Kosova e ka sistemin e saj kushtetues që nuk mund të ndërrohet nga një parti politike. Për ndryshimin e sistemit nevojitet një konsensus i gjerë, i cili është e pamundur të krijohet. Krijimi i këtij konsensusi bëhet aq më i vështirë në kontekstin e politikës polarizuese të LVV-së. Në këtë konsensus duhet të marrë pjesë edhe opozita, edhe grupet parlamentare që i përfaqësojnë pakicat, por edhe institucionet e tjera dhe qytetarët. Për dështimin e saj që të punojë brenda sistemit, LVV-ja i akuzon institucionet që e përbëjnë sistemin. E ky sistem e garanton pavarësinë e këtyre institucioneve dhe duhet të jetë i pacenueshëm nga qeverisja njëpartiake e LVV-së. Po të cenohet kjo pavarësi, cenohet funksionimi i shtetit, duke e bërë atë vegël të një partie politike
Llogaridhënia asnjëherë nuk ka qenë cilësi e qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje. Në këta katër vjetët e fundit madje ajo ka refuzuar çfarëdo përpjekje për të dhënë llogari mbi qeverisjen e vet. Në këtë kontekst duhet parë edhe luftën e hapur, të cilën qeveria ua ka shpallur organeve të drejtësisë në Kosovë. Kjo luftë, e udhëhequr nga kryeministri Kurti dhe nga zyrtarët më të lartë të Ministrisë së Drejtësisë, duke përfshirë ministren dhe zëvendësministrat, sidomos kundër Gjykatës Kushtetuese dhe Prokurorisë së Shtetit, është tregues i nervozizmit të LVV-së për arsye se kjo degë e pushtetit ka mbetur e vetmja që nuk është nën kontrollin e kësaj partie. Ndërhyrjet flagrante në pavarësinë e organeve të drejtësisë që i bëjnë zyrtarët e lartë të qeverisë, me në krye Albin Kurtin, përbëjnë skandal dhe tentim për të futur nën kontroll partiak gjykatat dhe Prokurorinë e Shtetit.
Kjo ndërhyrje me sulmet nga më të vrazhdat, siç janë deklarimet se Prokuroria e Shtetit është një grup kriminal, është për t’u dënuar në mënyrën më të ashpër, sepse e cenon funksionimin e shtetit dhe sistemin e llogaridhënies, apo të kontrollit dhe balancimit në mes të pushteteve. Sulmet kundër Gjykatës Kushtetuese dhe Prokurorisë së Shtetit e tregojnë arrogancën e pushtetit politik dhe e shpërfaqin tendencën për të vendosur sundim absolut në të gjitha poret e jetës, duke instaluar kështu një qeverisje totalitare, ku sundimi i ligjit i nënshtrohet sundimit të partisë-shtet. Në një vend normal, sulmet e tilla kundër gjyqësorit do të sanksionoheshin si në pikëpamje ligjore, ashtu edhe në pikëpamje politike. Sulmet e tilla ndaj organeve të drejtësisë shpërfaqin po ashtu mungesë të sensit demokratik dhe nervozizëm, sepse në Kosovë e vetmja instancë që është ende e aftë të mbajë Qeverinë dhe funksionarët e saj llogaridhënës është drejtësia. E LVV-ja ka treguar në këta katër vjet se nuk i pëlqen llogaridhënia as si parim e as si praktikë, natyrisht kur ajo duhet të japë llogari për veprimet e saj.
Llogaridhënia në Kuvendin e Kosovës po shmanget përmes bojkotimit të seancave parlamentare dhe të Komisioneve Hetimore. Sa herë që në Kuvend opozita inicion debate që ndërlidhen me çështje që kanë të bëjnë me llogaridhënien e Qeverisë, grupi parlamentar i LVV-së i bojkoton ato, duke iu shmangur diskutimeve lidhur me të bëmat dhe të pa bëmat e Qeverisë. Duke iu shmangur debatit parlamentar, LVV-ja është duke e kundërshtuar parimin themelor se Qeveria duhet t’i japë përgjegjësi parlamentit. Sipas raportit të fundit të progresit të Komisionit Evropian, shkalla e përgjigjeve të Qeverisë ndaj pyetjeve parlamentare është më e ulëta në krahasim me qeveritë paraprake. Mendësia e LVV-së është se ajo nuk duhet të japë llogari për qeverisjen e vet dhe se kushdo që kërkon llogari prej saj, është pjesë e “politikës së vjetër”. Mirëpo, duke u thirrur në këtë, LVV-ja po e bën pikërisht atë çka e ka kundërshtuar para se të vinte në pushtet. Sjellja e saj si opozitë ndaj institucioneve të drejtësisë e tregon paaftësinë e saj qeverisëse dhe qëllimin për të qenë mbi ligjin, në emër të pastërtisë së synimeve të saj për ta çkapur shtetin nga politika e vjetër.
Deklarimet e zëvendësministrit të Drejtësisë se prokuroria është grup kriminal nuk bën të kalojnë pa dhënie të përgjegjësisë ligjore dhe politike. Kjo sidomos kur dihet se këto deklarime ai i ka bërë në kontekstin e hetimeve të kësaj prokurorie ndaj një numri të zyrtarëve të Qeverisë për keqpërdorim të pozitës së tyre zyrtare. Ky deklarim e bën atë bashkëpjesëmarrës në këto keqpërdorime, e sulmon në thelb pavarësinë e gjyqësorit dhe ka për qëllim frikësimin e prokurorëve për të mos i trajtuar në punën e tyre dyshimet për keqpërdorim detyre të zyrtarëve të Qeverisë. Sikurse kryeministri Kurti që po e sulmon në vazhdimësi Gjykatën Kushtetuese dhe kishte sulmuar Prokurorinë e Shtetit pas arrestimit të Nagip Krasniqit, ashtu edhe ministrja dhe zëvendësministri i Drejtësisë po i sulmojnë institucionet e drejtësisë për të shmangur përgjegjësinë dhe llogaridhënien e Qeverisë. Pra, deklarata e zëvendësministrit nuk është një budallallëk, siç do të mund të interpretohej në një situatë normale. Kjo deklaratë është në vazhdën e sulmeve të koordinuara të LVV-së, të udhëhequra nga kryeministri Kurti, ndaj organeve të drejtësisë.
Kur i shtohen kësaj edhe sulmet e fundit të Kurtit ndaj mediave dhe opinionistëve, qofshin ata të varur apo të pavarur, jepet një pasqyrë e qartë se LVV-ja nuk është e pjekur për të qeverisur në mënyrë demokratike, që rrjedh nga mendësia e saj se ajo është e vetmja forcë politike legjitime dhe se të flasësh kundër saj përbën blasfemi. Ky botëkuptim revolucionar nuk është i panjohur në botë.
Këto botëkuptime përbëjnë bazën e qeverisjes autoritare. Mungesa e sensit për peshën e fjalës publike nga zyrtarët qeveritarë i bën ata të papërgjegjshëm si bartës të funksioneve të rëndësishme shtetërore. Pesha e fjalës publike është e rëndë, prandaj duhet të matet mirë e mirë para se të thuhet. Deklarimet e pamatura, si të kryeministrit Kurti ashtu edhe të zyrtarëve të tjerë qeveritarë, janë skandal në vetvete për një vend që synon ta zhvillojë demokracinë sipas standardeve evropiane. Fatmirësisht, Kosova është nën monitorim të vazhdueshëm të Bashkimit Evropian, Departamentit amerikan të Shtetit dhe të një sërë organizatave të tjera që e përcjellin gjendjen e demokracisë, lirisë së medias, pavarësisë së gjyqësorit dhe efikasitetit të Qeverisë. Fatkeqësisht, raportet e këtyre organizatave, që në të shumtën e rasteve janë kritike ndaj qeverisjes së LVV-së, nuk lexohen nga votuesi mesatar dhe i painformuar i Kosovës. Prandaj, një rol thelbësor në bërjen publike të këtyre raporteve e kanë opozita dhe mediat, si akterë të rëndësishëm të një demokracie të shëndoshë.
LVV-ja ka përfituar nga vota në masë që i është dhënë në vitin 2021. Mirëpo, votuesit e LVV-së nuk kanë qenë të përfshirë në vendimmarrje. Sipas Raportit të fundit të Progresit të Komisionit Evropian, LVV-ja është parti që më së paku i ka vënë ligjet e rëndësishme në diskutim publik. Ajo, me gjithë premtimet se do të qeverisë në bazë të vullnetit të qytetarëve dhe për qytetarët, nuk ka përdorur diskutimin publik për të shqyrtuar ligje të rëndësisë madhore, siç është Kodi Civil apo ndonjë ligj tjetër. Përkundrazi, është sjellë me votuesit e saj si me një kope të cilën e përdor për vota të verbra me, siç po shihet, lajka – siç bëri kryeministri në një takim me diasporën kur u tha se patriotët dhe punëtorët më të mëdhenj janë në diasporë – si dhe me zhvendosje të përgjegjësisë te qeverisjet e kaluara, si metodë për të shmangur përgjegjësinë për dështimet e veta.
Në këtë kontekst duhet parë edhe kritikat e kryeministrit Kurti ndaj Gjykatës Kushtetuese. Përgjegjësinë për paaftësinë e dikastereve qeveritare për të hartuar ligje në bazë të Kushtetutës, kryeministri Kurti e zhvendos tek i ashtuquajturi ndikim që partitë opozitare kanë mbi institucionin më të lartë të drejtësisë. Në vend se ta rishikojë punën e ministrave të tij dhe ta respektojë Kushtetutën, kryeministri Kurti synon që Gjykatën Kushtetuese ta bëjë bashkëshkelëse të dispozitave kushtetuese, të cilat kjo gjykatë e ka për mision që t’i mbrojë.
Se LVV-ja është parti anti-sistem, kjo nuk është e diskutueshme. Mbi platformën e të qenit parti anti-sistem, LVV-ja i ka fituar votat e popullatës së zhgënjyer me qeverisjen e partive që tani janë në opozitë. Mirëpo, Kosova e ka sistemin e saj kushtetues që nuk mund të ndërrohet nga një parti politike. Për ndryshimin e sistemit nevojitet një konsensus i gjerë, i cili është e pamundur të krijohet. Krijimi i këtij konsensusi bëhet aq më i vështirë në kontekstin e politikës polarizuese të LVV-së. Në këtë konsensus duhet të marrë pjesë edhe opozita, edhe grupet parlamentare që i përfaqësojnë pakicat, por edhe institucionet e tjera dhe qytetarët. Për dështimin e saj që të punojë brenda sistemit, LVV-ja i akuzon institucionet që e përbëjnë sistemin. E ky sistem e garanton pavarësinë e këtyre institucioneve dhe duhet të jetë i pacenueshëm nga qeverisja njëpartiake e LVV-së. Po të cenohet kjo pavarësi, cenohet funksionimi i shtetit, duke e bërë atë vegël të një partie politike.