OpEd

Lojë kalkulimesh jo të shëndosha

Masat e qershorit lejonin edhe mbajtje dasmash e ahengjesh pa asnjë kontroll të vetëm - dhe shumëkush edhe u infektua, por edhe pësoi për shkak të papërgjegjësisë kolektive të shpërfaqur në kohën kur duhej mbledhur remitanca nga diaspora. Tash jemi në pozitën e njëjtë: ky vend nuk ka para në qarkullim. Shtesat që i ndan qeveria për kategori të ndryshme të popullsisë harxhohen shpejt, edhe për shkak se çmimet janë rritur ndërkohë. Dhe prapë kthehemi tek e njëjta pikë: pa ardhur diaspora, ky vend nuk bëhet me para. E për të ardhur, munden edhe nëse s'janë vaksinuar, sepse askush nuk do t'ua kërkojë certifikatën

E besoj se shumëkush do të thotë se është e pabesueshme se sa shpejt iu afrua fundit ky vit kalendarik. Hymë në javën e dytë të dhjetorit ende duke pritur që të themelohen kuvendet komunale e t'ia nisin punës kryetarët e porsazgjedhur të komunave. Ende në pritje të programit të rimëkëmbjes ekonomike, që kjo qeveri e quan të ringjalljes ekonomike, për sektorin privat, i cili përfundimisht u godit më së shumti nga pandemia. Dhe kur them sektor privat, nuk mendoj në gastronominë, e cila vazhdon të viktimizohet dhe të paraqitet si humbësja më e madhe e këtyre dy vjetëve pandemie.

Që prej themelimit të qeverisë Kurti II, sektori privat nuk e ka marrë asnjë, dhe po e nënvizoj, asnjë ndihmë direkte shtetërore për kapërcimin e vështirësive të shkaktuara nga pandemia. Nuk ka pasur as grante, as lehtësi tatimore, as asnjë gjë tjetër, pos ofertës që sektori privat të aplikojë për kredi që pjesërisht do të subvencionoheshin nga buxheti. E kemi thënë shumë herë, kredia edhe mund të merret, porse ajo duhet të kthehet. E në mungesë të parasë qarkulluese në këtë vend, kjo bëhet aq e vështirë, sa ndonjëherë kufizohet me të pamundurën.

* * *

Plotësisht të vetëdijshëm për këtë lëngim të ekonomisë kosovare që bartet prej viti në vit thuajse një dekadë, komiteti anti-Covid (apo Komiteti për koordinim dhe vlerësim të situatës me pandeminë COVID-19) doli para disa ditësh për të na treguar se një masë restriktive e udhëtimit do të nisë së zbatuari vetëm më 3 janar të vitit vijues.

Pra, deri më datën 3 janar, kushdo që ka marrë ose nuk ka marrë vaksinë, porse mund ta paraqesë një test PCR se nuk është i infektuar, mund të vijë në Kosovë. Një diçka e ngjashme ndodhi në qershor, ku supozohej se askush nuk do të lejohej të hynte pa test PCR në Kosovë. Në fund na shpërtheu vala më e tmerrshme e pandemisë që i mbyti disa qindra njerëz.

Masat e atëhershme lejonin edhe mbajtje dasmash e ahengjesh pa asnjë kontroll të vetëm - dhe shumëkush edhe u infektua, por edhe pësoi për shkak të papërgjegjësisë kolektive të shpërfaqur në kohën kur duhej mbledhur remitanca nga diaspora.

Tash jemi në pozitën e njëjtë: ky vend nuk ka para në qarkullim. Shtesat që i ndan qeveria për kategori të ndryshme të popullsisë harxhohen shpejt, edhe për shkak se çmimet janë rritur ndërkohë. Dhe prapë kthehemi tek e njëjta pikë: pa ardhur diaspora, ky vend nuk bëhet me para.

* * *

Pra, tashmë mund të presim fluks të madh qytetarësh që do të vijnë nga Perëndimi për t'i kaluar së paku dy javët e fundit të këtij viti me familjarët. Jo pak do të zgjedhin ta presin Vitin e Ri në ndonjë lokal kudo nëpër Kosovë, që thuajse jam e sigurt, do ta marrë lejen e punës edhe përtej orës policore, vetëm për shkak se gastronomët duhen të fitojnë në fund të vitit, e edhe mërgimtarëve duhen krijuar kushtet për të ardhur e për të shpenzuar para.

E gjithë kjo ndodh në kohën kur Kosova shënon incidencë shumë të ulët rastesh të të infektuarish dhe të vdekjeve të shkaktuara nga COVID-i, e që krahasuar me rajonin, na vendos në vend të parë sa i përket "sigurisë" në këtë aspekt. Porse gjithashtu ndodh në kohën kur ka ditë që vaksinohen vetëm nga 600-700 veta, e kur mesatarja vështirë se e kalon dymijëshin në ditë. Fare në fund, ndodh në kohën kur Evropa nis të ndërmarrë masa tejet restriktive për shkak të paraqitjes së edhe një varianti të COVID-it për të cilin nuk dihet shumë, pos që ka kapacitet të jashtëzakonshëm infektimi. Përderisa shtetet perëndimore u rekomandojnë qytetarëve të tyre që të mos festojnë në grumbull Krishtlindjen, dhe madje shkojnë aq larg sa e ndalojnë praninë e publikut në ndeshjen Bayern-Barcelona, ne ia lejojmë vetes luksin që të mos e kërkojmë kartonin e vaksinimit tash për të gjithë ata që duan të hyjnë në Kosovë.

* * *

Tashmë e përmenda - më i godituri nga pandemia doli të jetë sektori privat. Sepse ai publiku, gjatë gjithë kohës, si punoi, si nuk punoi, u pagua rregullisht nga buxheti i Kosovës.

Të tillë ishin edhe mësimdhënësit të cilët më shumë pushuan sesa që punuan sidomos në vitin e parë të pandemisë dhe përsëri gjejnë arsye të çohen dhe të protestojnë, në kërkim të zbatimit të ligjit të pezulluar të pagave.

Ligji i miratuar nga Qeveria Haradinaj u shpall jokushtetues në disa nga elementet e tij dhe për pasojë, edhe u pezullua derisa nuk i gjendet një zgjidhje për zbatim. E ankuesve kryesorë arsimi dhe shëndetësia, nuk po u pritet. Dhe përderisa dikush do të mund të argumentojë se stafi shëndetësor do të duhej të paguhej më shumë për punën që e kryen, për arsimtarët nuk është se do të duhej të ishte ashtu.

Edhe në sektorin shëndetësor kemi telashe - shumë serioze, madje, e që i ngrehim me vite. Fillimisht nuk kemi sigurim shëndetësor, e më pas nuk kemi ndarje të prerë mes shërbimit publik dhe atij privat. Me vite të tëra vidhen para të dedikuara për barna në tenderë të dyshimtë dhe përherë pacientët detyrohen t'i blejnë ato privatisht, pos edhe shumë gjërave të tjera që duhen siguruar në institucionet publike. Porse, ekziston edhe rreziku i ikjes së trurit, pra të kuadrove të kualifikuara në të cilët është investuar shumë për t'u formuar, ngase nuk e shohin perspektivën profesionale në këtë ambient.

Por, në sektorin e arsimit kemi probleme thelbësore në sistem - sepse mësimdhënësit tanë qe dy dekada prodhojnë analfabetë funksionalë. Dhe më e keqja prej të gjithë kësaj është se ata me ngulm refuzojnë të testohen - ashtu që të mund të kuptohet edhe arritshmëria e tyre profesionale. Fakti se aq shumë të rinj na klasifikojnë nga fundi i Testit PISA nuk mund të jetë vetëm pasojë e mosinteresimit apo mungesës së nxënies së tyre. Është pasojë e drejtpërdrejtë e një sistemi mbase anakronik, por edhe i përgatitjes së keqe profesionale të arsimtarëve (natyrisht këtu nuk duhet futur të gjithë në një shportë).

Është e pakuptimtë rezistenca e mësimdhënësve për testim: nëse janë të sigurt në vete dhe nëse nuk kanë dyshime në aftësitë e tyre pedagogjike dhe profesionale, nuk kanë pse i frikësohen testimit. Për më tepër, ata vetë do të duhej të insistonin që të licencohen për profesionin e mësimdhënies. Pra, t'u nënshtrohen testimeve periodike tri apo pesëvjeçare për ta mbajtur licencën e mësimdhënësit, ashtu që në atë sistem të mbesnin më të mirët. Ata që duhen sjellë cilësi të re në arsim.

Një zgjidhje duhet gjetur kësaj pune. Nuk mund të ketë vetëm rritje pagash e të mos e ketë asnjë përgjegjësi nga ana që paguhen nga tatimet tona. E përgjegjësia e tyre bëhet edhe më e madhe kur dihet se shtetin mund ta çojë përpara vetëm sistemi i mirë i arsimit që krijon profesionistë të aftë dhe të përgjegjshëm.

* * *

Pra të aftë e të përgjegjshëm për ta zhvilluar shtetin e ekonominë, e jo si këta 12 zyrtarë shtetërorë (prej 31 të arrestuarish) që u burgosën dje nën akuzat se kanë vjedhur dhe kanë keqpërdorur mjetet buxhetore.

Në aksionin e nisur para dy vjetësh, prokuroria dhe policia i kanë rënë mbas një rrjeti hajnash dhe keqpërdoruesish në një agjenci të pavarur shtetërore dhe në plot komuna të Kosovës që janë pasuruar vetëm pse i kanë mashtruar bujqit e besa edhe e kanë mashtruar Kosovën.

Që nga fillimi i aksionit janë arrestuar 74 persona për të cilët në të shumtën thuhet se kanë marrë ryshfet, u kanë dhënë subvencione njerëzve që nuk i kanë plotësuar kushtet dhe kanë shkruar raporte të rreme, ndër të tjera.

Në vend se paratë e shtetit dhe të donatorëve të shërbenin për rritjen e prodhimtarisë bujqësore në vend, ato kryesisht kanë shërbyer për pasurimin e një grumbulli njerëzish që në emër të kualifikimeve profesionale të fituara në shumë institucionet kot që i ka ky vend, kanë zënë vend pune në shtet. Pra, shembuj tipik sikur të personazhit të barsoletës, të cilit, kur paraqitet në punë, shefi i thotë: "Do të kesh zyrë, veturë, telefon, udhëtime e mëditje dhe do ta kesh rrogën XXX euro në muaj", kurse ky duke iu falënderuar,e pyet: "A edhe rrogë do të marr, a?".

Nuk e di a ekziston ndonjë kalkulim se sa shumë dëm i kemi bërë ne vetes, financiarisht e kam fjalën. Për politikisht, jemi duke i ndier pasojat dita më ditë, dhe do të na marrë kohë të mësojmë edhe të bëjmë politikë. Porse hajnia masive, korrupsioni, mungesa e ligjit dhe mosndëshkimi na kanë dërrmuar ekonomikisht. Gjë që edhe është evidente: mund ta kem gabim, porse më duket se Kosova është ndër të rralla vendet ku të ardhurat personale në sektorin publik janë më të larta se ato të sektorit privat, në kushte të ekonomisë së tregut.

Shumëçka nuk është në rregull me këtë vend. E di që nuk ka shkop magjik që e zgjidh. Porse duhet nisur diku. Në arsim, shëndetësi e gjyqësi, për shembull.

[email protected]