Ekziston një arsye pse Manastirit të Deçanit nuk i regjistrohet toka e fituar në gjyq, pse punëtorët e Fabrikës së Tubave të Ferizajt nuk i morën paratë e fituara në gjyq, dhe pse nuk themelohet Bashkësia e komunave serbe e nënshkruar në negociata në Bruksel
1.
Slobodan Milosheviqi vështirë se do ta imagjinonte ndonjëherë se veprimet e tij do të mbrohen nga sistemi kushtetues i Republikës së Kosovës, përfshirë edhe nga Gjykata e saj Kushtetuese. Në nëntor të vitit 1997, Qeveria e Serbisë, e cila i nënshtrohej vullnetit të tij politik, ia dhuroi një copë toke Manastirit të Deçanit, tokë e nacionalizuar në vitin 1948. Toka qe nacionalizuar sipas ligjeve të atëhershme revolucionare gjithandej Jugosllavisë Socialiste dhe çdo kishë e manastir kishte mbetur pa tokat që i konsideronte të vetat, por vetëm Manastiri i Deçanit përfitoi nga dorëlirësia e pushtetit serb. Ç’është e vërteta, kjo dorëlirësi ishte e kujdesshme juridikisht, kështu që akti i dhurimit nuk u bë në saje të një ligji të përgjithshëm që do ta anulonte Ligjin për nacionalizimin e vitit 1948, por në saje të një vendimi të veçantë dhurimi.
Pas luftës, e madje edhe pas shpalljes së pavarësisë, përfaqësuesit e Manastirit të Deçanit kërkuan që ky vendim të përligjej brenda sistemit ligjor të Kosovës. Në një lëmsh juridik, në të cilin qenë përfshirë Dhoma e Veçantë e Gjykatës Supreme të Kosovës, UNMIK-u, Manastiri dhe dy ndërmarrje që pretendonin pronësinë u arrit shumëçka (madje edhe një ujdi për këmbim trojesh mes Manastirit dhe Komunës së Deçanit)- por nuk u arrit një përfundim. Ankesa e kundërankesa bëheshin nga shumë anë, ndërsa transferoheshin njëkohësisht kompetencat nga UNMIK-u në institucione të Kosovës. Çështja në fund arriti në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës dhe ajo i dha të drejtë Manastirit të Deçanit.
2.
Pyetja për Gjykatën Kushtetuese nuk ishte se a kishte të drejtë S. Milosheviqi t’i dhuronte tokë të Kosovës një institucioni (në këtë rast Manastirit, por mund të ishte cilido institucion). Pyetja ishte se a iu mohua e drejta për gjykim të drejtë Manastirit të Deçanit me aktin e pezullimit të vendimit të parë të Gjykatës kosovare për të konfirmuar pronësinë e tokës? Dhe Gjykata Kushtetuese konstatoi, duke nxjerrë në pah shkeljet procedurale ligjore, se Manastirit nuk duhej pezulluar vendimi i parë, rrjedhimisht, ndonëse jo shprehimisht, se është pronar i tokave.
Kështu, sistemi juridik i Kosovës e mori si të mirëqenë juridikisht të drejtën e S. Milosheviqit, përkatësisht të Qeverisë së Republikës së Serbisë, që ta dhurojë atë tokë.
Por ky rrëfim nuk fillon e as përfundon këtu.
Para Manastirit të Deçanit ishte një lëndë tjetër që arriti në Gjykatën Kushtetuese, ajo e Fabrikës së Tubave në Ferizaj. Sindikata e Punëtorëve të kësaj fabrike kishte ngritur pas luftës padi në Gjykatën Komunale të Ferizajt për rastin e përjashtimit të punëtorëve të kësaj fabrike më 1990, kur Serbia vendosi masa të veçanta administrimi në ndërmarrjet kosovare pas pezullimit të dhunshëm të autonomisë. Gjykata e Ferizajt i dha të drejtë Sindikatës së Punëtorëve dhe caktoi një shumë prej 26 milionë eurosh që duhej t’u paguhej këtyre punëtorëve. Gjykata e Ferizajt nuk e përcaktoi se shumën e të hollave duhej ta paguante përgjegjësi juridik, që në bazë të ankesës së punëtorëve duhej të ishte administrimi i dhunshëm i Fabrikës, i vendosur nga Republika e Serbisë, pra okupatori. Kjo gjykatë vendosi se pagesën duhej ta bënin institucionet që nuk kanë ekzistuar gjatë okupimit të Kosovës, pra ato të UNMIK-ut dhe të Republikës së Kosovës.
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shpalli vendimin më 2010 me të cilin “KONSIDERON që vendimi final dhe i detyrueshëm i Gjykatës Komunale në Ferizaj duhet të ekzekutohet nga autoritetet kompetente, në veçanti nga Qeveria dhe Agjencia Kosovare e Privatizimit, si pasardhëse ligjore e AKM-së”.
Kështu, GJKK-ja konfirmoi se Republika e Kosovës do të marrë si obligime vetjake dëmet që i kanë bërë S. Milosheviqi dhe autoritetet okupuese serbe që nga pezullimi i autonomisë deri më 12 qershor 1999.
3.
Dhe, ky rrëfim i mungesës së sensit juridik vazhdon.
Më 2013, kryeministri i Kosovës në “dialogun" e Brukselit nënshkroi një marrëveshje me Serbinë, e cila, mes të tjerash, vendoste bazat për autonominë territoriale serbe në Kosovë në formën e Bashkësisë së komunave serbe. Kuvendi i Kosovës e përligji këtë marrëveshje si marrëveshje ndërkombëtare. Gjykata Kushtetuese e Serbisë vlerësoi se nuk i përmbush as elementet bazike të një marrëveshjeje ndërshtetërore.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 2015 vlerësoi, pas demonstratave të fuqishme të opozitës, se Bashkësia e komunave serbe, sipas marrëveshjes së vitit 2013, duhej të themelohej, por njëkohësisht vlerësoi se një marrëveshje tjetër e nënshkruar nga një kryeministër tjetër më 2015 kishte potencialin e shkeljes së Kushtetutës në 26 vende.
Gjykata Kushtetuese nuk u shpreh ndonjëherë në janë apo jo kushtetuese themelet e Bashkësisë së komunave serbe, ashtu siç e kishin përkrahur deputetët e Kuvendit të Kosovës me votën e dy të tretave të përbërjes së saj.
4.
Gjatë këtij viti janë dëgjuar shpesh - e vitin e ardhshëm do të dëgjohen edhe më shpesh - dy kërkesa të miqve të Kosovës, të shteteve të QUINT-it. Kosovës do t’i thuhet se duhet të zbatojnë vendimin e Kushtetueses për Manastirin e Deçanit dhe se duhet të zbatojë obligimin e marrë, madje si marrëveshje ndërkombëtare që është mbi ligjet e Kosovës, për Bashkësinë e komunave serbe.
Përgjigjja më e lehtë është të përshkruhen nonsenset juridike që i ka prodhuar vetë Kosova e jo kush tjetër, duke nxjerrë vendime juridike sikur lepujt prej kapelës së magjistarit. Hop Deçani, hop një lepur. Hop Ferizaj, hop një lepur. Hop Bashkësia, hop një lepur.
Sikur me lepujt e kapelës së magjistarit mund ta kënaqin publikun për momentin e të krijojnë paramendim se me të vërtetë ekzistojnë, por vendimet për Manastirin e për Bashkësinë e komunave serbe janë të ndërtuara mbi paqëndrueshmëri juridike e faktike. Rrjedhimisht, bëhen të pazbatueshme si çështje që përligjin veprimet e regjimit të Milosheviqit apo që përligjin defunksionalizimin e Republikës së Kosovës.
Është më shumë se sundimi i ligjit. Kush nuk beson le t’i pyesë punëtorët e Fabrikës së Tubave. Herën e fundit që patën grevë urie u erdhi një kryeministër, i cili filloi të nxjerrë lepuj prej kapelës duke ua dhënë besën se prej nesër do të fillojnë t’u derdhen një nga një 26 milionë eurot e fituara në Gjyq.
Por me kaq nuk do të përfundojë ky tregim. Lepujt dhe kapela e magjistarit do të merren si ilustrim simpatik prej shteteve të QUINT-it. Do të pasojë, logjikshëm, pyetja: e si tutje?
Për këtë duhen vendime të tjera politike e juridike, me më shumë përgjegjësi e kreativitet.