OpEd

Luajmë “ngërçaz”

“Të zgjedhurit e popullit” do të duhej ta kishin të qartë se luftën e tyre egoiste për pushtet e protagonizëm e vuan një popull i tërë me një milion probleme, prej të cilave shumicën absolute ua kanë krijuar pikërisht këta dhe ata të legjislaturave të kaluara. Është një popull i cili ende nuk mund t’i tejkalojë traumat e luftës, e besa as ato të pasluftës. Mbi të gjitha, është një popull që e sheh se si vitet kalojnë e shanset për një jetë më cilësore shkojnë e zbehen. E megjithatë, jeta jonë vlen më shumë sesa cinizmi i tyre dhe loja e pafund e inateve.

Rryma u shtrenjtua; “Termokosi” mbylli sezonin duke na rrjepur fare; punimet në “Xhorxh Bush” u ndaluan sërish, Reali u eliminua 😊... e ne ende nuk kemi Kuvend të konstituuar.

Në vazhdofshin kështu si ia kanë nisë, fituesit e vetëm në këtë mesele do të dalin pronarët e taksimetrit kuvendor – deputetët, të cilët varësisht se kush dhe si e interpreton ligjin a Kushtetutën, ose janë, ose s’janë deputetë.

Pas gjithë asaj shfaqjeje të martën, edhe një herë doli në pah se njëri nga problemet më të mëdha që i ka ky vend janë ligjet. Shumë sish janë të mirë (shkruar me ndihmë ndërkombëtare) por nuk zbatohen. Madje edhe kur ka mekanizma për zbatim, ata nuk vihen në funksion.

Pastaj janë ligjet që në mënyrë të vazhdueshme miratohen duke qenë në kolizion me Kushtetutën, ose edhe me ligje të tjera, dhe që dikur bëhen të pazbatueshëm, për shkak se secili më pas ia jep interpretimin ashtu siç ia ka ënda.

E mandej, me siguri ka mbetur ndonjë fushë e pambuluar me akte ligjore dhe disi kurdiset e përshtatet me akte nënligjore, dhe e bën edhe më lëmsh sesa që është gjendja aktuale.

* * *

Sidoqoftë, ajo që duhej të ishte një formalitet, u shndërrua në herën e parë të dështimit të konstituimit të Kuvendit, për shkak se vetë deputetët nuk e votuan raportin e Komisionit ad hoc, në lidhje me certifikimin e mandateve të deputetëve. Pra nuk e konfirmuan vetveten.

Krejt shtizat u thyen tek akti i dorëheqjes së kryeministrit dhe kabinetit qeveritar - se a ka ndodhur, apo nuk ka ndodhur atëherë kur është dashur të ndodhte. Një përkufizimin jo krejt i qartë kushtetues dhe një përkufizim i mangët ligjor e hapën luftën e interpretimit se kur konsumohet dorëheqja dhe cilat janë pasojat që ky akt sjell me vete.

Partitë parlamentare që deri dje kanë qenë opozitë, insistonin me ngulm se Kurti do të duhej të dorëhiqej dhe të mos shkonte fizikisht më në zyrë – për shkak se nuk mund të jetë kryeministër. Bile kurrfarë kryeministri, as në detyrë e as në dorëheqje.

Dikush doli me sugjerimin që ky do të duhej të zëvendësohej nga zv.kryeministri, kurse ministrat nga zv.ministrat deri në krijimin e qeverisë së re, që mbase do të mund të jetë zgjidhje në këtë rast konkret, por që si parim nuk ka kurrfarë kuptimi. Teorikisht, në këto zgjedhje, të gjithë anëtarët e kabinetit qeveritar kanë mundur të zgjidheshin deputetë. Po të kishte ndodhur kjo, dhe po të zbatohej ky propozim, kush do ta udhëhiqte qeverinë atëherë?

E, nuk është normale që shteti të mos ketë Qeveri, madje edhe me kompetenca të kufizuara, qyshdo që mund ta ketë emrin.

* * *

Seanca e parë mbaroi me një propozim absurd të kryesuesit Dehari: që ai t’i drejtohej kryetares së shtetit për sqarimin se çka duhet bërë.

Absolutisht nuk është kompetencë e kryetares as ta interpretojë Kushtetutën e as ta interpretojë ligjin që VV-ja e kaloi në mandatin e shkuar pa votat e opozitës.

Po një veprim i këtillë ishte ashiqare një trik për të blerë kohë dhe për të hapur edhe një mundësi kontestimi e interpretimi tash procedural: nëse rekomandimi i komisionit ad hoc skadon me një mosvotim, sikurse te ligjet, që nëse nuk kalojnë duhen të rikthehen në procedurë.

Shumë e çuditshme se si PDK e LDK e kafshuan karremin të cilin ua shërbeu Kurti me një letër të pakuptimtë, madje edhe shpotitëse. Letra dërguar deputetit Konjufca, i cili që sa muaj nuk është më kryetar i Kuvendit, e cila nuk ka ndonjë kuptim a peshë juridike, i ndezi reagimet e këtyre dy partive dhe përfundoi me moskalimin e rekomandimit të komisionit ad hoc.

Nëse i gjithë problemi ka qenë te dorëheqja ose jo, është dashur të kalohet rekomandimi, te kryhej betimi i deputetëve dhe më pas çështja e legjitimitetit të qeverisë në dorëheqje të çohej në Kushtetuese, po qe se ky është qëllimi i këtyre partive. Por jo të mbahet edhe një seancë kot, në të cilën partitë nuk mund të merren vesh nëse duhet t’ia votojnë vetes mundësinë për ta dhënë betimin dhe për ta konstituuar Kuvendin.

* * *

Nëse e kanë ndërmend ta konstituojnë Kuvendin, po le ta bëjnë bre edhe një komision ad hoc, e le ta bëjnë edhe një rekomandim, se për pesë ditë nuk është se shumë ka ndryshuar mes tyre. Ndërkohë, rryma na u rrit linearisht 16.1%, dhe nuk duhet pritur shumë që reagimi zinxhir të ndodhë me rritjen e çmimeve të tjera.

Nëse opozita e deritanishme e ka përnjëmend, atëherë nuk mund ta shkarkojë bordin e ZRRE-së nëse nuk konstituohet Kuvendi. Edhe pse as shkarkimi i këtij bordi nuk e zgjidh problemin e krijuar me rrymën. Zgjidhja e vetme duket një vendim gjyqësor, një masë e përkohshme, që mund ta ndalë ortekun e inflacionit.

* * *

E megjithatë, loja e ngërçeve, që mund të ketë gjasa të vazhdojë edhe sot (ani pse është krejtësisht e panevojshme dhe nervaprishëse për krejt ne që detyrohemi t’ua përcjellim budallallëqet në transmetim të drejtpërdrejtë), nuk qe ngjarja që e shënoi javën.

Politika dhe cirku në Kuvend nuk prajnë së krijuari episode absurde të jetës parlamentare. Tashmë na e kanë trashur lëkurën, e nuk është se po na lënë ndonjë përshtypje të jashtëzakonshme. Pos që po na e mbushin FB-në dhe studiot televizive me analiza të turlillojshme.

Por, rrëfimi personal, thellësisht prekës dhe emotiv i një burri tash 48 vjeç, e besoj do të ketë shkaktuar tronditje të thellë te gjithsecili që e pati fuqinë për ta dëgjuar Ramadan Nishorin deri në fund në ato 35 minuta që do t’i jenë dukur 35 vjet.

Nishori, i pari burrë që doli të tregonte se ishte dhunuar seksualisht nga policia serbe më 1998, me gjithë vështirësinë në frymëmarrje që ia shkaktonte ripërjetimi i poshtërimit më të madh që kishte përjetuar në jetë, foli haptazi dhe qartazi.

Përshkrimi i gjendjes më 1998, i rrethanave të arrestimit, mbajtja dhe keqtrajtimi në stacionin e shëmtuar policor të Gllogovcit të atëhershëm... ishin pasqyrimi i pashpresës i të gjithë atyre që kishin mbetur në mëshirën e fatit të secilit, pa mbrojtje dhe pa as më të voglën siguri se do të mund të mbijetonin.

Nishori mbijetoi, por i vuajti pasojat e dhunimit të përjetuar me vite të tëra, derisa më 2018 nuk e dëgjoi Vasfije Krasniqin duke folur për përvojën e saj. E kontaktoi në FB dhe Vasfija i ndihmoi që t’i qasej Qendrës së udhëhequr nga Feride Rushiti.

Pas shtatë vjetësh, dhe pasi e kishte ndarë traumën e tij me familjen, Dani, siç e quajnë miqtë, doli dhe foli për krimin që kishte ndodhur.

Përkrahja e jashtëzakonshme e bashkëshortes, e më pas e fëmijëve dhe mikeve si Vasfija, Shyretja e Feridja do ta kenë inkurajuar për të dalë publikisht.

Por, pa asnjë dyshim, për veprimin e tij, në këtë ambient toksik e patriarkal, është dashur guxim dhe fuqi emocionale.

Vlera e rrëfimit e Ramadan Nishorit është e pamatshme. Është histori, sado e shëmtuar, që nuk guxon të harrohet.

* * *

“Të zgjedhurit e popullit” do të duhej ta kishin të qartë se luftën e tyre egoiste për pushtet e protagonizëm e vuan një popull i tërë me një milion probleme, prej të cilave shumicën absolute ua kanë krijuar pikërisht këta dhe ata të legjislaturave të kaluara. Është një popull i cili ende nuk mund t’i tejkalojë traumat e luftës, e besa as ato të pasluftës. Mbi të gjitha, është një popull që e sheh se si vitet kalojnë e shanset për një jetë më cilësore shkojnë e zbehen.

E megjithatë, jeta jonë vlen më shumë sesa cinizmi i tyre dhe loja e pafund e inateve.

[email protected]