Ambasadori gjerman në Prishtinë mohoi, me një gjuhë që ka mundur të jetë më e përzgjedhur, se Qeveria e tij qëndron prapa jo-letrës. Njëri efekt pozitiv i kësaj jo-letre ndoshta do të mund të ishte që Gjermania dhe Franca me të vërtetë të prodhonin një kornizë më të dinamizuar politike për negociatat Kosovë-Serbi. Herën e fundit kur një gjë e këtillë kishte ndodhur qe viti i largët 1998
1.
Brenda më pak se një muaji patëm rastin të lexojmë dy “non-paperë” rreth Ballkanit Perëndimor, pra, lexuam dy letra të cilat janë sipas përshkrimit në anglisht, “jo-letra”, pra letra që u mohohet ekzistenca, letra që nuk janë letra, letra që nuk ekzistojnë.
Po, ishin një grumbull shkronjash, të vendosura në fjali të rregullta e me domethënie; madje ishin të shtypura në letër e pastaj të transkriptuara për t’u vendosur në shkrim elektronik. Njëra fliste për mënyrën më të shpejtë për të mbërritur paqen në Ballkanin Perëndimor - nëpërmjet copëtimit të shteteve të ndërlikuara nga aspekti etnik dhe formësimi i shteteve të pastra etnike. Tjetra fliste për një proces të strukturuar negociator mes Kosovës dhe Serbisë, që duhet të ndërtojë shtresa të mëtejme të autonomisë territoriale-politike të serbëve të Kosovës dhe kështu të prodhojë një marrëveshje të ndërsjellë të njohjes mes dy shteteve, duke i dhënë Kosovës mundësinë e legjitimitetit të plotë ndërkombëtar.
I lexuam, por nuk ekzistojnë.
Përkundër faktit që nuk ekzistojnë, pra se që në emër u mohohet ekzistenca, që të dyja letrave iu kërkua autori. Për të parën u tha që autor ishte kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, ndërsa për të dytën u tha se është fryt i punës së përbashkët qeveritare francezo-gjermane. Dhe qe e natyrshme që edhe kryeministri i Sllovenisë e edhe diplomatët francezë e gjermanë ta mohojnë autorësinë e këtyre letrave.
Fundja, ato as që ekzistojnë. Dhe, si mund të jesh autor i diçkaje që nuk ekziston.
2.
Në terminologjinë e Bashkimit Evropian - në fakt gjithandej në terminologjinë diplomatike të shekullit të kaluar - “jo-letra” është shkresë që nuk mban logo institucionale, nuk i është adresuar kujt dhe nuk ka nënshkrim autori. Në mitologjinë detare është si një anije fantazmë që bredh deteve, me një ekuipazh të përbërë prej shpirtrave të marinarëve piratë a ushtarakë, të vdekur kaherë. Sikur në mitologjinë detare, “jo-letra” që është anije fantazmë nuk ka flamur e as emër. Çdokush mund të ketë madje përshkrime të hollësishme si duken, por pasi që përfundojnë rrëfimet nuk mund të bëhet përcaktimi i qartë se në cilin det a oqean gjendet anija, apo cili është deti politik i jo-letrës.
Anija-fantazmë dhe jo-letra kanë një fat të përbashkët - ndoshta edhe mision mund të quhet - aftësinë e të shndërruarit në rrëfim.
Gjatë qindra vjetësh është bërë krejtësisht irelevante a besojmë apo jo se ekzistuan apo ekzistuakan anijet-fantazmë. Dhe gjatë gjithë këtyre viteve të përfshirjes së Kosovës e Ballkanit Perëndimor në diplomacinë botërore është krejtësisht irelevante a besojmë apo jo se a ekziston apo jo një jo-letër.
Që të dyja ekzistojnë, edhe anijet fantazmë e edhe jo-letrat; lehtësisht është e shpjegueshme ekzistenca e tyre me ekzistencën e rrëfimeve për to.
3.
E nisa këtë shkrim pa analizuar e vlerësuar përmbajtjen e jo-letrave, ndoshta për shkak të solidaritetit me anijet-fantazmë. Për anijet-fantazmë kemi përshkrime, gjithnjë të formës së jashtme, jo edhe të brendisë.
Në shenjë solidariteti me to, ja dy përshkrime të thjeshta të formës së jashtme të dy jo-letrave. Ajo që thuhet se në ndonjë det të largët mbante flamurin e kryeministrit Jansha, pra ajo që angazhohet për shtete etnike e copëtim të shteteve të ndërlikuara (si BH dhe Maqedonia e Veriut, apo madje edhe Kosova) është një përkujtim lundrues se në detet tona ka piratëri. Është përkujtues që njëzet e kusur vjet pas luftërave të zhbërjes së ish-Jugosllavisë konfliktet ende nuk kanë përfunduar, dhe se aty, në detin e konfliktit gjithnjë do të gjendet anija-fantazmë e cila do të shtyjë për edhe një raund baruti e shpatash të përgjakshme të ndarjeve territoriale-etnike.
Secili që do të pyesë: po, përse paraqiten sërish piratët në detin tonë Ballkanik e na ofrohen si zgjidhje?, mund të marrë dy përgjigje të thjeshta. Një, ngase një çerekshekulli nuk po gjenden zgjidhje për shtetet e dala nga luftërat. Dhe dy, ata që alarmohen (me të drejtë) nga piratëria e marrin një porosi të thjeshtë, se nëse nuk gjejnë zgjidhje më të mençur do të ballafaqohen me mundësinë e parashikueshme të ringjalljes së shpatave të përgjakura.
Dhe, ndoshta si rrjedhë e natyrshme e frikës nga jo-letra e parë u paraqit e dyta, ajo që thuhet se ka mbajtur flamurin gjermano-francez. Kjo jo-letër ndërtoi një kornizë kohore, konstitucionale dhe diplomatike - një trup të identifikueshëm lundrues. Konstruksioni është aq i identifikueshëm, me dy forma të autonomisë territoriale-politike të serbëve të Kosovës, sa është vështirë të dallohet nëse është anije-fantazmë apo një “karavelë” e provimit përfundimtar të oficerëve të lartë të marinës të uniformuar me të bardha të papërlyera, të porsalara e të hekurosura.
4.
Brenda një muaji u rifillua rrëfimi për Ballkanin Perëndimor. Ndoshta me një përputhje me faktin se në SHBA tashmë kemi një administratë të përcaktuar transatlantike që e sheh me pjekuri një botë të ndryshuar, në të cilën nuk mund të tolerohen më punët e papërfunduara në Ballkanin Perëndimor. Ndoshta me një përputhje me faktin se me këtë ritëm të punimeve të BE-së në Ballkanin Perëndimor mund të kalojë edhe një çerekshekulli tjetër, sa hap e mbyll sytë, e prapë konfliktet do të mbesin të papërfunduara. Ndoshta pse në sipërfaqe dolën dy jo-letra që prodhuan atë që duhej të prodhonin- reagime, debate, një kërkim kritik për zgjidhje.
(Ambasadori gjerman në Prishtinë mohoi, me një gjuhë që ka mundur të jetë më e përzgjedhur, se Qeveria e tij qëndron prapa jo-letrës. Njëri efekt pozitiv i kësaj jo-letre ndoshta do të mund të ishte që Gjermania dhe Franca me të vërtetë të prodhonin një kornizë më të dinamizuar politike për negociatat Kosovë-Serbi. Herën e fundit kur një gjë e këtillë kishte ndodhur qe viti i largët 1998).