Një shkollë në Novi-Sad të Serbisë është lidhur përmes videolinkut me Nebojsha Pavkoviqin, i cili gjendet në burg në Finlandë pasi është dënuar me 22 vjet heqje lirie për shkak të krimeve të luftës në Kosovë. Pavkoviq u ka ligjëruar nxënësve serbë mbi “heroizmat serbe” në Kosovë. Një çerekshekull pas fushatës shfarosëse ndaj shqiptarëve të Kosovës, në Serbi glorifikimi i kriminelëve të luftës është shndërruar në diçka krejtësisht normale
1.
Ditë më parë në Kinemanë Riffraff në Zürich, në kuadër të festivalit “Kinokosova”, u shfaq filmi “Dubina dva” i regjisorit Ognjen Gllavoniq nga Serbia. Ky film dokumentar trajton krimet e forcave ushtarako-policore dhe paramilitare serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës më 1999 dhe transportimin e kufomave të viktimave nga Kosova në Serbi me qëllim të fshehjes së gjurmëve të krimit. Në vitin 2001 rreth 800 kufoma të shqiptarëve të Kosovës u gjetën në lokacione të ndryshme në Serbi. Përmes deklaratave të dorasëve dhe viktimave “Dubina dva” shpalos përmasat e krimeve dhe tregon vendet ku u kryen krimet – nga Suhareka deri në brigjet e Danubit në kufi me Rumaninë, atje ku autoritetet serbe kishin tentuar të fundosin një kamion të mbushur me kufoma të shqiptarëve të Kosovës.
Po aq sa filmi, për publikun ishte interesante edhe biseda që përmes videolinkut u zhvillua me regjisorin Ognjen Gllavoniq, i cili foli nga Beogradi. Ai tregoi se fillimisht kishte plane të xhironte një film artistik mbi temën e bartjes së kufomave nga Kosova në Serbi, por autoritetet e kulturës në Serbi refuzuan financimin, andaj regjisori i ri u përcaktua për një film dokumentar. Gllavoniq tha se kishte punuar rreth 8 vjet për të realizuar filmin. Ai njoftoi se 10 kilometra larg fakultetit ku kishte studiuar ndodhet Batajnica, ku kanë qenë të groposura viktimat shqiptare, por pothuaj të gjithë – studentë e profesorë të fakultetit – bëheshin sikur nuk dinin asgjë. “Në të njëjtën kohë bashkëkombësit e mi e dinë çka bën CIA, çka ndodh në Ukrainë, çfarë planesh kanë perëndimorët, vetëm për atë çka ka ndodhur këtu, në Batajnicë, ata thonë se nuk dinë gjë”, tha regjisori Gllavoniq. Gjatë punës së tij ai u ballafaqua me një problem të madh: pjesëmarrësit në transportimin e kufomave dhe në kryerjen e krimeve të tjera nuk pranonin të flisnin. “Njëri prej tyre tha se do të fliste, por kërkoi para. Merreni me mend: kërkonte para që të na tregonte se si ka vrarë njerëz”.
2.
Ndërsa regjisori Ognjen Gllavoniq në një ditë maji, përmes videolinkut, i tregonte publikut të një kinemaje në Zürich mbi glorifikimin e kriminelëve të luftës në Serbi, më 20 prill nxënësve të shkollës “Gjura Jakshiq” në Nov- Sad, po ashtu përmes videolinkut, u foli nga burgu në Finlandë Nebojsha Pavkoviqi. Ai ka qenë komandant i ushtrisë serbe në Kosovë në fund të viteve 90-të dhe është dënuar nga Tribunali i Hagës me 22 vjet burg për shkak të krimeve ndaj popullsisë civile shqiptare. Pavkoviq foli në kuadër të “orës së hapur”, që shkolla e kishte organizuar në kujtim të “heronjve të Koshares”: bëhet fjalë për ushtarë pushtues serbë të vrarë nga NATO-ja dhe kryengritësit e Kosovës më 1999. Krahas Pavkoviqit, para nxënësve foli edhe kryetari i Novi-Sadit. Ky qytet i Serbisë më 2022 ka qenë kryeqytet evropian i kulturës.
Nuk është hera e parë që Pavkoviqit i ofrohet në Serbi një platformë publike për të referuar mbi të kaluarën e tij kriminale. Më 2018 ai i dha një intervistë 4-orëshe portalit propagandistik serb BalkanInfo. “Gazetari” i BalkanInfo e takoi Pavkoviqin në burg në Finlandë, por e heshti faktin se po fliste me një kriminel të luftës. Pavkoviq foli para një muri me libra dhe i veshur me kostum e kravatë ai përpiqej të krijonte përshtypjen se ishte intelektual. Që nga viti 2014 Pavkoviq vuan dënimin në Finlandë, më 2022 ai kërkoi lirimin e parakohshëm, por kjo u refuzua për shkak të peshës së krimeve të tij.
Në prill të vitit 2019 në Shtëpinë e Armatës Serbe në Beograd dhe nën patronazhin e Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë u promovua ditari i tij i luftës. Me atë rast Pavkoviqi u inkuadrua direkt nga burgu. Një çerekshekull pas fushatës shfarosëse ndaj shqiptarëve të Kosovës, në Serbi glorifikimi i kriminelëve të luftës është shndërruar në diçka krejtësisht normale. Pavkoviqi nuk është i vetmi që lartësohet si hero. Vlladimir Llazareviqi, ish-komandant i Korpusit të Prishtinës, pas vuajtjes së dënimit për krime të luftës është pritur si hero në Beograd dhe ka ligjëruar para kadetëve të akademisë ushtarake. Portali serb nga veriu i Kosovës “Kosovo Online” e ka intervistuar Llazareviqin më 2021 – pa i bërë pyetje kritike dhe duke i krijuar hapësirë për mohimin e krimeve.
3.
Shkolla ku Nebojsha Pavkoviqi foli para nxënësve serbë bart emrin “Gjura Jakshiq”. Jakshiq (1832-1878) u lind në trevën e Banatit, ka qenë poet, piktor dhe dramaturg serb me sens të hollë humori. Ka shumë anekdota dhe legjenda mbi Gjura Jakshiqin. Njëra nga më të njohurat është kjo: hyn Gjura Jakshiqi në pajton dhe ulet duke ua kthyer shpinën kuajve. Kur pajtonxhiu e pyeti pse ua ktheu shpinën kuajve, Gjura Jakshiqi u përgjigj: “Ku ke parë serb që shikon përpara”. Serbia e sotme e ilustron në mënyrë bizare këtë anekdotë të Jakshiqit.