Bota aktualisht po e përjeton kohën më të çmendur që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Lufta në Ukrainë, vrasjet makabre terroriste në Izrael, krizat ekonomike të shkaktuara nga lufta në Ukrainë.... Siç e kisha thënë edhe më parë, jemi duke kaluar nëpër fillet e ndërtimit të një rendi të ri botëror. Se si do të duket ai në fund dhe ç’formë do të marrë ende nuk e dimë saktësisht, ngase kjo situatë është ende fluide dhe në zhvillim e sipër
Dita e fundit e marsit gdhin me një temperaturë dimërore në Londër. Temperatura këtë mëngjes shënonte 2 gradë Celsius e kur të merret në konsideratë fakti se isha me biçikletë, ndihej edhe më e ulët. Megjithëkëtë, i dua rrugët e qeta të mëngjesit të hershëm në Londër. Këtë nuk mund ta them edhe për orët pasuese, kur njerëzit fillojnë që të zgjohen dhe të shkojnë nëpër punë dhe kur komunikacioni shndërrohet në çmenduri të një lloji tjetër.
Kur jemi te çmenduria. Bota aktualisht po e përjeton kohën më të çmendur që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Lufta në Ukrainë, vrasjet makabre terroriste në Izrael, krizat ekonomike të shkaktuara nga lufta në Ukrainë....
Siç e kisha thënë edhe më parë, jemi duke kaluar nëpër fillet e ndërtimit të një rendi të ri botëror. Se si do të duket ai në fund dhe ç’formë do të marrë, ende nuk e dimë saktësisht, ngase kjo situatë është ende fluide dhe në zhvillim e sipër.
Kostoja e jetës në Britaninë e Madhe, ashtu si edhe në çdo vend tjetër të botës, shënon ngritje të dukshme dhe ky vit do të jetë shumë sfidues për një pjesë të madhe të popullatës, si pensionistët, përfituesit e skemave sociale, të punësuarit me rrogat minimale etj. Qeveria britanike është duke bërë përpjekje që të dalë me disa masa mbrojtëse dhe parandaluese për zbutjen e krizës ekonomike që pritet të jetë më e madhja që nga vitet ‘70. Por bazuar në atë që po dëgjoj në emisionet e ndryshme të radios, si dhe në intervista me ekspertët ekonomikë, socialë, politikanë dhe qytetarë të thjeshtë, rezulton se kënaqësitë janë të mangëta për sa i përket qasjes së Qeverisë në ballafaqimin me krizat e shkaktuara.
Ngritjen e çmimeve të naftës dhe të derivateve të saj, të gazit, të energjisë elektrike e të artikujve elementarë ushqimorë në treg, etj.
Kritikë në vete për Qeverinë britanike mbetet qasja kundruall sistemit të pranimit të refugjatëve ukrainas në territorin e saj. Akuzat shkojnë deri në atë masë sa specifikojnë që procedurat administrative janë bërë të atilla që e parandalojnë një gjë të tillë. Nga programi qeveritar për riatdhesimin e përkohshëm të refugjatëve nga Ukraina, deri më tani janë lëshuar 20.000 viza mbi bazën e bashkimit familjar. Në ndërkohë janë paraqitur 200.000 e më shumë familje sponsorizuese britanike të gatshme për të pranuar refugjatë në shtëpitë e tyre. Por, procedurat e verifikimeve të dyanshme (të vetë sponsorizuesve dhe të refugjatëve që do të vendoseshin tek ata) po tregohen shumë të ngadalta dhe komplekse, e kjo gjë si pasojë po shkaktohen vonesa logjistike në riatdhesimin e tyre.
Qasja e Boris Johnsonit karshi luftës në Ukrainë dhe vendosjes së sanksioneve ndaj agresorit rus është për t’u vlerësuar. Ai tashmë deklaroi se edhe ndihma ushtarake që i bëhet Ukrainës me pajisje ushtarake duhet të shkojë një hap më tutje. Tash propozon që Ukrainës t’i dërgohen edhe mjete të blinduara ushtarake, në mënyrë që ushtria ukrainase të përballet me ushtrinë ruse sa më suksesshëm.
Bisedimet e mbajtura midis përfaqësuesve të Ukrainës dhe të Rusisë në Stamboll rezultuan me premtimet e palës ruse për zmbrapsjen e forcave nga rajoni i Kievit, porse situata në terren e demanton këtë. Në fakt, gjatë 24 orëve të fundit kanë ndodhur bombardimet më të mëdha që ushtria ruse i kishte ndërmarrë kundrejt paralagjeve të kryeqytetit.
Duke mos u përmbushur vetëm me gënjeshtrat që i plason në tregun e brendshëm me anë të kontrollit total dhe sistematik të mediave dhe fjalës së lirë, pushteti rus tashmë nuk ngurron që të gënjejë edhe karshi premtimeve publike para opinionit ndërkombëtar.
Me një të çmendur sikurse Putini në skenën botërore politike, me inskenime të një agresioni dhe lufte të çmendur, si dhe me përfaqësues të një superfuqie bërthamore që bota e civilizuar ka shumë dekada që kishte dhënë betimin se nuk do të ndodhte “kurrë më”, parashikimi i së ardhmes është bërë përnjëmend i vështirë.
Rreshtimet e reja politike dhe ekonomike veçse po shihen dhe janë duke ndodhur çdo ditë e më tepër.
Ani pse shtetet e Bashkimit Evropian ngurruan që varësinë e tyre nga gazi rus ta heqin në plotëni, kjo gjë tani po u imponohet nga vetë Putini, i cili po kërkon që dërgesat e gazit tash e tutje të paguhen me rublën ruse. Vazhdimi i derdhjes së qindra miliona eurove në baza ditore e sollën Putinin në pozitë që ta vërë BE-në para një akti të kryer. Ose ta paguajë gazin rus me rubla ose ta ndërpresë rrjedhën e tij.
Po qe se, ta zëmë, në situatën e këtillë shtetet e BE-së përgjigjen se nuk do të bëjnë pagesë për gazin me rubla, ngase kjo do ta nënkuptonte shkeljen e kontratës, mbetet që të shihet nëse Putini do ta zbatojë urdhrin për ndërprerjen e furnizimit për shtetet që nuk paguajnë ashtu siç ai dëshiron.
Ky i çmenduri i ruletit rus veçse ka hyrë në lojën “all in”. Megjithëse plani i tij fillestar mbi pushtimin e Ukrainës nuk i rrodhi sipas planeve dhe parashikimeve, karshi humbjes së madhe në makinerinë ushtarake dhe numrit të lartë të ushtarëve e eprorëve të vrarë në Ukrainë, atij tani nuk i mbeten shumë opsione që së paku dhimbjet dhe vuajtjet që i janë shkaktuar t’i ndjejnë edhe liderët dhe popujt evropianë. “Nëse do të zhdukem unë, do t’ju marr edhe juve me vete” është qasje e secilit paranojak egomaniak siç është puna e Putinit, të cilin e rriti dhe e forcoi në pushtet vetë dora e perëndimorëve. Flamujt e shumtë të kuq, të ngritur gjatë viteve u injoruan prej botës perëndimore dhe Putini u la i qetë që t’i përmbushte këto ambicie që po i shpalos në mënyrë kaq të vrazhdë dhe barbare.
Është interesant të dihet se pjesët që po “çlirohen” nga ana e ushtrisë ruse, si Kharkivi, Mariupoli, Khersoni dhe të tjera, janë me numër absolut të rusishtfolësve që Putini arriti t’i rreshtonte kundër Rusisë.
Edhe retorika që po buron nga ana e Amerikës sa po vjen e po ashpërsohet. Administrata amerikane veçse e ka shpallur Putinin “kriminel lufte” dhe ka nisur procedurat për ngritjen e akuzave ndërkombëtare.
Kombet e Bashkuara, në rastin e luftës së fundit, janë dëshmuar se u nevojitet një riorganizim politikash dhe procedurash, veçmas kur kemi të bëjmë me luftërat e shkaktuara nga superfuqitë apo anëtarët e përhershëm të tyre, me të drejtë vetoje. Apo mbase do të vazhdohet me avazin e vjetër, në të cilin ligjet dhe konventat që vlejnë për kombet dhe shtetet më të vogla nuk vlejnë edhe për ne.
***
Kosovën kjo situatë e re në botë e gjen të rreshtuar drejt. Në përkrahje të Amerikës dhe botës perëndimore, si dhe në përkrahje të luftës së Ukrainës për mbrojtje. Cinikët do të thoshin se Ukraina nuk na njeh. Do t’i përmendnin edhe deklaratat e disa ambasadorëve të saj, si të atij në Beograd që tha se Ukraina nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Nëse shikohet nga këndvështrimi i tyre, nga fakti se si dhe pse filloi kjo luftë, atëherë është edhe e kuptueshme se për politikëbërjen e saj ndërkombëtare pranimi i pavarësisë së Kosovës në këto çaste do të ishte sikur ta qëllonte veten me plumb në këmbë. Por mendoj se në kohë paqeje dhe pas përfundimit të luftës së tmerrshme, kjo qasje do të duhej që të ndryshonte. Ukraina do të duhej që t’i rishqyrtonte të gjitha politikat e saj globale, me veçanti atë karshi shteteve që treguan përkrahje për luftën e saj të drejtë dhe ku Kosova nuk ka bërë përjashtim.
Politika luhet me hapa të vegjël, por të sigurt. Sidomos kur je një shtet i vogël dhe mbase edhe i papërfillshëm në skenën e lojërave të të fortëve gjeopolitikë, një hap dhe renditje e duhur politike sot sjell rezultate të favorshme në një kohë të ardhshme.