OpEd

Letër e hapur Qeverisë së Spanjës

Spanja nuk ka përse t’i frikësohet një precedenti. Përkundrazi, me njohjen e pavarësisë së Kosovës, Spanja do të tregonte se e mbështet të drejtën ndërkombëtare, Kartën e OKB-së, por mbi të gjitha, nuk e kundërshton lirinë e një populli të fituar me shumë sakrifica e gjak. Prandaj kam shpresë se ky qëndrim joparimor i Spanjës do të ndryshojë dhe nuk do të kalojë shumë kohë kur ajo do ta njohë pavarësinë e një shteti mik, siç është Kosova

Këtë letër të hapur Qeverisë së Spanjës po e shkruaj në cilësinë e bursistit të Qeverisë spanjolle, nga e cila kam qenë përfitues i një burse të plotë studimore në studimet master gjatë viteve 1998-1999, në kryeqytetin spanjoll, Madrid. Spanja është një nga pesë vendet mosnjohëse të pavarësisë së Kosovës në radhët e Bashkimit Evropian, së bashku me Greqinë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Qipron. Spanja jo vetëm që është shtet mosnjohës, por në raste të caktuara është edhe kundërshtare aktive e pavarësisë së Kosovës. Prandaj, me këtë shkrim po i drejtohem Qeverisë së Spanjës për të argumentuar se përse politika e saj ndaj Kosovës është e gabuar dhe antihistorike.

Çështja e njohjes së Kosovës nga Spanja u aktualizua kohëve të fundit pas njohjes spanjolle të Palestinës. Ishin disa zëra brenda Spanjës, por edhe brenda Bashkimit Evropian që e ngritën çështjen e mosnjohjes së Kosovës pasi që Spanja vendosi që ta njohë Palestinën si shtet. Më konkretisht, u raportua për një konfrontim ndërmjet përfaqësuesve gjermanë dhe atyre spanjollë lidhur me çështjen e mosnjohjes së Kosovës në një takim të Bashkimit Evropian. Më tutje, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, një zëdhënëse e Ministrisë së Punëve të Jashtme e Spanjës, duke arsyetuar mosnjohjen e Kosovës dhe njohjen e Palestinës, kishte deklaruar se “situata e Palestinës është shumë ndryshe. Njohja e shtetit të Palestinës nuk cenon integritetin territorial të Izraelit, pasi ky territor nuk ka qenë asnjëherë ligjërisht pjesë e shtetit të Izraelit. Vendimi i Spanjës për ta njohur shtetin e Palestinës synon të mbështesë të drejtën ndërkombëtare, parimet e Kartës së OKB-së dhe Rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.

Po t’i referohemi çështjes së pavarësisë së Kosovës, ky qëndrim i Qeverisë së Spanjës i ka disa mangësi. E para, sepse e njeh sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën. Ky sovranitet i Serbisë mbështetet në statusin e Kosovës si krahinë e Serbisë pas suprimimit të autonomisë së saj në mënyrë të dhunshme dhe në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve të saj, nga regjimi i Milosheviqit në vitin 1989. Para suprimimit të autonomisë së Kosovës, ajo ka qenë pjesë konstitutive e Federatës jugosllave dhe në rast të shthurjes paqësore të ish-Federatës jugosllave, Kosova do ta kishte votën e vet të barabartë me atë të Serbisë dhe të republikave të tjera të ish-Jugosllavisë, kur do të merreshin vendimet për ndarje të konstituentëve të asaj federate. Mirëpo me suprimimin e dhunshëm të autonomisë së saj, Kosova u privua nga e drejta për ta thënë fjalën e vet në institucionet federative.

Për këtë arsye, në vitin 1990, Kuvendi i Kosovës, duke e shfrytëzuar të drejtën kushtetuese sipas kompetencave që kishte në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe Kushtetutës së Jugosllavisë, e tha fjalën e vet, duke e shpallur deklaratën e pavarësisë në rast të shthurjes së Jugosllavisë. Ky Kuvend, me të gjitha institucionet e tjera të ligjshme të Kosovës, u suprimua përfundimisht në periudhën pasuese, kur regjimi i Milosheviqit vendosi sundimin me dorë të hekurt në Kosovë, duke përndjekur dhe duke persekutuar banorët shumicë shqiptarë të Kosovës. Pra, qëndrimi se Kosova është pjesë e Serbisë mbështetet kryekëput në agresionin kushtetues të Serbisë milosheviqiane në Kosovë e që u kundërshtua nga republikat e tjera të ish-Jugosllavisë, me të cilin edhe filloi shthurja e dhunshme e ish-Jugosllavisë. 

E dyta, Serbia bëri luftë në Kosovë, pra, në territorin që e konsideronte të sajin, për të kryer spastrim etnik të popullsisë shumicë të Kosovës dhe me këtë ka shkelur të gjitha parimet e të drejtës ndërkombëtare dhe të OKB-së. Kjo luftë, prandaj, ishte pjesë përbërëse e shthurjes së dhunshme të Jugosllavisë. Në të drejtën ndërkombëtare nuk njihet ndonjë rast që të përligjet lufta e një shteti kundër qytetarëve të vet, siç bëri Serbia kundër shqiptarëve të Kosovës. Kjo për Serbinë paraqiste zgjidhje përfundimtare të çështjes së Kosovës në favor të sajin, duke përzënë nga territori i vet të gjithë qytetarët që i përkisnin një grupi etnik të konsideruar si armiqësorë nga ai shtet. Gjatë kësaj lufte, po ia përkujtoj Qeverisë së Spanjës, u kryen krime të tmerrshme: brenda tre muajve u përzunë nga shtëpitë e tyre dhe nga vendi rreth një milion njerëz, u vranë rreth 14.000 civilë, në mesin e të cilëve një numër i konsiderueshëm fëmijë, gra dhe pleq, u dhunuan rreth 20.000 gra dhe u rrafshuan përtokë një numër i madh i fshatrave dhe qyteteve të Kosovës. E tëra kjo për të asgjësuar një popull vetëm pse i përkiste një grupi etnik të caktuar. Kjo ishte edhe arsyeja përse vendet anëtare të NATO-s, në mesin e të cilave edhe Spanja, morën vendim që të bombardonin caqet ushtarake serbe me qëllim të ndërprerjes së spastrimit etnik dhe dhunës vrastare që po e bënin forcat serbe në Kosovë, të drejtuara politikisht nga qeveria në Beograd. Në atë kohë unë kam jetuar në Madrid, në lagjen “Aluche”, dhe më kujtohet shumë mirë se sa ka qenë aktive Qeveria e Spanjës, si ushtarakisht ashtu edhe politikisht, në mbrojtjen e civilëve të pafajshëm, dhe me këtë, në mbrojtjen e parimeve të OKB-së, parime të cilat kundërshtoheshin nga vendet, si Rusia dhe Kina. Nëse me asgjë tjetër, qytetarët e Kosovës e kanë fituar të drejtën për vetëvendosje gjatë luftës. Këtë të drejtë ua ka dhënë Serbia përmes politikës së saj gjenocidale kundër këtyre qytetarëve.

E treta, Serbia me luftën e saj e humbi të drejtën për ta qeverisur Kosovën si territor i saj, si dhe për të qenë prezente në Kosovë me administratën dhe me forcat e saj të armatosura. Për këtë, me përfundimin e intervenimit të NATO-s, Këshilli i Sigurimit i OKB-së e miratoi Rezolutën 1244 me të cilën Kosova u vendos nën administrim të Kombeve të Bashkuara, me NATO-n si garantuese e sigurisë. Rezoluta 1244 shprehimisht thotë se deri në zgjidhjen finale të statusit të Kosovës, administrata e përkohshme ndërkombëtare do të sigurojë një autonomi substanciale të Kosovës brenda Republikës Federale të Jugosllavisë, e jo Serbisë. Republika Federale e Jugosllavisë ka pushuar së ekzistuari në vitin 2006, me shpalljen e pavarësisë nga Mali i Zi. Futja e Kosovës si pjesë e Serbisë në Kushtetutën serbe, pas shthurjes se Republikës Federale të Jugosllavisë, është një akt i njëanshëm në kundërshtim me vullnetin e Kosovës, që duhet dënuar e jo aprovuar. Me shthurjen përfundimtare të Republikës Federale të Jugosllavisë, edhe statusi i Kosovës ka shkuar natyrshëm drejt pavarësisë. Po ashtu, kjo rezolutë, sipas konstitucionalistit të mirënjohur britanik, Mark Weller, e mbajti të hapur pavarësinë si zgjidhje përfundimtare për Kosovën. Ky mendim mbështetet edhe nga vendimi i vitit 2010 i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, sipas të cilës “Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së është nxjerrë me qëllim që t'i jepet fund pushtetit të Serbisë në Kosovë” dhe se kjo rezolutë “nuk e ndalon shpalljen e pavarësisë (së Kosovës)”.

E katërta, në përputhje me Rezolutën 1244, Kombet e Bashkuara e filluan një proces bisedimesh për zgjidhjen e statusit final të Kosovës mes Kosovës e Serbisë, që u mbajtën prej vitit 2005 deri në vitin 2007. Propozimi i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së ishte që Kosovës t’i njihej pavarësia e mbikëqyrur për një periudhë transitore. Këshilli i Sigurimit nuk votoi për këtë propozim për shkak të kundërshtimeve të Rusisë dhe Kinës, shtete totalitare, që janë shkelëset më të mëdha të parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe të të drejtave të njeriut. Në bazë të këtij propozimi, që njihet edhe si Pakoja e Ahtisarit, pasi që ishte hartuar nga i dërguari i posaçëm i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së për përcaktimin e statusit final të Kosovës, Marti Ahtisari, përfaqësuesit e popullit të Kosovës, të zgjedhur përmes votës së lirë, e shpallën pavarësinë e Kosovës më 17 shkurt 2008. 

Pra, kjo nuk ishte shpallje e njëanshme por e koordinuar me të gjitha vendet demokratike të cilat e mbështetën shpalljen e pavarësisë. Në pyetjen e parashtruar nga Serbia në GJND se “a ishte Deklarata e njëanshme për pavarësi, e shpallur prej organeve të përkohshme të vetëqeverisjes, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare?”, kjo gjykatë më 22 korrik 2010 mori vendim se “GJND-ja konsideron se e drejta e përgjithshme ndërkombëtare nuk përmban asnjë dispozitë me të cilën ndalohet shpallja e pavarësisë së Kosovës. Përkundrazi, GJND-ja konstaton se pavarësia është shpallur në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”.

E pesta, qëndrimi aktual i Qeverisë së Spanjës kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës është antihistorik, sepse e vendos Spanjën në anën e gabuar të historisë, së bashku me shtetet totalitare, si Rusia e Kina, në vend se të rreshtohet, siç i ka hije, me demokracitë liberale që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Ky qëndrim madje është në kundërshtim edhe me aspiratat liridashëse dhe solidaritetin që populli spanjoll e pati treguar ndaj Kosovës gjatë luftës në Kosovë. Gjatë viteve 1998-1999, sa kam jetuar në Madrid si student, dhe gjatë vitit 1999, kur kam punuar si përkthyes e koordinator në Qendrën e refugjatëve kosovarë në qytetin veriperëndimor të Spanjës, Torrelavega, kam pasur shumë miq spanjollë.. Në mesin e tyre mund të përmend Augustinin, Gregorion, Alician, Mari-Carmenin, Lurdesin e shumë të tjerë. Kemi pasur miqësi aq të thellë saqë edhe vajzën e kemi pagëzuar sipas emrit të njërës prej mikeshave në Madrid, Alisa. Solidariteti i spanjollëve me kosovarët është i papërshkrueshëm. Ky solidaritet ishte i thellë, vinte nga zemra dhe nga dëshira që t’i shihte kosovarët të jetojnë në dinjitet, pa luftë dhe pa shkelje të të drejtave të njeriut. E pra, kosovarët e dinë më së miri se e vetmja mënyrë për të pasur jetë të dinjitetshme është jeta e ndarë nga Serbia, sepse kosovarët kanë jetuar të nëpërkëmbur për afro 100 vjet sa kanë qenë të okupuar nga Serbia. Ky qëndrim i Spanjës madje ka pasur si rezultat tërheqjen e plotë ushtarake dhe politike të Spanjës nga Kosova në vitin 2008. Më shumë ka pasur kontakte mes Spanjës e Kosovës gjatë viteve ‘90 sesa tani kur Kosova është shtet i pavarur. Kjo tërheqje e Spanjës është e palogjikshme, sepse e bën politikën spanjolle ndaj rajonit të bazuar kryesisht në qëndrimet e Beogradit. Prandaj, për të pasur një politikë më realiste dhe në të mirë të stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Spanja ishte dashur ta hapte një përfaqësi diplomatike në Kosovë, ashtu siç kanë bërë edhe shumë shtete të tjera që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Në fund, argumenti që shpeshherë dëgjohet dhe e arsyeton mosnjohjen e Spanjës është se kjo do të përbënte një precedent për Katalonjën, e cila do të mund të kërkonte shkëputjen nga Spanja në rast të njohjes së Kosovës. Ky është një kuaziargument, sepse as Serbia nuk është Spanjë e as Kosova nuk është Katalonjë. Pakoja e Ahtisarit e ka zgjidhur çështjen e precedentëve duke e karakterizuar Kosovën si një rast unik, i cili nuk mund të merret shembull nga shtetet dhe territoret e tjera. Mënyra se si janë bërë bashkë në një mbretëri, në mënyrë paqësore, territori i tanishëm i Katalonjës (Mbretëria e Aragonit) dhe mbretëria e Kastijës (Spanja) në shekullin XV janë tërësisht të ndryshme me mënyrën se si Kosova ka rënë dhunshëm nën sundimin e Serbisë në vitin 1912, përmes okupimit ushtarak dhe në kundërshtim me vullnetin e shumicës së saj shqiptare, e cila asnjëherë nuk e ka pranuar sundimin e Serbisë në Kosovë. Prandaj Spanja nuk ka përse t’i frikësohet një precedenti. Përkundrazi, me njohjen e pavarësisë së Kosovës, Spanja do të tregonte se e mbështet të drejtën ndërkombëtare, Kartën e OKB-së, por mbi të gjitha, nuk e kundërshton lirinë e një populli të fituar me shumë sakrifica e gjak. Prandaj kam shpresë se ky qëndrim joparimor i Spanjës do të ndryshojë dhe nuk do të kalojë shumë kohë kur ajo do ta njohë pavarësinë e një shteti mik, siç është Kosova.

[email protected]