Rregullat e komunikacionit janë një sistem dispozitash në formë ligjesh dhe aktesh nënligjore që përbëjnë një infrastrukturë dhe kjo është infrastruktura ligjore.
Në kohërat kur rrugëve kanë qarkulluar vetëm qerret e tërhequra nga kafshët, ato më të shpejta me kuaj, kurse ato më të ngadalshme me qe, çdokush ka ngarë qerren sipas dëshirës se vet dhe qysh atëherë kanë filluar mosmarrëveshjet dhe aksidentet në komunikacion.
Përparësia e kalimit ka qenë e caktuar sipas shtresave të njerëzve, andaj këtë përparësi e kanë shfrytëzuar pasanikët dhe njerëzit me prestigj të lartë ku para qerreve të tyre kanë shkuar kalorësit duke i larguar me kamxhik njerëzit e rëndomtë dhe qerret e tyre, pra ky ishte “ligji i të fortit”.
Që në ato kohëra janë krijuar rregulla të pashkruara të cilave u janë përmbajtur banorët e një qyteti apo lokacioni. Problemi më i madh ka qenë përballë kalimit në rrugë dhe ura të ngushta, kështu p.sh. ilirët gjatë ndërtimit të rrugëve në vendet shkëmbore në Dalmaci, në kodra kanë ndërtuar dy rrugë paralele njërën për ngjitje dhe tjetrën për zbritje të cilat i kanë shënuar me skalitjen e shenjave në gurë.
Gjatë historisë në komunikacionin rrugor ka pasur rregulla për neve tani të pakuptimta siç janë ato sipas ligjit anglez ku parashihej që para dilizhansës me avull duhej të ecte personi me zile dhe flamur të kuq në dorë për ta paralajmëruar ardhjen e atij mjeti. Këtu për herë të parë paraqiten rregulla të “Ligjit të Flamurit të Kuq” (“Red Flag Acts”).
Edhe në Kosovë gjithmonë ka pasur probleme në zhvillimin normal të trafikut, si gjithkund në vendet e tjera. Me të përfunduar të luftës së fundit me 1999 në Kosovë erdhi deri tek një çrregullim i madh në trafik si pasojë e mungesës së kontrollit, importit pa kriter të automjeteve, ngasjes nga persona të paaftësuar, gjendjes së rrugëve e veçanërisht mungesës se infrastrukturës ligjore nga kjo lëmë.
Numri i aksidenteve ishte shumë i madh me pasoja nga ato me dëme të mëdha materiale, me lëndime e deri tek ato me pasoja fatale.
Edhe pas marrjes së kontrollit të komunikacionit nga ana e Policisë së UNMIK-ut, e më vonë edhe të SHPK-së, kishte vështirësi në aplikimin e ligjeve dhe akteve nënligjore, ngase nuk dihej se cilat janë në fuqi, kështu Administrata e UNMIK-ut me Rregulloren 1999/24, plotësuar më 2000/59 (Bernard Kouchner) vendos që të aplikohen ligjet dhe rregulloret e mëparshme të Jugosllavisë dhe Krahinës së Kosovës, të cilat konsiderohen se nuk janë diskriminuese, andaj në zbatim mbeten: Ligji për bazat e sigurisë së qarkullimit rrugor, (Gazeta zyrtare e RSFJ nr. 50/88), si dhe aktet e tjera nënligjore të bazuara në atë ligj dhe Ligji mbi Sigurimin e Komunikacionit në Rrugë (Gazeta zyrtare e Krahinës Socialiste të Kosovës nr. 5/84). Nuk ishin në pyetje vetëm këto ligje që përmendura, por edhe shumë akte nënligjore në formë rregulloresh e udhëzimesh, si dhe derivate të tjera nga këto ligje. Ky ishte një absurd i vërtetë, si mund të zbatohen ligjet e shteteve që nuk ekzistonin më?
Duke parë një gjendje tejet të rëndë në sigurinë e komunikacionit rrugor, institucionet e administratës civile të UNMIK-ut nxjerrin Urdhëresën Administrative 1999/1 për Trafik të nënshkruar nga Tom Koenigs, ZDSSP të OKB për Administratë Civile. Kjo urdhëresë përfshinte kufizimin e shpejtësisë së lëvizjes së automjeteve (për herë të parë në vende urbane kufizohet shpejtësia e lëvizjes në 35 km/h), rregullat e tejkalimit, pengimin e trafikut, gjendjen e automjetit si dhe masat ndëshkuese. Kjo Urdhëresë është e shtypur në vetëm pesë faqe të formatit A5 me gjithsejtë 11 paragrafë.
Ligji për Sigurinë në Komunikacionit Rrugor 02/L-70 u miratua nga Administrata e UNMIK-ut më datë 12. 12. 2007, pra rreth shtatë vjet Kosova nuk kishte ligje adekuate dhe mund të themi se kjo ishte një anarki. Kjo gjendje ndikoi shumë në përkeqësimin e sigurisë në trafik.
Ligjet nga fusha e trafikut rrugor zakonisht janë marrë si model i Kroacisë. Kjo për arsye se zhvillimi i trafikut në atë shtet është i ngjashëm me kushtet tona, pastaj hartuesit e ligjit ishin ekspertë të diplomuar në Fakultetin e Komunikacionit në Zagreb dhe nuk kishin problem me gjuhën.
Zhvillimi i trafikut është fushë dinamike. Ligjet dhe aktet nënligjore ndryshohen shpesh ose plotësohen. Në Kosovë ka pasur ngecje në miratimin e ligjeve nga Kuvendi.
Ligji i përmendur më lart duhej të ndahej në: Ligin për Rregullat e Trafikut Rrugor, Ligjin për Patentë Shoferë dhe Ligjin për Automjetet.
Këto tri ligje është dashur të miratoheshin në paketë së bashku, por pati ngecje dhe neglizhencë të heshtur.
Ligji për Rregullat e Trafikut Rrugor 05/L-088, pas shumë peripecive, miratohet më datën 5 maj 2016. Ligji për Patentë shoferë 05/L-064 u miratua më 18 maj 2016. Ligji për Automjetet 05/132 miratohet më 18 prill 2017.
Nga autorizimet e parapara me këto ligje janë nxjerrë akte nënligjore në formë rregulloresh dhe të udhëzimeve administrative.
Përveç këtyre ligjeve, janë miratuar edhe disa të tjera nga lëmi i trafikut rrugor: Ligji për Rrugët, Ligji për Transportin Rrugor, Ligji për Transportin e Mallrave të Rrezikshme, si dhe rregullore e udhëzime administrative nga kompetencat nga këto ligje.
Ligjet respektivisht rregullat e trafikut ndryshohen dhe plotësohen shpesh, sepse ndryshojnë edhe rrethanat në zhvillimin e trafikut. Kush kishte menduar se tani në trafik kemi mjete të reja siç janë triçikletat, katerçikletat, trotinetet me motor e shumë mjete të tjera, andaj duhet zbatuar rregulla edhe për to.
Ligji për Rregullat e Trafikut Rrugor 08/L-186 hyri në fuqi në fillim të muajt prill 2024. U bë polemikë e madhe e për disa njerëz edhe hutim. Më së shumti ishte në pyetje lartësia e dënimit, disa rregulla të reja, masa sanksionuese e marrja e patentës e disa masa të tjera.
A ndikojnë aq shumë dënimet e larta si masa represive? Kjo po shihet se në fillim nuk ka aq shumë efekt. Ditën e parë të hyrjes në fuqi të këtij ligji kishim 36 aksidente me të lënduar në trafik e shumë të tjera me dëme materiale. Numri i pjesëmarrësve të dënuar është pothuajse i njëjtë si më parë. Dënimi i vogël është dënim që askush nuk e bën me dëshirë. Dënimet e larta mund të ndikojnë pozitivisht, por në fillim nuk po vërehet ndonjë përparësi.
Në dispozitat sanksionuese të këtij ligji paraqiten subjektet përgjegjëse për sigurinë e trafikut rrugor, si persona fizikë, persona juridikë, person përgjegjës e pjesëmarrës në trafik. Ka pjesëmarrës që nuk bëjnë dallim tek personat e përmendur. P.sh. “person juridik” nuk është një njeri, por një institucion apo një organ përgjegjës. Person juridik janë edhe Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Punëve të Brendshme, organet komunale etj.
Shtrohet pyetja: a do të ngrijë policia procedurë kundërvajtëse për Ministrinë e Infrastrukturës për mosmirëmbajtjen e sinjalistikës në rrugë, ndërrimin e shenjave të dëmtuara, pastrimin e bankinave e shumë kundërvajtjeve të tjera, apo do të ngrijë procedurë kundër Ministrisë së Punëve të Brendshme (kundër vetvetes), apo kundër ndonjë organi, personi përgjegjës? A do të dënohet komuna për mosmirëmbajtjen e rrugëve në qytet si dhe rrugëve lokale, a do të dënohet ndërmarrja hekurudhore për laurat e prishura dhe sinjalizimit në vendkalimet hekurudhore, a do të dënohet ndërmarrja e prodhimit të shenjave të cilat për një kohë të shkurtër e kanë humbur refleksionin?
Të shpresojmë se në përmirësimin e gjendjes do të ndikojë përdorimi i mjeteve teknike të avancuara. Përdorimi i radarëve (laserëve) në mënyrë siç përdorët sot, pak bën punë. Ka pjesëmarrës që njoftojnë të tjerët me drita apo me telefon se ku ka radar. Është një dukuri e rrezikshme ku disa motoçiklistë dalin në rrugë duke njoftuar njëri-tjetrin me telefon se nuk ka patrulla në rrugë e shumë marifete të tjera, andaj mbetet të shpresojmë në përmirësimin e gjendjes.
(Autori është ekspert i trafikut rrugor)