OpEd

Lavdi dijes

Me një sistem arsimor që ndryshon kurrikulat aq shpesh sa çorapet, nxënësit detyrohen që t’iu përshtaten trendëve të fundit, me libra shkollorë jo rrallë mbushur me gabime. Në ndjekje të këtij hapi të imponuar, shtrëngohen të zbatojnë edhe praktika që as nuk i dinë dhe as nuk ka kush t’ua mësojë

Është vetëm gjashtë vjeç. Nxënës i klasës së parë e lozonjar. Ama, kur i duhet që t’i kryejë obligimet e shkollës, Nori* duket më i madh se vitet që ka.

Lidh përparësen, i vendos gishtërinjtë në gavrat e dorashkave dhe e vë kapelën prej kuzhinieri tek e merr udhëzimin prej shokëve se gjithçka në klasë është gati. Me seriozitetin prej të rrituri ia mësyn kuzhinës. Kur kthehet, mezi e shtyn me trupin imcak karrocën metalike.

Për detyrë ka që ushqimin nga karroca t’ua shërbejë shokëve në bankat e rregulluara për drekim. Pasi që sigurohet se të gjithë i kanë në pjata ushqimet e freskëta të gatuara nga stafi i shkollës, përvjel mëngët dhe shijon peshkun e fërguar. Ndërkohë kujdeset edhe për humorin. Qeshet e tallet me shokun tek tregon disi me turpërim se cila vajzë i pëlqen atij. Ama, me t’u zbrazur pjatat, serioziteti në fytyrë i rikthehet. I vishet prapë punës. Kësaj radhe për t’i mbledhur pjatat, pakot e boshatisura të qumështit dhe ushqimet e mbetura.

Shokët e shoqet kapin fshesat dhe leckat. Pastrojnë dyshemenë dhe bankat për ta rikthyer klasën në rendin për mësim. Të tjerët pastrojnë shkallët, korridorin, oborrin...

Radha i vjen argëtimit. Mbledhur në hollin me lodra, tabela e ulëse, kërcejnë e luajnë si ua do qejfi. I kanë pesëmbëdhjetë minuta para se t’i zhveshin uniformat për t’i zëvendësuar me veshjet sportive për orën e obligueshme të edukatës fizike.

E tillë ishte dita mësimore gjatë një vizite të fillimdhjetorit të shkuar në shkollën fillore “Kyobashi-Tsukiji” në Tokio të Japonisë.

Shteti që njihet si vendi i lindjes së diellit ka sistem arsimor ndryshe prej vendeve të tjera të botës. Aty pos mësimit vend i bëhet edhe argëtimit e për pastrimin as që diskutohet. Shkollat aty nuk punësojnë fare pastrues, ngase këtë punë e kryejnë vetë nxënësit.

Praktika përkon me instalimin e vetëdijes për detyrat dhe mjedisin. E fuqizon edhe interaktivitetin mësues-nxënës për nxënie të dijës.

Pos këtyre, nxënësit japonezë kanë edhe goxha punë të tjera. Duke e pasur një kurrikulë të ngjeshur, ata qysh në klasë të parë i mësojnë mbi 1500 nga më se tre mijë karakteret apo “kanji”-t e alfabetit kinez, përveç atyre të japonishtes. Ama testeve nuk u nënshtrohen deri në klasë të katërt (kur bëhen 10 vjeç). Kanë vetëm disa teste bazike.

Filozofia është që në dy vjetët e parë dija e nxënësve të mos gjykohet, por t’u mësohen sjelljet e mira dhe t’u zhvillohet karakteri.

Pra, së pari mirësjellja e pastaj dija.

Marrë parasysh krejt këto, mbase s’është çudi pse pesëmbëdhjetëvjeçarët nga Japonia renditen tash e sa herë mes të parëve në testin ndërkombëtar të dijes PISA. Çudia është se mbase për këtë vend testi nuk ka ndonjë farë peshe. Madje për zëvendësdrejtorin e shkollës, zotëri Hikayaman, as që është matës i dijes.

* * * * *

Jo fort ndryshe qëndrojnë hesapet në një vend pak më të afërt për Kosovën sesa Japonia e Azisë.

Në veri të Evropës, një vend i vogël që siguroi pavarësinë prej Bashkimit Sovjetik më 1991, i vuri vetes një cak të rëndësishëm prej atëherë. Që ta riformësojë sistemin arsimor. Pra, bazën e një shoqërie. Dhe për të gjetur frymëzim ktheu sytë ngado – prej Amerikës deri në Holandë.

Në fund fokusin e përqendroi te fqinjët nordikë. E mori shembull Finlandën dhe i nisi ndryshimet. Ashtu që vite më vonë edhe ta tejkalojë.

Ani pse gjeografikisht e vogël, Estonia sot është hambari i ri i dijes në kontinent. Nxënësit estonezë sivjet dolën kampionët e PISA-s, duke u renditur të parët në Evropë për lexim, shkencë e matematikë. Në nivel global ishin të pestët ndër më të mirët.

Zor se mund të dihen saktë arsyet e suksesit të këtij vendi, ama çelësi duket se qëndron te arsimimi i hershëm. Atij që nis që në çerdhe. Pothuajse çdo fëmijë në Estoni është i obliguar që të shkojë në çerdhe prej moshës trevjeçare, nganjëherë edhe më herët. Çerdhet – që ndryshe janë pa pagesë - e instalojnë te fëmijët mënyrën e mësimit përmes lojës, por edhe me anë të mësimit formal që zbatohet gradualisht. Pra, përgatiten intensivisht që kur mbushin shtatë vjeç ta fillojnë me njëfarë bagazhi klasën e parë. Deri atëherë, vlerësime nuk kanë. Vendi madje ka nisur që testet të mos i zbatojë as për klasat e para dhe të dyta. Planifikon po ashtu që shumë shpejt edhe t’i bëjë vetëm opsionale.

Ashtu që nxënia e dijes të shkojë përherë një hap tutje, shkollat në Estoni i angazhojnë mësimdhënësit për t’i gjetur metodat e duhura për barazimin e nivelit të dijes te nxënësit. Dhe kur i bien në fije kësaj pune, zbatojnë praktika bashkëkohore. Kësisoj, edhe nxënësit detyrat e shtëpisë, e edhe mësimdhënësit vlerësimet i kryejnë online. Po kështu, edhe librat i huazojnë nga interneti, si për të pasur në dispozicion një gamë të gjerë burimesh arsimore, ashtu edhe për t’ua pakësuar më të vegjëlve barrën në çanta.

* * * * *

Si një dimension krejt ndryshe në gjithë këtë mes shfaqet Kosova. Në përpjekje për t’i kopjuar sistemet e suksesshme botërore për nxënien e dijes, krejt çka fëmijët kosovarë në fund arrijnë që të nxënë po del të jetë mosdija. Kështu të paktën po tregojnë rezultatet e PISA-s.

Qysh se ka nisur pjesëmarrja në këto teste, më 2015, pesëmbëdhjetëvjeçarët nga Kosova radhiten ndër të fundit. Derisa në testimin e parë e zunë vendin e katërt prej fundit, të 68-tin prej 72 vendeve, sivjet u renditën të 76-ët nga 78, duke i lënë pas vetëm bashkëmoshatarët nga Filipinet dhe Republika Dominikane. Për të qenë puna edhe më keq, doli se vetëm 0.01 për qind e tyre arritën ta kalojnë mesataren e testit.

Fajin për rezultatet e dobëta autoritetet arsimore zgjedhin ta bartin gjithmonë në një adresë tjetër. Ministri i Arsimit shfajësohet me pretekstin se testi u mbajt pak muaj pasi që ai e mori detyrën. Kurse mësimdhënësit arsyetohen me pamjaftueshmërinë e kushteve.

Pra, faji gjithë jetim. Ama, më së paku i vetë fëmijëve.

Me një sistem arsimor që ndryshon kurrikulat aq shpesh sa çorapet, nxënësit detyrohen që t’iu përshtaten trendëve të fundit, me libra shkollorë jo rrallë plot gabime. Në ndjekje të këtij hapi të imponuar, shtrëngohen të zbatojnë edhe praktika që as nuk i dinë dhe as nuk ka kush t’ua mësojë. U imponohet që detyrat e shtëpisë t’i bëjnë në programe të vjetruara kompjuterike. Edhe në lëndën e gjuhës shqipe, aty ku duhet dhënë rëndësi shkrimit dhe saktësisë gramatikore. Duke qenë se i përdorin programet që jo mirë i njohin, në shumicën e punimeve të tyre të shqipes rëndom në vend të “ë”-së zë vend “w”-ja.

Pra, s’paska rëndësi se kanë gabime drejtshkrimore.

Meqë gjërat kështu qëndrojnë, nuk është çudi pse edhe shumë më të rriturit se ata nuk i shkruajnë drejt fjalët e gjuhës që flasin. Kësisoj, në vend të “gjithçka”, në akëcilën reklamë të dyqaneve me produkte prej 1 eurosh shkruhet “gjithqka”.

Krejt kjo, pos aspektit gramatikor e pasqyron një tjetër hendek në dije. Atë që kohë më parë e reflektoi një raport i Bankës Botërore për nivelin e cilësisë së arsimit në Kosovë dhe në vendet e rajonit. Në këtë indeks vlerësohet se 12.8 vjetët e shkollimit në Kosovë janë të barasvlershëm me 7.7 vjet arsimim cilësor. Që në përkthim i bie mbi pesë vjet boshllëk. Ç’është edhe më keq, Kosova prapë e fundit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

E teksa modele të suksesshme arsimimi nëpër botë ka me bollëk dhe për zbatimin e tyre krejt çka nevojitet është punë pak më e sinqertë dhe përkushtim i njëmendtë, Kosova duket se po mjaftohet me thënien që kushedi se ku e ka burimin: “Shkolla nuk të ban njeri”.

Andaj, gëzuar për mosdijen! E lavdi dijes, sepse PISA vjen prapë më 2021!

(Emri i nxënësit nga Japonia, i përdorur për këtë shkrim, është ndryshuar me kërkesë të prindërve)