meksikës shpjegoi një lloj mallkimi të popullit të vet, e disi edhe të gjithë popujve që çlirohen.
Së pari pushtohen, sepse besojnë se pushtuesi nuk e ka ndërmend t'i pushtojë. Pastaj çlirohen me shumë gjak dhe derdhin edhe pak më shumë për të vendosur se kush prej çlirimtarëve do ta mbajë pushtetin. Pastaj çlirimtarët vjedhin para dhe vota - herë para për të pasur për të vjedhur vota, herë vota për të qenë në pushtet për të vjedhur vota.
Pastaj, pas shumë vjetësh, pushteti në emër të çlirimit vjen pushteti i cili e rrëzon atë dhe gjen se pushteti në emër të çlirimit ka qenë pushtet hajnie, kudo të ketë një copë meteliku, nga kryeqendra në fshat.
Dhe pastaj ky pushtet rri disa vjet duke shpjeguar se si ai i mëparshmi, në emër të çlirimtarëve, ka vjedhur, në fakt ka vjedhur shumë.
Këtë sonte, përderisa po shkruaj, po e vërteton presidenti meksikan. Ai po i pret zyrtarisht presidentin amerikan dhe kryeministrin kanadez në Pallatin kombëtar (që dikur ishte atraksion turistik) e jo në Kompleksin presidencial Los Pinos. "Presidenti i kaluar ka vjedhë çdo gjë, me mobilie e dritare, para se të dilte nga aty", komenton guida.
3.
Kryeqyteti i Meksikës sharron për 3 centimetra çdo vit.
Janë dy godina në avenynë 5 de Mayo, njëra me konstruksion metalik dhe tjetra prej guri - që të dyja prej periudhave të ndryshme historike dhe distanca mes tyre në lartësi është tashmë mbi një metër. Në hapësirën në mes është vendosur një treg i improvizuar librash.
Në katedralen metropolitane rënia e lartësisë mes altarit dhe pjesës së organove monumentale duket me sy dhe për syrin e pamësuar shkakton marramendje të lehtë.
Ekziston një shpjegim i thjeshtë natyror dhe me të, një i një lloj drejtësie kozmike. Kur erdhën astekët nga veriu dhe pushtuan luginën e Meksikës, ndërtuan qytetin e vet mbi një liqen dhe brigjet e tij. Kur erdhën spanjollët dhe pushtuan tokët e astekëve (e pastaj të popujve të tjerë) ndërtuan kryeqytetin e tyre mbi kryeqytetin e astekëve.
Nuk u rehatuan ndonjëherë astekët e as spanjollët, sepse me gjasë një drejtësi hyjnore përcakton themelet e luhatshme të pushtimit. Dhe kjo drejtësi përcakton se kulturat nuk mund të zhdukin njëra-tjetrën, por se duhet të mësohen të bashkëjetojnë. Dhe kështu të jetojnë.
4.
Ekziston një paragjykim se telefoni është bërë mjet që thjeshtëson mendimet tona, se me telefon të mençur jemi gati vetëm për ndonjë status Facebooku apo Twitteri. Mund të jetë e vërtetë që me ekran të vogël e me tastierë edhe më të vogël nuk është njëjtë si me kompjuter apo fletore.
Por, në fund, fletorja e kompjuteri, pra edhe telefoni i mençur janë mjete.
Siç mund të jetë edhe dembelia intelektuale që thërret, që mendimi ynë të jetë sa më i thjeshtësuar, në mënyrë që të jetë i kuptueshëm prej emërtuesit më të ulët të përbashkët, të asaj dhe atij që nuk di ta përdorë as tastierën e telefonit të mençur.