OpEd

Magjistari nga Ozi

Pas kthimit nga vizita në Hagë, ku e vizitoi ish-presidentin Hashim Thaçi dhe më pas derdhi ca lot krokodili, dhe pas deklaratës se historinë e luftës së UÇK-së nuk mund ta ndërrojë askush, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rampa, sikur “harroi” se vetëm ca ditë më parë ishte pikërisht ai që në deklaratën e dhënë gjatë një takimi ndërkombëtar tha se Ballkani duhet që t’i harrojë “rrëmujat e veta ballkanike”. E shihni, dreqi fshihet në detaje. Dhjetëra mijëra viktimat e gjenocidit serb, qoftë në Kosovë apo në Bosnjë-Hercegovinë, ai thjesht i relativizoi dhe i reduktoi, sikurse një Magjistar nga Ozi, në disa rrëmuja që rëndom mund të ndodhin në ndonjë stadium qyteti nga tifozët huliganë apo në ndonjë rrugë dytësore qyteti

Është mëngjesi i freskët i një dite në Londër që duket sikur më në fund mund të shndërrohet në një ditë të bukur pranverore, pas një kohe që assesi të shkëputet dhe të përshëndetet prej dimrit të gjatë e morbid.

Java që e lamë pas u shënua me vizitat jashtë shtetit të presidentes Vjosa Osmani, kryeministrit Albin Kurti dhe ministres së Jashtme, Donika Gërvalla.

Presidentja Osmani vizitoi Panamanë, Kostarikën, si dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kryeministri Kurti edhe në këto momente gjendet në SHBA, përderisa ministrja Gërvalla ishte për vizitë në Izrael dhe në selinë e Bashkimit Evropian në Bruksel.

Jashtë titujve acarues dhe jo rrallëherë tendenciozë dhe poshtërues të portaleve mediatike kosovare, mendim im është se Kosova përfaqësohet denjësisht edhe nga njerëz me ngritje dhe integritet personal. Çfarë do ta veçoja është takimi i Gërvallës me përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell, i cili i kishte ftuar udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor në një darkë joformale. Pas kësaj darke doli një fotografi familjare me të cilën u shënua përfundimi i takimit. Shije të hidhur ngjalli pamja e Gërvallës që ishte lënë në një qoshe të rreshtit në kuadrin e një fotografie tipike të tarakëve ballkanas, shkrepur gjatë ndonjë ndeje në ndonjë kafene rurale dhe të një burreci spanjoll. Pamja ngjasonte thuaja se ajo ishte një kameriere apo përkthyese rasti e takimit dhe sikurse rastësisht ishte përvjedhur në atë tablo. Sikur të mos i kishte mjaftuar kohë fotoreporterit që të largohej nga kuadri dhe që së paku të mos e trazonte pozimin e burrecëve mizogjenë ballkanas.

Në vendin ku luftohen dhe promovohen të drejtat dhe barazitë e grave, pra në shoqëritë evropiane, ndodh lëshimi i gjentilesës së nikoqirit, por edhe i pjesëmarrësve të tjerë të darkës që gruaja e vetme e pranishme në takim të trajtohet ashtu siç do ta kërkonte bontoni për sjelljen e secilit burrë, qoftë edhe në mbledhje shumë më joformale sesa kjo.

Cinikët do të thoshin se aty ishin të pranishëm vetëm presidentët dhe kryeministrat e vendeve ballkanike dhe se nga aspekti i pozitave ajo nuk ishte e barabartë me pjesëmarrësit e tjerë. Unë do të thosha, po ani çka?

Zonja Gërvalla është edhe zëvendëskryeministre e edhe ministre e Jashtme e Republikës së Kosovës. Andaj kthehem prapë te sjellja kryekëput mizogjene dhe aspak gjentile e nikoqirit, pikësëpari, dhe pastaj edhe tek ajo e secilit burrec ballkanas që ishte prezent aty.

Pas kthimit nga vizita në Hagë, ku e vizitoi ish-presidentin Hashim Thaçi dhe më pas derdhi ca lot krokodili, dhe pas deklaratës se historinë e luftës së UÇK-së nuk mund ta ndërrojë askush, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rampa, sikur “harroi” se vetëm ca ditë më parë ishte pikërisht ai që në deklaratën e dhënë gjatë një takimi ndërkombëtar tha se Ballkani duhet që t’i harrojë “rrëmujat e veta ballkanike”.

E shihni, dreqi fshihet në detaje. Dhjetëra mijëra viktimat e gjenocidit serb, qoftë në Kosovë apo në Bosnjë-Hercegovinë, ai thjesht i relativizoi dhe i reduktoi, sikurse një Magjistar nga Ozi, në disa rrëmuja që rëndom mund të ndodhin në ndonjë stadium qyteti nga tifozët huliganë apo në ndonjë rrugë dytësore qyteti. E në fotografinë e burrecëve mizogjenë ballkanas, ai u përkujdes që t’i shtrëngonte duart ngrohtësisht me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, si dhe të pozonte në mes të tij dhe presidentit të Republikës Serbe, Milorad Dodik (anëtari serb i presidencës së Bosnjë-Hercegovinës). Si përfaqësues i shqiptarëve mendoj se ai nuk i ka bërë nder asnjë shqiptari dhe as traditave tona, duke u sjellë në mënyrë të këtillë karshi një gruaje e aq më tepër kur ajo grua është motër e tij shqiptare. Nënçmimi dhe arroganca e tij nuk ka pasur sesi të ishin më të mëdha. Por kjo nuk është as ndonjë gjë për t’u çuditur dhe as diçka e papritshme prej tij, ngase nuk është as hera e parë dhe sigurisht nuk do të jetë as e fundit.

***

Presidenti i rizgjedhur francez, Emmanuel Macron, para ca ditësh deklaroi se Ballkani Perëndimor duhet që ta organizojë një “entitet/organizim politik”, i cili do të duhej të vepronte krahas Bashkimit Evropian, me vendet e rajonit që synojnë t’i bashkohen BE-së. Marrë parasysh mozaikun e të gjitha ngjarjeve gjeopolitike në Evropë, përfshirë atë të muajve të fundit me agresionin rus në Ukrainë dhe të krizave të shumta të shkaktuara nga ky agresion, një ndarje e re politike me një bllok të ri shtetesh ballkanike mendoj se do të përbënte pikërisht atë që Vladimir Putini do ta dëshironte. Veçmas kur përbrenda këtyre shteteve ka të këtillë që nuk i kanë përkrahur sanksionet ndaj Rusisë dhe përbrenda popullatave të së cilave frymon emocioni mbështetës për agresionin rus në Ukrainë.

Jam i mendimit se një ndarje e këtillë e re dhe formimi i një blloku paralel politik me BE-në do t’i shkonte për shtati një BE-je që do të dëshironte t’u ikte përgjegjësive të veta për udhëzimet dhe udhëheqjen e proceseve drejt integrimit të vendeve ballkanike.

Me t’i lënë që të vetorganizohen dhe që vetë ta gjejnë rrugën, mua s’ka se si të mos më kthejë në kohën e shpërbërjes së shtetit të quajtur Jugosllavi, në luftërat e përgjakshme dhe gjenocidet e ushtruara aty nga pala serbe, e cila tash ende vazhdon që të ulet në dy karrige përnjëherësh. Edhe dëshiron që të miklohet nga BE-ja, Amerika dhe bota demokratike, e në të njëjtën kohë as nuk do që t’i prishë lidhjet me Rusinë.

Ani pse gjatë takimit të fundit me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, Vuçiqit iu bë e ditur se ai nuk e njihte asnjë proces dhe nismë tjetër përveç marrëveshjes së Berlinit dhe se Ballkanit të Hapur ia nguli gozhdën e fundit në arkivolin politik, nisma e re e presidentit francez hap pyetje dhe dyshime të shumta. Dhe, së paku, mua ma përçon mesazhin e një çakordance totale midis dy superfuqive të BE-së, siç janë Franca dhe Gjermania. Me daljen e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkësia Evropiane, si duket këto dy fuqi të mbetura janë në luftë të heshtur me njëra-tjetrën mbi dominimin dhe influencën politike përbrenda shteteve të mbetura të BE-së.

***

Lufta në Ukrainë po hyn në muajin e tretë dhe luftimet në regjionin e Donbasit, si dhe në pjesën jugore të Ukrainës, tashmë nuk i kursejnë as qytetin dhe portin bregdetar të Odesës, i cili vazhdon të granatohet edhe me raketa supersonike ruse. Në terren në rajonin e Kharkivit, forcat ushtarake ukrainase po arrijnë që t’i ndalojnë ato ruse në përparimin e tyre dhe po e shkaktojnë zmbrapsjen e tyre, por edhe humbje të mëdha. Kjo luftë e pakuptimtë dhe ky agresion rus po shënon humbje të mëdha të jetëve të njerëzve, si dhe një shkatërrim enorm të infrastrukturës ukrainase. Presidenti ukrainas e edhe përfaqësuesit e tij ushtarak janë të bindur në një fitore finale ndaj rusëve, mirëpo pa përcaktuar kohën se kur do të mund të ndodhte ajo.

Deklaratat e fundit nga shërbimi amerikan i Inteligjencës, CIA, thonë se Putini është duke u përgatitur për një kampanjë më të gjatë ushtarake në Ukrainë. Dita e 9 Majit, kur ushtria ruse triumfoi mbi nazizmin gjerman të Luftës së Dytë Botërore, u shënua me një paradë ushtarake në Sheshin e Kuq njëjtë sikurse rëndom, mirëpo kësaj radhe paksa më e reduktuar në defilim. Munguan fluturimet e aeroplanëve ushtarakë, me arsyetimin se moti i keq nuk e lejonte një gjë të tillë (me gjithë faktin se moti atë ditë ishte si mos më mirë). As në fjalimin e tij Putini nuk e shpalli ndonjë fitore të ushtrisë ruse në Ukrainë, veçse dha arsyetime se pse kishte ardhur deri te ky intervenim i nevojshëm dhe jetik për Rusinë.

Agresioni rus ndaj Ukrainës ngriti interesimin e shteteve deri më tani neutrale ushtarakisht, si Suedia dhe Finlanda, për anëtarësim në NATO. Të mërkurën, kryeministri britanik, Boris Johnson, e nënshkroi një marrëveshje zotimi që në rast se ndodh ndonjë sulm ndaj Suedisë, shkaku i aplikimit për anëtarësim në NATO, atëherë Britania e Madhe do t’i dilte në mbrojtje ushtarake. Një marrëveshje të njëjtë, kryeministri Johnson pritet që ta nënshkruajë edhe me shtetin e Finlandës. E ajo që nuk thuhet midis rreshtash apo që lihet të kuptohet në mënyrë të heshtur është se aty ku është Britania, është edhe Amerika, ani se ajo formalisht mund të mos e nënshkruajë një marrëveshje të tillë deri në pranimin final të këtyre shteteve në NATO. E atëherë veçse do të hyjë në fuqi neni 5 i kësaj organizate, që i obligon të gjitha vendet anëtare të ndërhyjnë në rast të sulmit ndaj ndonjërit prej anëtarëve.

P.S.

Pasi veçse e përfundova ditarin tim, në Parlamentin shqiptar, partia shumicë, Partia Socialiste, nuk e votoi rezolutën mbi gjenocidin serb në Srebrenicë. Me këtë lloj qasjeje, Shqipëria haptas del si një marionetë e Qeverisë dhe e politikës ditore serbe. Në të njëjtën kohë, kryeministri Edi Rampa deklaroi se e përkrah anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, porse i vjen keq për Serbinë. E pse do të duhej që të ndiente keqardhje për Serbinë, atë vetëm koka e Edi Ramës e di!