OpEd

Listat e deputetëve vs. listat ministrore

Ndikimin më të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve të vendit e ka Qeveria. Prandaj, për të zgjedhur në mënyrë të mençur, qytetarët duhet ta dinë se kush do të qeverisë. Gara me kandidatë për kryeministër nuk mjafton, sepse njerëzit më të rëndësishëm, menjëherë pas kryeministrit, janë ministrat. Prandaj, votuesit duhet të dinë paraprakisht se kush do të jenë njerëzit që do të zënë këto funksione të rëndësishme. Kjo do t’u ndihmonte atyre që të vendosin më lehtë se kujt t’ia japin e kujt të mos ia japin votën

Megjithëqë të gjitha partitë i kanë dorëzuar dhe i kanë publikuar listat e tyre zgjedhore, për një numër votuesish të pavendosur nuk do të jetë e lehtë të vendosin se për cilën parti politike apo koalicion do të votojnë, vetëm në bazë të cilësisë së kandidatëve që bëjnë pjesë në këto lista zgjedhore. Ata mund t’i eksplorojnë listat zgjedhore të të gjitha partive, nëse janë në mëdyshje se për cilën do të votojnë, por kjo aspak nuk do t’ua lehtësojë vendimin. Kjo ngase që të gjitha partitë kanë kandidatë të mirë, por edhe aso që nuk ia vlen të merresh me ta, e lëre më të shqyrtosh se a do t’ua japësh votën apo jo. 

Me LDK-në dhe me PDK-në, që në legjislaturën që po e lëmë pas kanë pasur më pak se nga njëzet deputetë, listat sjellin shumë risi dhe njerëz që nuk kanë qenë të angazhuar në legjislaturën qendrore. LVV-ja, e cila ka pasur më shumë se pesëdhjetë deputetë, është më lehtë të vlerësohet se cili/cila prej tyre e ka merituar besimin e qytetarëve dhe pagën e deputetit, e cili/cila jo.

Thënë të vërtetën, vetëm e kam skanuar listën e LVV-së sa për kureshtje, sepse shumica e deputetëve të saj në këtë legjislaturë kanë qenë bukëpërmbysës të dëgjueshëm e dembelë. As nuk e kanë merituar besimin e qytetarëve e as rrogën e deputetit/deputetes. Grupi parlamentar i LVV-së ka qenë një makineri e dëgjueshme e lidershipit – as nuk janë angazhuar si duhet në debat parlamentar, madje e kanë bojkotuar Parlamentin, e as kanë shprehur kreativitet e njohuri nga fusha e legjislacionit dhe e politikave publike. Urdhrat e lidershipit, e jo nevojat e qytetarit, kanë qenë udhërrëfyes i angazhimit të tyre parlamentar. Kur u është urdhëruar, kanë bojkotuar parlamentin. Po ashtu, kur u është urdhëruar i kanë shërbyer Qeverisë si makineri votuese, gjë që u pa në seancën e fundit të pasmesnatës, kur me procedurë të shpejtë, pa asnjë debat, i miratuan mbi 20 ligje. Opozita, me të drejtë nuk e legjitimoi këtë puç legjislativ të shumicës dhe me të drejtë ka thënë se do t’i dërgojë në Gjykatën Kushtetuese për ta vlerësuar kushtetutshmërinë e ekspres-ligjeve të mesnatës, të votuara nga shumica parlamentare e LVV-së. Mirëpo kjo ndodh në demokracitë e pazhvilluara, siç është Kosova. Në këto lloj demokracish, në vend se parlamenti ta kontrollojë Qeverinë, ndodh e kundërta: Qeveria e kontrollon parlamentin. Prandaj, edhe llogaridhënia qeveritare është e mangët, nëse fare nuk ekziston. Kështu që, duke qenë se Qeveria është më e fuqishme sesa Parlamenti, për votuesit e pavendosur është me rëndësi të dinë se cila do të jetë përbërja e Qeverisë. Do të ishte mirë që, sidomos LVV-ja si partia që synon të fitojë shumicën për të dytën herë radhazi, t’u tregojë qytetarëve se kush do të jenë ministrat e ardhshëm, nëse i fiton zgjedhjet përsëri.

Kryeministri Kurti nuk e ka bërë asnjë ndërrim në kabinetin e tij qeveritar, megjithëse shumica dërrmuese e ministrave të tij kanë performancë të mjerueshme në politika publike.

Disa prej tyre, madje, përveç që kanë pasur performancë të mjerueshme si ministra, ia kanë zbehur vlerën një funksioni aq të rëndësishëm, siç është funksioni ministror, me paraqitjet e tyre skandaloze si figura publike. Pra, nëse kryeministri Kurti nuk e ka zëvendësuar asnjërin nga shumë ministrat e dobët që i ka pasur, e që do të thotë se ka qenë i kënaqur me punë e tyre, a do të thotë kjo se ai synon që të qeverisë me njerëzit e njëjtë sikurse këta katër vjetët e kaluar?

Qeverisja Kurti tregon më së miri se nuk mjafton një figurë emblematike për ta qeverisur vendin mirë.

Qeverisja e mirë, përveç lidershipit të zgjuar, duhet të mbështetet në një ekip njerëzish të përgatitur, të cilët janë në gjendje t’i udhëheqin dikasteret e tyre dhe të krijojnë e zbatojnë politika, të cilat e çojnë Kosovën përpara dhe e përmirësojnë jetën e qytetarëve të vendit.

Prandaj, PDK-ja e LDK-ja, si parti që janë më afër për t’u bërë grupe parlamentare me ndikim më të madh elektoral për zgjedhjen e kabinetit të ardhshëm qeveritar, duhet t’u tregojnë qytetarëve përbërjen e qeverive që do të udhëhiqen nga Bedri Hamza apo Lumir Abdixhiku, nëse njëri prej tyre do ta ketë mundësinë ta formojë qeverinë e re, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025. Këto parti, por edhe partitë e tjera më të vogla, siç është AAK-ja, si dhe pretendentët e tjerë për pushtet, duhet t’i hapin letrat tërësisht, duke u treguar qytetarëve se kush do të ishin ministrat e kabineteve të tyre qeveritare nëse ato e formojnë Qeverinë.

Votuesit e pavendosur kanë gjasë që të votojnë për partitë apo koalicionet të cilat u ofrojnë atyre një përbërje më cilësore të ekipit ministror. Kjo sepse asnjëri prej kandidatëve që i përmenda për kryeministër nuk ia kalon Albin Kurtit për nga popullizmi dhe për nga karizma. Mirëpo, nuk do të ishte e vështirë të mundet Kurti në zgjedhje nëse vendoset në peshore cilësia e kandidatëve për ministra. Kjo sepse, siç është parë në mandatin që po e lëmë pas, LVV-ja ka mungesë njerëzish cilësor, të përgatitur që me sukses të udhëheqin me dikasteret e tyre. Prandaj, gara me lista të ekzekutivit do t’u jepte LDK-së dhe PDK-së avantazh kompetitiv në raport me LVV-në, sepse në këtë mënyrë këto dy parti do të mund të kthenin votuesit që i kanë humbur e që janë të pakënaqur me qeverisjen e LVV-së, por që vazhdojnë të kenë mëdyshje nëse t’ia japin votën njërës prej këtyre dy partive.

Listat e kandidatëve për deputetë janë pjesë e procesit zgjedhor. Por, megjithëse votuesit mund të votojnë për dhjetë kandidatët e tyre të preferuar, në fund, kur të zgjidhet përbërja e re parlamentare, asnjëri nga deputetët nuk do t’ia çojë telefonin votuesit të tij. Kjo është e meta e sistemit zgjedhor në Kosovë. Ndikimin më të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve të vendit e ka Qeveria. Prandaj, për të zgjedhur në mënyrë të mençur, qytetarët duhet ta dinë se kush do të qeverisë. Gara me kandidatë për kryeministër nuk mjafton, sepse njerëzit më të rëndësishëm, menjëherë pas kryeministrit, janë ministrat. Prandaj, votuesit duhet të dinë paraprakisht se kush do të jenë njerëzit që do të zënë këto funksione të rëndësishme. Kjo do t’u ndihmonte atyre që të vendosin më lehtë se kujt t’ia japin e kujt të mos ia japin votën.

[email protected]