OpEd

Lindja e një Evrope të re

Me Trumpin në Shtëpinë e Bardhë aleanca transatlantike do të jetë e obliguar që të japë përgjigje në disa pyetje themelore, të cilat kërkojnë kompromise nga të dyja anët e Atlantikut

Kur presidenti Biden kishte hyrë në Shtëpinë e Bardhë katër vjet më herët, ai njoftoi botën se “America is back” në skenën globale. Tani kur presidenti Trump do të hyjë pas pak ditëve në Shtëpinë e Bardhë, përsëri është kthyer diskutimi për tërheqjen e Amerikës nga skena globale. Ndonëse deklaratat e Trumpit shkaktojnë një avalansh të kryetitujve në medie, historikisht kjo është një sjellje e zakonshme për superfuqitë. 

Kur Mbretëria e Bashkuar ishte epiqendra e botës në shekullin XIX, ajo kishte shpikur termin “Splendid Isolation” – term i cili nënkuptonte insistimin e ishullit që të mos përfshihet në aleancat e përhershme politike dhe ushtarake. Këtë izolim ishulli ishte gati të ndërpresë vetëm në rast të ngritjes së një hegjemoni kontinental i cili do të kërcënonte balancin e forcave në Evropë dhe rrjedhimisht edhe sigurinë nacionale të Mbretërisë së Bashkuar. Po kështu ngjashëm është sjellë edhe Amerika që nga marrja e statusit të superfuqisë. Izolacionistët e politikës “America First” kanë qenë çdo herë zë i konsiderueshëm brenda skenës politike amerikane. Dominimi i tyre pas Luftës së Parë Botërore dhe si pasojë tërheqja amerikane nga Evropa në atë kohë ishte njëri nga shkaktarët kyçë të nisjes së Luftës së Dytë Botërore. Kjo është edhe arsyeja përse pas Luftës së Dytë Botërore, Amerika vendosi që të qëndrojë dhe të investojë në Evropë. Që nga ajo kohë Amerika ndërtoi një Evropë e cila në shkëmbim të ombrellës së sigurisë amerikane pranoi lidershipin e saj global. Nga ana tjetër, politika amerikane në Evropë u ndërtua mbi premisën e dikotomisë së fuqisë ekonomike dhe ushtarake evropiane. Në terma praktikë, amerikanët dëshironin një ekonomi të fortë evropiane, por jo një hegjemon ushtarak evropian. Në fjalët e ish-sekretarit të Shtetit, Dean Acheson “Kontrolli i Evropës nga një fuqi e vetme agresive dhe jomiqësore do të përbënte një kërcënim të patolerueshëm për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara”. 

Kjo qasje amerikane ka gëzuar konsensus ndërpartiak amerikan për gati një shekull, ndonëse në vazhdimësi ka pasur ngritje dhe rënie të zërave izolacionistë brenda skenës politike amerikane. Në veçanti Presidenca e parë Trump ka qenë artikuluesi i parë serioz i kësaj rryme amerikane. Dhe tani përsëri disa ditë para hyrjes së tij në Shtëpinë e Bardhë është rikthyer debati mbi marrëdhënien transatlantike dhe në veçanti për rolin dhe përgjegjësinë e ruajtjes së kontinentit evropian. Duhet pranuar që kritika e Trumpit ndaj Evropës nuk është diçka në thelb e re. Edhe pse SHBA-ja ka vlerësuar çdo herë lart aleancën me bllokun evropian ata në vazhdimësi kanë insistuar në rritjen e autonomisë evropiane me qëllim të marrjes së përgjegjësisë më të madhe për ruajtjen e kontinentit evropian dhe rrjedhimisht çlirimin e Amerikës për t’u marrë me Azinë. Kjo politikë u formulua me kërkesat e vazhdueshme amerikane për rritjen e shpenzimeve evropiane ushtarake dhe pavarësimin ekonomik dhe energjetik nga Rusia. 

Pra thënë ndryshe, kërkesa e Trumpit, ndonëse jokonvencionale në kuptimin e artikulimit të saj, në thelb është një kërkesë e vazhdueshme amerikane për transformimin e rolit amerikan në Evropë nga ofruesi i parë i sigurisë në balancuesin e fundit të forcave kontinentale. Dhe kjo është një kërkesë e drejtë, por e cila kërkon vizion dhe vullnet të përbashkët transatlantik. Në thelb ajo do të kërkonte minimalisht tri gjëra. 

E para, aleatët duhet të arrijnë një kompromis mbi prezencën dhe strukturën e forcave amerikane në kontinentin amerikan. Kjo do të mund të nënkuptonte zëvendësimin gradual të 120,000 forcave amerikane me forcat evropiane. Nga ana tjetër, kapacitetet bërthamore dhe të inteligjencës amerikane do të ngeleshin të pandryshuara pasi ato do të ishin thelbësore për mirëmbajtjen e vitalitetit të kapacitetit luftarak të aleancës. Një kompromis i tillë do të adresonte kritikën amerikane për marrjen e përgjegjësive të aleatëve evropianë për kontinentin evropian, por edhe do të ruante efektivitetin e aleancës transatlantike. 

Së dyti, SHBA-ja duhet të heqë dorë nga kërkesa për blerjen e mjeteve ushtarake amerikane nga ana evropiane dhe në vend të kësaj duhet të ndihmojnë evropianët të dakordojnë një vizion të ndërtimit të qëndrueshëm të kapaciteteve evropiane ushtarake. Një qasje e tillë, jo vetëm se do të ndihmojë ekonomitë evropiane, por edhe do të rrisë mbështetjen publike të qytetarëve evropianë për shpenzimet e shtuara ushtarake – gjë që është edhe kërkesë dhe synim amerikan. 

Së treti, aleatët duhet të dakordohen se në një perspektivë afatgjate, përgjegjësia për kontinentin evropian duhet t’u ngelet evropianëve. Përderisa në afatshkurtër, evropianët kanë nevojë për udhëheqjen amerikane në veçanti sa i përket pushtimit rus të Ukrainës, në afatgjatë, evropianët kanë kapacitet të bollshëm financiar për t’i bërë ballë armikut të tyre kryesor – Rusisë. Me 600 milionë banorë, anëtarët evropianë të NATO-s kanë gati katërfish popullatë më të madhe se Rusia. Ekonomia evropiane është dhjetëfish më e madhe dhe më moderne se ekonomia ruse. Shpenzimet e kombinuara ushtarake evropiane janë pesë herë më të mëdha se shpenzimet ruse. Pra, marrja e përgjegjësisë ushtarake për kontinentin evropian nuk është çështje e kapacitetit ushtarak apo ekonomik, por e vullnetit politik. 

Këta tre hapa do të ishin një fillim i mirë për të vendosur debatin për marrëdhënien transatlantike në një kornizë përfitimesh, nga e cila do të përfitonin të dyja palët. Një marrëdhënie e tillë do të forconte autonominë ushtarake dhe ekonominë evropiane, e nga ana tjetër do të çlironte Amerikën nga Evropa për t’u marrë me teatrin aziatik. Njëkohësisht ajo do të ruante pozicionin e saj si balancues i fundit i forcave në kontinentin evropian.