OpEd

Leximi i Raportit të Progresit sipas qejfit

Qeveritë ndryshojnë, por një shprehi mbetet. Ata që janë në pushtet gjithmonë mundohen ta lexojnë pozitivisht Raportin e Progresit duke relativizuar kritikat dhe duke ekzagjeruar lëvdatat. Për “progresin” lavdërojnë veten, ndërsa për kritikat arsyetohen në stilin e nxënësit që thotë se “ma ka inati profesori”

Raportet e Progresit këtë vit nuk ishin të mira për asnjë vend nga rajoni i Ballkanit Perëndimor dhe nuk ishte aspak i mirë as për Kosovën. Por pasi fjala është për një dokument voluminoz, që përfshin shumë fusha, është e pamundur që vlerësimi të thjeshtëzohet në notat se a është ai negativ apo pozitiv. Sido që të jenë raportet e progresit për vendet që duan të bëhen një ditë anëtare të BE-së, janë dokumentet më të rëndësishme që duhet të merren parasysh, sepse vlerësojnë nivelin e përgatitjes së vendeve kandidate apo kandidatëve potencialë për t’u bërë anëtarë të BE-së dhe për t’u përballur me atë që i pret kur një ditë të bëhen anëtarë. Një ish-lider i një vendi të tashëm anëtar, kur ishte kandidat thoshte se “na pëlqeu apo jo Raporti i Progresit është sikur kur shikojmë veten në pasqyrë”.

Sikur edhe viteve të mëhershme, edhe këtë vit u organizuan ceremonitë e dorëzimit zyrtar të raporteve të progresit nga shefat e zyrave apo delegacioneve të BE-së në vendet për të cilat bëhen raportet. Por pati një dallim të madh në Bruksel. Ato u paraqiten nga presidentja e Komisionit Evropian, Urslula von der Leyen. Kësaj radhe mënyra se si u prezantuan këto raporte dëshmoi se procesi i zgjerimit është përsëri një prej prioriteteve të mëdha të BE-së. Dhe është një proces i cili tash zgjon interes të madh edhe të mediave. Kur viteve të mëhershme prezantoheshin Paketa e Zgjerimit dhe Raportet e Progresit në sallën e shtypit në selinë e Komisionit Evropian ishin kryesisht gazetarë nga vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe aty-këtu edhe ndonjë gazetar kureshtar i ndonjë agjencie ndërkombëtare. Kësaj radhe ishte vështirë edhe për gazetarët të gjenin vend në sallën e madhe të shtypit. Prej kur në Procesin e Zgjerimit janë përshirë edhe tri vende nga fqinjësia lindore: Ukraina, Moldavia dhje Gjeorgjia, për arsye politike dhe gjeostrategjike, është krijuar një paketë prej hiq më pak se 10 vende që formalisht janë në procesin e zgjerimit. Për këtë proces tash rregullisht flasin liderët e vendeve anëtare, liderët e institucioneve të BE-së dhe përsëri shihet si një prej proceseve kyç për forcimin e paqes dhe stabilitetit në Evropë. Dhe kjo është mirë, pasi Procesi i Zgjerimit mbetet, para së gjithash, proces politik. E me vendime politike hiqen pengesat për këtë rrugë për t’u varur progresi pastaj nga performancat e vendeve kandidate. Nuk ka dyshim se tash është krijuar një moment i ri politik në favor të zgjerimit, por nuk është e sigurt se sa do të zgjasë ky moment. Kjo është për shkak të simpatisë që kanë në BE për Ukrainën dhe luftën që ajo po bën kundër agresionit rus.

Por paralelisht me kriteret politike që ndikojnë në vendime, në Pocesin e Zgjerimit mbeten raportet e progresit që japin pasqyrën e vërtetë të nivelit të përgatitjes së kandidatëve për t’u anëtarësuar në BE. E ato progrese që u miratuan dhe u publikuan javën e shkuar dëshmuan se të gjitha vendet janë shumë, shumë larg nga ky qëllim. E Kosova, përkundër disa arritjeve, vazhdon të jetë më larg se vendet e tjera, edhe për shkak të rrethanave politike, por kësaj radhe edhe për mungesë të përparimit të duhur në fushat kyç.

Qeveritë ndryshojnë, por një shprehi mbetet. Ata që janë në pushtet gjithmonë mundohen ta lexojnë pozitivisht Raportin e Progresit duke ralativizuar kritikat dhe duke ekzagjeruar lëvdatat. Për “progresin” lavdërojnë veten, ndërsa për kritikat arsyetohen në stilin e nxënësit që thotë se “ma ka inati profesori”.

Ishte shumë joserioze që të gjitha qeveritë e të gjitha vendeve të rajonit u deklaruan se raporti për ta është “pozitiv”. Dhe kësaj i ndihmuan edhe shefat e delegacioneve apo zyrave të BE-së në rajon, që po ashtu tentuan të japin fokusin në zhvillimet pozitive. Por për të gjitha vendet vlerësimi më i shpeshtë ishte “progresi i limituar” në shumicën e fushave. Kjo është notë shumë, shumë e dobët. Është në fakt niveli më i ulët i progresit që mund t’i jepet një shteti në raport progresi. Nota më të dobëta janë: “nuk ka progres” apo “ka ecje prapa”. Përkthyer në nota nga shkolla ku 1 është nota me të cilën ngel klasën, 2 nota e parë kaluese e 5 nota e shkëlqyeshme, atëherë “progres i limituar” do të ishte diku 1+, “pak progres” do ishte 2, ndërsa nota më e ulët kaluese, një 2, do të ishte “njëfarë progresi” (“some proigress” në anglisht). Nota më të mira do të ishin “progres i mirë”, që do të ishte nota 3, pastaj “progres domethënës” që do të ishte 4, kurse 5 nuk ka sepse kur të jetë nota e plotë, atëherë do të konstatohej se janë arritur të gjitha kriteret e BE-së në atë fushë.

Natyrisht që nuk mund të thuhet se ka pasur regres, por nëse për një periudhë njëvjeçare arrihet vetëm “progres i limituar” nuk është diçka për t’u lavdëruar.

Një qeveri e përgjegjshme pas një raporti të tillë do të duhej të thoshte se “i merr parasysh gjetjet, do t’i përfillë rekomandimet dhe shpreh keqardhje pse nuk është arritur progres më i madh”.

Kur zyrtarët e qeverisë vendosin fokusin në disa nota të mira, duke i ekzagjeruar ato dhe duke i relativizuar kritikat e notat e dobëta, kjo ta kujton një nxënës jo të mirë i cili mundohet që notat e dobëta në matematikë, gjuhë apo fizikë t’i vërë në plan të dytë duke u lavdëruar se sa nota të mira ka në edukatë fizike dhe në muzikë. Por kjo nuk i ndihmon nxënësit që të përgatitet për të vazhduar shkollën tutje. Njëlloj tentimet për të relativizuar kritikat nga Raporti i Progresit nuk i ndihmojnë një shteti që të avancojë në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian. Raporti i Progresit nuk duhet të lexohet sipas qejfit, por me kujdes, dhe nga ai të nxirren mësime për të siguruar që vitin tjetër ai të jetë më pozitiv.